“Fati im i zi”

Nga Rejla Bozdo March 3, 2014 16:58

“Fati im i zi”

Që fare e vogël, kisha dëgjuar nga gjyshja që, në jetë njeriut nuk i mjafton mirësia dhe zotësia, por i duhet edhe pak FAT. Gjyshja fliste kryesisht për FAT-in e jetës dhe krijimin e familjes. Që të kesh partnerin e duhur, nuk mjafton të kesh vlera, duhet FAT. “Nuk sjell lumi gjithmonë kërcunj”,  thoshte ajo. Me pak fjalë, hap sytë të shohësh FAT-in kur vjen. Shoqet më thoshin që FAT-i krijohet. Po si u krijoka FAT-i?! FAT-i vjen nga “lart”, nga andej ku ne nuk kemi ndikim dhe gjyshja më ka thënë që edhe nëse sillesh mirë nuk është e thënë se do kesh FAT të mirë. Në të gjitha bisedat femërore, FAT-i zë një vend të rëndësishëm. “Kur e konsideron veten të mirë, por pa FAT, ndjehesh edhe rehat moj motër”, – thotë një mikja ime. Të drejtë ka!

Ne të gjithë vuajmë të identifikojmë fajtorin. Dhe në këtë rast fajtori është FAT-i. Ne nuk kemi faj. Fajin e ka FAT-i; FAT-i i poshtër, FAT-i i keq, FAT-i i zi. Mendimi se bëmë gjithcka, por FAT-i nuk ishte në anën tonë, na injektohet në gjak dhe me shpejtësi çliron qetësi në sistemin tonë nervor. Madje shumëkush shkon tek fallaxhorja të shohë parashikimin e FAT-it. Nëse fallxhorja parashikon se do kemi FAT të mirë, ne fillojmë nga puna. Në rast të kundërt nuk ia vlen të shpenzojmë kohë duke punuar, sepse e dimë shumë mirë që në këtë vend nuk vjen PUNA e para; i pari është FAT-i.  U bë aq e zakonshme kjo, sa shprehja “të jesh në vendin e duhur, në kohën e duhur” është teorema e vitit, e vërtetuar në disa mënyra.

Po unë nuk di ku të jem më parë: të jem duke bërë ndonjë punë, apo të jem atje ku ndahen përfitimet pa punë?! Pasi kisha 4 muaj që studimi im i doktoraturës priste të drejtën për t`u prezantuar, një kolegu im më tha: “Do kishe mbaruar punë tani, por ti nuk ke FAT. Udhëheqësja jote është deputete e Partisë Demokratike. Ti nuk mbaron dot punë shpejt.” Ou?! Po cfarë lidhje ka kjo?! Nuk ke turp ti që ke këto mendime?! Të pengohem unë sepse profesoresha është me PD????!!!! Dhe e thua kaq normalisht?! Ti e lidh karrierën time akademike me një arsyetim kaq mediokër? 4 muaj që pret studimi të lexohet nga kolegët profesorë.  Sa i bukur është studimi im! Flet për marrëdhëniet publike dhe ndikimin e tyre në markën e korporatës. Por cfarë rëndësie ka punimi?! Rëndësi ka FAT-i! Nuk kam FAT me udhëheqësen se është në opozitë. Në fakt, fajin nuk ma ka udhëheqësja.

Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. Fajin ma ka vetja. Se unë jam në opozitë si njeri. Jam pa FAT se nuk “e mbaj mirë” me ata lart. Rebelohem. Më rebelon çdo gjë që është e padrejtë, sidomos kur padrejtësia bëhet themel në menaxhim. Sepse unë mendoj që menaxhimi nuk vlen nëse nuk është i drejtë. Padrejtësia në menaxhim është një stil që prodhon vese, servilizëm të tejskajshëm, mediokritet; një stil që izolon drejtuesit dhe na klasifikon të gjithë të ndryshmit si pa “FAT”. Njerëzit në menaxhim, nuk funksionojnë me fallxhore. Funksionojnë me rezultat.

Njerëzit në menaxhim prodhojnë zgjidhje, nuk varin shpresat tek FAT-i. Po kujt i thua?! Sot, gjërat do i kesh po të kesh FAT dhe ndodh siç thonë shoqet e mia: FAT-i krijohet. Si krijohet do thoni ju? Po ja, kohët e fundit janë me shumë FAT ata që janë me LSI-në. Ata kanë punë, arritje, arsim dhe janë të orientuar nga rezultatet. A janë ata më të mirët?! Cfarë rëndësie ka kjo?! Ata prodhojnë rezultat! Me FAT janë femrat e bukura që e përdorin bukurinë e tyre për të arritur atje ku duan. Janë me FAT ata që nuk punojnë shumë, sepse ky lloj rri vërdallë dhe i rrit vetes probabilitetin të jetë në vendin e duhur. Për FAT të keq, në asnjë nga këto variante nuk prevalon fjala PUNE.

Në një nga fjalimet e ditëve të fundit, presidenti Obama thoshte: “Këtu në Amerikë asnjë nga ata që punojnë fort nuk duhet të jetojë në varfëri dhe çdokush nga ata që punojnë fort duhet ta ketë një mundësi për të ecur përpara”. Cudi Obama démodé, nuk paska folur për FAT-in!!! Obama nuk ka folur për kohën e duhur dhe vendin e duhur!!!

Ehhhh…

Individët dhe institucionet e ndryshme le të vazhdojnë me pastrimin e mjedisit, por të jenë të sigurt që nuk do kenë garanci për sukses. Në këtë vend nuk mjafton pastrimi i mjedisit; duhet filluar nga pastrimi i mendimeve të qelbura se suksesi nuk arrihet përmes PUNES, por FAT-it.

