Falë Armikut ka gjithmonë Zhvillim dhe Integrim !

September 18, 2016 14:29

Falë Armikut ka gjithmonë Zhvillim dhe Integrim !

Unioni Evropian duhet të ndryshojë, të transformohet duke u përpjekur që të krijojë një lidhje më konkrete dhe më të ngushtë me qytetarët dhe nevojat e tyre. Që prej nisjes së krizave të njëpasnjëshme, qytetarët kërkojnë më shumë rol dhe ndërhyrje nga BE, sidomos në fusha që lidhen me papunësinë, migrimin, por edhe terrorizmin. Ikja e Britanisë së Madhe dhe kriza që ajo shkaktoi, solli edhe mbledhjen e 27 vendeve dhe krerëve të tyre drejtues, me synim krijimin e kontureve të një Evrope që duhet të vendosë në qendër të saj, qytetarin evropian.

Por, Samiti i Bratislavës nuk doli nga skema tashmë e prezantuar edhe nga kreu i KE, Junker në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Evropian. Udhërrëfyesi, ku janë fiksuar prioritetet konkrete që BE-27, duhet të ndjekë në muaj në vijim, gjejnë shtrirje në të njëjtën platformë: siguria, migrimi dhe rritja ekonomike.

Zgjidhja e krizës së migrimit, pasqyron objektiva, që përfshijnë sa uljen e numrit të tyre, sa kontroll të plotë të kufijve të jashtëm, por edhe zgjerim të konsensusit, në lidhje me politikat e migrimit afatgjatë. Masat konkrete për arritjen e tyre, kërkojnë angazhim të plotë për zbatimin e marrëveshjes me Turqinë dhe mbështetje ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndihmë dhe përforcim për fuqizimin e kufirit të Bullgarisë me Turqinë, kapacitet të plotë për reagim të menjëhershëm të trupave të ruajtjes kufitare, si edhe dialog me vendet e treta për uljen e numrit të migrantëve dhe rritje të numrit të kthimit.

Rritja ekonomike, vjen me një platformë objektivash, thuajse mbi të njëjtën linjë, si ajo tashmë e parashtruar nga kreu i KE, Junker, dhe që synon ndër të tjera, krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë si edhe luftë ndaj papunësisë.

Në lidhje me sigurinë e brendshme, objektivi do të jetë mbështetja e nevojshme ndaj çdo shteti anëtar, për t’i mundësuar atyre sigurinë e brendshme dhe luftën ndaj terrorizmit. Realizimi i këtij objektivi, do të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të intensifikuar dhe shkëmbimit të informacionit mes shërbimeve të sigurisë së vendeve anëtare, kontroll i të gjithë personave, që kalojnë kufirin e Unionit duke përfshirë edhe shtetasit e BE, krijim të një sistemi autorizimi dhe informacion udhëtimi, që do të mundësojë kontrolle paraprake si edhe refuzim të hyrjes së udhëtarëve, që janë të përjashtuar nga sistemi i vizave, përpjekje kundër radikalizmit duke përfshirë edhe dëbimet dhe mohim të hyrjes në BE, në kuadrin e parandalimeve të akteve terroriste.

Ndërsa, siguria e jashtme dhe mbrojtja, do të kenë si objektiv fuqizimin e bashkëpunimit në BE, nga ku pritet që Këshilli Evropian i dhjetorit, të vendosë mbi një plan zbatimi konkret në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen.

Mbrojtja dhe avancimi i saj duket se janë e vetmja platformë, që mund të sjellë diçka të re në fushën evropiane.

Projekti i Mbrojtjes, që pritet të saktësohet në muajin dhjetor, është një projekt, që vjen nën iniciativën franko-gjermane. Pas vendimit për braktisje të Unionit nga Britania e Madhe, presidenti francez Holond do të deklaronte publikisht në muajin korrik, vetëm një ditë para zhvillimit të festës kombëtare, vizionin mbi strategjinë në fushën evropiane të mbrojtjes. Tek i drejtohej forcave të armatosura, ai shpalosi vizionin mbi strategjinë në fushën evropiane të mbrojtjes, duke folur edhe për iniciativën që do të ndërmerrej në këtë kuadër:

“Iu përket evropianëve të garantojnë sigurinë e tyre dhe të veprojnë, për aq sa ç’është e mundur, në mënyrë autonome. Është e vërtetë se, vendimi i Britanisë së Madhe për të lënë Unionin mund të ngjallë pikëpyetje, duke përfshirë edhe çështjen e mbrojtjes. Atëherë, dëshiroj të jem edhe një herë i qartë : Britania e Madhe, do të ngelet një fuqi ushtarake evropiane dhe interesat e saj do të përputhen me tonat. Dhe këtu, unë riafirmoj marrëdhënien e mbrojtjes, që bashkon dy vendet tona. 

