Fantazma e “Luftës civile”

December 11, 2017 11:44

Fantazma e “Luftës civile”

Në 74 vjetorin e vrasjes së Dhjetë Këshilltarëve të Hekalit dhe 27 vjetorin e Partisë Demokratike. Një rikthim në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një paralele me vitin 1997. Kush i fryn zjarrit të “luftës civile” dhe cilët ishin autorët e masakrave gjatë luftës dhe përse nuk mund të ndihen krenarë demokratët në këtë përvjetor të partisë së tyre

Xhevdet Shehu

Nesër Partia Demokratike do të kremtojë 27 vjetorin e themelimit të saj. Në dhjetorin e 1990-s kjo parti u shfaq me shungullimë në trajtën e një lëvizjeje studentore, që do të formësohej si partia e parë antikomuniste dhe opozitare në Shqipëri që do të merrte meritat e përmbysjes së diktaturës së gjatë komuniste.

Po nesër në Mallakastër do të përkujtohet një nga krimet më të shëmtuara të kohës së Luftës: Pushkatimi i dhjetë Këshilltarëve të Hekalit në 12 dhjetor të vitit 1943.

Janë dy data krejt të ndryshme në përmbajtjen e tyre me një hapësirë kohore prej gjysmë shekulli në mes. Në të vërtetë janë antipode të njëra-tjetrës. Të parët, Këshilltarët e ngritën lavdinë e luftës, të dytët kanë dashur ta errësojnë, në mos ta fshijnë krejtësisht nga historia Luftën Antifashiste nacionalçlirimtare…

Bilanci i PD-së

Është në përgjegjësinë e demokratëve të bëjnë këtë ditë një bilanc të arritjeve dhe dështimeve të tyre në këto 27 vjet. Partia Demokratike erdhi në pushtet  më 22 mars 1992 për të kaluar sërish në opozitë pas pesë vjetësh. Erdhi sërish në pushtet në 2005, për ta lënë sërish pas tetë vjetësh për shkak të korrupsionit të jashtëzakonshëm. Në bilancin që kjo parti mund të bëjë (nëse do ta bëjë ndonjëherë) fatkeqësisht përmenden më shumë dëme, gjëma dhe fatkeqësi që i ka sjellë këtij vendi dhe fare pak arritje.

Ndër arsyet e fitores së Partisë Demokratike më 22 mars 1992 radhiten disa. Analistë dhe politologë të ndryshëm, secili sipas mënyrës së vet, kanë radhitur faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, ku përmendin gjendjen e rëndë ekonomike në vitet ’80, që çoi në rritjen e pakënaqësisë popullore, luftën e klasave dhe krimet që u bënë gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, paaftësinë e ish-udhëheqjes komuniste për të bërë ndryshime të thella demokratizuese, faktorin Gorbaçov, përmbysjet në Europën Lindore, ndikimin në rritje të Perëndimit me rrugë e mjete të ndryshme etj., etj. Në mënyrë të pashmangshme, edhe në Shqipëri komunizmi do të kishte të njëjtin fund të palavdishëm si në vendet e tjera të Europës, thonë analistët. Dhe ky konkluzion është i saktë.

Partia Demokratike ishte e para parti politike që u krijua në dhjetorin e vitit 1990 si opozitë e Partisë së Punës, që kishte sunduar e vetme për 50 vjet në Shqipëri. Po t’i referohemi traditës historike, rolin e opozitës, pra të kundërshtarit antikomunist, duhej ta luante Balli Kombëtar ose Legaliteti, dy parti që vepruan gjatë viteve të luftës Antifashiste në Shqipëri. Mirëpo, kur do të themelonin partinë opozitare studentët dhe intelektualët e Tiranës, as që u shkoi nëpër mend që atë ta quanin, për shembull, Balli Kombëtar, pra të përpiqeshin të ringjallnin traditën e një gjysmëshekulli të shkuar. Jo. Dhe kjo mendoj se ka arsyet e veta. Në radhë të parë ndikimin kryesor e kishte e kaluara e këtyre partive, sidomos ajo e Ballit që ishte identifikuar jo vetëm si antikomuniste (kjo i bënte nder për kushtet që u krijuan), por mbi të gjitha si bashkëpunëtore me okupatorët fashistë. Për gjysmë shekulli me radhë Enver Hoxha dhe Partia e Punës e kishin stigmatizuar dhe nuk kishin lënë gjë pa thënë kundër Ballit dhe ballistëve, duke e përbaltur keq dhe në mënyrë të pandreqshme emrin e tyre në sytë e popullit. Ndërsa poema e njohur e Shefqet Musarajt “Epopeja e Ballit Kombëtar”, mendoj se ka luajtur një rol të veçantë në diskreditimin e ballistëve, duke i bërë edhe më të besueshme fjalimet e Enver Hoxhës kundër grupimit politik që mund të shihej si opozitar i mundshëm në fund të vitit 1990.

