“Faktori Veliaj” në zgjedhjet e 25 qershorit

June 1, 2017 11:54

“Faktori Veliaj” në zgjedhjet e 25 qershorit

 

Situata politike në vend rreth tri javë para zgjedhjeve në optikën e Profesor Tarifës. Marrëveshja Rama-Basha, mbyllja e çadrës në bulevard dhe listat e partive. Mungesa e personaliteteve në parlamentin e ardhshëm dhe protesta e të përjashtuarve nga lista e PD-së. “Shkatërrimi” i partive të vogla dhe çfarë e favorizon një fitore të mundshme të Partisë Socialiste…

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor Tarifa, si do ta konsideronit këtë fushatë për zgjedhjet e 25 qershorit, në fazën finale të së cilës tashmë kemi hyrë?

– Shumë interesante, krejt të pazakontë, një anomali brenda një normaliteti, ose një normalitet brenda një situate anormale. Nuk do të thoja një “risi”, pasi fakti që një situatë e tillë krijohet për herë të parë gjatë këtij një çerek shekulli tranzicioni demokratik nuk e bën atë një dukuri politike esencialisht të re, por një përpjekje të inxhinieruar për të përballuar një situatë politike gati-gati absurde, të krijuar disa muaj më parë, si rrjedhojë e një politike të vjetër, quasi demokratike, që është mbajtur gjallë nga një klasë politike protodemokratike. Edhe më parë, në këtë gazetë, kam theksuar se, në fillim të këtij viti, Shqipëria nuk gjendej në një krizë politike, pasi koalicioni qeverisës PS-LSI funksiononte, parlamenti mblidhej dhe qeveria gëzonte përkrahjen e shumicës së popullsisë, çka do të thotë, vazhdonte të kishte legjitimitet. Kriza politike s’ishte veçse një krizë e imagjinuar dhe një narrativë e partive opozitare, të cilat, për shkak të dobësisë së tyre, u trembeshin zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit dhe, sidomos, implementimit të reformës në drejtësi. Largimi i tyre nga Parlamenti dhe strehimi në “çadrën” e Bulevardit pollën një krizë, e cila, eventualisht, mund të çonte në dështimin e zgjedhjeve. Aktualisht, duket se kriza është zgjidhur, ngaqë partitë politike kryesore të vendit janë vënë në garë për të fituar zgjedhjet e 25 qershorit.

Fatos Tarifa

– Shumë zhurmë po bëhet ditët e fundit për listën e kandidatëve për deputetë të PD-së. Zhurma duket e arsyeshme në pamje të parë, por ndoshta kjo zhurmë ka bërë që të largohet disi vëmendja nga lista e PS-së, e cila, gjithashtu, ka pasur shumë kontestime, apo jo?

– Nuk është thjesht përbërja e listave të kandidatëve për deputetë ajo që më shqetëson më shumë, sesa vetë sistemi që i ka prodhuar këto lista. Ky sistem, i shndërruar në ligj në vitin 2008, ka krijuar kryetarë “të fortë” partish, që janë mbi partitë që i kanë zgjedhur, me fjalë të tjera, parti të personalizuara. Realisht, listat e kandidatëve për legjislaturën e ardhshme, ashtu si dhe ato të legjislaturës që sapo u mbyll, shprehin jo vullnetin dhe pëlqimet e elektoratit shqiptar, por pëlqimet dhe vullnetin personal të liderëve të tri partive politike kryesore të vendit. 140 anëtarët e Parlamentit të këtij vendi ishin dhe do të jenë edhe në legjislaturën e ardhshme 140 individë që janë përzgjedhur me dorë, kokë më kokë dhe emër për emër, nga tre burra që drejtojnë tri partitë kryesore: Partinë Socialiste, Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Qytetarëve shqiptarë s’ju mbetet veçse të votojnë ata individë, që këta tre burra dëshirojnë t’i kenë ushtarë të regjimentuar në institucionin më të lartë ligjvënës të Republikës, edhe sikur vetë qytetarët shqiptarë të mos i njohin fare se cilët janë dhe ç’përfaqësojnë kandidatët në listat e partive, madje edhe mund të mos i duan ata.

