Fati i keq i bibliotekës së Androkli Kostallarit

March 9, 2018 11:29

Fati i keq i bibliotekës së Androkli Kostallarit

 

Nga Sefer Pasha

Në Bibliotekën Kombëtare tek po kërkoja nëpër skedar më ra në dorë libri i Rexhep Qoses:  “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e botuar në Prishtinë gati 50 vjet më parë. Kur e hapa kapakun e librit, e që u bë shkas për këtë ese, ishte një autograf i Rexhep Qoses, ku ai i shkruante lirshëm Androkli Kostallarit: “Profesor Androkli Kostallarit, me dashuri dhe mirënjohje për miqtë e autorit”. Prishtinë: 22.5 .1974. Qosja”.

E them sinqerisht që u çudita, por aty për aty e mblodha veten. Libri “Vdekja më vjen prej syve të tillë” me dedikimin përkatës do ta kishte një arsye që kishte përfunduar në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. Unë në një farë mënyre kisha mote që hulumtoja për visaret që la pas gjuhëtari me emër. Ndryshe nga jeta e profesorit biblioteka e tij kishte patur shumë peripeci e një fund të humnershëm.

Gjatë gjithë jetës shkencëtari i apasionuar pas gjuhës shqipe kishte adhurim sistemimin dhe pasurimin e bibliotekës personale. E gjithë shtëpia ku banonte Kostallari me të shoqen dhe dy fëmijët ishte kthyer në një pyll me libra. Ato fillonin qysh në hyrje të banesës, në dhomat e përshtatura për bibliotekë nga mjeshtërit e drurit sipas gustos së shkencëtarit, që vet e kishte projektuar bibliotekën.

E bija, Irini Kostallari, thotë se ka qenë puna më e mundimshme e atit të saj. Biblioteka i ngjante një “rrapi” e vazhdon rrëfimin Irini. Libra në “zgavër”, nëpër degët e “rrapit” e gjer në majë, në “tavan”. Një “gjethe” e librave të bibliotekës po të kishte lëvizur Kostallari e dallonte që pa hequr këpucët. Ishte i mahnitshëm. Unë jam ashtu si një bari në fshatin e lindjes në Leusë të Përmetit, që në një tufë me 500 krerë delesh bariu e dallon delen e humbur dhe pa i numëruar vetëm me një të parë syri u thoshte ai familjarëve të tij.

Njërin kënd të bibliotekës profesor Kostallari e kishte arkitekturuar sipas pamjes së fshatit Leusë mbi qytetin e Përmetit. Në qoshe të këndit kishte përshtatur odën, ku kishte lindur, pastaj libër pas libri, rrugicat me lisa, yrtet, vreshtat, koriet e më lart shpatin e malit të Nemërçkës. Biblioteka e shtëpisë ishte strehëza ku ai gjente qetësi e harronte “dramat” e punës, të cilat nuk ju ndan gjithë jetën. Aty ku mbaronte shpati i “Nemërçkës” dhe ishin vendosur si piktura shtëpitë e Leusës, Androkli Kostallari kishte vendosur në një korrnizë të gdhendur me dru arre thënien e Borgesit: – “Fakti që të kem në dispozicionin tim 800. 000 libra dhe errësirën, është një shenjë e një ironie të shkëlqyer të zotit”. Dhe në krah të kësaj thënieje Kostallari kishte qëndisur dhe këto vargje gjithashtu po nga Borgesi: /Një legjendë greke flet për një mbret të përvuajtur/ /Që vdiq nga uria, e nga etja mes kopshteve plot burime.

Kushdo që futej në bibliotekë mahnitej. Aty gjeje dhe “laboratorin” krijues të profesorit i perceptueshëm vetëm për të e miqtë me të ngushtë. Pareshtshmërisht për epërinë e mendjes së tij ai me vitalitet kishte krijuar “galaksinë”, ku parrëfyeshmërisht e përsosmërisht përputheshin shijet e gjuhëtarit.

