Evropa sociale në qendër të vëmendjes

April 9, 2017 23:30

Evropa sociale në qendër të vëmendjes

Dimensioni social, po merr një vëmendje të veçantë në debatin evropian. Evropa nuk gjendet në periudhën më të favorshme të saj. Prej kohësh, kriza ekonomike dhe financiare ka shkaktuar erozion të të drejtave sociale. Por, në një kontekst tensionesh të shumëfishta, Evropa duhet të mbrojë qytetarët e saj, duke i dhënë më shumë peshë të drejtave sociale të përfshira në traktate dhe të ndërgjegjësohet mbi faktin se, liritë ekonomike nuk mund të zhvillohen në dëm të këtyre të drejtave.

Sistemet e mbrojtjes sociale të Evropës, vlerësohen si ndër më të evoluarit në botë. Modele të bazuar në vlerat e demokracisë dhe të drejtave individuale, negocimit të lirë kolektiv, ekonomisë së tregut, barazisë së shanseve dhe mbrojtjes sociale. Dhe këta modele sociale nuk janë fryt i rastësisë. Gjatë viteve të Evropës së pas luftës, vendet kanë zhvilluar politika sociale me synim tejkalimin e dëmeve të luftës, si edhe bërë të mundur evoluimin drejt një shoqërie më të barabartë. Ky dimension social i Evropës, është prezent në tekstet evropiane që prej nënshkrimit të Traktateve të Romës të vitit 1957, ku përfshiheshin fusha ndërhyrje, si përmirësimi i kushteve të punës dhe barazia gjinore në pagesa mes meshkujve dhe femrave. Dhe roli i Evropës nuk ka munguar në zhvillimin e politikave sociale, në vendet e saj anëtare. Gjatë dekadave, politika sociale e vënë në jetë në të katër anët e Evropës ka përmirësuar jetën e qytetarëve evropianë, duke iu ofruar atyre një mbrojtje sociale të vlerësuar dhe të konsideruar.

Dhe ndër arritjet më të rëndësishme të BE-së, në sferën e Evropës sociale, përfshihen një sërë fushash të mëdha, si: qarkullimi i lirë i punëtorëve dhe koordinimi i regjimeve të sigurisë sociale, ku çdo shtetas i BE-së ka të drejtë të punojë, pa diskriminim, në një tjetër vend të BE-së dhe të
jetë gjithashtu i siguruar; barazia mes meshkujve dhe femrave, garantimi i barazisë së trajtimit në punë, i pagesave dhe i sigurimeve sociale, mbrojtja e të drejtave individuale, kolektive dhe garancia e sigurisë në vendin e punës, luftë ndaj diskriminimeve, etj.

Por, fusha e veprimit të Evropës sociale është e kufizuar, nga vullneti i vendeve anëtare, që kërkojnë të ngelen zot të politikave të tyre në fushën e së drejtës së punës dhe të fiskalitetit. Në Traktatin e Lisbonës, në hapësirën që përfshin bashkëpunimin e vendeve anëtare në fushat e politikës sociale (punësim, e drejta e punës dhe të kushteve të saj, formimi profesional, siguria sociale, e drejta e sindikatës…) saktësohet se, këto fusha, “ngelen esencialisht në kompetencën e vendeve anëtare. Masat e inkurajimit dhe të koordinimit, janë të një karakteri plotësues. Ato shërbejnë për të përforcuar bashkëpunimin …dhe jo për të harmonizuar sistemet kombëtare.”

Gjithsesi, ka një ndërgjegjësim në rritje në nivel evropian, në lidhje me domosdoshmërinë e avancimit në këtë fushë. Dimensioni social tashmë ka marrë trajtat e teme të ndjeshme, që do
të reflektohej edhe në përgatitjen e Deklaratës së Romës, ku përveç presionit të hapur të
Polonisë dhe të Greqisë, do të ishin edhe drejtues të tjerë kombëtarë, që do të insistonin për rëndësinë e përmendjes së saj, si një prej sfidave të mëdha për të ardhmen e BE-së. Insistim, që e nxiste nevoja për të reaguar ndaj efekteve të një krize të zgjatur ekonomike dhe financiare, masave shtrënguese, që po shkaktonin erozion të vazhdueshëm të të drejtave sociale, por edhe rritja e populizmit, si edhe shqetësimet e shkaktuara nga efekti i Breksit. Tashmë janë një sërë sondazhesh që konfirmojnë sistematikisht, jo vetëm zhgënjimin ndaj mungesës së veprimit të politikës evropiane, por edhe ndaj një Evrope që në gojën e saj si përgjigje për zgjidhjen e krizës ekonomike, nuk kishte veçse fjalët “sanksion”, ndëshkim” dhe “disiplinë”.

Reflektimi i nisur prej kohësh, pritet të sjellë një sërë ndryshimesh. Gjatë fundit të muajit prill, do të prezantohen një sërë iniciativash nga Komisioni Evropian. Bëhet fjalë për një numër të lartë projektesh ligjore ose të koordinuara, mbi fusha konkrete të sektorit të punësimit dhe atij social. Një kuadër i gjerë, që artikulohet rreth 20 parimeve të mëdha të organizuara në tre fusha: qasja në formime, punë cilësore (kushte pune të barabarta) dhe qasje në një mbrojtje sociale adekuate dhe të vlefshme. Ndër të tjera, pritet të vihet në jetë edhe zbatimi i një mekanizmi të rëndësishëm, që do t’i mundësojë Unionit ndjekjen e evoluimit të rezultateve konkrete sociale, të vendeve të tij anëtare./im.ta/

DITA

April 9, 2017 23:30