A mund të bëhet fjalë, në rrethana të tilla, për zgjedhje vërtet të lira e të drejta (free and fair), çka është parimi bazë kushtetues i një rendi demokratik? Zgjedhjet e lira nënkuptojnë që çdo individ mbi moshën që përcakton ligji, të ketë të drejtë njëlloj si të tjerët që të zgjidhet ose të zgjedhë krejt lirisht, me vullnetin e vet dhe jo i penguar ose i intimiduar, atë kandidat, ose atë parti politike që ai pëlqen. Listat e kryetarëve të partive shqiptare ua heqin realisht mundësinë – pra dhe të drejtën kushtetuese – për t’u zgjedhur në Parlament pjesës dërrmuese të qytetarëve të vendit dhe ua njohin këtë të drejtë vetëm disa qindra individëve që kryetarët e partive kryesore i përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë.

Nëse dikush më kundërshton, duke më kujtuar natyrën përfaqësuese të demokracisë, do t’i thoja se, këtu pikërisht qëndron mëkati tjetër i madh i këtij sistemi që kemi, pasi qytetarëve shqiptarë u mohohet e drejta kushtetuese që të shprehen e të zgjedhin ata individë që vetë qytetarët (jo kryetarët e partive politike) mendojnë se duhet t’i përfaqësojnë dhe mund të mbrojnë më mirë interesat e tyre në Parlament.

– Ju kuptoj shumë mirë dhe ndaj të njëjtin qëndrim me ju. Por, përtej mënyrës se si dhe nga kush janë hartuar listat e kandidatëve për deputetë, doja të dija mendimin tuaj për cilësinë e kandidatëve…

– Kjo është realisht një pyetje e vështirë dhe, në fakt, një detyrë e pamundur, pasi në listat e tre partive të mëdha unë njoh fare pak emra: disi më shumë në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, për shkak se kjo është partia politike më e madhe dhe ende partia kryesore qeverisëse e vendit; një numër të paktë individësh në listën e Partisë Demokratike dhe vetëm pak emra në listën e LSI-së. Ata që njoh unë janë, besoj, të njëjtët individë që njihni edhe ju, dhe të njëjtët emra që i njeh pjesa më e madhe e elektoratit shqiptar, për shkak të vazhdimësisë së tyre në jetën politike të vendit. Të tjerët nuk i njoh dhe unë besoj se pjesa dërrmuese e kandidatëve në listat elektorale të këtyre zgjedhjeve, për të gjitha partitë, janë emra tërësisht të panjohur. Për këtë arsye, nuk mund të shprehem më specifikisht për kualitetet dhe meritat e tyre si përfaqësues potencialë të interesave e të vullneteve të elektoratit shqiptar në Parlamentin e vendit.

Kjo nuk më pengon të them se, mua nuk më shqetëson fakti që në këto lista ka shumë emra të panjohur, pa ndonjë eksperiencë ose karrierë politike. Ndonjëherë, mungesa e eksperiencës dhe e karrierës mund të jenë pozitive. As nuk më shqetëson fakti që në lista shoh shumë pak veteranë të politikës shqiptare, disa prej të cilëve, në këto 26 vite, s’kanë bërë punë tjetër dhe s’kanë qenë gjë tjetër veçse “parlamentarë”. Mendoni, për një çast: të rinjtë e sotëm 20 e ca vjeçarë, nga lindja e tyre e deri më sot, kanë parë në televizion të njëjtat fytyra që  gjoja “përfaqësojnë” interesat e tyre! Koha e politikanëve të tillë ka ikur. E sotmja është koha e një politike të re (jo e një “republike të re”), dhe politikën e re mund ta bëjnë vetëm njerëz që nuk i mban të burgosur e shkuara, por i shtyn përpara një vizion demokratik e progresist për të ardhmen. Uroj që në radhët e para të listave të të gjitha partive të ketë emra të tillë. Ndër ata që njoh, sidoqoftë, unë nuk besoj se janë të tillë ata individë që kryesojnë listën e PD-së, për shembull, për Qarkun e Korçës (Duka, Salianji apo Balliu), ose për Qarkun e Vlorës (Dule apo Ristani). Nuk po përmend listat e dy partive të tjera të mëdha pasi, pak a shumë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për to në raste të veçanta. Natyrisht, nuk më vjen keq aspak që zonja Topalli nuk do të ulet më në Parlamentin e Shqipërisë, në atë Parlament të cilin ajo e ka drejtuar si mos më keq për tetë vite me radhë, por më vjen keq që në atë sallë do të shohim sërish z. Berisha. Koha e tyre ka perënduar, ashtu siç ka perënduar edhe koha e Xhuvelëve të djeshëm, apo e Duleve dhe Medive që s’po i shqiten politikës dhe parlamentit për një çerek shekulli. Politika e tyre nuk i duhet më këtij vendi dhe ata vetë janë bërë me kohë faktorë irritues për inteligjencën dhe psikologjinë e pjesës më të madhe të publikut të informuar shqiptar. Nga ana tjetër, më vjen keq kur shoh se, një ndër politikanet më racionale e më të artikuluara të Partisë Demokratike dhe, gjithashtu, një eksperte shumë e mirë në drejtimin ekzekutiv të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, znj. Bregu, është lënë jashtë liste.

