Farsa e vjetër e një lukunie të re

April 30, 2018 13:25

Farsa e vjetër e një lukunie të re

 

Bedri Islami

Megjithëse ftesës së PD-së për të marrë pjesë në Kuvendin e saj të rradhës nuk i ishte përgjigjur as një e treta e të ftuarve, ajo përsëri, si kishte ndodhur edhe më herët, bëri zgjedhjen e saj të radhës, miratoi Statutin e ri të saj, në të cilën që tani ligjërohet humbja e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, por edhe e pas tri viteve. Përmes këtij statuti Basha do të jetë shefi politik i partisë deri në ditën që do të mërzitet, ose deri në çastin kur vërtet do ua sjellë në majë të hundës njerëzve të tij.

Në një sallë që nuk zë më shumë se 2500 vetë, ku përsëri kishte vende të zbrasta, e vetmja gjë që ishte e dukshme, e prekshme dhe në vazhdën e kësaj force politike qëndronte në vazhdimin e një farse të vjetër, megjithëse kësaj here protagonistët ishte një lukuni e re politike, që, pasi kishte shqelmuar “të vjetrit”, kishin përveshur mëngët për dëbimin e tyre.

Kuvendi miratoi statusin e ri të PD-së që me siguri do ë shqelmohet që ditën e hënë, pasi asnjëherë nuk i janë përmbajtur atij dhe as që ia kanë vënë veshin. Ai u miratua për disa pika që do i shërbejnë shefit të partisë dhe familjes së tij biologjike, si parti e kunetërve dhe e njerëzve të gruas. E rëndësishme për Bashën ishte vendosja në statut e së drejtës së dëbimit nga partia të atyre që mendojnë ndryshe, që nuk kanë pikëpamje të njëjta me shefin, i cili edhe nëse humbet zgjedhjet nuk luan nga vendi i tij.

Të tjerat ishin broçkulla politike, të cilat të rinjtë që ishin vendosur në radhët e para për të duartrokitur, as që i dinë dhe as nuk do i mësojnë ndonjëherë. Ata po presin radhën për të dëbuar këto që dëbuan të vjetrit, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka ende një vizion të tij, një ide, një mendim.

Çfarë ndodhi në farsën e vjetër përmes lukunisë së re?

1- Lideri

Në PD ka qenë e mbetet roli i Njëshit si njeriu i fatit të të tjerëve. Nuk luan asgjë nga kjo mendësi. Ashtu si ka qenë, ashtu do të mbetet. Si dikur pas Berishës, ashtu do të rrjedhin drejt Bashës të gjithë ata që duan të jenë dikush. Sa më i ashpër të jesh, sa më shumë të hedhësh gurë, sa më tepër të qëllosh, të shash, të mashtrosh, aq më pranë shefit do të jesh. Lideri, edhe pse nuk ka karizmën e një lideri bën gjëmën, ashtu si mund të të bëjë dikush.

Nëse e luan liderin fishkëllehesh, përjashtohesh, dëbohesh, mallkohesh.

Në vitin 1995 shefi i asaj kohe i PD-së, në të vërtetë shef me kohë të pjesshme, pasi çelësat i mbante ai në presidencë, provoi të rebelohej dhe të sillte një mendim ndryshe. Nuk e qasën as tek dera dhe bodigardët e Berishës ishin të gatshëm t’i tregonin vendin. Ndaj edhe iku nga ky vend, ku u rikthye me shpresën se njerëzit diçka do të kishin mësuar.

Dje, edhe pse fjala e tij ishte më e moderuar se ajo që do të mbante në vitin e largët 1995, përsëri fishkëllyesit, çjerrësit dhe mallkuesit iu sulën atij.

Ndërsa ai, për të dytën herë e vrau frikën, frika, nga ana saj vrau ata që çirren për demokraci dhe grabisin lirinë e të folurit. Kritikët e tjerë heshtën. Ndoshta e dinin që më parë se çfarë do të ndodhte dhe e shohin më komode të bëjnë vërejtjet e tyre nga portalet e shumtë.

Lideri mbetet në PD si hija që mbulon gjithçka.

Kur u themelua PD, lideri i saj Berisha pati deklaruar në “Zëri i Amerikës” se nuk do të rrinte as dy vite në drejtimin e forcës së tij politike dhe se, statuti i PD-së ndryshe nga statuti i Partisë së Punës, do e kishte të sanksionuar ndërrrimin e liderit në çdo dy vite.

Tani lideri bëhet si ia do qejfi atij.

2- Vjedhja e votës

Për herë të parë në historinë politike të zgjedhjeve në Shqipëri vjedhja e votës u institucionalizua në vitin 1996. Dy zgjedhjet e para, 1991 dhe 1992, megjithëse u organizuan nga forca e vjetër politike ishin më të lirat që mbahen mend. PD futi në linjë zyrtare vjedhjen e votës. Në vitin 2009 vjedhja jo vetëm që u bë masive, por edhe në dritën e diellit. Fletët e votimeve u dërguan buzë lumit dhe u dogjën publikisht, si të thonin se, ja, u vodhëm, u trajtuam si deshëm dhe tani mbylleni gojën se ju djegim.

Kjo vjedhje vazhdoi edhe brenda llojit. Si në vitin 1995, vjedhja e votës brenda vetes u bë edhe kur votohej mes Bashës e Oldashit, por edhe mes Bashës e Selamit. Në të dyja rastet gjithçka ishte paralajmëruar.

Edhe dje u bë e njëjta gjë. Më shumë se gjysma e pjestarëve të Kuvendit nuk kishin asnjë lidhje me PD-në. Ishin thirrur aty për të votuar.

