Faktorët që ndikojnë në ndërprerjen e ciklit menstrual

Pranvera Kola August 4, 2016 11:25

Faktorët që ndikojnë në ndërprerjen e ciklit menstrual

 

Ndërprerja e ciklit menstrual për një periudhë tre mujore, apo mosardhja e ciklit deri në moshën 16-17 vjeç, ka të bëjë me patologjinë që njihet si amenorrhea, gjendje për të cilën duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore. Kjo me qëllim shmangien e ndërlikimeve dhe problemeve të tjera shëndetësore që mund të fshihen pas saj.

Mjekja infeksioniste, Ilda Xhelili, tregon për lexuesit e “Dita”, format se si shfaqet ky çrregullim, simptomat dhe ndërlikimet që vijnë nëse neglizhohet trajtimi i saj në fazat më të hershme. Sipas mjekes janë të shumtë faktorët që mund të ndikojnë në ndërprerjen e përkohshme, ose të përhershme të ciklit menstrual. Trajtimi mund të jetë i suksesshëm vetëm në rastet e evidentimit të saktë të shkakut që ka çuar në ndërprerjen e ciklit.

Kujdes duhet të bëhet me uljen e tepërt të peshës trupore, stresin,  apo dhe sforcimet fizike si shkak i aktiviteteve të ndryshme sportive. Tek disa paciente mund të ndodhë të japë efekt përdorimi i kontraceptivëve, por vetëm në mënyrë të rekomanduar nga mjeku, i cili vendos se në rastin konkret përdorimi i tyre mund të ndihmojë ciklin menstrual. Në situata të tjera, kur ndërprerja ka ardhur si rezultat i pranisë së ndonjë tumori në kokë, duhet të bëhet menjëherë ndërhyrja kirurgjikale.

Çfarë është amenorrhea dhe si klasifikohet?

Amenorrhea është termi mjekësor për mungesën e ciklit menstrual në mënyrë të përkohshme, ose të përhershme. Në literaturën mjekësore klasifikohet si primare, ose sekondare. Në amenorrhenë primare cikli menstrual nuk ka filluar akoma deri në moshën 16-17 vjeç, gjë që normalisht duhet të ndodhë rreth moshës 12-14 vjeç. Ndërsa amenorrhea sekondare është përcaktuar si mungesë e ciklit menstrual për tre herë rresht, në mënyrë të njëpasnjëshme, ose brenda një periudhe gjashtëmujore tek një grua që më parë kishte menstruacione. Cikli menstrual mund të ndikohet nga shumë faktorë të brendshëm të tillë si: “Ndryshimet e përkohshme të niveleve hormonale, stresi, sëmundje të ndryshme. Ai mund të ndikohet gjithashtu edhe nga faktorë të jashtëm, apo edhe nga faktorë të mjedisit”. Mungesa e një cikli menstrual rrallë është shenjë e një problemi serioz shëndetësor, por amenorrhea me afat më të gjatë mund të sinjalizojë praninë e një sëmundjeje, zakonisht kronike.

Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e amenorrhesë?

Cikli normal menstrual ndodh për shkak të ndryshimit të nivelit të hormoneve që sekretohen nga vezoret. Vezoret i përgjigjen sinjaleve hormonale nga Hipofiza, e cila është vendosur në bazën e trurit. Por, edhe vetë Hipofiza kontrollohet nga truri (hipotalamusi i trurit). Çrregullimet që ndikojnë në çdo komponent të këtij cikli rregullator mund të çojnë në shfaqjen e amenorrheas. Megjithatë, një nder shkaqet më të zakonshme tek femrat e reja, që shpesh neglizhohet, ose edhe keqkuptohet është një shtatzani e padiagnostikuar. Amenorrhea në rastin e shtatzanisë është një funksion normal fiziologjik. Në raste të tjera mund të ndodhë si pasojë e problemeve në hipotalamus, si pasoje e anoreksisë,  por edhe si pasojë e sforcimeve të tepruara fizike (kjo edhe në varësi të moshës). Amenorrhea primare zakonisht është një problem me predispozicion gjenetik te femrat e reja që nuk zhvillojnë menstruacione deri rreth moshës 16-17 vjeç dhe që nuk janë shtatzëna. Shumë kushte gjenetike karakterizohen nga çrregullime hormonale në nivel të hipotalamusit, të hipofizës ose të vezores. Në rastin e amenorrhesë sekondare, shkaku më i shpeshtë është shtatzania. Edhe në këtë rast, mund të ndikojnë çrregullimet që përmendëm më lart. Faktorët që mund të ndikojnë direkt mbi hipotalamusin mund të përmendim: “Humbjet ekstreme të peshës, stërvitjet e rënda, stresi i fortë emocional”. Po ashtu ndikojnë edhe sëmundje të tilla si për shembull hypotiroidizmi (niveli i ulët i hormoneve të tiroides), niveli i lartë i hormoneve mashkullore (androgenet), menopauza e hershme, sëmundje të shumta të mitrës (uterusit).

dhimbjePo përdorimi i pilulave kontraceptive a ndikon në shfaqjen e këtyre çrregullimeve?