– Por, si e konsideroni faktin që në listat e partive më të mëdha mungojnë emrat e personaliteteve e të intelektualëve të shquar të këtij vendi, të cilët do t’i bënin nder Parlamentit të ardhshëm?

– Me përjashtim të legjislaturës së parë postkomuniste, në fillimin e viteve 1990, legjislaturat e tjera kanë pasur gjithnjë e më pak personalitete të shquara, intelektualë publikë dhe ekspertë në radhët e tyre. Historia e parlamentarizimit shqiptar të periudhës postkomuniste mund të quhet historia e deintelektualizimit të pushtetit legjislativ në këtë vend. Shihni sa pak juristë dhe sa pak ekonomistë janë ulur deri më sot në Kuvendin e Shqipërisë dhe sa pak të tillë ka në listat e kandidatëve të të gjitha partive që konkurrojnë në këto zgjedhje. Unë nuk mendoj se në Parlament duhet të kemi domosdo shkrimtarë, poetë ose artistë të shquar. Disa prej tyre edhe mund të luanin një rol pozitiv në debatin parlamentar, por në parlament duhej të kishim domosdo më shumë juristë dhe ekonomistë, që jo thjesht kanë një diplomë universitare në këto fusha, por kanë vetëdijen, përvojën dhe etikën profesionale që kaq shumë i duhen organit më të lartë përfaqësues të vendit dhe vetë procesit legjislativ (Afërsisht një e katërta e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një e treta e anëtarëve të Senatit të Kongresit Amerikan kanë qenë historikisht dhe janë juristë).

– Për listën e PD-së Berisha tha se nuk ka fare dorë në atë mesele, pra se është vullneti tërësisht i Bashës për atë përzgjedhje që ka bërë. Ju e besoni këtë?

– Kërkon të më tërheqësh, me sa duket, në vorbullën e thashethemnajës së këtyre ditëve dhe në skenarët aq shumë të ngjashëm që shohim të përsëriten çdo mbrëmje thuajse në të gjitha studiot e televizioneve kryesore. Kërkoj të më mirëkuptosh: le t’ua lëmë “analistëve” dhe “opinionistëve” tanë të kurdo-dhe-kudogjendur të spekulojnë dhe t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Ata janë çdo ditë, nga mëngjesi në mbrëmje, në ato mjedise ku pëshpëritet, bëhen thashetheme, sillen “fakte” nga burime pranë figurave politike kryesore, hamendësohet, vihen baste. Unë nuk bëj pjesë në këtë kategori “opinionistësh”, por e kaloj ditën me punë të dobishme, në universitetin që drejtoj.

– Po protestën, zemërimin apo rebelimin e disa të përjashtuarve nga lista e Bashës për të kandiduar, si do ta komentonit?

– Ajo çfarë thashë më sipër i jep, deri diku, përgjigje edhe kësaj pyetjeje. Në një intervistë që ju më keni marrë disa javë më parë, në “kohën e çadrës”, jam shprehur se ajo çadër mund të shërbente si “një strehë komode e përkohshme për disa qindra militantë dhe eksponentë ambiciozë e karrieristë të partisë më të madhe opozitare”. Kur shoh sot listat e PD-së, them se kam pasur pjesërisht të drejtë. Regjisorët, disa aktorë, punonjës të shkencës, madje edhe disa spektatorë vokalë të atij “teatri politik” e gjetën veten, jo pa “meritë”, në listat e asaj partie të madhe si kandidatë për deputetë. Dikush, znj. Bregu në mos gaboj, u shpreh këto ditë, pak a shumë, se brenda asaj çadre ishin ata që e donin PD-në jashtë Parlamentit, ndërsa jashtë çadrës qëndruan kryesisht ata eksponentë të PD-së që e donin partinë e tyre brenda Parlamentit. Gjykim racional mendoj. Por, a nuk vura në dukje më sipër se, në listat e kandidatëve të të gjitha partive janë vënë (dhe renditur sipas “vlerave” dhe shërbimeve të tyre ndaj kryetarëve të partive) pikërisht ata individë që treguan më shumë zell e devotshmëri të rreshtoheshin pas Njëshit, kryetarit të partisë? A nuk e shihni se regjimentet po krijohen dhe do të jenë gati për “luftë” në Parlamentin e ardhshëm?