Megjithatë, Franca do të gjendet në një situatë të re, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pasi ne, do të jemi anëtari i vetëm i Unionit, i ulur si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, që zotërojmë një fuqi nukleare. Ne do të jemi, një nga vendet e vetëm, të aftë të projektojmë një forcë ushtarake jashtë vendit, dhe ne jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO. 

Atëherë nga ky pozicion, ne duhet të nxjerrim gjithashtu një konkluzion dhe të bëjmë thirrje për një iniciativë në fushën evropiane të mbrojtjes. Bëhet fjalë për të thjeshtëzuar angazhimet e Bashkimit Evropian jashtë kufijve të tij, për të përforcuar sigurinë tek partnerët dhe fqinjët tanë, për të punuar së bashku për kapacitete reagimi dhe gjithashtu për të shmangur kërcënimet e terrorizmit ndaj nesh. Domethënë, do të ketë, me iniciativën e Francës, një propozim për të përforcuar Evropën e Mbrojtjes. Unë konstatoj gjithashtu, se miqtë tanë gjermanë, janë gati për këtë, dhe ne do të sjellim së bashku, edhe me të tjerët, këtë iniciativë.” (Pjesë nga fjalimi i Presidentit francez Holond, drejtuar forcave të armatosura, një ditë para zhvillimit të paradës ushtarake, 13.07.2016 ).

Pas këtij deklarimi, vetëm pak kohë më pas, më 11 shtator, do të kemi edhe një reagim të përbashkët të Ministrave të Mbrojtjes së Francës dhe të Gjermanisë, mbi skicimin e Evropës së Mbrojtjes.

Tentativa e vitit 1950

Që prej krijimit të Komunitet Evropian, çështja e integrimit në fushën e mbrojtjes evropiane, është konsideruar si një zgjatim i vizionit politik, që shprehej në fushën ndërkombëtare. Do të ishte tetori i vitit 1950, vetëm disa muaj pas planit Shuman, kur qeveria franceze do të prezantonte publikisht, projektin e dytë për integrimin evropian, planin Pleven për krijimin e ushtrisë evropiane të mbrojtjes.

Skicimi i një Evrope Politike dhe Ushtarake në vitet ’50, shfaqej si domosdoshmëri në një kontekst sigurie dhe impononte detyrimisht riarmatosjen e gjermanëve. Aspak e dëshiruar nga francezët, riarmatosja e gjermanëve, po imponohej si nevojë real-politike kryesisht nga amerikanët, të cilët me rritjen e tensioneve Lindje-Perëndim, e shikonin thuajse “të pamundur të përballohej agresioni rus, pa kontributin e Gjermanisë”. Në fakt, çështja e riarmatimit gjerman, po bëhej gjithnjë e më e mprehtë, me fillimin e luftës së Koresë. Hyrja e trupave të Koresë së Veriut në Korenë e Jugut, më 25 qershor 1950, rriti frikën dhe dyshimet, mbi ndonjë agresion tjetër të mundshëm komunist. Ndërhyrja e amerikanëve nën flamurin e OKB, duke mbështetur Korenë e Jugut, nuk mundësonte paralelisht një ndërhyrje të tillë për sigurinë e Evropës Perëndimore, në rast të ndonjë agresioni të mundshëm. Në këto rrethana, amerikanët po shtynin evropianët të bashkëpunonin për rritjen e efektivave, që do të mund të mbronin kontinentin sidomos në lindje të tij, çka nënkuptonte domosdoshmërinë për të riarmatosur Gjermaninë. Nxitje, që fillon të intensifikohet edhe në vijim, me pozicionime të forta, si ajo e Sekretarit të Jashtëm amerikan Din Akeson, që kërkon t’i shohë  patjetër“Gjermanët me uniformë në vjeshtë të 1951”.

Vetë Robert Shuman ishte i pozicionuar kundër armatosjes gjermane, jo vetëm në aspektin psikologjik, që vlerësohej tërësisht e papranueshme për popullin francez, por ajo shikohej gjithashtu si politikisht e rrezikshme, pasi mund të inkurajonte ringjalljen e shpirtit militarist gjerman. Zhan Monet, përkundrazi e shikonte projektin e përfshirjes së Gjermanisë dhe armatimit të saj si një nevojë të dukshme. Gjithsesi, Plani Pleven për krijimin e Evropës së Mbrojtjes, edhe pse shfaqej i favorshëm për të gjitha palët, duke kënaqur amerikanët me një lloj riarmatosje të Gjermanisë, ai akomodonte edhe pozicionin francez ,duke shmangur ripërsëritjen e një Vermahti. Nga ana tjetër, ai krijonte hapësirë edhe për gjermanët, drejt bashkimit në integrimin evropian, edhe pse këta të fundit e vlerësonin si diskriminues projektin, por gjithsesi të vlefshëm në një kuadër më të gjerë.

