Evropën nuk e trembin më ekstremet

October 15, 2017 18:19

Evropën nuk e trembin më ekstremet

Do të ishte viti 1956, kur në Austri themelohet një parti e re, FPO, nga ish-nazistë. Në krye do të kishin një ish-oficer të njohur, të krahut ushtarak të SS-ve, Fridrih Pitër, i cili do të qëndronte në krye të partisë, deri në vitin 1978. Më pas, partia do të njihte një orientim më liberal, nën drejtimin e Shtegërit, deri në vitin 1986. Madje, duke arritur të jenë për herë të parë pjesë e pushtetit, në kuadrin e një koalicioni të vogël, të drejtuar nga kancelari social-demokrat Sinouatz, prej vitit 1983 deri në vitin 1986.

Por, fuqizimi i FPO-së, do të vinte me zgjedhjen e Haiderit në krye të saj, një figurë nacional-populsite dhe ekstremiste. Falë retorikës së pasur ksenofobe dhe demagogjisë së spikatur, Haider arrin ta pozicionojë gradualisht partinë, si forcën e dytë politike në vend. Duke fituar, 4,9% të votave në zgjedhjet legjislative të vitit 1983, 9,7% të tyre vetëm tre vite më vonë, më 1986, 21,8% në vitin 1995 dhe duke kapur nivelin e 26,9% në vitin 1999.

Ajo çka arriti të bënte Haideri, sipas historianit dhe filozofit austriak Nidërstater, ishte një zhvendosje e rrënjëve ideologjike të partisë, nga mjedisi i shtresës së mesme, për ta pozicionuar atë, si një lëvizje, apo proteste populiste, “e njeriut të vogël”, e “të zellshmeve” dhe “të ndershmëve”, po ashtu edhe si parti ekonomike liberale. Sipas tij, kur shihej e nevojshme, Haideri, përdorte pjesë nga fondi gjerman kombëtar, nuk druhej nga aluzionet nacional-socialiste, por gjithashtu shprehej fort për një patriotizëm të spikatur austriak. Dhe kjo përzierje “ideologjike”, (Kurt Ruchard Luther) pati sukses bindës, sepse FPO-ja, arriti të depërtojë tek punëtorët: në zgjedhjet parlamentare të vitit 1990, fraksioni i saj në rang kombëtar, u rrit nga 18, në 33 deputetë, më 1994 ajo fitoi 22,5% të votave të zgjedhësve dhe me to 42 mandate. Vetëm dy vite më vonë, më 1996, në zgjedhjet legjislative evropiane, FPO arriti rezultatin më të mirë në rang federal, me 27,5% të votave, më 1999 në Karinti, ku Haideri mbante postin e kryetarit të landit (deri në vdekjen e tij aksidentale më 2008), ajo u bë partia më e fortë me rreth 40%. Tre vite më vonë, FPO arrin sukses elektoral, për arsye edhe të dobësimit të SPO-së, duke sjellë një rezultat elektoral me 52 mandate për secilën forcë. Dhe teksa bisedimet mes konservatorëve dhe social-demokratëve për formimin e një koalicioni qeverisës do të dështonin, OVP dhe FPO bien dakord për drejtimin e vendit së bashku. Dhe social-demokratët, që kishin vendosur për kancelarin në thuajse 30 vite me radhë, tashmë kalojnë në opozitë.

Sipas Niedërstater, FPO dhe suksesi i saj në ato vite, mbështetej te tema kryesore e fushatës, që lidhej me problematikën e të huajve. Që nga viti 1980, popullsia e Austrisë kryesisht përmes mbërritjes së imigrantëve, në kërkim të punës, në radhë të parë nga Turqia, dhe Jugosllavia, si edhe përmes azilkërkuesve, ishte rritur me gati 10% duke kaluar shifrën 8,2 milionë (1996). Dhe pjesëmarrja e FPO-së në qeveri, në atë kohë ngjalli protesta të ashpra brenda vendit, në veçanti nga personalitetet e kulturës, si edhe nga rrethet me orientim të majtë dhe të gjelbrit. Shkrimtarja Elfride Jelinek p.sh. e cila në vitin 2004 u nderua me çmimin Nobel, ndaloi shfaqjet e veta në teatrot federalë.

Dhe menjëherë pas futjes në qeveri të FPO-së, 14 vendet anëtare të BE-së, presin çdo marrëdhënie dypalëshe me qeverinë austriake përgjatë thuajse 7 muajsh, duke imponuar kufizime të ambasadorëve të tyre dhe duke mos mbështetur asnjë kandidaturë austriake, në poste të organizatave ndërkombëtare. Një ngrirje diplomatike e marrëdhënieve që duhet theksuar se nisi me iniciativën e Francës dhe të Belgjikës.

Por, nisma nga njëra anë rezultoi e pasuksesshme, pasi qytetarët austriakë filluan të pozicionohen kundër iniciativës së BE-së, duke e perceptuar këtë situatë si ndërhyrje në punët e brendshme, dhe nga ana tjetër “Raporti i të Urtëve” i kërkuar nga BE, nuk vërtetoi se qeveria ishte kundër vlerave evropiane.

Gjithsesi, mosmarrëveshjet në koalicionin qeverisës do të çonin vetëm dy vite më pas, në shtator 2002, në shpërbërjen e tij.

Sot

Sot, 17 vite më vonë, ekstremi i djathtë në Austri, njeh suksesin e tij të radhës, në rritjen e përqindjeve.

Sërish me të njëjtin demagogji dhe obsesion ndaj çështjeve të identitetit kombëtar dhe rrezikut kombëtar ndaj imigracionit. Situatë, që e kemi parë të përsëritur edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale të një viti më parë.

