FAKSIMILE / Nga heqja e licencës te arbitrazh dhe DIA, historia e “pajtimit” Qeveri-CEZ

October 17, 2015 15:57

FAKSIMILE / Nga heqja e licencës te arbitrazh dhe DIA, historia e “pajtimit” Qeveri-CEZ

E kthyer tashmë në një subjekt të nxehtë të debatit politik, marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe kompanisë çeke CEZ a.s. duket se efektin e saj të parë ka patur shpëtimin e 135 milion eurove që automatikisht rrezikoheshin nga arbitrazhi mes shoqërisë së shpërndarjes dhe kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt.

Shteti shqiptar u gjend mes dy zjarresh të njëkohshme. Së pari, një padi në arbitrazh e depozituar nga CEZ a.s. që kontestonte largimin e saj të dhunshëm përmes vendimit të Entit Rregullator të Energjisë në 21 Janar 2013. Së dyti, një padi tjetër e lajmëruar pak ditë pasi qeveria shqiptare përzuri çekët. Këtë herë ishte DIA e Kastriot Ismailajt që kërkonte dëmshpërblim nga kompania e shpërndarjes.

Gazeta “Dita” ka siguruar një urdhër të ndërmjetëm të Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Vjenë, dërguar avokatëve të palës shqiptare dhe kompanisë së shpërndarjes në vitin 2014 referuar konfliktit me DIA-n. Ky dokument shpjegon shumë për marrëdhënien problematike me DIA-n dhe efektin që ka patur tek ky arbitrazh zgjidhja me pajtim e mosmarrëveshjes me çekët që i dha fund procesit paralel të arbitrazhit të dytë.

Kliko këtu për t’u njohur me Urdhrin e ndërmjetëm të Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Vjenë

 

DIA njoftoi padinë pasi ERE hoqi licencën çekëve

Po si kanë rrjedhur ngjarjet? Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri hoqi në mënyrë të njëanshme licencën e CEZ Shpërndarje më 21 Janar 2013. Një javë më pas, kompania tanimë nën administrimin e përkohshëm të palës shqiptare njoftohet prej Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vjenë se ndaj saj ishte ngritur një padi prej shoqërisë  “Debt International Advisory DIA”.

DIA kërkonte shpërblim dëmi, detyrim bazë plus penalitete, si rezultat i pretendimit të saj për ndërprerjen e njëanshme të kontratës nga CEZ Shpërndarje për mbledhjen e debive nga konsumatorët që kishin mbi 90 ditë pa paguar faturat.

E gjendur në këtë situatë, CEZ Shpërndarje tashmë nën administrimin e palës shqiptare kërkoi orientimin e ERE-s lidhur me përfaqësimin e kësaj çështjeje, për shkak se nga ana e tribunalit kërkohej kryerja e disa veprimeve proceduriale, si dorëzimi i parashtrimeve dhe propozimi i numrit të arbitrave.

Pala shqiptare, përmes Avokaturës së Shtetit nisi procedurat për afrimin e një studio avokatore dhe u nënshkrua kontrata me studion Clifford Chance në Gjermani.

 

Vendimmarrja e ERE i la peshqesh shtetit DIA-n

Duke qënë se procesi i negocimit, i nënshkrimit dhe miratimit të Marrëveshjeve të Mbledhjes së debive, ishte zhvilluar nga ana e menaxherëve cekë, qoftë nëpërmjet shkresave zyrtare apo komunikimeve elektronike, CEZ Shpërndarje nën drejtimin e palës shqiptare u gjend përpara një mungese totale informacioni dhe dokumetacioni në mënyrë që të kundërshtonte apo të rrëzonte pretendimet dhe provat e palës paditëse DIA.

Pala shqiptare dhe avokati i kërkuan në mbi 20 shkresa zyrtarisht palës çeke, tanimë të larguar me forcë, që ti vinte në dispozicion provat përkatëse që dispononte për këtë marrëdhënie me DIA-n. Studio avokatore Clifford Change përmes komunikimeve me palën shqiptare shprehej se mungesa e asistencës nga CEZ a.s, nëpërmjet punonjësve të saj dhe e dokumetacionit dhe e korrespondencës që dispononin, cënonin seriozisht pozitën e CEZ Shpërndarje në procesin e Arbitrazhit dhe potencialisht çështja mund të humbej nga CEZ Shpërndarje sh.a.

Forma indirekte e shpronësimit të CEZ Shpërndarje sh.a nga ERE, i krijoi të gjithë mundësinë CEZ a.s, që të shmangte përgjegjësinë e saj lidhur me detyrimet dhe të drejtat e shoqërisë për shkak se këto ishin marrë forcërisht përsipër nga ana e ERE sipas vendimit për tju deleguar administratorit të përkohshëm të emëruar nga ERE.