Çrregullime të tilla përjetojnë jo rrallë edhe gratë që përdorin pilula kontraceptive  për të parandaluar shtatzaninë. Duhet të kujtojmë që pilulat kontraceptive janë me bazë hormonale, dhe si të tilla duhet të bëhet shumë kujdes me përdorimin e tyre. Në çdo rast duhet të merret këshilla e një mjeku specialist, sa i takon kohëzgjatjes së marrjes së këtyre pilulave, në mënyrë që të mos shfaqen problemet e përmendura.

Me çfarë shenjash të dukshme klinike mund të shoqërohet amenorrhea?

Në rastin e amenorrhesë primare kemi thjesht mungesën e ciklit menstrual deri në moshën 16-17 vjeç.  Në rastin e asaj sekondare, përveç mungesës se ciklit menstrual kemi edhe shenja të tjera ne varësi të shkaktarit. Konkretisht në këto raste mund të kemi trashje të zërit, shtim dhe trashje të qimeve, puçrra në fytyrë, rrjedhje të qumështit nga gjoksi edhe pa lindur fëmijë (galactorrhea dhe kjo vjen si rezultat i rritjes së hormonit të quajtur Prolaktinë). Në përgjithësi mund të themi që amenorrhea që nuk është e lidhur me shtatzëninë, ose me periudhën e tranzicionit menopausal (periudha para se të fillojë menopauza e plotë), duhet të hetohet me kujdes nga mjekët për të zbuluar problematikën që mund të fshihet pas amenorrhesë.

Çfarë bëhet për diagnostikimin e saktë të këtij çrregullimi?

Së pari merret një anamnezë e kujdesshme personale, por edhe familjare e pacientes. Testet e gjakut shqyrtojnë nivelet hormonale në nivele të ndryshme të boshtit neuro-endokrin. Në individë të ndryshëm (sipas rastit) mund të ndihmojnë ekzaminime të tilla si:Echo, skaner, apo edhe rezonancë magnetike në përcaktimin e shkakut të amenorrhesë. Kujdes i veçantë duhet treguar në femrat e reja që përdorin kontraceptivë. Ato duhen përdorur vetëm me këshillimin e mjekut specialist dhe jo të blihen direkt në farmaci, pa asnjë lloj rekomandimi.

kontraceptivet oraleSi trajtohet kjo patologji?

Trajtimi ka të bëjë në radhë të parë me përcaktimin e shkakut specifik. Në të dyja rastet e amenorrhesë (primare dhe sekondare), qëllimi është rivendosja e bilanceve hormonale në të gjitha nivelet dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme që mund të jenë shkaktare. Natyrisht që në këto raste mund të lindë nevoja e terapive hormonale sipas këshillimit të mjekut specialist. Një problem mjaft i ndërlikuar paraqitet edhe trajtimi i menopauzës. Për këtë do të flasim gjatë një herë tjetër pasi edhe problematika që përfshihet është mjaft e gjerë. Një ndër komplikacionet më të rëndësishme të amenorrhesë është steriliteti, pra pamundësia për të mbetur shtatzënë. Komplikacion tjetër është osteoporoza  (ulja e densitetit kockor si rezultat i niveleve të ulëta të hormonit estrogjen). Kjo është më e zakonshme për gratë e periudhës premenopausale.

A mund të parandalohet?

Amenorrhea mund të konsiderohet më shumë si një simptomë, dhe jo si sëmundje në vetvete. Prandaj mund të parandalohet vetëm nëse parandalohet shkaku. Për shembull amenorrhea që rezulton nga faktorë gjenetikë nuk mund të parandalohet. Masa mund të merren kur ajo rezulton pas situatave të tilla si anoreksia, mbipesha, sforcimet fizike apo nga përdorimi i gabuar i kontraceptivët orale. E rëndësishme është që në asnjë rast të mos neglizhohet si problem dhe të trajtohet me kujdes dhe profesionalizëm. Kjo pasi pas saj mund të përfshihen një sërë problemesh të tjera shëndetësore.

Pranvera Kola August 4, 2016 11:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*