Faik Konica, miti dhe realiteti (II)           

February 14, 2020 13:39

Faik Konica, miti dhe realiteti (II)           

MIHAL KALIA

(Vijon nga numri i kaluar)

Faik Konica rikthehet në realitetin shqiptar me të njëjtat atribute si të Jezu Krishtit. Të dy vijnë “të ringjallur, profetë dhe dyshimtarë, hyjni, të paasgjësueshëm, të pakalbshëm, të pashpërbërshëm, plot vuajtje shpirtërore, Zot dhe mësues të njerëzimit, udhëndriçues – meteor”(M. Zeqo). Aq sa krijohet përshtypja se Mrekullia ndodhi: Jezu Krishti u shfaq sërisht në Tokë. E vërteta e madhe se F. Konica nuk u vu në rolin e mësuesit dhe edukatorit të kombit  ia zbeh të gjitha miradinat me të cilat është stolisur brerorja e “shenjtorit”, duke e distancuar thekshëm prej “të ngjashmit” të tij, si një dioskurizëm i paprinciptë. E gjejmë me vend të citojmë Aristotelin se “Eshtë e pamundur që diçka të jetë dhe të mos jetë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin kuptim”. Erudicioni është i domosdoshëm, por jo i vetëmjaftueshëm për të ndriçuar rrugën e lirisë e të qytetërimit. Xixëllonja bën dritë në një hapësirë tepër të kufizuar, ndriçimi i së cilës shërben më tepër për të orientuar të tjerët se ku ndodhet e se ku ata duhet të shkojnë hamendshëm dhe jo siç bëjnë dhe siç bënë “meteorët”, drita e të cilëve atij i vriste sytë. F. Konica mjaftohej me aq dritë sa të shikonte dhe të mos e shikonin, me aq ajër sa të merrte frymë e jo të jepte, duke mos mundur të bëhej dot shenjtor e të zotëronte forcën për një ringjallje, pavarësisht dëshirës së kujt që në këtë kaos nuk e konsideron mëkat, deri dhe në pandjeshmëri, njëjtësimin e ferrit me parajsën, apo të djajve me ëngjëjt. “Faiku kishte kaluar nëpër të gjitha ideologjitë revolucionare” (F. Noli), por nuk u bë asnjëherë revolucionar, “u trazua me qarqet socialiste” (F.K), por asnjëherë nuk u mbrujt si i tillë , “zgjodhi udhën e kryengritjes” (F. K), por asnjëherë nuk udhëtoi nëpër të.

Vlerat e qenësishme të Konicës si atdhetar e shkrimtar N. Jorgaqi më tepër i shikon të potencuara sesa të pranishme  dhe, ajo që të bën përshtypje, është fakti se këtë potencë e jetëson në flukset më anemike të figurës dhe veprës së tij, si: “Konica nuk u vu në rolin e mësuesit dhe edukatorit të kombit”. “Ai mbeti një individualist i spikatur”, “Si krijues nuk u tregua i shtruar dhe nuk pati rendiment të lartë”, “Në të vërtetë Konica nuk la vepra monumentale”, “Nuk e kishte të lehtë t’i nënshtrohej një regjimi të rregullt pune”, “Poezia e tij e parë që i kushtohej gjuhës shqipe ka një vargëzim të dobët”, “Vjershat e tij do të jenë më shumë frymëzime të rrethanave rastësore, sesa nevojë e përhershme kreative”, “Konica nuk është njeri i entuziazmit, nuk di të pohojë kollaj ….. më tepër i shkon mohimi sesa pohimi”, “ Dashuria dhe nderimi i Konicës ndaj atdheut e popullit shprehet në mënyrën e tij krejt të veçantë”, “Tregimi “ Një ambasadë e Zulluve në Paris” mbyllet me një mendim tepër skeptik, kur Plugu pohon i dëshpëruar “Desha të liroj shkëmbin. Dhe prej këtij çasti ai braktis atdheun dhe merr rrugën e mërgimit”, “Autori (Konica), duke qenë aristokrat, edhe pse e donte popullin shqiptar, në përgjithësi  nuk ka afërsi të plotë shpirtërore dhe urat e komunikimit me të nuk kanë qenë të lehta”,”Hovi krijues i Konicës, gjithë ai urragan zemërimi, me kompromisin që bëri shkrimtari me Zogun, u ndërpre, u shua. Pena e Konicës nuk ishte më në gjendje të rrëfente për dramën e Mamurrasit” (N. Jorgaqi).