 

Ismailaj përfiton nga situata konfuze ligjore

Duke e shfrytëzuar këtë moment, Kastriot Ismailaj dhe DIA, siç dëshmohet nga urdhëri i arbitrazhit, paraqet në arbitrazh pretendimin se studio Clifford Chance e ka të pavlefshëm autorizimin e përfaqësimit ligjor të CEZ Shpërndarje. Pretendimi bazohej në faktin se administratori i përkohshëm sipas vendimit të ERE kishte kompetenca të kufizuara që shtriheshin vetëm në mbikqyrjen dhe operimin e pajisjeve sipas licencës dhe jo kompetenca për të lëshuar autorizime të tilla përfaqësimi.

Por pala çeke, deklaronte se ERE me vendimin e marrë me heqjen e licencës, kishte ngrirë bordin e kompanisë dhe administratorin çek duke mos njohur asnjë të drejtë atij, as atë të autorizimit për përfaqësim ligjor. Kjo e futi çështjen në një kolaps juridik dhe tanimë Ismailaj ishte shumë pranë parave që pretendonte.

 

Urdhëri i arbitrazhit për palën shqiptare

Në urdhërin që publikon gazeta, tribunali vendosi detyrimin e CEZ Shpërndarje që të paraqiste një autorizim përfaqësimi nga përfaqësuesit ligjor të shoqërisë, që ishin çekët, në të kundërt, do të merrte masa që të deklaronte pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve proceduriale të kryera në kuadër të mbrojtjes nga CEZ Shpërndarje ose detyrimin e CEZ Shpërndarje që të vendoste garanci bankare në vlerën e plotë të padisë 135 milion euro, me qëllim që të mbuloheshin të metat e autorizimit të përfaqësimit.

 

Zgjidhja me pajtim me CEZ a.s zhbllokoi ngërçin me DIA

Në një kohë kur çështja DIA thuajse po humbej automatikisht në arbitrazhin e Vjenës, arritja e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe çekëve të CEZ a.s për zgjidhjen e konfliktit mes tyre me pajtim, krijoi mundësinë që pala çeke të jepte edhe dokumentacionin e plotë që dispononte për çështjen DIA.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Zgjidhjes me mirëkuptim, u bë e mundur qartësimi i statusit juridik të shoqërisë duke u reflektuar në ekstrakt përfaqësuesi ligjor i shoqërisë dhe duke u fshirë përfaqësuesit çek.

Me këto prova të marra nga çekët u zbraps pretendimi i DIA-s në arbitrazh për ngërçin e përfaqësimit ligjor. Ndërkaq, mbi bazën e këtyre provave që dëshmonin manipulimet dhe shkeljet e Ismailajt, u negociua dhe nënshkrua në Dhjetor 2014 marrëveshja mes OSHEE dhe Shoqërisë Debt International Adisory DIA. Mbi bazën e së cilës DIA dega Shqipëri hiqte dorë nga pretendimet e ngritura në arbitrazh për shpërblim dëmi, marrëveshje e cila pritet të merret në konsideratë nga Tribunali duke disponuar me një vendim në favor të CEZ Shpërndarje.

Nëse nuk do të nënshkruhej marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit mbi CEZ, provat që implikonin DIA Dega Shqipëri nuk do të ishin vendosur në dispozicion të palës shqiptare dhe OSHEE do të dështonte që të përmbushte kërkesat e Tribunalit lidhur me përfaqësueshmërinë ligjore të palës mbrojtëse. Siç faktohet dhe në urdhërin e Tribunalit, ai do të kishte dispozuar në favor të palës paditëse dhe vendimi do të ishte ekzekutuar në dëm të OSHEE e cila tërhiqte të drejtat dhe detyrimet si palë nënshkruese e kontratës.

Humbja e arbitrazhit nga shteti shqiptar me DIA-n do të shërbente gjithashtu si një precedent i rrezikshëm për tu marrë për bazë edhe në procesin e arbitrazhit mes CEZ a.s dhe qeverisë shqiptare. Nëse DIA do ta fitonte arbitrazhin dhe shteti shqiptar do të vazhdonte procesin në Vjenë me CEZ a.s, ky vendim do të shërbente si një ndër provat më të rëndësishme të pretendimeve të çekëve për cënimin e investimeve.

 

 

October 17, 2015 15:57
Komento

2 Komente

  1. front October 17, 16:26

    Eshte dora e ”qoftelargut” berishe.

    Reply to this comment
  2. Lili October 17, 20:03

    Kur jo:mosvenja ne disposition te provave eshte nje obstruktion ,edhe denohet si e tille!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*