Dëshiroj të vë në dukje, gjithashtu, se “të përjashtuarit” nga lista e PD-së nuk përbëjnë një grup monolit. Fjala vjen, znj. Topalli dhe znj. Bregu janë kaq larg dhe kaq ndryshe nga njëra-tjetra, në çdo pikëpamje, saqë për mua do të ishte gabim të thuhej se “rebelimi” i tyre motivohet nga të njëjtat parime dhe arsye.

– Duket se të gjitha problemet lindin nga Kodi Zgjedhor, nga ai ligj kushtetues që u miratua në vitin 2008. A ka ardhur koha që ai ligj të ndryshohet?

– Koha që ky ligj të ndryshohet ka kaluar. Edhe më sipër theksova se ndryshimet e bëra nga dy partitë e mëdha të vendit në Kodin zgjedhur 9 vite më parë krijuan dhe po mbajnë gjallë premisat e paradokseve të sotme politike, krijuan partitë e personalizuara dhe triumviratin e kryetarëve të partive që emërojnë në institucionin më të lartë legjislativ të shtetit 140 “përfaqësuesit e popullit” (me që ra fjala, kurrë nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj pse 140, dhe jo 100, ose më pak).

– Kodi Zgjedhor aktual i ka ndëshkuar partitë e vogla. A mendoni edhe ju kështu?

– Ajo që unë mendoj është se, në këtë Shqipërinë tonë të varfër e të vogël ka jashtëzakonisht shumë parti politike, përtej asaj çfarë mund të ishte e arsyeshme (124 parti të tilla, të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë), që do të thotë 3 herë më shumë sesa në Amerikën e pasur 320 milionëshe. Ndërsa gjatë këtyre 26 viteve të fundit, kur ne shqiptarët krijuam dhe po japim e marrim me pluralizmin tonë, në Shtetet e Bashkuara janë shuar “pa nam e pa nishan”, pra nuk ekzistojnë më, 33 parti politike, në Shqipëri, partitë e vogla (që lindin edhe nga hiçi), vazhdojnë të “vegjetojnë”, edhe kur ato janë parti-kryetar, parti-familje, parti-fantazmë, parti pa ide, parti pa program, parti pa anëtarë. Kujt i duhen parti të tilla, veç kryetarëve të tyre? Përse duhet të na vijë keq për to, nëse parti të tilla nuk kanë asnjë mbështetje në elektoratin shqiptar, ose kanë një mbështetje krejt të papërfillshme? Shumë prej tyre janë parti “historike” (partitë Balli Kombëtar Shqiptar, Balli Kombëtar Demokrat, Balli Kombëtar i Djathtë, ose Partia Lëvizja e Legalitetit). Paraardhëset e tyre kishin një program dhe një mision që bënin kuptim në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ose fill pas saj. Por pinjollët e tyre sot, edhe pse kanë ruajtur thuajse të pandryshuar emrat dhe retorikën e dikurshme, nuk bëjnë më sot asnjë kuptim.

A e shihni se çfarë paradoksi janë parti të tilla? Këtë vit, kur aleancat parazgjedhore nuk u lejuan të krijohen, disa nga kryetarët e partive të vogla opozitare i harruan “partitë” që kanë marrë përsipër të drejtojnë dhe nxituan, me lutje e përgjërime, të strehoheshin nën çadrën e partisë opozitare më të madhe, Partisë Demokratike, me synimin e vetëm që ata, si individë, të shpëtojnë kokat e tyre duke u futur në listën e PD-së, pra duke i braktisur de facto partitë e tyre. Parti të tilla tashmë mund të konsiderohen parti pa kryetarë, dhe vetë këta ish-kryetarë të partive të tilla – Dulet, Meditë, Ndokat & Co. – kryetarë pa parti. Nëse zgjidhen në Parlamentin e nesërm, nën siglën e Partisë Demokratike, ata nuk përfaqësojnë më PR-në, PBDNJ-në apo P-të e tjera.

