Fan Noli për Logosin, fjalën dhe veprimin

January 11, 2018 11:07

Fan Noli për Logosin, fjalën dhe veprimin

 

Nga Moikom Zeqo

Fan Noli ka shkruar për konceptin e Logosit në një vështrim historik, por  edhe linguistik, konceptual, por edhe manipulues.

Në shënimet e tij gjuhësore Fan Noli kërkon saktësinë e fjalëve origjinare Logos në parametrat shkencorë, të mirëfillta.

Logosi është njësi semantike, e evoluar.

Termi Logos është padyshim më kryesore në filozofinë antike, greke. Fillimisht Logos, – nënkuptonte edhe një emër, që lidhet edhe me një tjetër emër të ndryshëm si “fjala”, ose “diskutim”.

Kemi kalimin e Logosit nga faza mitologjike, në atë filozofike, kur Logosi shpreh, tregon, simbolizon, çdo shpjegim të realitetit me shprehje racionale.

Historia e koncentron Logosin si teori tek filozofi i madh i dialektikës Herakliti i Efesit të shekullit VI para Krishtit.

Herakliti ka shkruar se “megjithëse gjithçka ndodh sipas Logosit (pra, sipas arsyes), njerëzit janë të topitur përballë Logosit, qoftë para, qoftë pasi kanë dëgjuar për të dhe shpesh ndihen të paditur në këtë pikë.”

Logos shfaqet inteligjenca e epërme dhe më e lartë. Te njerëz me nivele të ndryshme kulturore edhe kuptimi që shpreh Logosi nuk është i njëjtë, pra i barazvlefshëm.

***

Por konkretisht çfarë shkruan Fan Noli për Logosin? Natyrisht që Noli ka lexuar shumë në këtë pikë inkandeshente dhe ka veçuar karakteristikat më lakonike për Logosin: “Logosi në histori: Logosi ishte një fjalë e padëmshme për deri sa kishte në fillim kuptimin e një përmbledhjeje ose zgjedhjeje, e një fjale ose shprehjeje.

Herakliti më 500 para erës së re, duke u menduar për rrjedhën e habitshme universale të sendeve,  rroku këtë fjalë dhe i dha kuptimin e thelbit të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, të άρχή, ose οϋσία , ose të Njësisë, të Energjisë, dhe larmia e botës së dukurive është vetëm një shprehje e thjeshtë e saj.

Ai ka qenë i pari monist në historinë e filozofisë dhe ky mik i vjetër dha një goditje të drejtpërdrejtë mu në zemër të kozmosit.

Natyrisht, askush nuk ia vuri veshin dhe shpejt e harruan. Por Logosi i tij hyri në histori.

Sofistët e përdorën për të tërhequr nxënësit në shkollat e tyre të ligjeve dhe e shpallën veten se ishin mjeshtër të artit për “τόν ήττονα λόγον κρείττω ποιεϊν” dhe anasjelltas për τόν κρείττονα λόγον ήττω ποιείν”.

Është e vërtetë që një avokat i mirë mund ta fitojë një çështje të dobët po të dijë se si a interpretojë dhe ta dredhë ligjin si i vjen për mbarë!

Më pas Platoni dhe neoplatonianët e rrokën λόγος e i dhanë kuptimin e Idesë, ndërsa bota jonë materiale na qenka vetëm një korruptim dhe mallkim i kësaj ideje.

Shën Gjoni e mori prej tyre dhe e vuri në krye të ungjillit të vet “έν άρχή ήν ό λόγος”.

Pastaj kjo u përkthye kështu: “Në krye të herës ishte Fjala!”

***

Disa shekuj më vonë Gëtja u habit nga kjo “Fjalë” që na paska vënë në lëvizje gjërat, ai nuk mund ta kuptonte se si një fjalë e thjeshtë mund ta bënte këtë marifet dhe prandaj e vuri Faustin e vet që të jepte një lexim më të mirë: “Im Anfang war die Tat”. (Në fillim ishte Vepra).

Po, energjia mund ta bënte një gjë të tillë dhe pikërisht këtë kishte ndër mend Herakliti.

Është një gjë fare e thjeshtë po të shihet ashtu si e mendonin Herakliti dhe Gëtja.

E megjithatë, hidhuni një sy vëllimeve që janë shkruar për “Fjalën” E Zotit.

Po, fjalët janë kameleonë shumë marifetçinj dhe ju nuk mund ta merrni vesh kurrë se ç’është njëra e ç’është tjetra, po nuk njohët historinë e tyre, kurse historia e disave prej tyre është e pafund.”

***

 

Fan Noli ka edhe një studim për ungjijtë sinoptikë të Dhjatës së Re.

Fakti, që Shën Gjoni ungjillor fut që në fillim të tekstit të tij idenë e Logosit si mishërim të Hyjnitetit Universal, që në fakt e mori nga filozofi Filon, siç e ka vërtetuar dhe kriptologjia dhe krahesueshmeria e teksteve antike dhe Fan Noli e respekton dhe e quan të vërtetë këtë gjë.

Fan Noli shton një detaj substancial, se Herakliti i Efesit me Logosin kuptonte jo vetëm konceptualitetin, por edhe energjinë, duke e mbështetur mendimin e Gëtes, se kjo energji parakupton pikërisht “që në Fillim qe Veprimi”.

January 11, 2018 11:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*