 

 

 

Nga Rejla Bozdo March 3, 2014 16:58
Komento

8 Komente

  1. P.A.B March 3, 18:12

    PD-te e Obamat shkojne e vijne, Gjyshja ka te drejte. 🙂

    Per cdo rock-star ka 1000 te tjere qe kendojne pubeve, cdo shkrimtar me fame ka mijera te ngjashem, e cdo futbollist me emer ka lene pas 100.000 te tille ne ekipet zinxhir. Puna vlen shume, si dhe talenti… Fati eshte ai tehu 2% per te cilen kemi nevoje te gjithe; nga njerezit me emer tek me te thjeshtit. U desh dikush/nje cast te zbuloheshin keto njerez, si dhe per ne duhet nje vend/kohe e duhur. Fatin si koncept te artikuluar deri ne abstraktsion, nuk e kuptojme si vjen…vec kur na iken nga dora. Apo kur kthehemi tek analiza e te shkuares” e kjo e shton dozen e pranim / mospranimit te tij.

    Vota ime shkon tek Gjyshja.

    Reply to this comment
  2. ante March 3, 18:41

    O zyshe, pse qaheni per ‘fatin e zi’?!

    Nuk jeni ju pjestare e stafit pedagogjik te Fakultetit te Ekonomise ne departamentin e Marketing-Turizem ?!

    Juve ne kariere e siper jani…po cfare te bejme ne qe femijet tane kane studjuar jashte shtetit ne nivelet e tua dhe nuk i qasin…se u tremben.

    Nuk jeni dhe kaq pa fat…

    Nese, persiatja e mesiperme do te ishte zhveshur nga ‘pretendimi’ personal do te behej indicie dhe per mua te meditoja per problemin. Por ju neper departamente doni ‘katarsis’ se po na ‘mashtroni’ dhe po ‘ngrefosni’ te rinjte e afte e te paafte per ca kacidhe, duke shtremberuar te ardhmen (mbase nuk eshte edhe faji i juaj direkt,por dhe ju mund te kontribuoni ne departament).

    ‘Kush kaleron tigrin ka frike te zbrese poshte.’

    Nejse, sikur te na shperfaqje ca probleme atje ku punoni ne drejtim te pergatitjes se femijeve tane , me mire do ishte . Urime zonjushe a zonje,…po ‘fati’ jone qenka i thene te shohim te njejten komedi ngahera me tituj te ndryshem.

    Reply to this comment
    • lola March 4, 09:57

      Jam plotesisht dakort me Ante,po e lexoja kete shkrim dhe thashe cfare i paska ndodhur kesaj zonje.Kete hall pacim te gjithe….S’ju vjen turp…doktoratura juaj…Po i shohim si po merren “doktoraturat”.Ju a beri mire Ministria e Arsimit ne Kosove ,qe nuk i njeh doktoraturat e marra ne Shqiperi.
      Edhe dicka ,per Diten,jo cdo opinion apo shkrim,kaq medioker,per dicka krejt personale,duhet botuar.Pershendetje Ante,dhe femijet e mi kane mbaruar me forcat e tyre studimet jashte Shqiperise dhe ,asgje e mire nuk i pret ketu.

      Reply to this comment
  3. mato March 3, 19:58

    Dhe e re dhe fataliste.

    Reply to this comment
  4. Hilmi March 3, 21:14

    FATE VELAJ !

    Reply to this comment
  5. ero March 4, 13:56

    Ne kete dynja shumica jane pa ‘fat’.Ca pa pune,ca pa buke,ca pa shtepi,ca me semundje,ca te pabukur,ca te zhgenjyer,ca s’bejne dot femije,ca s’jane miss/e,ca s’kane bmw,ca s’kane jahte,ca s’kane vila ne plazh,ca s’jane politikane,ca s’jane doktora,ca s’jane pronare…e ca e ca…

    Meqe nisi me gjyshe,po citoj dhe une gjyshen time:

    ‘ Fati ngjan me fluturen,biro.Po e ndoqe nuk e arrin kurre.Bene vaki kur je i qete ajo mund te vije vet.Kismet po erdhi.Po s’erdhi na marrte te keqen.Ama,nje dite ne jete per dicka do vij.Ju me keni thene per ca qe fitojne llotari me te moshuar se une. Inat ha me veten jo me fatin…’

    Autorja e dashka fatin per dite,t’i rrije pas dere…

    Reply to this comment
  6. M.h March 6, 22:20

    Per Ante dhe Lola
    Nuk ju kuptoj se cfre problemi tjeter doni qe tju thote zonja nga fakulteti:. Nuk j mjafton ky rast qe eshte publikisht precedent!? Me vjen keq qe shprehni ne kete menyre, aq me teper qe paskeni edhe dije mbi keteo probleme. Kur kjo mund ti ndodhe nje zonje te nderuar dhe profesioniste, femijet tuaj te dashur nuk llogariten fare. Detyra jone si qytetare te civilizuar duhet te mbeshtesim zonjen dhe njerez si zonja, qe neser ne krye te fakulteteve qe hiqen keto te kortuptuar dhe te vije kjo pjese. Reflektoni sa nuk eshte vone per fwmijet tuaj se per ju….

    Reply to this comment
  7. Bruna March 7, 09:01

    E habitshme sesi pjesa per doktoraturen ne kete artikull eshte vetem nje paragraf i shkurter dhe te gjithe jane kapur me kete pjese. Nga pikepamja ime, thelbi aty nuk eshte e merr apo se merr zonja doktoraturen, as PD nuk shfaqet pengese thelbesore per ta bere kete. Ne fakt per mendimin tim pesha bie mbi individin qe ne vend te merret me punimin dhe punen, fantazaon pengesa qe lidhen me fatin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*