Këto përcaktime të individualitetit dhe karakterit, të marrëdhënieve me popullin, të konceptit për lirinë etj., të vetëmjaftueshme për sendëzimin e kahut të vlerësimit të Konicës, si është e mundur që me një “edhe pse”, apo “megjithatë”, të shërbejnë si rrjedhë për shpëlarjen e negativit dhe portreti të jepet plot ngjyra e jetë, në harmoni me situatat e rrethanat?! Ajo farë, e mbjellë në kopshtin konician, që gulfoi kutërbueshëm (si më sipër), nuk mund të shpërthejë në lule gjithë aromë si, respektivisht: “Konica mbeti një individualitet i spikatur, njeri që e begatoi dhe e larmoi universin tonë kombëtar”, “Trashëgimia letrare e Konicës ka dhënë fruta në periudha shqetësimesh kombëtare”, “Kahu që ai ndoqi si shkrimtar u shërbeu drejtpërdrejt përpjekjeve të autorëve tanë më të mirë për konsolidimin e një letërsie kombëtare shqiptare”, “Konica kish kërkesa të larta ndaj vetes e në përgjithësi ndaj artit dhe akti krijues për të ishte i shenjtë”, “Zëri poetik i Konicës do të shprehet me tone luftarake e patos romantik, me figura të goditura retorike”, “Në të gjitha llojet hap shtigje, lë vepra shembullore”, “Secilin nga rilindasit e mëdhenj e jep në përmasat që i ka dhënë historia, të gjithë të ndriçuar nga drita e së vërtetës e të rrethuar nga atmosfera e dashurisë dhe devocionit të autorit”, “Shqipëria në sytë e Konicës , e vështruar në optikën e atdhetarit demokrat dhe intelektualit të emancipuar, përbën vizionin dhe brendinë e gjithë veprës (“Shqipëria si m’u duk”)”, “Tregimi “Një ambasadë e Zulluve në Paris, zbulon qartë mekanizmin e luftës politike e të patosit të saj”,”Vetëm një njeri me formim dhe aftësi si Konica mund të përcaktonte aq qartë individualitetin e shqiptarit dhe të ngrinte perden e jetës dhe të historisë së tij në dritëhijet e së vërtetës”, “Konica në figurën e Salembozës ka pasur parasysh prototipin e A. Zogut, natyrën e tij ambicioze e arriviste, rolet negative në ngjarjet politiko-shoqërore”. (N. Jorgaqi)

“O Atë, dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet me ujë, që të më freskojë gjuhën, se po vuaj tmerrësisht në këtë flakë!”. Dhe Abrahami i përgjigjet: “Midis nesh dhe jush është vendosur një humnerë e madhe; askush nuk mund të kalojë që andej te ne” (“Bibla” fq .86). Kjo përgjigje lë të kuptohet se Llazari dhe të gjithë ata si Llazari, në rastin tonë Konica, sipas dishepujve të tij, nuk e kanë vendin në fund të ferrit, qoftë edhe përkohësisht, duke iu nënshtruar vuajtjeve e mundimeve. Nëse Konica e ka shijuar fundferrin, nuk i mbetet tjetër shpresë për t’u ngritur fuqishëm mbi tokë, sado që të përpiqet e të kujdeset ndonjë shpirtmirë që t’i shuajë etjen përvëluese, qoftë edhe apostull, sepse në ferr nuk lutesh dot “Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”, por “Më fal, o Zot, se nuk dija çfarë bëja!”. Por kush?! Nuk dinte çfarë bënte kryekalorësi (pa kalorës), i meteorti (që nuk dritëson shtigjet), i vetmuari (edhe pse në rrethana të shpërthimit të një zjarri të fuqishëm atdhetar e patriotik, kryesuar nga një bashkësi “apostujsh”, që shpresuan, luftuan dhe realizuan idetë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit)?!

