Falsifikoi diploma, Muça i “Kristalit” del sot para gjykatës

March 8, 2018 09:17

Falsifikoi diploma, Muça i “Kristalit” del sot para gjykatës

Ditën e sotme, në ora 10:30 pronari i ish-universitetit “Kristal” Ahmet Muça do të dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë “arrest me burg” që ka kërkuar prokuroria ndaj tij.

Prokuroria e Tiranës e ka vënë atë në hetim për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit. Burime nga akuza sqaruan se Ministrisë së Arsimit, i është dërguar një kërkesë për informacion në lidhje me numrat e amzës të vendosura nga Muçaj në 4 diplomat e hetuara si të falsifikuara.

Po ashtu Ministrisë i është kërkuar informacion për numrat e protokollit dhe firmat e titullarëve në këto diploma të Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale. Muçaj u prangos dy ditë më parë nga Policia e Tiranës për llogari të hetimit se edhe pas mbylljes së universitetit të tij ai lëshonte diploma kundrejt vlerës 2500 euro.

Dyshime mbi zyrtarë të ministrisë arsimit

Ky veprim hetimor është zhvilluar për të konfirmuar nëse për shitjen e diplomave, ka apo jo brenda këtij institucioni bashkëpunëtorë ish-pronari i “Kristalit”, Ahmet Muçaj. Ndërkohë, diploma e sekuestruar gjatë arrestimit të 69-vjeçarit është dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të marrë një përgjigje shkencore, nëse ky dokument është falsifikuar apo jo. Diploma ka të dhëna të rreme si nisje të vitit akademik 2010 dhe vit përfundimi 2013, pra pak kohë përpara se universiteti të mbyllej, ndaj ajo që duan të kuptojnë prokurorët është nëse ky dokument lëshohej me ndihmën e ndonjë personi që ka akses në regjistrat e bllokuar apo është tërësisht fals. Pavarësisht dyshimeve, paraprakisht grupi i hetimit konstaton se numri i amzës së diplomës së blerë nga shtetasja Rudina F. është shkruar me bojë të njomë. Ndërkohë që firmat e dekanit dhe e kancelarit janë realizuar përmes procesit të skanimit. Fotokopjimi i firmës së Arben Llojes shton dyshimet se diploma është false dhe e prodhuar në një laborator nga persona të paidentifikuar.

Për korrupsion

Biznesmeni ia ka përgatitur diplomën dhe i ka thënë se duhej të paguante 2500 euro. Pikërisht në momentin kur do dorëzohej diploma dhe do paguheshin 2500 euro, Ahmet Muçaj është arrestuar nga Policia. Në kërkim është shpallur edhe një person tjetër me inicialet Y.Pepkola, i cili dyshohet se i gjente klientë Ahmet Muçajt. Vetëm muajt e fundit Muçaj u ka shitur disa personave diploma në fushat e Drejtësisë dhe Ekonomisë, duke shënuar data kur universiteti “Kristal” ishte i hapur. Pronari i ish-universitetit “Kristal” akuzohet nga Prokuroria për “Korrupsion Pasiv në sektorin privat”, një vepër penale që parashikon dënim deri në 3 vite burg.

Universiteti “Kristal” gjatë kohës që ushtronte aktivitetin dyshohet se ka lëshuar diploma për student që as nuk kishin shkuar në mësim, kjo ka qenë edhe arsyeja pse u mbyll. Madje edhe djali i Umberto Bosit të Lega Nord në Itali, Renzo Bosi është pajisur me diplomë nga universiteti “Kristal” në 2010, pa ardhur fare në Tiranë.

l.h/ dita

March 8, 2018 09:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*