– Në përfundim të një proteste tremujore të opozitës, çadra në bulevard u mbyll me një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës. A është normale që probleme të tilla jetike për demokracinë të zgjidhen nga bisedime kokë më kokë të liderëve? Apo qoftë dhe me trysninë e faktorit ndërkombëtar?

– Nuk mund të them nëse marrëveshja e arritur ishte një “Minervë” e lindur nga kokat e dy njerëzve, dy “Jupiterëve” të politikës së sotme shqiptare. Siç theksova më sipër, nuk jam pjesë e thashethemnajës së kryeqytetit, madje i rri larg asaj duke i bërë vetes një vend më komod mes shokësh intelektualë që, si unë, interesohen për politikën e ditës, por nuk i gëlltisin ato çfarë gatuhen e përshpëriten në Rogner, në Sheraton apo, së fundmi, në Plaza, dhe as opinionet e “ekspertëve brahmanë” të mediave tona. Natyrisht që barra e zgjidhjes së krizës, e cila u agravua shumë së fundmi, dhe presioni i përfaqësuesve zyrtarë të Perëndimit ndihej kryesisht mbi shpatullat e dy liderëve të partive më të mëdha. Lideri i partisë së tretë u mënjanua nga vendimmarrja. Pyetja që është bërë dhe vazhdon të bëhet edhe sot e kësaj dite (thuajse në çdo debat televiziv) është se cila palë doli e fituar nga marrëveshja që u arrit, dhe cila palë humbi prej saj. Përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje janë gjithnjë klishetë e njohura – tre të tilla: Basha, Rama, vendi (ose populli shqiptar). Ajo që mund të them është se marrëveshja e arritur pati dhe vazhdon të ketë një ndikim pozitiv në politikën shqiptare dhe në mirëqenien psikologjike të shqiptarëve. Duket se politika është relaksuar ndjeshëm dhe është kthyer në normalitet. Vërtet një normalitet brenda një situate anormale, por, sidoqoftë, një situatë më normale dhe me rrjedhoja politike deri diku të parashikueshme.

– A mos do të thoni me këtë se keni një parashikim tuajin për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit?

Nuk thashë këtë, por është veçse e natyrshme që, si sociolog dhe si studjues i politikës, të mund të analizoj kompleksitetin e kësaj situate të re politike, e cila nuk ka asnjë ngjashmëri me gjysmën e parë të viteve 1990, as me gjysmën e dytë të asaj dekade, madje as me ndonjërën prej periudhave nga viti 2000 e këtej. E sotmja është një situatë krejt e veçantë, në atë masë që e bën të vështirë analogjinë me situata të së kaluarës. Unë nuk kam të dhëna statistikore nga sondazhe të opinionit publik që mund të jenë bërë gjatë muajve dhe javëve të fundit, por edhe nëse do të kisha të dhëna të tilla, nuk do t’u besoja atyre. Situata elektorale në Shqipëri sot, më shumë se kurrë, i ngjan një “moving target”; ajo ndryshon e do të ndryshojë nga dita në ditë. Sidoqoftë, mendoj se kjo fushatë zgjedhore dhe vetë përfundimet e zgjedhjeve do të përcaktohen nga disa faktorë, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm më parë. Ndër ta do të veçoja: (1) ndarjen e re administrative dhe, ipso facto, hartën e re elektorale të vendit; (2) efektin përgjithësisht negativ të politikës destruktive dhe të “taktikës së çadrës” në psikologjinë e shqiptarëve dhe në sjelljen e tyre në këto zgjedhje; (3) bilancin përgjithësisht pozitiv të qeverisjes në këto katër vitet e fundit, veçanërisht përsa i përket nisjes së disa reformave të rëndësishme; (4) të panjohurat që sjellin në këto zgjedhje ndryshimet demografike; (5) ndikimin e faktorit ndërkombëtar (përgjithësisht në favor të qëndrimeve të PS-së) në mentalitetin dhe në psikologjinë e elektoratit; dhe (6), sidomos, “faktori Veliaj”, kryetari socialist i Bashkisë së kryeqytetit, puna dhe arritjet e dukshme e të pamohueshme të të cilit mundet këtë vit t’i japin dy deri tre mandate më shumë Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës. Faktorë të tjerë, të cilët është e vështirë të parashikohen, mund të mos jenë kaq të rëndësishëm.