Ndërkohë, flitej se Balli Kombëtar i kishte ruajtur strukturat e tij udhëheqëse në mërgim, ndaj dhe nuk mund të krijohej parti tjetër me atë emër. Megjithatë, kur erdhi ora e pluralizmit politik në Shqipëri, ish-udhëheqësit komunistë, më shumë se çdo gjë tjetër, kishin frikën e ardhjes në pushtet të ballistëve. Në një sërë mbledhjesh të atyre ditëve, sidomos nëpër aparatet e Partisë së Punës dhe në institucione të larta shtetërore, Ramiz Alia paralajmëronte rrezikun ballist. Sipas tij, po të vinin në pushtet ballistët, ata do të hidhnin poshtë fitoret e arritura nën udhëheqjen e Partisë e të shokut Enver, do të shkelnin mbi gjakun e dëshmorëve, nuk do të kishte më socializëm, do të fillonte rrënimi i vendit dhe do të lulëzonte kapitalizmi për shtatë palë qejfe, domethënë shfrytëzimi i njeriut nga njeriu etj., etj.

Ndër të parat thirrje të demokratëve që këndohej në kor në tubimet demokratikase në fillimet e viteve 1990 ishte kjo: “Komunistët në litar, veteranët në hanxhar”. Fillimisht ato u konsideruan si thirrje pasionante, pasi nuk do të ishte e pranueshme që Sali Berisha dhe udhëheqja e tij demokratike të mund të lejonin një masakër të tillë… Në prag të zgjedhjeve të 22 marsit, gjatë një konference për shtyp në Pallatin e Kongreseve, lideri demokrat që më vonë do të bëhej president i Shqipërisë, deklaroi si prioritete të partisë së tij pas marrjes së pushtetit:

“Aprovimi i kushtetutës, vendosja e rendit, rifillimi i prodhimit, ndihma për fshatarin dhe, detyra më kryesore, Pajtimi Kombëtar. Nga PD do të ngelen të zhgënjyer të gjithë ata që presin hakmarrjen. Ne jemi për Pajtimin Kombëtar dhe do të punojmë çdo ditë për të!”

Mirëpo, një nga aktet e para të PD-së në pushtet ishte miratimi i një ligji, më saktë i një neni, famëkeqit 24/1, i miratuar më 30 prill 1992, i cili i nxirrte të papunë dhe i flakte në rrugë të madhe kundërshtarët politikë të PD-së. Fasada kishte rënë. Ishte zbuluar thelbi. Shqiptarët  e panë këtë thelb me tmerr. Ai ishte fokusuar papritmas tek një shifër e akullt, e pashpirt: 24/1.

Hakmarrja ishte ligjëruar tej çdo parashikimi, duke u kujtuar shqiptarëve se ajo kishte mbijetuar, si virusi i plasjes, duke triumfuar mbi virtytet. Ishte fashitur për një kohë, por nuk ishte shuar.

Po çfarë mund të kujtojnë tjetër demokratët dhe të krenohen në këtë përvjetor të themelimit të partisë së tyre: Manipulimin e zgjedhjeve më 26 maj 1996? Firmat piramidale dhe trazirat e përgjakshme të vitit 1997? Grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998? Shpërthimin e Gërdecit në mars 2008, apo 21 janarin e vitit 2011? Në të vërtetë këto janë ngjarjet kulmore që kanë shenjuar historinë e PD-së dhe nëpër të cilat ka ecur ajo parti nën udhëheqjen e Berishës. Fatkeqësisht janë data dhe ngjarje që u shkaktojnë vetëm dhimbje shqiptarëve dhe me të cilat ajo parti kurrsesi nuk mund të krenohet.

