Fatos Hoxha: Nga sot e mbrapa bashkëjetesa e krimit me politikën është zyrtare

December 24, 2014 09:00

Fatos Hoxha: Nga sot e mbrapa bashkëjetesa e krimit me politikën është zyrtare

Pas një lëngate një javore lindi marrëveshja e shumëpritur PS-PD. Sot të gjitha palët po festojnë kthimin e opozitës dhe të normalitetit në Parlament. Zhurma e fishekzjarreve të festës duket sikur po përhumb mesazhin kryesor të marrëveshjes: nga sot e mbrapa bashkëjetesa e krimit me politikën është zyrtare. Të dyja palët e njohin. Të dyja palët e pranojnë. Të dyja palët angazhohen se do të punojnë në të ardhmen për të ndryshuar situatën.

Sa kohë që marrëveshja nuk parashikon asnjë nismë konkrete që të premtojë luftë të pakompromis dhe rezultative kundër kriminalizimit të politikës, ajo nuk mund të konsiderohet, nuk duhet të konsiderohet akt lufte, por akt celebrimi. Sot Parlamenti nuk do miratojë një rezolutë për ndarjen përfundimtare nga krimi, por, për fat të keq, me shumë gjasë do të lidhë kurorë me të.

Bashkëjetesa me krimin nuk duhet të tolerohet. Shoqëria duhet të ngrihet në alarm dhe nuk duhet ta pranojë këtë celebrim. Është shpresa e vetme që kemi për të luftuar “Kolerën”. Kolera luftohet duke e izoluar atë dhe bartësit e saj, kurse PS dhe PD sot po bëjnë krushqi me të. Nga dita e sotme jemi përpara këtij skenari:

  1. Qeveria mbahet në këmbë nga votat e krimit (85 vota të mazhorancës minus 19 vota të “deputetëve me rekorde kriminale”, siç thotë PD, bëjnë 66 vota, d.m.th qeveria humbet votëbesimin po të humbë votat e krimit, pra krimi e mban në këmbë qeverinë);
  2. Opozita bën mocion mosbesimi dhe merr qeverinë me votat e krimit (55 vota të opozitës plus 19 vota të “deputetëve me rekorde kriminale”, sië thotë PD, bëjnë 74 vota, d.m.th. opozita fiton mazhorancën absolute me votat e krimit, pra krimi ka në dorë ta kthejë në pushtet opozitën);
  3. Presidenti i Republikës, gjyqtarët kushtetues, gjyqtarët e lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, titullarët e enteve të pavarura do të zgjidhen jo nga votat e PS, as nga votat e PD, por nga votat e krimit, sepse janë ato që bëjnë diferencën;
  4. Ligjet (ligjet e thjeshta, pale ato me shumicë të cilësuar) do të miratohen jo nga votat e PS, as të PD, por me votat e krimit, sepse janë ato që bëjnë diferencën.

Gjella që PS dhe PD po na japin të hamë sot e deri në fund të Legjislaturës është kjo: flini mendjen, se krimi do t’ju qeverisë! Nuk kemi ç’të bëjmë se nuk na le Kushtetuta!!! Nuk kemi ç’të bëjmë se nuk na japin zgjidhje ndërkombëtarët!!!

Ndërkohë që zgjidhja është e gjitha në dorë të PS dhe PD. Mjafton të duan dhe të kenë vullnet të qartë… dhe të deklarojnë në mënyrë bindëse se:

  1. Kapja e politikës nga krimi është kolerë për Shqipërinë!
  2. Kolera duhet luftuar me çdo mjet, përpara se të na shfarosë si shoqëri!
  3. Kjo kolerë është emergjencë kombëtare! Atdheu është në rrezik prej saj!
  4. PS është e vendosur të mos ndërmarrë asnjë nismë, asnjë lëvizje, asnjë reformë, asnjë projektligj, projektvendim, apo projektrezolutë, suksesi i të cilës do të varet nga votat e krimit, deri në fund të Legjislaturës!
  5. PD është e vendosur të mos ndërmarrë asnjë nismë, asnjë lëvizje, asnjë reformë, asnjë projektligj, projektvendim, apo projektrezolutë, suksesi i të cilës do të varet nga votat e krimit, deri në fund të Legjislaturës!
  6. PS do të bëjë publike rekordet kriminale që disponon për deputetët e opozitës. Ato nuk mund të përdoren as si mjet presioni, as si “argument” për t’i “lidhur” ata në marrëveshje!
  7. PD do të bëjë publike rekordet kriminale që disponon për deputetët e mazhorancës. Ato nuk mund të përdoren as si mjet presioni, as si “argument” për t’i “lidhur” ata në marrëveshje!
  8. PS dhe PD angazhohen solemnisht që, deri në fund të Legjislaturës të gjejnë, në bashkëpunim të ngushtë me Parlamentin Europian, mekanizmat politikë dhe ligjorë, të cilët I japin fund me siguri absolute bashkëjetesës me krimin!

Sikur marrëveshja e sotme të kishte këto pika “deputetët me rekorde kriminale” nuk do ta votonin kurrë atë. Por kjo marrëveshje nuk është akt lufte, por akt zyrtarizimi, prandaj dhe “deputetët me rekorde kriminale” do ta votojnë atë.

Shënim: Fatos Hoxha-Ish-deputet i Partisë Demokratike

December 24, 2014 09:00
Komento

2 Komente

  1. plaku i mocem December 24, 15:01

    Qe marreveshja nuk vjen ere e mire, kete e kupton cdo njeri me dy pare mend.Mirpo analiza e z.Hoxha eshte analize qe duhet te terheqe vemendjen e te gjithe aktoreve politike serioze te brendshem e te huaj.Ne se kjo marreveshje eshte “armepushim” deri ne zgjedhhjet e radhes,kush na siguron se nuk do te kemi here tjeter ne parlament deputet te te lidhur me krimin, apo me keq akoma, me kredite kriminale?.Per aq kohe sa vota eshte mall qe shitet e blihet asgje nuk eshte e sigurte.

    Reply to this comment
  2. Idi December 24, 15:45

    Shum e drejt kjo Z.Hoxha

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*