Është ndër rastet e veçanta kur mendja mposhtet nga numri. Numri i sjellë nga Basha për të votuar mundi peshën e mendjes që nuk ishte në sallë.

Këto që vjedhin votën brenda vetes, nesër vjedhin gjithë Shqipërinë, si e kanë vjedhur.

3- Frika nga Berisha

Të gjithë opozitarët e Bashës, sado mund të kenë të drejtë në artikulimin e tyre ndaj tij, fshehin të vërtetën. Zjarri është Berisha, Basha është masha e tij.

Asnjëri prej tij nuk kapet dot me Berishën. Të gjithë kapen me Bashën, duke bërë sikur kanë harruar se kush ua solli peshqesh në mesin e tryezës së pushtetit, se cili ua bëri shef të partisë.

Edhe sot ata e shohin të keqen tek njeriu që qesh dhe jo tek njeriu që të bën gjëmën. Basha qesh dhe të përjashton, Berisha të bën gjëmën dhe të shkurton.

Frika nga Berisha tregon shumë më tepër se sa merret me mend.

Frikë nga dosjet e tyre që ka Berisha, frikë nga garda private e Berishës, frikë nga turma që ende nuk e di se pas së cilit po shkon? Të gjitha këto.

Mbi të gjitha , nga e shkuara e tyre pas Berishës, që nuk është e pastër.

Edhe dje në Kuvend të gjithë kishin frikë nga Berisha. Ndërsa ky i fundit kishte frikë nga Basha.

Frika e të tjerëve nga Berisha është një sëmundje e vjetër e politikës; frika e Berishës nga Basha është një sinjal se qendra e urdhërit nuk është në atë Kuvend e as në Shqup. Është më në veri.

4- Statuti dhe skifterët

PD ka pasur gjithnjë statutin e saj. Do e ketë edhe tani një statut të ri. Ndoshta, po të i interesojë Bashës , ose një grupi rreth tij, ndërtojnë brenda javës edhe një statut tjetër.

Kush e ka zbatuar deri më tani këtë statut? Asnjëri nga të zgjedhurit si drejtues në PD. Absolutisht asnjëri. As Berisha, as Selami, as Tritan Sehu, as Basha.

Statuti i PD-së por edhe i shumë forcave të tjera politike, është një letër mëse e zakonshme, në fakt letra më e padobishme që kanë partitë sot.

5- Forcë e cilit horizont është PD-ja?

Në fakt , kjo duhej shtruar që në fillim. Kush e krijoi PD-në dhe pse nuk duhet të habitemi sot nga fryma e saj, thellësisht antiperëndimore?

Megjithëse fillesa e saj ishte lëvizja studentore, atë nuk e krijuan studentët. Ata u thirrën aty si garniturë politike, si një e keqe e përkohshme në një parti të suportuar nga jashtë për të qeverisur brenda.

PD-në në fakt e krijuan legjioni i dytë i drejtimit komunist. Më shumë se 90 për qind e atyre që e krijuan atë kishin qenë në postet e mesme të qeverisjes komuniste dhe secili prej tyre, po të ishte thirrur për të qenë anëtar i Komitetit Qendror apo i Byrosë Politike do të kishte shkuar duke iu marrë fryma nga gëzimi.

Shikoni edhe një herë listën e Këshillit të parë Kombëtar të saj, pastaj të Këshillit të dytë Kombëtar. Në të parin gjen ende studentë të dhjetorit dhe, tek tuk edhe ndonjë ish të burgosur politik. Në Këshillin e dytë kombëtar studentët janë tepër të paktë, ndërsa ish të burgosurit politikë edhe më të padukshëm.

Kaq e vendosur ishte PD kundër kësaj shtrese të shoqërisë sa që edhe sot këshilltarët bashkiakë të Tiranës refuzojnë të miratojnë vendimin për ngritjen e një përmendoreje për Pjetër Arbnorin.

Kjo klasë politike me sytë nga pushteti i legjionit të parë komunist, që ishte e gatshme të merrte stafetën nëse regjimi nuk do të ndryshonte, kishte edhe përjashtime, por ata u ndodhën të përkohshëm aty, dhe kur mbaroi misioni i tyre, u larguan, u dëbuan ose u linçuan.

Mllefi i vjetër i pushtetit të munguar u bë sëmundja themelore e PD-së së re, dhe kjo ishte sëmundja më e rrezikshme që barti me vete.

Disa prej themeluesve të saj, jo të paktë, kishin qenë që herët si pjesë e sigurimit të shtetit dhe bartën edhe misionin e tyre.

Ajo që u krijua si forca perëndimore, në fakt shumë shpejt u bë një parti tipike e lindjes së dikurshme në kushtet e demodiktaturës.

Kjo mbetet edhe tani. Është një sëmundje që nuk u hoq dot, pasi, edhe ata që erdhën, shijuan më shumë pushtetin se sa synuan rilindjen e vendit. Shembulli më i qartë i tyre dhe ku synojnë shumë nga ata mbetet Basha: njeriu pa asnjë kontribut, veç paraqitjes fizike dhe mbresës që i kishte lënë familjes biologjike të shefit të opozitës që po vinte në qeveri dhe që, për pak kohë si askush tjetër u bë njeriu i milionave, i atdheshitjes dhe i vrasjeve pa gjyq.

Kuvendi i djeshëm, si e dinë më mirë se ne të gjithë ata që e organizuan, ishte farsa e radhës.

Tani, në tribunë nuk ishte më garda e vjetër, tani ishte një lukuni e re, që pret çastin të shqyejë prenë që mund t’i bjerë nëpër dhëmbë.

April 30, 2018 13:25