E gjithë biblioteka qe veshur si të thuash me një kostum klasik me ngjyrat e malit të Nemërçkës e kjo të binte në sy që në shikim të parë. Kur futeshe brenda në bibliotekë ndjeje një lloj pakuptueshmërie, e cila e shndërronte atë në një objekt misterioz. Shkencëtari si të qe misionar e konceptonte bibliotekën si simbol të fitores mbi zhgënjimin. Në mes të librave nuk mungonte as Bibla e Kurani, por aty ngjizej identiteti kombëtar. Kryepari Kostallari jo se e shenjtëronte bibliotekën, por sepse aty zhbironte brumin e kahershëm të 41. 000 fjalëve që u botuan në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” qysh në vitin 1980. Në mes të librave diellzonin prurjet gjuhësore, të cilat i preku një për një me shqisat së bashku me redaktorët e Fjalorit si Xhevat Lloshi, Jani Thomai e Miço Samara. Jo vetëm në artin e përdorimit të alkimisë së fjalëve, por dhe si kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 profesor Kostallari zbatoi një shumësi detyrash duke u ndeshur dhe me logjikën tribale të gjuhëtarëve mediokër, të cilët nuk ishin dakord me procesin e njehësimit përfundimtar të normës letrare në të gjitha rrafshet. Në Kongres supermjeshtri Kostallari shpalosi detajet me hapërim e qashtërsi thellësisht ndjesore e hyjnore duke mbajtur qëndrime të idhëta me polemizuesit, të cilët asokohe ishin kundër gjuhës së kulluar.

Edhe më tutje Kostallari mbante parasysh thënien e Çurçillit që thoshte: “Suksesi nuk është absolut, dështimi nuk është fatal. Kurajoja për të vazhduar është ajo që ka rëndësi”.

***

Në bibliotekën hijerëndë arkitekti Kostallari nuk kishte harruar dhe një qoshe që ai e quante “Moska”. Aty gjuhëtari kishte sistemuar autorët rus në origjinal, të cilët i lexonte bashkëshortja e tij Evgjenia me origjinë nga Rusia të cilën e kishte dashuruar, që kur ishte student në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Si të gjithë ata që i patën gratë ruse edhe Androkli Kostallari u përplas me “krisje” e intriga nga Sigurimi i Shtetit. Por profesori ishte kockë e fortë. Qe i ditur, i vendosur e krenar si çukat e Nemërçkës mbi Leusë, ku kishte lindur, e ku matanë Vjosës, ballë për ballë “ja bënte me sy” Frashëri, vendlindja e vëllezërve të mëdhenj. Dijetari Androkli Kostallari nuk u prek nga kjo “kleçkë” në biografi. Pikërisht tek këndi “Moska”, Evgjenia, lexonte literaturë ruse dhe të përkthyer në gjuhë të tjera. E ndërsa profesori punonte në studion e veçantë, që ai metaforikisht e quante “zgavër” e shoqja lexonte Pushkinin, Gogolin, Pasternakun, Shollohovin, Majakovskin, Lermontovin, Eseninin dhe shumë të tjerë. Çuditërisht gjarpërinjtë nga jashtë nuk u futën dot në bibliotekë për të vëzhguar se ç’fshihej aty. Siç duket shqiponjat e Nemërçkës dinin të bënin mirë roje.

E bija e gjuhëtarit, Irini Kostallari, mësuese në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë, edhe kur flet me kolegët, me nxënësit, me miqtë e të atit i duket sikur është në labirinthet e bibliotekës. E mban mend mirë kur babai, Androkli Kostallari, në krye të komisionit për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” punoi me aq dhimbje e pasion. Netë pa gjumë, udhëtime të largëta, mungesa në familje, kthimet si të kishte qenë në luftë, me t’u futur në korridor përfundonte në dush se kutërbonte nga djersa e siç e thoshte me humor e shoqja “binte era cjap”. Por në shtëpi përsëri nuk ishte i qetë. Kridhej në bibliotekë, nxirrte “trastën” e zbrazte fjalët, që i kishte qëmtuar nëpër atdhe. 1. 500 emra lulesh kishte Leusa në shpatin e Nemërçkës. Me t’u kthyer në shtëpi nuk vinin vetëm punonjësit e Institutit të Gjuhësisë, por dhe bashkëpunëtorët shkencorë, studentët, malësorët, kosovarët, shqiptarët nga Maqedonia, bjeshkëtarët, mbledhës të bimëve medicinale, ish të burgosur, xhambazë kuajsh, gjeologë, poet, studiues, përkthyes, mjekë, detarë, arkeologë, ministra e ambasadorë.

