Farmacistët të pakënaqur, duhen kontrolluar edhe recetat e mjekut

Pranvera Kola January 5, 2014 09:32

Farmacistët të pakënaqur, duhen kontrolluar edhe recetat e mjekut

Farmacistët nuk kanë pranuar që të firmosin kushtet e reja mbi të cilat do të lidhen kontratat e këtij shërbimi për 2014, duke refuzuar firmosjen e procesverbalit të negocimit. Në një shkresë dërguar Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (ISKSH), farmacistët kanë bërë propozimet e tyre në lidhje me ndryshimet që duhet të zbatohen në lidhjen e kontratave me ISKSH-së, një pjesë e mirë e të cilave nuk janë pranuar. Një ndër kriteret ka të bëjë me kontrollet dhe format se si nënshkruhen recetat mjekësore. “Kontrollet duhet të bëhen njëkohësisht edhe te mjeku, jo vetëm te farmacisti, si dhe të vendosen penalitete deri në zgjidhjen e kontratës për farmacitë që bashkëpunojnë në mënyrë abuzive me mjekët”, thuhet në propozimet e bëra prej grupit negociator të Urdhrit të Farmacistëve. Sipas tyre janë të shumta rastet në të cilat mjekët i nënshkruajnë recetat në copa letrash pa elementët përkatëse, gjë që sipas tyre duhet të ndryshojë. Receta të cilat më pas nuk pranohen nga grupet e inspektimit të ISKSH-së. Një tjetër pikë e kërkuar nga farmacistët është edhe rishikimi i mundësisë së shkurtimit të pikave për të cilat farmacisti është përgjegjës në recetën e rimbursimit, pasi këto janë pjesë e mjekut, dhe nuk ka përse të penalizohet farmacisti. “Sasia e barnave në mjekim mbajtës duhet të respektoje dhe ambalazhet dhe dhënia e recetës të sistemohet nga mjeku i familjes’, thuhet në propozimet e tyre. Më tej, ata argumentojnë që nuk duhet të ketë penalizme për vlerat në minus. “Ekzekutimi i recetave pa rimbursim nuk është objekt i kontratës me ISKSH-në, e cila nuk mund të kontrollojë dhe aq më shumë të penalizojë farmacitë në lidhje me vlerat financiare (receta pa rimbursim),që nuk kanë dalë nga fondi i saj. Nuk është në kompetencën e këtij institucioni të kontrollojë dhe penalizojë farmacistët për tregtimin e barnave pa rimbursim. Mjekët nuk pajisen me recetat  tip, mjekët i përshkruajnë barnat në copa letrash, të cilat mund të mos merren parasysh nga inspektoret e kontrollit, mjekët u kërkojnë pacientëve që mos t’i lënë recetat në farmaci”, sqarojnë përfaqësuesit e farmacistëve. Një pikë tjetër e propozuar nga farmacistët është edhe gjendja e alternativave të barnave të rimbursimit që duhet të kenë farmacistë. Konkretisht për këtë është propozuar që :“Farmacia të mos jetë e detyruar të ketë si gjendje 60 për qind të alternativave të para të barit. Në rastet kur alternative e parë e barit në listë mungon për një kohë të gjatë (për shembull mbi 3 muaj), ISKSH duhet të marrë masat për zëvendësimin e barit me barin tjetër të radhës në listë, si dhe duhet të bëjë të mundur informimin e të gjithë mjekëve dhe farmacistëve të kontraktuar prej saj”, sqarohet prej tyre. Farmacistët vijojnë t’i qëndrojnë mendimit se kontratat mes tyre dhe ISKSH-së duhet të lidhen pasi të ketë hyrë në fuqi lista e barnave të rimbursimit për 2014. Sipas tyre, duhet të rishikohet koha e lidhjes së kontratës, dhe të bëhet e mundur lidhja e kontratës në momentin e hyrjes në fuqi të listës së re te rimbursimit, ndryshim ky që e lehtëson farmacinë nga barra e 2 inventarëve për një afat kohor mjaft të shkurtër. “ Të mos kërkohet sa herë lidhet kontrata vërtetim për numrin e llogarisë bankarë, nëse ai është i pandryshueshëm, pasi e ngarkon farmacistin me një vlerë monetare prej 900 lekë. Çdo farmacist e deklaron vetë këtë llogari bankare dhe mban vetë përgjegjësi për çdo veprim për të. Grupi i kontrollit duhet te ketë patjetër një farmacist ne përbërjen e tij. Në përfundim të negociatave u arritën të përfshihen disa nga kërkesat dhe sugjerimet tona, por nuk u arrit konsensus për disa te tjera, për këtë arsye grupi negociator i UFSH-së nuk e firmosi procesverbalin e negocimit”,

 

Disa nga pikat e parashikuara nga ISKSH për kontratat e farmacive për 2014

–          Licencimi i farmacive atribut i Qendrës Kombëtare të Licencimit, ndërsa Licencimi i drejtuesve teknik te farmacive atribut i Urdhrit të Farmacistëve.