Fantazma e “Luftës civile”

Arsyeja pse i bëra bashkë rënien e këshilltarëve dhe ditëlindjen e PD-së, e ka një bazë të fortë: Urrejtjen ndaj luftës antifashiste dhe fitores së asaj luftë. Gjatë gjithë këtyre viteve ballistët e infiltruar në PD por edhe vetë ajo parti ka folur e flet vazhdimisht për “luftë civile” ju për luftë çlirimtare 70 e ca vite më parë. Ky qëndrim është shprehur në vijimësi, deri edhe para pak ditësh. Demokratët nuk e kanë njohur asnjëherë 29 nëntorin 1944 si ditë e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas, që ishin ballistët. Sa herë flitet për ngjarje të luftës, për përvjetore dëshmorësh apo betejave të asaj lufte, shfaqet menjëherë fantazma e “luftës civile”. Por në Shqipëri, fakt është se nuk ka pasur luftë civile. Uran Butka ka arsye më duket më shumë personale  kur e shqipton dhe mbron këtë tezë. Luftë civile ka pasur në Spanjë në vitet 1936-39, ka pasur në Shtetet e Bashkuara në vitet 1861–1865, ka pasur në Greqi në vitet 1944-49. Nuk ka pasur në Francë, megjithëse ka pasur një reaksion të fuqishëm. Ajo është konsideruar Rezistencë.

Kush i vrau Këshilltarët?

Para dy vjetësh ndodhi një “zallamahi” që pretendonte përmbysjen e historisë së Këshilltarëve të Hekalit. Doli një banor i fshatit Gorishovë ku janë pushkatuar Këshilltarët në dhjetor të vitit 1943 e tha se historia e tyre është e ndryshe. Unë e di mirë atë ngjarje, thoshte ai, se atëherë isha 10 vjeç… Dhe gazetat e televizionet vu e vu: “Përmbyset historia! Këshilltarët e Hekalit janë vrarë për gjakmarrje, jo për ideale…”

Unë jam bir i fshatit të Këshilltarëve dhe jam rritur me historinë e tyre. I kam adhuruar gjithë jetën 45 dëshmorët e fshatit tim dhe 10 këshilltarët, për sakrificën e tyre sublime dhe për burrërinë që treguan në atë luftë. Heroi i Popullit, Dervish Hekali, ishte zëvendëskomandant i Brigadës së 5-të Sulmuese dhe ishte nga ata që nuk firmosi vendimin për pushkatimin e Ramize Gjebresë në fillim marsin e vitit 1944. Një muaj më vonë do të binte heroikisht në Kuç të Kurveleshit… e të gjithë me radhë. Askush nuk ka guxuar të njollosë emrin dhe lavdinë e tyre që ata e shkruan me gjak. Ndërkohë që ndizet vit pas viti një debat fals se ajo luftë antifashiste por “luftë civile”, se këshilltarët e Hekalit u vranë rastësisht e të tjera dëngla që i dëgjojmë dhe i lexojmë të shkruara… Kështu edhe këtë vit.

Sikur të ishte i vetëm rasti i dhjetë Këshilltarëve të Hekalit, mbase nuk do të merrja mundimin t’u përgjigjesha kontestuesve të asaj lufte.

Ish mësuesi im, Mehmet Hysen Duraj më tregonte pak ditë më parë:

“Autori i vrasjes së Dhjetë Këshilltarëve njihet prej 74 vjetësh në Hekal e gjithë Mallakastrën. Ai ishte Isuf Hasani nga Belishova, një nga krerët ballistë të krahinës . Pse e them këtë? Por pikërisht në atë dimër të egër të 43-shit, nuk janë pushkatuar vetëm ata të Hekalit, por janë pushkatuar 44 këshilltarë në gjithë Mallakastrën. U vranë në Drizar e në Aranitas, në Greshicë e Kreshpan… Të gjithë të pushkatuar nga grupimet balliste, bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë italo-gjermanë… Ballistët vegla të okupatorëve, ia arritën përkohësisht qëllimit, duke pushkatuar kundërshtarët e tyre politikë, të gjitha këshillat antifashiste në Mallakastër. Por lëvizjen dhe luftën antifashiste nuk e ndalën dot.”

