Evropa nën hijen e ekstremeve

May 22, 2016 19:24

Evropa nën hijen e ekstremeve

Edhe pse ishte parashikuar fitorja e kandidaturës së ekstremit të djathtë në Austri, gara po shfaqet shumë e ngushtë duke i ikur parashikimeve, që priteshin. Situatë, që rikthen në kujtesë zgjedhjet rajonale në Francë në dhjetor 2015, fitoren e konsiderueshme të Frontit Nacional në raundin e parë dhe përmbysjen e rezultateve përgjatë raundit të dytë. Duket se kemi të njëjtën situatë edhe në Austri, ku ndonëse herët, mund të kemi një mobilizim të votës së partive tradicionale, për të mos lejuar penetrimin e ekstremit të djathë në presidencë.

Ndonëse, rezultati përfundimtar pritet të shpallet ditën e nesërme, fitorja e FPO-së në raundin e parë, ka zgjeruar më tej hartën e ekstremeve në Evropë. Duke iu bashkëngjitur partive të tjera ekstremiste, si Fronti Nacional francez, Interesi Flamand i Belgjikës, Partia për Lirinë holandeze, Demokratët Suedezë, Partia Nacionale Sllovake, Lega Nord e Italisë, UKIP në Britani, Partia e Popullit danez, Agimi i Artë në Greqi, etj.

Një pjesë e mirë e këtyre ekstremeve ka arritur të fuqizohet, duke mundësuar pjesëmarrjen edhe në koalicione qeveritare, por duke qeverisur edhe pjesë të pushtetit lokal. Ndërkohë, përtej panoramës politike në Austri, vëmendje tërheqin edhe zhvillimet e fundit në Belgjikë.

Vetëm dy vite, pas qeverisjes së koalicionit të djathtë, një Sondazh i Ipsos i zhvilluar gjatë muajit Maj dhe i publikuar pak ditë më parë, sjell surpriza të mëdha. Një Sondazh, që bazohej në një pyetje standard se ku do të jepej vota, nëse sot, do të zhvilloheshin zgjedhje të përgjithshme.

Rezultatet tregojnë humbje të konsiderueshme të shumicës qeverisëse, humbje edhe të partive në opozitë.

Si rrallëherë, rezultatet tregojnë një fuqizim në vota të ekstremeve.

Pra, në Flandër kemi rritje të votës së ekstremit të djathtë Vlaams Belang, parti simotër e FPO-s austriake apo Frontit Nacional francez, ndërsa në Valoni dhe në Bruksel, kemi rritje në vota të partisë së ekstremit të majtë, Partisë së Punës (PTB), simotër e Syrizë-s apo Podemos të Spanjës.

Një sondazh, që ka tronditur jo pak botën politike, pasi nuk kanë kaluar as dy vite nga qeverisja e koalicionit të djathtë, të drejtuar nga kryeministri Sharl Mishel.

Në Bruksel, Partia e Punës, ka dyfishuar që prej 2014 rezultatin e saj (nga 3,8% në 7,8%) duke u shndërruar në partinë e pestë, ndërsa në Valoni, po sipas Sondazhit rezultati vjen i trefishuar (nga 5,5% në 13,5%), duke e renditur në partinë e tretë.

Partia e Punës është një parti që i përket ekstremit të majtë edhe pse nuk preferon të quhet e tillë, por të konsiderohet si parti radikale e majtë, në spektrin e së majtës progresive. Është gjithashtu anëtare e së majtës evropiane, ku figurojnë edhe partitë e tjera radikale si Syriza, Podemos, Fronti i Majtë i Francës, Partia Komuniste e Portugalisë, etj. Një parti me program “anti-kapitalist, që nuk beson se ekonomia e tregut do të zgjidhë problemet sociale dhe ekologjike, as ato etike dhe morale”. Por, që i “duhet të përpunojë një strategji për të ardhur në pushtet, dalje nga kuadri liberal dhe shkuarja drejt një shoqërie socialiste.” Dhe nëse një ditë do të jenë në pushtet një nga objektivat kryesorë të saj, do të jetë “taksimi i milionerëve” dhe “reduktimi i kohës së punës”.