Epigrami i Horacit nuk ka ngjashmëri me atë të Konicës, se Monumenti i gjuhës shqipe është vepër madhore e një grupi dinjitozësh të shquar e me zemër të madhe, nisur kohë para Konicës dhe vazhduar pas tij, sikurse sot dhe në të ardhmen. Konica mbeti kalorës i vetmuar, kur kalorësit e tjerë të shqipes vringëllinin shpatat në kryqëzatat nga më demoniaket, unike në egërsinë kundër saj, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në shtrirje dhe më thellë në kohë. Emrat e tyre janë renditur në epigramin e Monumentit të Gjuhës Shqipe, veç atyre që nuk duan dhe nuk e shikojnë këtë mrekulli kombëtare si vepër të përbashkët, por veçohen, me megalomaninë bajraktareske të përçmimit me gjuhë të helmët të atyre që ai i quan “ca alkoolikë, ca kafshë, armiq të amëshuar të çdo përparimi, që nuk e kanë pëlqyer kurrë qëllimin tonë”. Dhe, kush e njeh veprën e botuar të Konicës, e di mirë se për cilët bëhet fjalë, për avangardën e lirisë, përparimit dhe Pavarësisë së vendit. E drejta që i jepet Konicës të skalitë në bronz epigramin “Exegi monumentum aere perennius”(M. Zeqo), lidhet ngushtë me “të drejtën” tjetër për të fshirë emrat e atyre “zagarëve e zuzarëve, që punojnë natë e ditë, të mbetemi pa dritë”. (F.K). Eshtë tepër aktuale dhe shpërgjumëse thënia se: “Kur e kaluara nuk ndriçon të ardhmen, shpirti ecën në errësirë” (De Tocqueville), por, kur atë e lë në harresë dhe , për më keq, e tjetërson, atëhere terri të përpin në rrugën ku ecën dhe padyshim që do të përplasesh e copëtohesh nga të papriturat befasuese e çmendurake të saj. Ky, i njohuri, bëhet i padukshëm “në terrin”për të cilin punonin rilindasit tanë të shquar, të cilëve u takon merita dhe e drejta t’u skalitet në Monumentin e Gjuhës Shqipe epigrami i Horacit: “Ngritën një përmendore më të fortë se bronzi”. Nëse politikanët mungesën e nervit, moralit dhe idealit, mosmbajtjen e premtimeve, fyerjet, mungesën e integritetit dhe personalitetit ia faturojnë “natyrës” së vetë politikës, gjë që i bën të vazhdojnë të ndjehen të rëndësishëm, të domosdoshëm, të respektuar, arrogantë, sqimatarë e kapadainj, edhe pse qesharakë, të padenjë, vulgarë e të mërzitshëm, po studiuesit dhe krijuesit kujt do t’ia ngarkojnë këtë trallisje të tyre, në mos tjetër, veç interesave të ngushta, të kamufluara këto me apostazi bindjesh nëpërmjet rrugës anagogjike (interpretimit shpirtëror të gjërave lëndore)?!

Ndjekja e rrugës hyjnore për ardhjen e Konicës, “Ringjallja”, fjalë e zgjedhur nga rrafshi teologjik dhe jo nga ai tokësor, “rehabilitim”, është një artific për pranueshmërinë e përqasjes dhe kalimit nga një objekt që nuk ka qartësinë e duhur (eksplikand), në saktësimin e tij (eksplikat), duke anashkaluar eksplikacionin, zbërthimin dhe sqarimin e objektit. Ky sendërgjim ka pagën dhe shpagën e vet. Për tridhjetë copa argjendi mund ta çosh një njeri drejt vdekjes, por nuk mund ta ngjallësh atë as për tridhjetë milionë copa argjendi, ashtu sikurse në këtë ringjallje nuk mund të konvertosh të Keqen me të Mirën, prapësitë me mirësitë. I vetmi “shteg” për zhbartje të tilla është hyjnizimi, sepse hyjnitë kanë rrëfenja ringjalljesh.

Pendimi për vrasjen e së Mirës apo ringjalljen e së Keqes është dërrmues, sepse është vetëgjykim, ronitje e trupit dhe zvetënim i shpirtit. Vuan mëkatari dhe lutet: “Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga dridhma e zemrës sime” (“Psalm i Davidit”). “Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj”, do të thoshte Juda Iskarioti dhe i hodhi copat e argjendta në Tempull (shpërblimin për tradhtinë ndaj Jezusit), u largua dhe shkoi e vari veten. Dëmi ishte shumë më i madh se dobia, e cila nuk mund të rrokë dot pashpërbëshmërinë dhe pafundësinë e shpirtit. Ndërsa me pendimin për “ringjalljen”e së Keqes, nuk mundesh tjetër veç të vetëdemaskohesh, “duke luajtur rolin e profetit të rremë” (M. Zeqo). Një i tillë “ka dëshirën instinktive të qëllohet me monedha” (M. Z), duke hapur plagë shumë të rënda e më të thella se ato kur qëllohesh me gurë, ngaqë monedhat godasin shpirtin e amshueshëm, ngaqë gjymtojnë veprën, pastërtinë dhe moralin e saj për jetë e mot. “Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra!” (Psalm i Davidit). Nuk është çudi të guxosh, çudi është të miklosh e të miklohesh. Sa për sentenca, pa u larguar nga Servantesi, kujtojmë Sançon tek i jep xhevapin Don Kishotit: “S’e kam fjalën atje, po e kam këtu, që jam i sigurtë se ajo Zonjë është mbretëreshë, aq sa ka qenë edhe nëna ime, se ndryshe nuk puthej me jaranin e saj tinëz, posa kujton që nuk e sheh njeri….është më mirë të rrimë këtu me rehat e t’i lemë orrospitë të venë prapa diellit e mu në djall”.

