Fan Noli, shekspirologu i madh

September 14, 2018 13:57

Fan Noli, shekspirologu i madh

 

(PERBALLE KRITIKAVE TE TOLSTOJIT DHE BERNARD SHOUT)

Nga Moikom Zeqo

Në vitin 1906 ishte 290 vjetori i vdekjes së Shekspirit (Shakespeare).

Emri i Shekspirit u artikulua kudo, me admirim, por edhe me pezmë, me dashuri por edhe me përçmim.

 

***

 

Më 1906 një djalosh i ri shqiptar i quajtur Fan Noli shkroi një shkrim eseistik me titull “Shekspiri në rrezik” që botoi tek gazeta “Kombi”, 20 dhjetor 1906 nr. 20, nënshkruar me A.B.Q. (Ali Babë Qyteza).

Ja, çfarë shkruan Fan Noli tek ky shkrim i hatashëm:

“Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir (Shakespeare).

Ky filozof paske harxhuar mjaft kohë për të gjetur ndonjë farë bukurie nër dramat e dramëtarit englez dhe jo vetëm nuk gjeti, jo vetëm vuri re që dramat e tij janë të shkallmuara, por nuk gjeti as gjyrmë moraliteti nër këto.

Ky qenka shkaku që Shekspiri nuk ish i dashur as në vent të tij as në Evropë.

Famën e tij Shekspiri ia paske borç Gëtes dhe për hatrin e këtij u përhapnë mi tërë botën këto drama, të cilat, pas të krishterit filozof, janë imorale.

Një amerikan, Bernard Shou (Show) përsëdyti gjithë këto idea, [të] cilat nën vështrimin artistik mund t’i quajmë nihiliste.

Ky kritikon me një mënyrë të hidhur dramën “Mbreti Lir”, të cilën e gjan të çmendur fare.

Më së fundi një gjerman, emër i të cilit nuk më kujtohet, na del dhe na thotë që dramat shekspiriane nuk janë bërë as prej aktorit Uilljëm Shekspiri as prej Bekonit, po prej një fisniku Roxher Iërl of Ratlend (Roger Earl of Rutland).

Mendjen e tij gjermani e mbështet përmbi ngjarjen që Shekspiri dyke qenë i varfër nuk kish udhëtuar as në Itali, as në Danimarkë as gjetkë, po megjithatë i përshkruan kaq bukur këto vise.

Po Roxheri i kishte gjezdisur tërë këto vise si i dërguar i qeverisë dhe drama e fundit e Shekspirit u bë pak kohë para vdekjes së këtij fisniku të mbretëreshës Elisabetë.

Kërkimet e gjermanit kanë një vlerë, se dyke mësuar jetën e një auktori munt të kuptosh më mirë veprat e tij.

***

Po sidomos duhet vënë re që dramat e Shekspirit janë bërë prej aktorit që e kish nëmëruar sqenën me pëllëmbë, dhe jo prej një konti të hoborrit, si tha shumë bukur një profesor amerikan në Këllambisë Juniversiti (Columbia University).

Pastaj ç’ka të bënjë se dramëtari englez ish kasap, kur komediani latin Plautus ka qenë skllav dhe bluante grurë me mokra të dorës dhe Molieri s’ka qenë përveç një aktor i varfër dhe i pamësuar.

George Bernard Shaw

Sa për Tolstojnë si dhe për shokun e tij Bernard Shou kemi të themi që nuk duhet kurrë të kërkonjë moralitet në bukuri, qoftë e natyrës, qoftë e artit, qoftë e mjeshtërisë.

Bukuria ka moralitet më vete, të cilën kurrë nuk munt ta kuptojnë nihilistët e esthetikës, të cilët s’kanë kënduar përveç ungjillë dhe përpiqen ta zbukurojnë botën, dyke u larguar nga burim i bukurisë, nga natyra dhe nga të bijt që janë artet.

Vërtet është bërë një lajthim fati që lindi ky njeri mosenglez në Angli dhe për atë që ka vënë re letretyrën engleze, duket si një lule e verës e egërt brenda në një fushë prej dëbore morale, po këto gaçi (teke) të natyrës janë bërë dhe gjetkë.