Këshilltarët e Hekalit ishin: Islam Sadiku, Rexhep Begaj, Isa Zeqiri, Godo Kamberi, Ali Hoxha, Qerim Jemini, Taip Ymeri, Ahmet Sheme, Hamza Jonuzi dhe Veli Shehu. Mund të ishte vrarë edhe i 11-ti atë ditë, Shaqo Islami, i biri i Islam Sadikut, i cili shpëtoi krejt rastësisht…

Vrasësi i Këshilltarëve të Hekalit në fund të luftës ia mbathi për të vdekur si një anonim në një vend perëndimor afro gjysmë shekulli më pas, pa guxuar të shkelë kurrë më në Mallakastër.  Emri i tij kujtohet me përbuzje edhe pas më shumë se 70 vjetësh, ndërsa ylli i këshilltarëve është ngjitur vazhdimisht.

Paralele mes vitit 1943 dhe 1997

Fantazma e luftës civile është shfaqur herë pas here pas vitit 1997 duke arritur shfaqjen më të frikshme të saj në pranverë 1997, kur PD në pushtet me Sali Berishën në krye deshën të ngrinin në luftë veriun e vendit kundër jugut. Ky plan ogurzi nuk u realizua, por elementë të tij ishin krejtësisht të dukshëm. Dhe ata që bënë masakra në Vlorë, në Përmet, në Fier e Lushnjë, ishin kryesisht veriorë të komanduar nga Tiranë. Në krye të operacionit ishte gjenerali Bashkim Gazidede, ish kreu i SHIK-ut me origjinë nga Dibra. Mbi Gazideden ishte Berisha dhe askush tjetër…

Të jetë rastësi? Nuk besoj.

Më 1943 Hysni Dema udhëhiqte operacionin e çetave balliste kundër këshillave dhe luftës nacionalçlirimtare në Mallakastër. Edhe sot e kësaj dite ngatërrohet origjina e tij, të cilin e konsiderojnë nga Tropoja. Në të vërtetë ka qenë nga Dibra. Andej ka qenë dhe Halil Alia i cili ka bërë krime monstruoze në zonën e Vlorës. Ishte edhe Kujtim e Kadri Cakrani, Isa Manastirliu, Isa Toska dhe Hamit Matjani që kontrollonin dhe bënin terror në Myzeqe dhe Mallakastër. Këta krerë ballistë mbi kokë kishin gjermanët pushtues. Në këtë rast pushtuesi i nxirrte gështenjat me duart e ca mercenarëve lapangjozë.

Ja arsyeja pse e bëra bashkë në këtë shkrim datën e vrasjes së Këshilltarëve të Hekalit me datën e themelimit të PD-së.

***

Në të vërtetë vënia në dyshim e aktit të rënies dëshmor në kohën e luftës, sikurse është rasti i Këshilltarëve të Hekalit ka disa nëntekste, si për të kaluarën, ashtu dhe për të sotmen dhe të ardhmen. Ai është thjesht një pretekst për shtrembërimin e historisë. Kontestuesit thonë se atë histori të kohës së luftës e shtrembëruan ata që e fituan atë luftë. Po kush do ta bënte atë histori? Të mundurit? E kemi lexuar edhe versionin e tyre dhe na duket e pabesueshme. Nëse ajo histori ka nevojë për t’u pasuruar apo për të thënë ca të vërteta më troç, hajde ta bëjmë. Por nuk do të na i falë askush për ta përmbysur atë histori.

Ne shqiptarët kemi një histori të përgjakshme dhe është e dhimbshme të vazhdohet me të tilla ndasish edhe sot e kësaj dite. Mirëpo ndarja është reale dhe ne nuk mund të kthejmë përmbys historinë. Kjo ndarje u përvijua qartazi pas vitit 1990 kur pinjollët e ballistëve dhe bashkëpunëtoreve të pushtuesve fashistë ridolën në skenë, madje morën dhe pushtetin. Duke shfrytëzuar krimet që kanë ndodhur gjatë pushtetit komunist që sundoi për gjysmë shekulli Shqipërinë, duke gjetur rastin për të shfryrë mllefin kundër ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxhës, që nuk i la të bënin gëk për dekada me radhë, këta pinjollë përsëritën një gabim të etërve të tyre: iu kundërvunë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Unë personalisht jam në krahun e asaj lufte, jam në krahun e historianëve seriozë dhe të njerëzve me mend në kokë që mendojnë se ajo luftë e shpëtoi Shqipërinë. Fitimtarët e bëjnë historinë. Në rast se Shqipëria nuk do të ishte rreshtuar në krahun e aleatëve të mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë që gjunjëzuan bishën naziste, Stalini, Ruzvelti dhe Çërçilli nuk do ta kishin për gjë ta fshinin nga harta Shqipërinë, duke e ricopëtuar midis fqinjëve që mezi e prisnin një shans të tillë. Mirëpo ky shans nuk u erdhi asnjëherë për shkak të asaj lufte, e cila i dha Shqipërisë statusin e një vendi të mbrojtur nga tri fuqitë më të mëdha të botës.