 

 

 

February 14, 2020 13:39
Komento

5 Komente

  1. demo February 14, 14:30

    Nuk e permbyste dot,tani po e shenjteroni si Krishti.
    Per Konicen mund te flase NJE NE SEREN E KONICES.
    As ti,as Zeqo,as Jorgaqi.
    Me mire kujtojme ato qe la miku dhe armiku plebe, Fan Noli

    Reply to this comment
    • Sala February 15, 22:59

      Konica vetem shante me ART, sic ben ti dhe une ,llap llap, por bukur, dhe vetem kaq.Ke bere gje per Shqiperine NENE ti o demo? atehere mbylle kamaren.

      Reply to this comment
  2. Vlora1912 February 14, 16:55

    Ehhhhh……

    Ta *qellosh Konicen e Madh nga rrjeshtat *frengji te Bibles!!!

    Pa li si do dukej Konica po ta sulmonin nga rrjeshtat e Kuranit!!!

    ****************

    Ne fakt Konices nuk ja ndjente….po fare……as per njeren evas per tjetren…

    Aq me pak tja ndiente per tipa prifterinjsh si ky Karlia-Mi i bodrumeve Seminariste Fetare….

    ***********

    Nje Mi Gjirizesh, si ky Kalia, nuk arrin ta pshurr Kuroren e Lisit Konice……..edhe me ndihmen e Lulullatosve.

    ****************

    Eshte e habitshme, qe minj te till, me orientime fetare, Sulmojne papushim cdo Simbol, cdo Maje, cdo vlere te kombit Shqiptar.

    Duket si nje strategji e qellimshme,,afatgjate, e ngadalte por e Pandalshme, e cila synon Zvetnimin dhe bjerrjen e cdo Vlere Kombetare Shqiptare.

    Dhe kur kjo behet nga *Frengji fetare orthodokse, tregon per autoret e vertet tek rruga e Kavajes

    ********************
    Askush ne Shqiperi nuk e ka paraqit Konicen si Shenjtor……Askush

    Por nuk mundet nje bastard Anonim, si ky Karlia, ta krahasoj ate me djallin….

    Reply to this comment
  3. Pellazgos February 16, 16:44

    Popull me servil se Albanosat,me te pabese,me te pa vlere nuk mund te gjesh ne face te dheut.
    Lerini Llazaret dhe Judhat e cifuteve po merruni me Sokratet,Aristotelet,Platonet,Omirosat qe ndricuan boten.
    Njeriu vleresohet nga veprat dhe jo nga idiotizmat dhe ignorantet duke politizuar edhe Zotin per qellime te tyre idioteske.

    Reply to this comment
  4. Krist February 17, 20:34

    Konicen,e perfaqeson “denjesisht”portali Konica.Al,e vllezerve Nazarko,te cilet servile deri ne paturpesi,te pa afte ,deri ne idiotesi,te pa turpshem,deri ne “pafajesi”,qe edhe vete nuk e dine se c’perfaqesojne :mish,apo peshk,apo as mish,e as peshk.Vetem per nje gje kane merite (sikunder edhe Konica,pra Faik beu ),i sherbejne verberisht,atij qe i/e paguajne.Kujtoni letren qe i ka derguar Fan Nolit:….duhet t’a pranojme se Zogu eshte me i forte ,se ne,perderi sa nuk fituam,e morrem arratine…..Nderkohe,nga armik i ketij te fundit,iu shtrua dhe vu ne sherbim,se thoni c’te doni,por nuk mund te jetonte ndryshe….

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*