–          Farmacitë që Lidhin kontratë për herë të parë ose pas një periudhe ndërprerje, kanë detyrimin të kenë gjendje jo më pak se 60 për qind të barnave alternativa të para të Listës së barnave që rimbursohen, në sasi të  tillë  jo më pak se sa mjekimi mujor sipas protokollit të përdorimit.

–          Në kapitullin e detyrimeve për farmacinë, parashikohet se farmacia gjatë veprimtarisë së saj duhet të ruajë konfidencialitetin e të dhënave në përputhje me kriteret e përpunimit të këtyre të dhënave sipas ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. I njëjti detyrim edhe për drejtoritë rajonale të Fondit.

–          Afati i regjistrimit të fletëhyrjeve nga 5 ditë, ndryshoi në 10 ditë.

–          Ruajtja e dokumentacionit nga periudha kohore 5 vjet, ndryshoi sipas legjislacionit në fuqi.

–          Specifikim të rasteve me mangësi të plotësimit të recetave për të cilat ato nuk rimbursohen.

–          Afati i dërgimit online të inventarit të gjendjes fizike nga 10 ditë ndryshoi në 15 ditë.

 

Kontratat me spitalet, kontroll shtrimeve të urgjencës

Procesi i rishikimit të kontratave në kujdesin spitalor sipas përfaqësuesve të ISKSH-së ka kaluar nëpërmjet diskutimeve të gjata ndërmjet palëve të interesit. Grupi i punës, i ngritur me urdhër të kreut të përgjithshëm të Fondit, ka punuar mbi përmirësimin e kontratave ekzistuese, duke reflektuar sugjerimet dhe propozimet e bëra edhe nga drejtoritë spitalore të të gjitha niveleve.  Një ndër ndryshimet e bëra, ka të bëjë me përmirësimin e indikatorëve të performancës spitalore me shtim të një treguesi të ri që parashikon monitorimin e shtrimeve urgjente kundrejt atyre të planifikuara, bazuar në konsultat e kryera. Kështu, personeli mjekësor duhet të jetë i kujdeshëm në argumentimin e duhur të ccdo rasti që kalon nëpërmjet shtrimeve të urgjencës. Për një monitorim sa më të mirë të shpenzimeve spitalore në favor të pacientit, u shtua një indikator, e që ka të bëjë me përqindjen e kostos totale që shkon direkt për kujdesin ndaj pacientit.Kjo me qëllim mënjanimin e problematikës së hasur gjatë monitorimit të kontratave me spitalet gjatë 2013-s. Në kontratat tip me spitalet e të gjitha niveleve janë parashikuar këto ndryshime: ”Lehtësim të procedurave të miratimit të buxhetit të spitalit, duke hequr detyrimin e miratim në drejtorinë Rajonale të Fondit (DRF) të detajimit në analiza 7 shifrore të buxhetit të spitalit dhe duke lënë vetëm detyrimin për njoftimin përkatës. Përmirësim në procedurat e ankimimit duke i dhënë të drejtën Spitalit të apelimit të vendimit të gjobës në Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit, pranë Komitetit të Shqyrtimit Administrativ në përputhje me afatet dhe procedurat përkatëse”. Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm shërbimin e dializës, në bashkëpunim edhe me shërbimin përkatës pranë QSUT-së, u vendos në kontratë detyrimi për ngritjen e një regjistri kombëtar pranë shërbimit të Nefrologjisë (Dializë, Transplant) /QSUT për të gjithë pacientët që përfitojnë këtë shërbim, duke ndihmuar në një monitorim më të mirë nga ana e strukturave të fondit. Monitorimi i shpenzimeve për medikamente në shërbimet e urgjencave në spitale është një tjetër pikë që u gjykua të përmirësohet, duke përfshirë në kontratë një model të ri regjistri. Forcimi i masave të penaliteteve në përputhje me shkeljet e detyrimeve të parashikuara në kontratë, shoqëroi gjithashtu procesin e rishikimit të kontratave me synimin për të rritur përgjegjësinë e palëve.

