Evropa thirrje për demokraci Turqisë

May 14, 2015 11:07

Evropa thirrje për demokraci Turqisë

Parlamenti Evropian pritet të votojë së shpejti Rezolutën mbi progresin e reformave në Turqi për vitin 2014. Kandidatja e “përjetshme”, Turqia, nën drejtimin e Erdogan ka shfaqur shenja rebelimi të forta ndaj imponimeve të vazhdueshme, që vijnë nga Brukseli. Duke kërcënuar hapur Unionin, se rruga e Turqisë në fund të fundit, nuk ka pse ndjek frymën dhe ndriçimin evropian, ai nuk ka munguar të flirtojë me “armiqtë” aktualë të tij, si me udhëheqësin rus, Putin. Por, çfarë sugjeron Rezoluta, që pritet të miratohet së shpejti dhe ku janë fushat, që Unioni kërkon përmirësim të Turqisë?

Korrupsioni, shfaqet si një nga problematikat shqetësuese. Teksti i Rezolutës, kërkon rritje të vullnetit politik, me synim krijimin e një kuadri të vërtetë juridik për luftën ndaj korrupsionit. Theksi është vënë mbi dështimin e tentativave për kryerjen e hetimeve serioze mbi korrupsionin. Në të përmendet gjithashtu edhe shqetësimi mbi procedurat penale të nisura ndaj gazetarëve investigues, pas rasteve të korrupsionit, duke i bërë thirrje qeverisë të garantojë lirinë e medias me prioritet.

Rezoluta shpreh keqardhjen që “ligji 6532” i miratuar në 2014, i jep një imunitet personelit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës turke, ndaj përndjekjeve juridike duke kompromentuar në këtë mënyrë më shumë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

Komisioni parlamentar dënon gjithashtu tentativat e qeverisë turke, për të bllokuar aksesin në media dhe faqet e ndryshme sociale të internetit, intimidimin dhe presionet e tjera të ushtruara mbi gazetarët, sulmet policore, si edhe arrestimin e gazetarëve të 14 dhjetorit 2014.

Një tjetër shqetësim që shfaq teksti i Rezolutës, lidhet me numrin në rritje të akteve të dhunës kundër gruas në Turqi dhe dështimin e zbatimit të masave juridike për të penguar këtë fenomen. Eurodeputetët kërkojnë një legjislacion të përgjithshëm kundër diskriminimit, kryesisht ndalimin e diskriminimit dhe fjalimeve të urrejtjes ndaj origjinës etnike, religjionit, orientimit seksual, të gjinisë dhe identitetit seksual.

Në tërësi, Turqia duhet të bëjë më shumë për të luftuar korrupsionin dhe të respektojë lirinë e medieve, shprehjen e lire dhe pavarësinë e gjyqësorit. Qeveria turke, duhet të angazhohet pa ekuivoke në respektimin e vlerave dhe principeve demokratike, që janë në themel  të funksionimit të BE-së. Turqia ftohet të vendosë procesin e reformave në qendër të prioriteteve të saj kombëtare.

Eurodeputetët inkurajojnë përpjekjet e qeverisë turke për të përmbyllur në mënyrë të qëndrueshme procesin e paqes me komunitetin kurd, por shprehin keqardhje për vendimin turk për të ndërtuar barrierën/digën Ilisu në rajonin e banuar kryesisht nga kurdët, me efekte sociale, mjedisore dhe politike shkatërruese të pritura mbi popullatën kurde.

Në lidhje me politikën e jashtme, teksti i rezolutës mbështet përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit BE-Turqi, si edhe në fushën e dialogut antiterrorist. Turqia, sipas rezolutës, duhet ndër të tjera të përdorë burimet e mundshme për të luftuar kundër grupeve terroriste si shteti islamik në Irak dhe Siri. Për më tepër, vendi duhet të veprojë paraprakisht për të evituar që luftëtarët e huaj, fondet apo pajisjet të mos i shkojnë ISIS apo grupeve ekstremiste nëpërmjet territorit të saj.

