FANTASHKENCË / Ish-Saimir Tahiri rikthehet triumfator si bletar pas akuzave se hashashi rrënoi kosheret

July 3, 2018 19:42

FANTASHKENCË / Ish-Saimir Tahiri rikthehet triumfator si bletar pas akuzave se hashashi rrënoi kosheret

Në një ngjarje kozmike që mund ta bëjë astrofizikanin Stephen Hawking të flejë i qetë më në fund, që i ndrittë shpirti, ish-Saimir Tahiri është rikthyer bujshëm në universin tonë për t’u treguar vendin gjithë atyre që s’lanë gjë pa i thënë për mbushjen e Shqipërisë me hashash.

 Siç tashmë u mësua botërisht, djaloshi njomzak ish-Saimir u rishfaq në vëmendjen e publikut nga një dimension misterioz.

Kësaj radhe erdhi  si barba Miço, një mesoburrë me mjekër gjysmë të thinjur që ka pasion rritjen e bletëve dhe vjeljen e tyre për konsum personal dhe tregun vendas.

Në rrjetet shoqërore qarkulluan foto dhe video sesi barba Miço takon të rinjtë e fshatit, kontrollon kosheret për merak, provon mjaltin, përkëdhel me dashuri bletët e vogla dhe thotë:

“Më patën thënë se hashashi paskësh shkatërruar bletët, se bletët kullosnin në kanabis dhe në vend të shkonin në koshere, ja fusnin me shkuma party në Korfuz; se mjalti shqiptar kishte shkuar në zero dhe reçeli ishte në rezervat e fundit….”

Dhe ai ngre gishtin: “Gjepuraaaa!!! Mesa shof, edhe nëse ka patur hashash dikur, ai u ka bërë mirë këtyre të shkretave!”

Edhe pse videoja nuk e tregon, Gojët e Liga mësojnë se në vijim Miço hoqi dhe kapuçin mbrojtës dhe futi duart në koshere, duke thënë i çuditur:

“Pa shiko! Mirë që bëjnë mjaltë safi, por as nuk të pickojnë! Qenkan të turpshme si unë kur fillova punë në PS”.

I zoti i koshereve e sqaroi i sikletosur: “Eee, po ngaqë janë pak si të trullosura barba Miço, nga ajo që kullotën vjet, prandaj…” dhe u bërtiti insekteve të ngrata: “Po tunduni moj tutkune, se na kanë ardhur njerëz!”

Dikur, njëra nga bletët e pickoi si me përtesë mjekëroshin. I entuziazmuar, barba Miço e shpalli pickuesen “Bleta e Artë e verës 2018”, deklaroi para të pranishmëve “Këto janë kosheret që duam!” dhe pastaj gjithë shoqëria ja shtroi me raki blete të zier pesë herë.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që mbështet agroturizmin dhe bletarinë.

Ish Saimir Tahiri duke provuar raki blete

Barba Mico (majtas) me nje nga te rinjte e fshatit

Barba Mico (majtas) me nje nga te rinjte e fshatit

July 3, 2018 19:42
Komento

1 Koment

  1. mire por... July 4, 22:11

    Thoni cte doni, por mjalti, hashashi, rakia… jane te gjitha prodhime bio. Nga perdorimi me mase i tyre ska pare kush keq. Ndaj dhe sajme eshte gjithenj ne forem, here mbi motora e here mbi kuaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*