Paketë analizash falas për moshat 40-65 vjeçe

Personat e moshës 40 deri në 65 vjeçe janë klasifikuar si prioritet në kryerjen e analizave dhe kontrolleve mjekësore falas nga strukturat shëndetësore publike gjatë 2014-s. Grupi i punës i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë po detajon planin e punës që do të ndiqet në të gjitha rrethet e vendit për këtë kategori qytetarësh, të cilët do të mund të kryejnë një paketë të caktuar analizash falas për të zbuluar sa më herët sëmundjet që po rëndojnë me pasoja fatale jetën e shqiptareve, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti apo ato malinje që fatkeqësisht janë kthyer në një makth. Pak ditë më parë ministri Ilir Beqaj tha se grupet e punës janë ngritur dhe po përgatisin paketën konkrete të analizave dhe kontrolleve bazë që do të kryejnë personat 40-65 vjeç për të mbajtur nën vëzhgim sëmundjet karakteristike të kësaj grupmoshe, zbulimi i të cilave deri më sot është bërë në stade të rënduara, kohë në të cilën trajtimi mund të mos jetë efikas. “Në buxhet janë përcaktuar fondet, por jo specifikisht grupmoshat. Ne morëm përsipër si Qeveri që brenda buxhetit të shëndetësisë për vitin 2014 të përfshijmë në programin e kontrollit bazë edhe moshën deri 65 vjeç. Morëm përsipër të realizojmë atë çfarë u kërkua, nuk qe nevoja të kishte një amendament ligjor sepse grupmosha nuk ishte pjesë e ligjit të buxhetit, por pjesë e programit të buxhetit të shëndetësisë”, ka bërë të ditur rreth kësaj iniciative, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Brenda një harku të shkurtër kohor do të bëhet publike edhe paketa konkrete e kontrolleve rutinë dhe analizave që do të kryhen falas për këtë kategori.

 

 Ja 3 testet që femrat duhet t’i kryejnë rregullisht 

 Raportimet e bëra nga strukturat shëndetësore tregojnë se rastet e kancerit në vendin tonë janë në rritje, çka shpjegohet me faktin se mosha mesatare e popullsisë tek ne, është nga më të rejat në Evropë. Ndaj dhe magnituda e rritjes së këtyre sëmundjeve në popullatë është më e lartë se sa shifrat e raportuara nga vendet e tjera. Rastet e kancerit të qafës së mitrës kanë lidhje edhe me faktorët e stilit të jetës, të cilët ushtrojnë ndikimin e tyre mbi këto raste, edhe pse standardi i jetesës në vendin tonë po vjen në përmirësim. Trendi në rritje i kësaj semundshmerie, ka bërë që sëmundjet tumorale të qafës së mitrës të kthehen në një barrë serioze për popullatën, por edhe për sistemin shëndetësor, të cilat do të rëndojnë edhe më shumë në vitet e ardhshme nëse nuk zbatohen masa efektive parandaluese. Kryerja rregullisht e ekzaminimit te Pap-testit çdo3-5vjet, mund të zvogëlojë shtimin e rasteve të reja, ashtu edhe vdekshmërinë në më pak se 80 për qind, në rast se ai bëhet me programe të mirë-organizuara. Rreziku i kancerit të qafës së mitrës tani mund të reduktohet edhe nëpërmjet vaksinimit kundër papillomavirusit onkogjenik human (HPV), në rast se aplikohet tek vajzat adoleshente, para fillimit te aktivitetit seksual. Për këtë Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar futjen e vaksinës kundër HPV në kalendarin baze të vaksinimit për femrat. Në paketën bazë të shërbimeve që sot ofrojnë qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, kujdesi shëndetësor për gruan dhe shëndeti riprodhues zë një pjesë mjaft të rëndësishme. Funksionimi i sistemit të referimit midis niveleve të ndryshme të shërbimit shëndetësor, mundëson një lidhje të mirë mes shërbimit të mjekut të familjes dhe atij të specializuar në kujdesin ambulator e spitalor, duke siguruar kushte të përshtatshme për kompletimin e kujdesit ndaj gruas. Por, statistikat tona gjithashtu flasin për rritje të rasteve me Ca të qafës së mitrës që trajtohen me barna të listës së rimbursuar, por njëkohësisht edhe për rritje të vlerës mesatare për recete që paraqiten. Depistimi rekomandohet për çdo grua duke filluar që nga mosha 20-21 vjeç. Kjo vlen për diagnozë të hershme të Kancerit të qafës së mitrës që do të thotë sukses në trajtimin e tij. Depistimi përfshin: PAP Test – bën të mundur kapjen e qelizave anormale në qafen e mitrës, ndryshime prekanceroze apo kanceroze. HPV/DNA test për identifikimin e pranisë së virusit HPV, tipin dhe përqendrimin e pjesëzave virale si shkaktar kryesor në zhvillimin e kancerit dhe që bëhet tek gratë mbi 30 vjeç çdo tre vjet deri në moshën 65 vjeç. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk e eliminon nevojën e bërjes së Pap-testit.

 

 

Pranvera Kola January 5, 2014 09:32
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*