Ndërsa, në lidhje me Qipron deputetët i bëjnë thirrje Turqisë dhe palëve në proces të mbështesin në mënyrë aktive rimarrjen e negociatave mbi ribashkimin e saj, mbi bazën e parametrave të Kombeve të Bashkuara, në fushën e ribashkimit. Turqia duhet të marrë masa me synim normalizimin e marrëdhënieve me Qipron, të fillojë tërheqjen e trupave të saj dhe të transferojë zonën e Famagustës OKB-së. Paralelisht, Republika e Qipros, duhet të hapë portin e Famagustës nën mbikëqyrjen doganore të BE-së dhe të lejojë qipriotët turq të realizojnë shkëmbime tregtare me BE-në në mënyrë të ligjshme.

Teksa pikat më të ndjeshme të rezolutës lidhen me dhunimin e të drejtave themelore, lirinë e shtypit dhe shprehjes së lirë, ato specifikohen të jenë gjithashtu edhe barriera kryesore për rinisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit. Veprimet e Turqisë kundër lirisë së shtypit dhe pluralitetit të mendimit vlerësohen si të papajtueshme me vlerat themelore të Unionit duke hyrë në konflikt me rinisjen e negociatave.

Rezoluta e cila ka një fokus të veçantë mbi politikën e jashtme, për shkak të prioriteteve aktuale që burojnë nga zonat e konflikteve, sugjeron që kryeministri turk të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Evropian mbi punët e jashtme, kur të gjykohet e përshtatshme dhe e nevojshme. Gjithashtu në këtë kuadër, eurodeputetët mendojnë se hapja e kapitujve të negociatave mbi aderimin në BE, tashmë të ngrira, mbi sigurinë dhe mbrojtjen do të jenë të nevojshme në këtë drejtim. Teksti, sugjeron edhe rritjen e kontakteve mes popujve, kryesisht nëpërmjet liberalizimit të vizave, duke dhënë një prioritet në marrjen e vizave biznesmenëve turq si edhe studentëve.

Por, a do të reflektojë Turqia e Erdogan pas miratimit të kësaj Rezolute ? Gjasat janë të pakta. Ai që pritet, është një sulm i radhës ndaj vetë Unionit për hipokrizi, demagogji dhe standarde të dyfishta ndaj Turqisë. Reagimet e fundit, që kanë shoqëruar kritikat evropiane ndaj Turqisë, kanë qenë të ashpra, duke akuzuar BE-në, për ndërhyrje në punët e brendshme dhe politikat e sigurisë. BE është akuzuar, se përdor standarde të dyfishta mbi konceptimin e lirisë, pasi ka mbrojtur vazhdimisht dhunuesit e lirisë së të tjerëve. Presidenti i Turqisë, Erdogan është shprehur tashmë publikisht, se nuk i interesojnë opinionet e Unionit dhe se nuk e njeh Parlamentin Evropian, për rrjedhojë edhe rezolutat që dalin prej tij, nuk mund të shërbejnë si një moment reflektimi ndaj problematikave kryesore në vend. Duket se, Turqia është tashmë e vendosur mbi ndryshimin e kursit diplomatik, që nuk sheh më nga “Fari Evropian”. Mbase, ky ka qenë në thelb edhe qëllimi apo synimi evropian, ndryshe logjika e ka të pamundur shpjegimin dhe justifikimin e mospërfilljes së kandidaturës turke, duke e lënë të trokasë prej gati gjysmë shekulli në dyert e saj./im.ta/

 

http://www.gazetadita.al/shenim-erdogan-i-ve-kufirin-te-thana-be-se/

http://www.gazetadita.al/gjermani-turqia-e-erdoganit-nuk-ka-vend-ne-europe/

http://www.gazetadita.al/zgjerimi-be-turqi-gjysem-shekull-negocimesh/

 

 

May 14, 2015 11:07