– And, the winner is…? (Dhe, fituesi është…?)

– Në gjykimin tim, a priori, Partia Socialiste. Nëse ajo do të fitojë në këto zgjedhje 71 mandate, për të krijuar e vetme qeverinë e ardhshme, kjo mbetet për t’u parë. E sigurt është që kjo parti do të mbetet, edhe pas këtyre zgjedhjeve, partia më e madhe e vendit dhe forca politike kryesore që do të drejtojë qeverinë e ardhshme të shqiptarëve.

June 1, 2017 11:54
Komento

4 Komente

  1. Ana June 1, 12:29

    Si mundet te zevendsohet Bregu me Duma Sumen ??? Majlinda nje zonj kurse Suma nje super k…cfar mjerimi ky vend!!!

    Reply to this comment
    • Durrsakja si tatërr June 1, 15:12

      E zevendeson kjo katunarja me rrip ne mes se aq e shtremt sa esht nga kembet ka punu shum sidomos pasi coi bankjerin te vendi ekzekutimit. Kjo i ben te gjitha dhe futja e ksaj ndyrsire ne parlament tregon nivelin aq te mjer e te ulet te ktij vendi. Kjo qelbesir pasi sla gje pa be tash e ka radhen kjo partia e leshit ta bej sic di ajo…

      Reply to this comment
  2. uxu June 1, 13:45

    Ia paska fut … dhe fatosi qe e paska kenaq. 1. Si qenka deformim demokracie qe lista e deputeteve te zgjidhet nga vete kryetari, ndersa qe po kryetaret e dy lartive te medha nuk e deformokan demokracine duke luftuar partit e vogla?! Ketu del hapur fatosi qe eshte i anshem dhe shume madje. Sepse nuk u takon as fatosit dhe as kryetareve te b… te vendosin se sa parti duhet te kete ne zgjedhje. NUMRIN E PARTIVE E ZGJEDHIN VETE VOTUESIT. NESE VOTUESI NUK NDJEHET I PERFAQESUAR NGA PARTIA, ATEHERE PARTIA SMERR VOTA DHE ZHDUKET VETE.NESE MER, DO TE THOTE QE PERFAQESON DIKE DHE DETYRIMISHT NUK MUND TE ZHDUKET VULLNETI I NJE GRUPI NJERZISH THJESHT SE DO EDI ME SALEN DHE TARIFEN. 2. Si mund te thuash qe si takimi mes edit dhe lulit i paska bere mire vendit si ka “zbutur” klimen? klima u zbut sepse sishte ndonjehere e acaruar. Bente si e acaruar ne menyren me fallco tr mundshme nga luli dhe sala, ndersa ti thua i beri mire? U zgjidh nga vete ata qe krijuan dhe ketu madje duhet te lindi nje pyetja si ka mundesi qe keta njerez qe e futen vendosen ta nxjerrin? Cfare interesi paten? Cfare i eshte ofruar qe e ben kete? Mbase gjysma e qeveris do i pergjigjej kesaj pyetje si fillim? Gjysma tani dhe gjysma me vone? Edi pra fali qeverin e marr me voten tone, per te zgjidhur dicka qe skishte nevoje per tu zgjidhur! 3. Faktorin veliaj, o fatos, shko tregoja gazetes dita jo neve votuesve. Nuk ka kuptim qe edhe ju si intelektual te shiteni kaq lehte dhe te kerkoni te hani faktet dhe te deformoni te verteten. Mjafton te them faktin se veliaj madhtroi ne menuren me.te shemtuat se nuk do kishte FAREEEE betonizim, nderkohe vetem ne pak kohe jane dhene lejete per disa objekte gjigande ne vende qe sduheshin dhene. Per ca faktori e ke fjalen? Per ca rruge e parqe? Sepse vendosi edi ti japi leke bashkis dhe tani ne duhet ti japim voten?

    Reply to this comment
  3. Arber Iliri June 1, 22:53

    O Toso ju flisni sikur vini nga hena.Me lista e shif se c’behet pa le tek e tek qe me shume do kishte krim elektoral se zgjedhje.Flisni me pak me shume vision.Ndreqja duhet te behet ne perpilimin e listave nga cdo Parti, pra marja e nje votimi brenda Partise per kanditatet dhe se dyti nje liste kombetare.Na duhen edhe nja 10 vite per zgjedhjet me kanditate ne cdo zone.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim