Faji nuk është jetim

December 24, 2017 10:34

Faji nuk është jetim

Bedri Islami

43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan shfuqizimin e një ligji, që vetë ata, në shumicën e tyre, e kishin miratuar. Kryesia e Kuvendit, strukturat e saj, meqenëse janë më shumë se një e treta e deputetëve, kishin detyrimin për të shqyrtuar këtë kërkesë dhe për të marrë vendimin e mundshëm: të kalojë në parlament për votim e ndoshta edhe për miratim, ose të hidhet poshtë si e papërshtatshme. Deri këtu jemi në rregull me procedurën e ndjekur.

Por, vetëm deri këtu, jo më tej.

Për dy arsye themelore: së pari, nuk ishte fjala për një ligj të zakonshëm, por për njërin nga më themeltarët në periudhën e tanishme që, në një mënyrë ose në një tjetër, ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, por edhe të jetës politike të saj.

43 deputetët kërkonin për të shqyrtuar, në seancë të jashtëzakonshme, shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një ligj, i cili, veç të tjerave, ka edhe rrënjët e tij në nene të veçanta të Kushtetutës së Kosovës, dhe nuk do të ishte kurrsesi e mjaftueshme abrogimi i tij, pasi, më parë duhej zhbërë ajo pjesë e Kushtetutës që flet në mënyrë direkte për ngritjen e këtij institucioni.

Së dyti, nguti për të kaluar sa më shpejt të ishte e mundur një kërkesë për shfuqizimin e një ligji nuk të çon drejt vendimeve të pjekura e konsensuale. Shpesh herë nga ngutja lindin krijesa të verbra. Drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, njëkohësisht tre nga figurat më të rëndësishme të luftës në Kosovë, ranë pikërisht në grackën e ngutjes, të kalimit të Kosovës nga një gjendje politike drejt stabilitetit, në një gjendje tjetër, ku përplasjet me faktorin ndërkombëtar do të ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër do të jetë dhe, vazhdon të jetë, thellimi i një distancimi mes vetë partive politike në Kosovë.

Nga njëra anë do të ravizohen të përbashkëtat mes treshes kryesore qeverisëse, PDK-AAK dhe Nisma, ndërsa nga ana tjetër gjejnë gjuhë të përbashkët LDK dhe Lëvizja Vetëvendosja.

Në grupimin e parë, AAK, e prirë nga Haredinaj dhe Nisma, e drejtuar nga Limaj, kanë qenë që në krye të herës kundërshtare të krijimit të këtij mekanizmi, veçmas për shqiptarët, duke i trajtuar si e vetmja palë që mund të hetohet, të gjykohet e që mund të ketë bërë krime. PDK-ja, e prirë aso kohe nga Thaçi ishte nismëtare e miratimit të këtij ligji.

Në grupimin e dytë, LDK-ja ishte e gjitha pro krijimit të kësaj gjykate, ndoshta me një besim të dyfishtë ; se përmes saj mund të hiqen nga skena politike në Kosovë kundërshtarët e saj të mëdhenj, sidomos në PDK dhe së dyti se, përmes kësaj gjykate ,mund të gjenden edhe ata që kanë qëlluar e vrarë disa nga aktivistët e njohur të saj.

Kjo temë, ndër më të nxehtat, është aktivizuar fort ditët e fundit, duke lënë në harresë se në të njëjtën kohë, numri i ish luftëtarëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,të vrarë pas luftës, është disa herë më i madh. Në fakt, do të ishte e dobishme, jashtëzakonisht shumë, nëse do të kishte, përmes kësaj gjykate, saktësime për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosja ka qenë që në fillim kundër krijimit të kësaj gjykate. Edhe tani duket sikur është në parim, por shton kërkesat e saj që, sëbashku me këtë ligj, të shfuqizohen edhe vendimet që lidhen me Demarkacionin dhe Zajednicën, dy vendime që në fakt nuk duheshin kaluar, por që tani janë si kali i betejës i Lëvizjes. Ajo, nga kjo lëvizje politike e juridike e udhëheqjes së Kosovës, mori ndihmën më të madhe, pasi tani, problemet që dukeshin sikur po e bjerrnin pamjen e saj, duken të vogla.

Përse ishte një lëvizje politike krejt e pakohë, e pa duhur dhe jashtë problemeve themelore të Kosovës?

Janë disa arsye:

Së pari, për vetë klasën politike në Kosovë duhet të kishte qenë e ditur se shfuqizimi i një ligji me përmasa jashtë Kosovës, nuk është më një çështje e brendshme. Gjykata Speciale dhe Prokurori i Specializuar do e vazhdonin punën e tyre. Ajo , që është vënë në lëvizje, do të vazhdojë edhe më tej, pavarësisht nëse duan apo jo tani deputetët e Kosovës. Për krijimin dhe punën e saj janë vënë në lëvizje struktura të rëndësishme në botën euro-atlantike, që nuk mund të ndalojnë sepse parlamenti i Kosovës ka ndërruar mendje.

Së dyti, lëvizja e papritur zuri në befasi edhe strukturat e rëndësishme ndërkombëtare, të cilat e kishin fjetur mendjen se kjo është diçka që nuk ka kthim. Zgjimi befas i tyre, pa asnjë konsultë paraprake, ishte për to si një grusht i vogël shteti në marrëdhëniet mes tyre. Një gjë që nuk ishte as e pranueshme, as e justifikuar.

Kur po diskutohej gjerësisht për krijimin e Gjykatës Speciale kam pasur disa takime me zotin Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës. Jo thjeshtë për këtë temë, por edhe këtë temë e kemi diskutuar gjatë. Zoti Thaçi ishte njeriu që ngulte këmbë më shumë se të gjithë që kjo duhej bërë. Raporti i Dick Martyt sapo kishte kaluar dhe kërkesa për Gjykatën Speciale bëhej gjithnjë e më e fortë. Në horizont ishte shfaqur një kundërshtare e hershme e pavarësisë së Kosovës, zonja Del Ponte, përmes një libri shtesë, ku e vërteta është shumë e pakët në krahasim me të pavërtetat.

Thaçi ishte i qetë në mendimin e tij dhe, në dyshimin nëse edhe ai mund të ishte objekt i këtij hetimi, ishte krejt i qartë. Pikëpamja e tij ishte se „ lufta ka qenë e drejtë, mund të jenë bërë gabime ose faje nga njerëz të veçantë, por është rasti të zbardhim të vërtetën e luftës sonë“. Lidhur me çka mund të ndodhte me të, qoftë edhe si dëshmues i ngjarjeve, ishte edhe më i qetë.

Në fakt institucionet e Kosovës e morën lehtë raportin e Dick Martyt. E morën si një krijesë e ardhur nga Beogradi dhe mund të kishin të drejtë, por bënë gjumin e madh. Ata nuk u kujtuan, megjithë ndërhyrjet, të krijonin një qëndrim dhe strukturë institucionale, por, si ndodh shpesh, secili shihte se ku mund të ishte emri i tij.

Thaçi, në atë kohë ishte i domosdoshmi i ndërkombëtarëve në miratimin e ligjit. Ai, si duket, u kishte premtuar se do e bënte një gjë të tillë dhe e mbajti fjalën. Legjendat urbane se ai e kishte bërë për të ruajtur kokën e tij, si një kompromis jetik, do të thotë se në Kosovë ende është mendimi se edhe në institucionet e larta të drejtësisë euro-atlantike veprohet si në drejtësinë kosovare. Marrëveshje të tilla , jam i bindur, nuk kanë ekzistuar e nuk ekzistojnë.

Së treti, në vetë klimën politike të Kosovës ësht domosdoshmëri historike krijimi i relacioneve plotësuese ndaj çështjeve më themelore të jetës së saj politike. Krijimi i një gjendje të re, e cila ngriti në alarm shumë faktorë ndërkombëtarë, kaloi fillimisht përmes mendimit politik të vetë forcave politike parlamentare.

Lëvizja për shfuqizimin e një ligji kaq të rëndësishëm, dashje pa dashje, në mënyrën se si është zhvilluar e ka rrjedhur më tej, duke dashur të vërë në vend një dinjitet që mund të nëpërkëmbet, do e rëndojë edhe më shumë dyshimin për atë që ka ndodhur në vitet e luftës në Kosovë.

Tre drejtuesit e lartë të shtetit të Kosovës , duke menduar se kanë detyrim kushtetues t’i venë veshin 43 deputetëve , kaluan në cakun tjetër; në mos përmbushjen e një detyrimi tjetër që kanë brenda vetes. Kjo solli bojkotimin e kryesisë së Kuvendit nga dy prej tre forcave kryesore politike në vend.

Deputetët e Kosovës janë kujtuar vonë për të zhbërë fajin e tyre, kur, në ngutje e sipër miratuan një ligj që në thelbin e tij është selektiv, duke gjykuar vetëm shqiptarët, që, në fakt ishin viktimat e dhunës më të përgjakshme pas luftës së dytë botërore në trevat europiane.

Nëse aso kohe kanë bërë faj, ai nuk është jetim. Ai bart emrat e tyre. Jo vetëm të një njeriu, cilido qoftë ai. Deputetët nuk janë marioneta, por njerëz që mendojnë, kanë personalitetin e dinjitetin e tyre. Nëse, për një çast, e kanë humbur, faji është edhe i tyre.

Disa nga deputetët e Kosovës, të cilët e kanë nënshkruar kërkesën për shfuqizimin e ligjit të mësipërm, tani, si duket të zgjuar nga reagimi ndërkombëtar, pretendojnë se nuk e kanë ditur se çfarë kanë nënshkruar dhe se ndjehen të mashtruar. Pak të thuash se në këtë rast, ata janë dy herë të fajshëm. Nëse, si deputetë të Kosovës, edhe për një rast kaq madhor, nuk e dinë se çfarë nënshkruajnë, atëherë përse janë aty?

Sidoqoftë, përpjekja për të bërë fakt të kryer një vendim madhor, tani është heshtur, por si duket, nuk ka rënë deri në fund.

Janari mund të jetë në fillesën e tij me përplasje të tjera, të cilat mund të sjellin zhvillime të panjohura.

Por, ajo që është vënë në lëvizje, është e vështirë të ndalet, në mos e pamundur.

 

December 24, 2017 10:34
Komento

1 Koment

  1. Drejtesia do te behet duan apo nuke duan ujqeri e cakej te Prishtines zyrtare. December 24, 11:08

    Viktimat kerkojne dretesise,frike nga drejtesia kane vetem te perlyerit me krime e korrupsione nga fuqia e pushkes dhe e pushteteve. Tanime koha e ujqerve dhe e cakejve te veshur me kostum pushtetesh mbaroje, sikurse dhe e vrasjeve pa “autore”pra vrases. Duan apo nuke duan ujqeri e cakejte,Drejtesia do te behet, duan apo nuke duan ujqeri e cakejte, se drejtesine e ka kerkuar populli qe ne shumice ju bojkotoje,pra SOVRANI, USA dhe BE-ja, para tyre te gjithe paloparlamentaret jane askushi. Besoni dhe binduni nje here te vetme ne jete qe ZOTI t’u meshiroje.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*