Por, ky kompromis i përkohshëm mes palëve, do të thyhej nga rezistenca dhe kundërshtimi në rritje që po vinte nga radhët franceze.  Në një fushatë të fuqishme u shfaqën të bashkuar, komunistët, golistët, dhe nacionalistët e djathtë, që kundërshtonin riarmatosjen e Gjermanisë dhe dobësimin e ushtrisë franceze, si edhe humbjen e autoritetit të saj, që duhej të përshtatej në ndërtimin e strukturave të reja të mbrojtjes evropiane.

Por, vlerësimet mbi këtë qëndrim kundërshtues, shpjegohen kryesisht me zhvillimin, që po merrte lufta e Indokinës, dhe ndryshimi i karakterit të saj, me pozicionim përkeqësues ushtarak të Francës. Nëse Franca do të përqendrohej ushtarakisht në luftërat e kolonive të saj, rrezikonte të shikonte të dobësuar pozicionin e saj në kontinent, përballë një riarmatosje të Gjermanisë. Përveç kundërshtimit në rritje, që po njihte projekti evropian i mbrojtjes, zhvillimi i koniunkturës ndërkombëtare, po ndikonte në anën tjetër të peshores. Vdekja e Stalinit (5 mars 1953), dhe një lloj paqeje relative që po instalohej me nënshkrimin e armëpushimit në Kore (1953), si edhe hapja në Gjenevë e negociatave për Indokinën (1954), riarmatosja gjermane, po humbiste rëndësinë e emergjencës së saj, bashkë me të edhe projekti evropian i mbrojtjes. Ky projekt, edhe pse i propozuar nga francezët dështoi përfundimisht me mos-ratifikimin e tij nga Asambleja franceze. Dështim, që ndërthurte sa ndjesinë e zhvilluar nacionaliste franceze, sa dëshirën për pavarësi në veprimet e saj ushtarake jashtë kontinentit, por edhe mungesën e dëshirës për fuqizimin ushtarak të Gjermanisë, si edhe ndjesinë jo pak të zhvilluar kundër amerikanëve.

Ndonëse një projekt i vlerësuar si i parakohshëm, konteksti në të cilën ai u zhvillua, përfshinte një klimë pasigurie në rritje, me tensione dhe konflikte, që mund të preknin kontinentin. Edhe sot, teksa kemi pikërisht dy aktorët kryesore të Unionit, Francën dhe Gjermaninë, që projektojnë dhe  lançojnë krijimin e Evropës së Mbrojtjes, tensionet dhe konfliktet rrethojnë kufirin e tij. Politikat e paparashikueshme me tendenca agresive të Rusisë, konfliktet dhe tensionet në vendet e fqinjësisë, por edhe pasiguria e një Amerike, që mund të sjellë në fronin presidencial, një kandidaturë jo shumë të dëshiruar, shkaktojnë nxitje për avancimin në projektin evropian të mbrojtjes. Gjermania, tashmë e ka konfirmuar që prej rizgjedhjes në vitin 2012 të kancelares Merkel, dëshirën dhe vullnetin për të luajtur një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Një rol, që nuk mund të inkuadrohet veçse në profilin e bashkëpunimit evropian dhe mbrojtjen e vlerave që proklamohen si, liria, toleranca, paqja dhe siguria. Edhe Franca, është shfaqur e gatshme për të pranuar një shkrirje bashkëpunimi me Gjermaninë, në fushën e mbrojtjes në kuadrin evropian. Një pozicionim, që e akomodon në ruajtjen e interesave por dhe të fuqisë së saj. Për më tepër rëndësia e këtij bashkëpunimi të vendosur në projektin e mbrojtjes shfaqet edhe si skicim i qartë mbi rolin, që Evropa duhet të ketë në skenën ndërkombëtare, një rol në rritje, i bashkuar dhe i konfirmuar, që mund të tejkalojë rolin e përçarjes, të dobësisë dhe interesave kombëtare që e kanë karakterizuar që prej krijimit të saj BE në politikat e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes./im.ta/DITA

September 18, 2016 14:29

Njoftim

Njoftim

Njoftim