Tezat e hedhura në treg këto vitet e fundit me “luftë civile” në Shqipëri janë thjeshtë pallavra. Historianët Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Xhelal Gjeçovi dhe të tjerë historianë seriozë e kanë argumentuar më së miri këtë. Prof. Milo shkruan: “Lufta Nacionalçlirimtare është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë shqiptare të shekullit të XX-të jo thjesht se ajo solli 29 nëntorin e vitit 1944. Në mos në 29 nëntor, Shqipëria do të çlirohej në 29 dhjetor apo disa muaj më vonë. Lufta solli lirinë, shpresat për një të ardhme më të mirë, solli dinjitetin dhe krenarinë për shumicën e shqiptarëve që bënë zgjedhjen e duhur e të drejtë në një kohë sprove të madhe për popujt e botës.

Lufta Nacionalçlirimtare forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë. Ajo e rreshtoi Shqipërinë e popullin shqiptar në anën e duhur të historisë, krahas Kombeve të Bashkuara fitimtare të Luftës kundër fashizmit. Pa atë, Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore rrezikohej për t’u copëtuar. Kjo nuk është një deklaratë që mund të bëjë të shtrembërojnë buzët ata, që me kohë u është shtrembëruar ndërgjegjja dhe shtylla kurrizore e logjikës dhe analizës intelektuale qoftë nga politika, qoftë nga trashëgimia e përlyer familjare e fisnore e kohës së Luftës, apo nga snobizmi e nihilizmi tradicional i vlerave kombëtare në emër të modernizimit dhe intelektualizmit avanguardist.

Kush ka parë vetëm arkivat britanike dhe amerikane të Luftës së Dytë Botërore për Shqipërinë e Ballkanin, e kupton fare mirë se çfarë skemash copëtimi dhe çfarë alternativash masakrimi qarkullonin nëpër kabinete për Shqipërinë, e për trojet shqiptare në Ballkan. Ajo çfarë ndodhi në Konferencën e Paqes në Paris, në gusht 1946, ishte vetëm një provë e vogël e një skenari të madh antishqiptar që do të ishte zbatuar pa mëdyshje në Shqipërinë e Jugut, siç u zbatua për Transnistrinë e Moldavinë, për vendet balltike, për Transilvaninë e Dobruxhën e për disa territore të tjera në vende si Rumania, Bullgaria, Hungaria e Finlanda që u radhitën në Boshtin fashist e jo me Kombet e Bashkuara, siç bënë shumica e shqiptarëve. Partizanët shqiptarë shpëtuan Shqipërinë dy herë, një herë nga fashizmi dhe një herë nga copëtimi.”

Mbi këtë temë është prononcuar edhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare. Ja çfarë shkruan ai në qershor të 2014-s: “Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qënë modeste, pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim”.

***

Kush pra i fryn “luftës civile” në këtë vend?

Para tri ditësh Sali Berisha bëri një thirrje tjetër ogurzezë që po e përsëris këtu. Ai, duke iu drejtuar të rinjve në një sallë, tha këto fjalë:

“Keni njëmijë e një arsye të ngriheni fuqishëm. Jeni dhjetëra herë më shumë se kjo sallë, por edhe vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri. Nuk ishin më shumë ata në natën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, të cilën e gjunjëzuan”.

Është pikërisht ai i pandëshkuari i madh që i vuri zjarrin Shqipërisë, nxiti vëllavrasjen, viktima të të cilës janë mijëra shqiptarë të vrarë. Ai që nuk beson asnjëherë tek vota e lirë, por tek rebelimet e armatosura. Vitet e pushtetit të tij janë pa asnjë mëdyshje vitet më të zinj të këtij vendi, me anarki, me vrasje dhe djegie, me përgjime, spiunime dhe vrasje pas shpine.

E, megjithatë, dyshoj se ai do të jetë strumbullari i përkujtimores së nesërme të PD-së. Besojini, po deshët!