Tendenca, që ka shfaqur Sondazhi i fundit i kryer në Belgjikë, përtej debatit për efikasitetin, apo besueshmërinë e tij, kthen detyrimisht vëmendjen drejt klasave drejtuese politike dhe veprimeve të munguara opozitare. Pasi, nuk mund të mohohet fakti se që prej ardhjes në pushtet të koalicionit të djathtë në vitin 2014, një sërë masash të forta shtrënguese ekonomike si edhe reforma kanë prekur të gjithë vendin. (Kjo pasi, viti 2015 kërkonte 978 milionë euro shtesë, që situata të qëndronte brenda shinave. Por, totali për dy vite arrinte shumën prej 1,76 miliardë euro. Shkaku, 723 milionë receta fiskale më pak, e shoqëruar me një rënie të pashpjegueshme, që sipas ekspertëve, mund të lidhej me uljen e konsumit, uljen e TVA-së mbi elektricitetin apo edhe parametrave të tjerë, që ndërhyjnë. Nga ana tjetër, kësaj shume i shtohet edhe një gabim përllogaritje, i faturave të shtetit federal ndaj rajoneve nga 750 milionë në 150 milionë, që prekin taksimin e personave fizikë. Pra, në total, deri në vitin 2018, shifra që duhet rikuperuar përllogaritet në një nivel prej 8 miliardë euro.)

Masa qeveritare, që janë konsideruar nga kundërshtarët politikë, si masa të Qeverisë së Theçerit dhe që janë shoqëruar me protesta të vazhdueshme masive, me organizim sindikal, që jo pak herë kanë gjeneruar dhunë ekstreme ndaj autoriteteve policore. Kundërshtime, që kryhen në emër të de-favorizimit dhe cenimit nga këto masa të shtresave më të dobëta dhe më të pambrojtura, duke privilegjuar shtresat e pasura. Greva, që kanë paralizuar sektorë të rëndësishëm të vendit dhe që Belgjika nuk i ka njohur prej dekadash, si greva sistematike të transportit hekurudhor, greva të transportit urban, greva të kontrollorëve të transportit ajror (edhe në kulmin e krizës së pas atentateve, pas hapjes së aeroportit), grevë në sistemet e burgjeve nga gardianët, protesta të sektorit policor, etj. Së fundmi, edhe sistemi i Gjyqësorit është rebeluar, duke u pozicionuar haptazi, si rrallë ndonjëherë kundër masave qeveritare, dhe duke e akuzuar njëkohësisht qeverinë se po tenton të cenojë si kurrë ndonjëherë lirinë e pushtetit gjyqësor dhe ta uzurpojë atë.

Por, panorama e Belgjikës, nuk është shumë e ndryshme nga panorama e vendeve, që janë prekur nga kriza ekonomike, nga ku është favorizuar edhe një terren ideal për lindjen apo fuqizimin e ekstremeve. Kjo, pasi përballë krizës dhe opsioneve për zgjidhje, janë favorizuar kryesisht ato skema, që cenojnë dhe godasin më të dobëtit e një sistemi ekonomik dhe shoqëror. Dhe janë pikërisht këto shtresa, që po vazhdojnë të përballen me forcën e një makinerie shtetërore, që është shndërruar në një mekanizëm të pandjeshëm. Fatkeqësisht, këto shtresa janë tradhtuar edhe nga përfaqësuesit e tyre politikë, ato që duhet t’i mbronin dhe jo t’i miratonin këto ashpërsime, që dobësojnë dhe degradojnë më tej, të drejtat për një mirëqenie ekonomike dhe sociale. Tradhti politike, që në shumë vende ka krijuar terrenin e duhur për thithje të kësaj shtrese, nga skajet radikale të ekstremeve. Aty, ku premtohet në vazhdimësi se do të mbrohen interesat e tyre dhe se për daljen nga kriza ekonomike, shteti do t’i drejtohet vetëm miliarderëve dhe milionerëve.

Nga ekstremi i majtë, deri më tani vetëm radikalët e Syriza-s arritën të vijnë në pushtet, duke pasur shansin të qeverisin dhe të zbatojnë politikat që propaganduan. Por, tradhtuan shumë shpejt! Dolën jashtë linjave të filozofisë së boshtit ideologjik, duke miratuar dhe aplikuar masa shtrënguese ekonomike, në kundërshtim të plotë me programin, idetë dhe propagandimin e tyre.

Një qeverisje e pastër e ekstremit të djathtë, ende nuk është provuar, edhe pse në disa vende kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e koalicioneve qeveritare. Hungaria, spikat ndër vendet e tjera, pasi klasa drejtuese politike ka tendenca të vazhdueshme rrëshqitëse ndaj ekstremit të djathtë. Edhe pse ekstremistët e Jobbik (Lëvizja për një Hungari më të Mirë)  janë partia e tretë në vend dhe kanë rreth 24 vende në parlament, vëzhgohet një tendencë e njëjtë, si në disa vende të tjera, por me nuanca të ndryshme, ku klasa qeverisëse adapton sjellje dhe qëndrime, që i përkasin ekstremit, por me synim rimarrjen e elektoratit të humbur./I.T/DITA

May 22, 2016 19:24