Nëpër bibliotekë nuk flitej për ndonjë “kryengritje”, as për “puçe”. Flitej vetëm për lumin e fjalëve të gjuhës shqipe. Të gjithë ata që vinin aty nuk binin shishe me raki, as ndonjë kec nga Leusa, ku ai kishte fisin e tij, por aty zbrazeshin “xhepat” e “hejbet” me fjalë. Ishte punë e mundimshme. Të gjitha fjalët e zgjedhura duhet të ishin shqip. Gjer ndaj të gdhiri i sistemonin fjalët së bashku me idhullin e tij, Eqrem Çabejn. Mes kësaj stuhie u botua “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, që po u reziston “kafshimeve” të një kohe me gjuhëtarë të trazuar. Profesor Androkli Kostallari ka botuar mbi 3000 faqe, që përfshijnë studime në fushën e Leksikologjisë, Leksikograsfisë, Simantikës, Fjalëformimit dhe në mënyrë të veçantë të kompozitave.

***

Gjuhëtari Androkli Kostallari e kishte makth bibliotekën. Pikërisht për këtë arsye ai e la apartamentin dhe organet e pushtetit vendor të kohës i dhanë një kat në një shtëpi (vilë) afër Bllokut. E bija, Irini, thotë se paçka se i ati e konceptoi bibliotekën si një “rrap”, ai, donte që “rrapi” të kishte hapësirë si livadhet mbi Leusë. Nëse do të kishte ndonjë “grindje” me bashkëshorten shkak do të bëhej ndonjë libër i bibliotekës. Për të shmangur “grindjet” profesori çdo ditë e raciononte kohën dhe me leckë në dorë pastronte çdo “gjethe” të librave. Një gram pluhur e nervozonte Kostallarin, i cili kishte mjaft halle në punë. Dhe sikur të paguhej si pastrues zyrash pastronte në mënyrë të paqtë fotot me miqtë të varura në degët e “rrapit”. Ishin me qindra foto si ato me Eqrem Çabejn, Stefanaq Pollon, Shaban Demiraj,  Rexhep Qosen, Aleksandër Xhuvanin, Selman Riza, Dritero Agollin, Ismail Kadarenë, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Mahir Domi e shumë të tjerë. Para se të flinte kontrollonte sobën, qirinjtë, prizat e gjithçka tjetër që mund të bëhej shkak për ndonjë shkëndijë elektrike apo për zjarr. Në një kasafortë të vogël çeliku kyçte shkrepëset, çakmakët, fenerët, e kandilin me vajguri që e kishte kujtim nga gjyshja në Leusë.

Na ka gjetur belaja me “Lomonosovin” thoshte e shoqja, Evgjenia, e cila e priste në shtratin bashkëshortor (tërë jetën ajo i thërriste Kostallarit “Lomonosov”). Dhe çuditërisht Kostallari që nuk lëshonte pe nofkën “Lomonosov” nuk e kundërshtonte brenda familjes.

***

Megjithëse jeta e gjuhëtarit i ngjan një stuhie që kurrë nuk pati një çast të qetë, ai i futur nën hijen e “rrapit” me libra, sikur merrte një sy gjumë. Shkencëtari Kostallari, i cili kishte parashikuar se sa  mund të rronte biblioteka marramendëse me mijëra libra për të cilën kishte punuar dhe e kishte ndërtuar që kur qe kthyer nga Univerisiteti “Lomonosov” i Moskës nuk e kishte imagjinuar se qysh në gjallje të tij ai do të mbetej pa kulm mbi kokë dhe pikërisht për fatin e bibliotekës do të ikte nga kjo botë para kohe.

Me të filluar proceset “demokratike” vilës ku Kostallari jetonte me gjithë familjen dhe me thesarin e tij bibliotekën i doli pronari. Profesori që gjithë jetën ishte përplasur për gjuhën shqipe nuk ishte i zoti të bënte asgjë. Kudo që trokiti i dhanë shtymën me të dyja duart. Nuk kishte kujt t’ia hapte zemrën. Edhe kolegët që kishte lënë në Institutin e Gjuhësisë ishin në dramë e kishin në dorë vetëm “hapësat e kashtës”. Të shoqen Evgjeninë nuk donte që ta shqetësonte. Atë e kishin thinjur telashet para kohe. Meqenëse ishte bijë nga Moska studiuesen e kimisë së tokës dikur e kishin çuar punëtore në Uzinën “Enver”. E ndiqte Sigurimi i Shtetit. Ajo nuk përfundoi në burg se Kostallari ishte për shkencën e kohës një “Nemërçkë” me vete. Prandaj ai nuk i thoshte gjë Evgjenisë për telashin e hapur me pronarin e pamëshirshëm. Dhe po e vuante në vetmi “varenë” e pronarit që i rrinte mbi kokë. E kuptonte se po mbetej pa banesë. Gruan, Evgjeninë, vajzën Irinin, dhe djalin Adrianin po i linte në qiell të hapur.

