Falet 80 për qind e gjobës për mospagesën e sigurimeve shoqërore

March 30, 2015 07:45

Falet 80 për qind e gjobës për mospagesën e sigurimeve shoqërore

Ligjvënësit parlamentarë kanë marrë në shqyrtim një projekt qeveritar që ka të bëjë me faljen e gjobave në masën 80 për qind të vonesave në pagesën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2014. Projekti ishte hartuar kohë më parë, por tashmë ka mbërritur në kuvend për të marrë më pas formën zyrtare të aplikimit të tij.

Sipas nenit 1 të këtij projektligji “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”, thuhet që falen në masën 80 për qind, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri në 31 dhjetor 2014.

Kjo nismë është marrë në zbatim të neneve 113, “Mosdeklarimi në afat”, pavarësisht vlerës së detyrimit, dhe 114, “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit”, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për subjektet juridike dhe fizike, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 prill 2015.

Po kështu projektligji për faljen e gjobave saktëson në nenin 2 të tij se “gjobat për mosdeklarimin dhe mospagimin në afatet ligjore të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk kthehen”.

Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative, të falura sipas këtij ligji, dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj.

Falja e gjobave, mundësi e dytë për biznesin

Mos deklarimi i punonjësve, puna me dy lista pagesash, mbeten ende të dukshme për biznesin tonë. Shkeljet e konstatuara në vitin 2014 janë të shumta në këtë drejtim, si dhe penalitetet e vendosura. Ky projekt është marrë nga qeveria si një mundësi e dytë, jo vetëm për të falur gjobat për detyrimet e papaguara, por dhe si një mundësi për të zbardhur deklarimet e punonjësve që të punojnë në skemë, apo shmangien nga dy listë pagesa.

Po kështu në relacionin e këtij ligji sqarohet se kjo nismë ka si qëllim lehtësimin e subjekteve juridike dhe fizike nga barra e gjobave të gjeneruara dhe të papaguara për shkak të mosderdhjes, brenda afateve ligjore, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Gjithashtu, ky projektligj, nëpërmjet lehtësimit të barrës së borxheve, ka si qëllim edhe nxitjen e subjekteve juridike dhe fizike për të paguar kontributet e prapambetura, në kuadrin e fillimit të zbatimit të reformës së pensioneve, për të dhënë edhe një herë mundësinë për mbulimin me sigurim shoqëror të të gjitha periudhave të mëparshme, për të cilat nuk kanë paguar kontribute.

Kjo është edhe arsyeja kryesore që në këtë projektligj parashikohet falja e gjobave për deklarim dhe pagesë të vonuar të kontributeve të sigurimeve shoqërore, ndërkohë që nuk parashikohet falja e gjobave të vendosura për punonjës të konstatuar të paregjistruar apo të padeklaruar.

Krahas lehtësimit të barrës së borxheve të ndërmarrjeve private dhe krijimit të hapësirave për përmirësimin e situatës së tyre financiare, në këtë projektligj parashikohet edhe detyrimi i subjekteve debitore për të kryer pagesat e debisë dhe gjobave të vendosura për mosdeklarim të punëmarrësve etj., deri në një afat të përcaktuar, duke falur 80% të gjobave të vendosura për ato subjekte që detyrimin kontributiv, së bashku me kamatëvonesat, e kanë likuiduar deri në fund të këtij muaji.

Zbatimi korrekt i projektligjit detyron organet tatimore që të rishikojnë dhe rillogarisin të gjitha detyrimet, deri në momentin e pagesës, dhe mbi atë bazë të zbatojnë dispozitat për faljen e gjobave. Projektligji, që paraqitet për shqyrtim, nuk parashikon falje të kamatëvonesave, pasi ato janë pjesë e fondit të sigurimeve shoqërore dhe do të duhet të paguhen.

Për zbatimin e këtij ligji ngarkohen Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe strukturat e saj rajonale, pasi këto struktura kanë të drejtën dhe janë përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

March 30, 2015 07:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*