Vërtet është që Gëtja e përhapi në Evropë shekspirizmën, po ngaherë plebejanëve lipset t’u rrëfesh cila gjë duhet t’u pëlqenjë dhe ashtu të çuditen për bukurinë e saj.

Vërtet dhe Volteri e quan Shekspirin barbar, po muzhiku, konti i Rusisë dhe kritikani pedant i Amerikës janë shumë lark që të kuptojnë shkaknë.

Sa mirë do të bënin këta të krishterë ta linin më qëtim (në qetësi) të varfërin Shekspir.

Qytetërimi i Volterit kishte shumë ndryshim nga qytetërimi i Shekspirit.

Volteri kërkonte një artist me rregull, po Shekspiri ishte artist pa rregull, përtej rregullit.

Po kush munt të thotë që në atë trubullim të bukurive të egra të dramavet shekspiriane, në atë “désharmoni” s’ka harmoni?

Leon Tolstoi

Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe: “Sduhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”.

S’ka logjikë në bukuri, dhe ata që kërkojnë ta venë këtë perëndeshë të marrë në tryezë të anatomisë, pësojnë atë që pësoi Zeusi, kur deshi të hiqte kurtinën e Parisit, dhe provojnë që s’kanë sy.

As me krishtërimin e Tolstoit, as me logjikën praktike të amerikanit Shou nuk ka për të zbritur Shekspiri që atje tek hipi vetë, me mendjen e tij të egërtë, të marrë, pa rregull, po të bukur si natyra.

Pastaj kishët e tërë botës dhe tërë Shtetet e Bashkuara s’u janë mjaft njerëzve praktikë dhe të krishterë?

Ç’kanë këta që u tërbuan me Shekspirin?”

***

Kjo mbrojtje e shkëlqyer e nxjerr në reliev Fan Nolin si intelektual të klasit të lartë.

Ai kupton atë që dhe sot ende nuk e kuptojnë por e konfondojnë shumë estetë dhe shkrimtarë mediokër, ose jo mediokër, thelbin e thelbeve se arti i madh është jo një gjeometri dhe simetri e gurtë e rregullave.

Përkundrazi, është një liri e pakufishme, krijuese jashtë rregullave dhe dogmave.

Noli e ka kuptuar dhe e citon Niçen si referencë por jo si konceptualitet artistik.

Noli merr pjesë kështu në debatin botëror të “enigmës shekspiriane”, debat i shumëfishtë dhe i stilit barok dhe disa herë i stilit horror dhe thriller.

Fan Noli është shekspirologu i parë dhe i madh shqiptar.

Madje, i Vetmi!

Por jo vetëm është shekpirologu i parë por edhe më i madhi dhe më i dituri i të gjitha kohërave për ne shqiptarët nopranë dhe me dituri sipërfaqësore.

Fan Noli u bë përkthyesi i pakrahasueshëm me askush të Kryeveprave Shekspiriane.

***

Dhe diçka tjetër, e rëndësishme dhe e pamohueshme dot. Shkrimet eseistike që Fan Noli shkroi mbi Shekspirin përbëjnë një shekspirologji shqiptare dhe universale.

Të mos e harrojmë këtë kontribut.

Dhe jam i bindur se nëse dinosauri i kritikës artistike botërore Herald Bloom, që ka bërë një lloj Bible për Shekspirin, po të kishte patur mundësi për t’i lexuar, patjetër që do t’i citonte esetë e mrekullueshme të Fan Nolit për Shekspirin.

112 vjet më parë Fan Noli shkroi për Shekspirin në “rrezik”, i bindur se Shekspiri sfidon patjetër çdo lloj rreziku, përbaltje dhe moskuptim idiot.

Fan Noli rebel qe jashtëzakonisht i qartë.

Me një qartësi sublime dhe të pashlyeshme!

September 14, 2018 13:57
Komento

1 Koment

  1. H September 14, 17:07

    Shekspiri i përkthyer nga noli është i mrekullueshëm. Perri, hyjni, nur i kulluar- me se ti krahasoj dy sytë e shkruar ? Ose. -Në faqe të natës ajo ndrin së paku, si një brillant në vesh të një zezaku. Ciceroni i teatrit” Globe theater” e njhte perkthimin e nolit dhe gjëja më dhurojë gëzim të madh pas bisedës që bëra me të.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*