Por vuajtjen më të madhe e kishte me bibliotekën. Ku do t’i sistemonte mijëra libra? Dhe mendohej e mendohej në vetmi.

Thonë që vajti dhe në Leusë të Përmetit ku kishte lindur. Por oda e vjetër e babait Hari Kostallarit ishte rrënuar. Nuk gjeti asnjë strehë tjetër për ta sistemuar bibliotekën. U kthye në Tiranë i tronditur. Në një fletore të thjeshtë miqtë e gjuhëtarit kanë gjetur të përkthyera dhe këto vargje të Dante Aligierit:

Lindur nuk jeni të rroni si kafshë

Po për të ndjekur virtyt e dituri. 

Dhe krejt papritur Androkli Kostallari pëson infarkt të miokardit dhe ndahet nga jeta. Askush nuk e priste vdekjen e tij. Në jetë nuk kishte pirë as duhan dhe as alkool.

“Im shoq vdiq nga marazi i bibliotekës”, do të thoshte ato ditë të gjëmës bashkëshortja e tij.

Evgjenia, e cila rrojti dhe disa vjet pas të shoqit, ka rrëfyer me dhimbje tek mikeshat e ngushta se në çastet më tragjike kur po jepte shpirt ia la amanet që t’ia shpëtonte bibliotekën. Por këtë amanet moskovitja nuk ia plotësoi dot. Ajo nuk mundi të sigurojë banesë as për vete e fëmijët dhe as për bibliotekën sa një mal.

Pas vdekjes së saj ngjarjet në familjen Kostallari rrodhën keq e më keq.

Evgjenia vdiq. I biri Adriani iku në Amerikë dhe mbeti në vetmi të skëterrshme e bija e vetme e Kostallarëve, Irini. Pronari i vilës i fitoi të drejtat. Ai do të futej në pronën e tij. I dha ultimatum Irinit që të delte sa më parë ndryshe bibliotekën me gjithë libra do ta digjte në oborr që të ngroheshin banorët e Tiranës së Re. Në këto rrethana e bija e profesor Kostallarit pa krah për një javë rresht mbushte thasët me libra dhe i çonte kioskë më kioskë dhe librari më librari në të katër anët e Tiranës. Irini e traumatizuar librat i shpërndante pa inventar e pa marrë ndonjë dokument nga librarët e nga kioskaxhinjtë. Ajo në makth tmerrohej kur pa asnjë mbrojtje e gjithë biblioteka do të digjej në oborrin e vilës. Nëse do të ndodhte kjo, më thotë në bisedë e sipër, vetë do të hidhej në mes të flakëve e do të bëhej shkrumb e hi bashkë me librat.

Irinin e ngushëllonte fakti që së paku librat do të shpëtonin “kokën” e do të ishin në familjet e tiranasve. Çdo libër kishte vulën me shënimin “Biblioteka Androkli Kostallari”. Ky ishte fundi aq i trishtuar për ëndrrën e profesorit, që të linte pas një thesar aq të vyer. Irini që është në prag të pensionit jeton fillikat në një hyrje me qira. Vitet e fundit po lufton për të mbledhur sa të mundet nga librat e shpërndara rrëmujthi miku i ngushtë i Androkli Kostallarit, pedagogu Kujtim Kapllani. Nuk e dimë sesa do t’ia dalë.

(Vijon)

March 9, 2018 11:29
Komento

13 Komente

  1. alphade March 9, 12:01

    Megjithe mend e tristueshme ! Nje thesar ! Kjo tregon se
    sa miq te librit jemi ne shqiptaret ! Si nuk u gjet nje politi-
    kan apo biznesmen qe ta shpetonte kete thesar kaq te
    vyer te shtetit shqiptar ?! Po Bibloteka Kombetare cfare
    beri ?! Pse Irini u detyrue t’i shperndaje kioskave te Tira-
    nes dhe nuk ia dhuroi Biblotekes Kombetare ? Apo ia dha
    koiskave per t’i shitur ?? Nejse, kjo eshte jeta ?!