Dita

December 11, 2017 11:44
Komento

15 Komente

  1. Çapajevi December 11, 14:17

    Një shkrim i saktë, i bërtetë dhe i goditur. Por z. Xhevdet problemivqëndrën se kupola politike e PD-së edhe nesër nuk do bëjë analizë të tillë të plotë, të thellë por do filloj të recitojë vjershën e zakont:. “Fajin për këto e ka Rama, ai kanabizoi vendin, ai është themelusi i narko krimit, i narkoshtetit dhe thirjjet si atphere “Nano ik” edhe sot “Ramën ta shporrim ta rrëzojmë njënorë e më.parë, etj
    etj”. Dhe do veprojë kështu se nuk ka as alternativa por më e keqja nuk e kupton se ka dalë jashtë çdo llogjike dhe sillet e sillet tek citatet e Saliut.
    I nderuar Z.Xhevdet, vazhdoni të shkruani të vërtetat sepse juve i keni mundësitë mendore, teknike dhe profesionale. Necedhe kur bëjmë shkrime jo të gjitha na botohen, arësyet janë të gjitha ato që dihen. Respekte dhe punë të mbarë.
    Çapajevi

    Reply to this comment
  2. peoples December 11, 14:25

    Respecte per kete shkrim.Kjo eshte e verteta.Ne qofte se ka burra Shqiperia duhet ta vene nen akuze monstren Sali Berisha

    Reply to this comment
  3. Arber I December 11, 16:38

    Shkrim shembullor i te Vertetes Historike te Shqiptareve fatkeqe! Lavdine e Luftes Nacionalclirimtare Shqiptare e pervetesoi tirani stalinist Enver Hoxha; frytin e Levizjes Demokratike e tjetersoi tirani zogist Sali Berisha. Te dy keta tirane jane kujdesur qe te modifikojne Kushtetutat e Shtetit Shqiptar per te fshehur diktaturat e tyre personale, here si “diktature te proletariatit”, here si “diktature te demokracise”. Neser shqiptaret fatkeqe do te degjojne per arritjet “madheshtore” te Partise Demokratike nen udheheqjen “gjeniale” te tiranit Sali Berisha, i cili do te beje thirrje per fitore te reja ne Luften e re Civile.

    Reply to this comment
  4. zano likaj December 11, 17:22

    Drizari. respekte z.xhevedet per kete shkrim dhe krahasim te bere por kujt ja thua nje krimineli qe vazhdon te jete ne krye te nje partie i cili mbart me vete nje barre krimesh dhe fatekeqesi qe i ka sjell ketij populli sa here ka qene ne pushtet dhe tani ben thirrje per civil te cilin e ka opsesion. duhet ndaluar sa nuk eshte vone kete kafshe dhe kriminel

    Reply to this comment
  5. Lufter December 11, 17:37

    Ashtu eshte e verteta, ashtu eshte historia. Lufta Nacional clirimtare shpetoi shqiperine e mbetur nga coptimi i metejshem. Ballistet ne kohen e luftes u kapen nga partizanet duke shkuar ne greqi per te bashkepunuar me greket kunder Partizaneve,kunder shqiperise dhe ti jepnin copa shqiperie. Zogu me Titon, me serbet qe kohe me pare e kishin sjell ne pushtet.Sali Berisha erdhi ne pushtet nga serbet, ju dha nafte kunder kosovareve, ishte kunder Rambues, beri shkaterrime e 1997, etj. ju dha grekerve pjese nga deti.Keta jane tmerri i shkaterrimit te shqiperise. Historia i ka damkosur por nuk i ka shfarosur, neper kembe e ka te keqen. Analiza qe bene Xhevdet Shehu eshte e vertete historike, historia e ka vulosur.

    Reply to this comment
  6. Alban Dega December 11, 17:39

    Mendime me fakte

    PESHQ TE MEDHENJ APO KUCEDRA TE KRIMIT !?

    – Nga Alban Dega, Nju Jork

    Dosje e dosje …. e dosje permbi dosje

    Saimir Tahiri dhe dosja e tij qe po krijohet, zgjerohet jane bere kryefjala e politikes dhe medias shqiptare.
    Jane me qindra e qindra dosje te tjera shume me te renda qe shkojne deri ne kufijte e Hages.
    Jane dosje te renda qe shkojne deri ne shkelje ligjesh e konventash nderkombetare perfshi edhe ate te Gjeneves, deri ne kontrabande armesh e nafte per regjime terrori shteteror e genocidi si ai i Milloshevicit dhe i Ruandes me mbi nje milione viktima te vi