Prej shumë vitesh, ekstremi i djathtë ka zgjeruar bazën e tij në Austri.

Por, ajo çka bën ndryshimin tek partitë e tjera, 17 vite më pas është se, ato kanë huazuar të njëjtën retorikë me atë të ekstremit të djathtë, duke u shndërruar në kopje të origjinalit ekzistues. Madje edhe social-demokratët, kanë spikatur në këtë fushatë me tema raciste, ndoshta në dukje “naive apo të pafajshme”, por sfondi i tyre racist lë shije të hidhur.

Të vetmet parti, që i kanë rezistuar “marrjes borxh” të retorikës dhe ideologjisë ekstremiste, janë komunistët dhe të gjelbrit. Ata, kanë refuzuar të shndërrojnë “myslimanin” dhe “imigrantin” në qengjin e tyre të sakrificës, për marrjen e votave të elektoratit.

E njëjta filozofi, e ngritur në dy kolona kryesore: piketimi i “armikut” dhe nacionalizmi.

Rëndom në të gjitha partitë e ekstremit si djathtas, por edhe majtas, vërehet synimi për të piketuar apo gjetur “armikun”. Nëse ekstremizmi i majtë përpiqet ta gjejë brenda klasave, i pasur/ i varfër, ekstremizmi i djathtë e gjen tek dallimet etnike-kulturore, apo edhe racore.

Ky “armik”, ndryshon thjesht formë, pasi thelbi ngelet gjithnjë i njëjti. Herë profilizimi i armikut shkon ndaj të huajës, ndaj emigrantit, ndaj refugjatit, siç po ndodh rëndom me krizën e refugjatëve në shumë vende evropiane, por ky armik profilizohet edhe ndaj së brendshmes, bashkëkombësve, ndaj një minoriteti, duke marrë forma raciale, ndaj një kategorie të caktuar, si p.sh. ekstremizmi i djathtë në Hungari, Jobik etj. Por, ky “armik” mund të jetë edhe me profil evropian, etj. Pasi është përzgjedhur dhe profilizuar, atëherë nëpërmjet mekanizmit të propagandës, retorikës popullore, gjuhës së kuptueshme dhe imazheve të goditura, fillon dhe shndërrohet në të keqen e të gjithë shtetit, dhe shoqërisë. Ky “armik” fajësohet për çdo problem ekonomik, financiar, politik, psikologjik, duke krijuar përshtypjen nëpërmjet imagjinares, se po të “eliminohet” automatikisht do të zhduken të gjithë problemet.

Paralelisht, hyn në skenë edhe kolona e dytë e filozofisë ekstremiste, nacionalizmi. Sepse, armiku apo armiqtë e piketuar, supozohen të “kërcënojnë” seriozisht ekzistencën kombëtare. Dhe që kombi të mund të ekzistojë, duhen luftuar “armiqtë” e përzgjedhur. Jo rastësisht, në të gjithë platformat e partive ekstremiste gjejmë idenë e kombit glorifikues, kombit të madh dhe zot i fateve të tij. Jo rastësisht, të gjitha ato janë raciste dhe ksenofobe.

Kriza ekonomike, ka ngushtuar që prej vitit 2007, hendekun mes të majtës dhe të djathtës, si edhe mes të djathtës dhe politikave të ekstremit të djathtë.

Sot, Evropa ka ndryshuar, nuk është më ajo e 17 viteve më parë.

Në Hungari, që prej vitit 2010, qeveris një parti, me nuanca të forta ekstremiste edhe pse formalisht e djathtë, por Evropa nuk është vendosur asnjëherë në bllok kundër saj.

Në Parlamentin Evropian për herë të parë, zgjedhjet legjislative të vitit 2014, do të sillnin krijimin e një grupi parlamentar ku u bashkuan të gjithë forcat ekstremiste e 9 vendeve evropiane, dhe Evropa e lejoi.

Në Poloni, ultra-konservatorët e ardhur në pushtet në tetor 2016, kanë shkuar shumë larg me politikat e tyre anti-Evropë, anti-demokraci dhe ligj, por Evropa sërish nuk është vënë në bllok kundër tyre.

Në Gjermani, AFD, arriti të futet në Parlamentin Federal, por se Evropa nuk u bë sërish bllok kundër saj.

Konservatorët e Marjano Rahoi në Spanjë, vetëm para dy javësh, në mesin e Evropës së civilizuar, përdorën haptazi dhe brutalisht dhunën ndaj qytetarëve të pambrojtur, duke risjellë në vëmendje imazhe të qeverisjeve autokratike. Por, se Evropa në mënyrë aspak dinjitoze, heshti.

Është një heshtje, sidomos ndaj ekstremeve, që konfirmon kapërcimin e një kapitulli, ku ato shikohen si e keqja, që duhet bllokuar në mënyrë absolute. Kjo, edhe për faktin se një pjesë e mirë e tyre, kanë karakter pragmatik dhe ndërrojnë qasjen me marrjen e pushtetit dhe nuk e refuzojnë demokracinë parlamentare. Dhe nga ana tjetër, Evropa po në të njëjtin sens pragmatizmi ka krijuar një fill elastik, duke lejuar partitë e djathta brenda familjeve të saj, të huazojnë retorikën ekstremiste, me synim mbajtjen e elektoratit të tyre.

Qëndrime ftohtësish pragmatiste, por që nuk arrijnë dot të mbulojnë me tis morali, diçka të pamoralshme: sfondin e një lakuriqësie interesash.

 

DITA

October 15, 2017 18:19