    Reply to this comment
  2. Barbaret e trashgimis kulturore te viti 1992. Berishjanet! March 9, 12:15

    Sa keq perfundimi I nje erutiti ne vitet 1992. kur ne pushtet erdhen barbaret qe do te shkatronin kulturen dhe dijen mundin e shume dijetarve si Androkliu dhe trashgimenine e tyre !
    Histori e dhimbshme fundi Bibloktekes! Ne 1992 nje furi shkatruese e trashgimise intelektuale 45 vjecare u paraqit me slloganin mashtrues “Demokraci” duke ngjyrozur badh e zi gjithshka qe ishte e dobishme pas 1990!

    Reply to this comment
  3. arben March 9, 16:22

    Ah o Sali te befsha soj e sorollop ne 100 breza ty e cfare te permban pragu i shtepise qe me cmendurine tende i semure edhe shqiptarete i katandise si vetja jote ne qenie me kater kembe e pa tru e qe sot vertiten rrugeve te botes pa komb e pa atdhe.

    Reply to this comment
  4. tomorraku March 9, 19:01

    Megjithate ju i shpetuat librat pa i djegur ai “barbari “i viles , por une kam pare si u dogjen librat e “Flores”!Ne sheshin perpara kesaj librarie nji pirg i madh me libra dhe rreth e qark banda qe u kish vene zjarrin me Azemin ne krye te tyre qe zgerdhiheshin se po digjnin , jo Enver Hoxhen po dijen , kulturen , historine e Shqiperise . Viktime e kesaj barbarie rane edhe librat e nji librarie me libra te vjeter shume te cmuara ngjitur me “Floren”. Ndersa rastin tjeter tragjik te zhdukjes se librave e kam hasur po ne ato vite ne stacionin e trenit : nji qoftexhi i mbeshtillte qoftet me fletet e romanit “Dimri i vetmis se madhe ” te I.Kadarese!Edhe pse ju luta qoftexhiut qe te ma jepte ate pjese te librit, qe kishte mbetur , ai me pa shtrember , sikur po i kerkoja ti merja qoftet pa papaguar!

    Reply to this comment
  5. IP March 9, 19:39

    Gjeja me e trishtuar qe kam lexuar ne jeten time. ja kalon cdo tragjedie te shkruar apo jetuar. Turp I madh. Ne kete vend nderohen vetem hajdutet, tradhetaret, kurvaret. Paskam bere shume mire qe kam ikur. Me ne fund u binda per kete… Kam luftuar me vehten per kete vendim per 22 vjet. tani kapaku u mbyll, nuk me vjen keq me se ky popull e meriton felliqesine ku shgryhet.

    Reply to this comment
  6. Mashtrimi Vazhdon... March 9, 19:48

    Ndjese paste, por…
    kur rrefeni, nese rrefeheni, zoteri autor i artikullit,
    duhet te thoni: si i sherbeu Androkli Kostallari regjimit?!
    Cili ishte qendrimi i tij ndaj Kolegeve te Vlershem te Akademise dhe atyre qe u lane jashte saj?
    Cili ishte Dora e Partise ne ate Akademi?
    Tere citimet tuaja, zoteri autor jane te shkelqyera, por ne kundershtim me vepren dhe jeten reale te Kostallarit…
    Po, ishte kohe e veshtire, e rrepte, zor te mbeteshe dinjitar…
    Por jo te merrje me qafe te tjeret…
    Perse nuk ia dorezoi tere bibilotekn Akademise? Ose Bibliotekes Kombetare?
    Mos ngrini mite kur Mite ishin te Tjere…

    Reply to this comment
  7. demo March 9, 22:13

    Androkli Kostallari ishte dora e Partise ne Institutin e shkencave,ne Akademi,ne katedren e gjuhes.Fati i trishte i gjuhetarit Selman Riza dhe sulmet ndaj Cabeut mbajne autoresine e tij..Biblioteka eshte e pafajshme dhe duhet te kete qene vertet e pasur.

    Reply to this comment
  8. Flatun Ramadani March 10, 02:49

    Profesor Androkli Kostallari eshte nje nga talentet e spikatur te Shqiperise ne fushen e kultures se kombit tone dhe shquhet vecanerisht per kontributin e jashtezakonshem ne gjuhesi.
    Fundi i tij aspak i merituar dhe humbja e Bibliotekes madheshtore eshte nje drame jo veteme e tij dhe e familjes, por edhe e tere shoqeris tone.
    Situatat qe ka kaluar shkencetari dhe familja mbas ndrrimit te sistemit ekonomiko-shoqeror e bejne cdo shqiptar te ndjeje keqardhje te thelle.
    Ne te kaluaren ai ka qene nje intelektual i shquar, qe ka dhene nje kontribut te pazevendesueshem ne fushen e gjuhesise, dhe kulmi i arritjeve te tij ne kete fushe perfaqesohet nga FJALORI I GJUHES SE SOTME SHQIPE, veper madhore kombetare me vlera te shumefishta.
    Nderimi i perjetshem i intelektualeve shqiptare, nga brezi ne brez, do te shqeroje punen titanike te prof. Androkli Kostallari.
    Falenderim autorit Sefer Pasha per tablone e paraqitur ne kete shkrim.
    F. Ramadani

    Reply to this comment
  9. info analitike March 10, 09:05

    Po pse more shoke paska faj pronari te cilit qy profesori i zaptoi pronen! Pronari legjitim e gezofte pronen! Librat mund te ishin shpetuar fare mire e pa u qurravitur me nje donacion ose shitje Bibliotekes Kombetare, Akademise ose AQSH-se sesa tezgave e kioskave. Kam lexuar ne AQSH shume letra ne te cilat ky “profesori i ndritur” u soll me shume pashpirtesi ndaj studjuesve te tjere per arsye ideologjike e ne zbatim te luftes se kllasave. Nje studjues qe ve ne vend te pare partine se kulturen nuk i sherben me misionit te tij fisnik por vetem atij partiak.

    Reply to this comment
    • jo-genjeshtres March 10, 14:19

      Kam patur fatin te kem djalin e tij shok klase ne universitet. Djale i edukuar dhe me dije qe nuk qyrravitej si te tjere djem tirane. I afert me shoket e klases pa pike mendjemadhesie. Babain nuk ja njoh nga ana njerezore, por studjues si ai merritonin respekt e mirenjohje, nese Kadareja u pasurua me veprat e tij, e kunderta ndodhi me studjuesit e tipit Kostallari. Ne i vrame ata dhe pastaj i denigruam edhe pse “mekati” i tyre ishte zhvillimi i gjuhes me te cilen ne i denigruam lart e poshte!
      Turp per ne qe u beme aktore te ketyre dramave moderne!!!

      Reply to this comment
  10. fteri March 10, 20:01

    lexova me vrerë në grykë historinë e biblotekës të shkatrruar nga kriminelët politik ,injorantët më të mëdhej të kombit shkatrruesit të kulturës kombit ,dhe biblotekën e gjigandit Androkli kostollari mu mblodhë edhe njëherë një shtëllungë urrejtje ,kur politikanët e rijë kan vjedhur lek me thasë ,kan ndërtuar vila moderne ,pallate e resorte moderne ,kur njerzit e kulturës të dijes dhe të shkencës i lanë në varfëri e mjerim .

    Mbi këtë kala të shkretë,kush u bë sebep që na vrau,dogji e shkatrroi këtë vend për 27 vjet ,belaja kokës mos ju heqtë ,brez pas brezi mos paftë hajrë.

    Reply to this comment
  11. dori March 10, 21:29

    Keshtu ka ndodhur , bile me keq se e vodhen sllavet, me bibliotekene e Eqrem Vlores ne vitin 1946.Me ato qe lane jugosllavet ngroheshin ne sobe kapterrat e sigurimit…

    Reply to this comment
  12. alphade March 10, 22:11

    Shenim: po kur thone disa sharlatane, zagarlehes te Sali
    Vicidolit, se ky qe do te behej presidenti i Shqiperise ishte
    mik i librit. Dikush me thoshte se e shikonte Vicidolasin me libra nen sqetull,mirpo kur u shtrua problemi i mbroj-
    tjes se thesareve te kultures shqiptare as qe denjoi te
    marre qifte edhe nje mase apo kishte udhezime nga fqinji
    i Veriut per te shkaterruar gjithcka shqiptare. Zaten van-
    dalet quhen te tille pse jane kunder cdo lloj kulture e mbi
    te gjitha kunder kulturave te vendeve e pushtonin. Kete
    bene hunet,gotet,astrogotet,sllavet ….qe u perpoqen te
    shkaterrojne gjithe kulturen europiane. Permendim ketu
    Alarikun,Atilen,Cing Gis Khanin …..dhe pasardhesin e tij
    te fundit,shkaterrimtarin e Shqiperise,Vicidolasi….!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*