Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi: Lufta e Ftohtë, për Europën një luftë kontinentale, për Amerikën një luftë globale

August 3, 2020 10:59

Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi: Lufta e Ftohtë, për Europën një luftë kontinentale, për Amerikën një luftë globale

Dialog mes profesorëve dhe diplomatëve të njohur

Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi

 

Bashkëbisedimi mes profesorëve dhe diplomatëve të njohur Fatos Tarifa dhe Ksenofon Krisafi vijon sot në këtë gazetë për një subjekt që dominoi zhvillimet politike në Europë dhe në shkallë blobale pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare për afro gjysmë shekulli.

Tarifa: Altruizmi amerikan ndaj Europës Perëndimore (nëse mund ta quanim kështu) pas Luftës së Dytë Botërore mishëronte filozofinë e një shoqërie të hapur dhe demokratike, e cila shihte nga e ardhmja. Ishte pikërisht ky rol i Shteteve të Bashkuara pas luftës ai që, brenda një periudhe të shkurtër, jo vetëm mundësoi realisht rimëkëmbjen dhe konsolidimin e ekonomive të vendeve të Europës Perëndimore, por edhe kontribuoi për paqëtimin dhe rivitalizimin e këtyre vendeve, në vendosjen e një balance politike në Europën e pasluftës, si dhe në forcimin e mbrojtjes e të sigurisë kolektive të komunitetit transatlantik.

Krisafi: Këtë lloj altruizmi, Amerika e aplikoi edhe për rindërtimin e Japonisë, e cila, pas Traktatit të San Franciskos (1951), u bë dhe vazhdon të jetë një ndër partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara.

Tarifa: Nuk mund të mohohet se motivet e një strategjie të tillë në shkallë globale kishin të bënin me interesat amerikane dhe forcimin e sigurisë kombëtare të vetë Shteteve të Bashkuara. Amerika kishte nevojë për baza ushtarake në Europë dhe në Azinë Lindore, si dhe për aleatë, me të cilët të ndante barrën e Luftës së Ftohtë. Sidoqoftë, strategët e mëdhenj të politikës amerikane në atë kohë e dinin se, duke ndihmuar aleatët e tyre perëndimorë që të rimëkëmbeshin ekonomikisht, ata inkurajonin konkurrentët e tyre të ardhshëm tregtarë—Europën Perëndimore dhe Japoninë—suksesi eventual i të cilëve, në një ekonomi globale shumë më të gjerë, shumë më të zhvilluar, por edhe shumë më konkurruese, mund të sfidonte e të rrezikonte një ditë dominimin ekonomik të vetë Amerikës, e cila, në vitin 1945, gjeneronte gjysmën e prodhimit të përgjithshëm ekonomik të globit.

Krisafi: Kjo është shumë e vërtetë, por për Amerikën nuk mund të kishte zgjedhje tjetër. Për shkak se ky vend gjithnjë e ka mbajtur vështrimin e vet drejt së ardhmes, bashkë me sfidat dhe rreziqet që mori përsipër pas Luftës së Dytë Botërore, Amerika u kërkoi Britanisë së Madhe, Francës dhe Hollandës të hiqnin dorë nga sistemi imperial i tarifave, i cili favorizonte produktet e këtyre vendeve në tregjet kolonialë. Një ndër kërkesat e para të Amerikës pas luftës ishte respektimi e një politike të “dyerve të hapura” për të promovuar tregtinë e lirë botërore dhe për të rritur eksportet amerikane.

Tarifa: Kjo ndodhte për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha. Edhe pse shumë amerikanë besojnë se kostoja e një strategjie të tillë ka qenë e lartë për Amerikën, vetë kjo strategji ka provuar se ka qenë dhe mbetet shumë e suksesshme. Në fakt, nëse aktiviteti ekonomik botëror është bërë sot tërësisht global dhe kapitalist, kjo, në një masë të madhe, i detyrohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Krisafi: Për më shumë se një shekull, por veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë qenë dhe mbeten për njëra-tjetrën partnerët kryesorë ekonomikë, si në pikëpamje të shkëmbimeve tregtare, ashtu dhe të eksportit të kapitaleve, të investimeve të drejtpërdrejta dhe të kontributeve njerëzore, aq sa shumë prej kompanive amerikane dhe europiane janë sot në pronësinë e përbashkët të qytetarëve amerikanë dhe atyre nga vende të ndryshëm të Bashkimit Europian.

Tarifa: Ne diskutuam mbi rëndësisnë e Planit Marshall, por unë dëshiroj të vë në dukje se, përmes politikës së saj të jashtme pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara jo vetëm filluan të luanin një rol tepër aktiv në rindërtimin e Europës Perëndimore, por, mund të thuhet, edhe morën përsipër rolin e protektorit dhe lidershipin në përpjekjet e përbashkëta me aleatët e saj eropianë për të krijuar një hapësirë euro-atlantike të zhvilluar e të sigurt. Në fakt, siç është shprehur Richard Holbrooke, Amerika u bë—dhe në një farë kuptimi vazhdon të mbetet edhe sot—“një fuqi europiane”.

Krisafi: Në librat tuaj Saga e dy kontinenteve (2007) dhe Fati i një shekulli (2010) ju i kushtoni një rëndësi të veçantë bashkëpunimit euroatlantik. Në ngjashmëri me pikëpamjet që parashtron një historian i njohur anglez, si Alan Milward, ju argumentoni se Plani Marshall mund të konsiderohet, ndoshta, si “një ndër elementët e parë të integrimit europian”, pasi ai i rrëzoi barrierat tregtare që ekzistonin mes vendeve të Europës Perëndimore dhe krijoi institucione për koordinimin ekonomik në nivel kontinental, duke stimuluar kështu “rikonstruksionin politik” të kësaj pjese të Europës. Këtu ndoshta është me interes të diskutojmë mbi rolin që ka luajtur dhe mbështetjen që i ka dhënë Amerika procesit të integrimit europian.

Tarifa: Ky është një subjekt vërtet shumë interesant dhe i rëndësishëm, për të cilin deri më sot është folur shumë pak.

Krisafi: Dhe një subjekt thuajse aspak i trajtuar në studimet mbi Bashkimin Europian.

Tarifa: Kjo është gjithashtu e vërtetë. Unë do të thoja se, qysh nga fillimi i tij, procesi i integrimit europian ka pasur një dimension transatlantik. Përveç kërcënimit sovjetik dhe interesave ekonomike reciproke, një faktor shumë i rëndësishëm që shpjegon përse, pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe Europa Perëndimore krijuan një aleancë kaq të ngushtë me njëra-tjetrën, ka qenë edhe fakti që, për më shumë se gjysmë shekulli, në të dy anët e Atlantikut, kishte një gjeneratë elitash dhe liderësh politikë të cilët u mësuan të bashkëpunonin me njëri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Ndër ta, më të shquarit ishin: Franklin Roosevelt, Harry Truman, Winston Churchill, Dwight Eisenhower, John F. Kennedy, Konrad Adenauer, Harold Macmillan, Harold Wilson, Willy Brandt, Ronald Reagan, Helmut Kohl dhe Margaret Thatcher. Së bashku, ata u përpoqën që t’i afronin gjithnjë e më shumë demokracitë e Europës Perëndimore me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, nuk duhet harruar se të gjithë presidentët francezë, qysh nga përfundimi i luftës me Algjerinë—Charles de Gaulle, Georges Pompidou, Valéry Giscard d’Estaing, François Mitterrand dhe Jacques Chirac—vazhdimisht ua kanë kushtuar energjitë më të mëdha të politikës së tyre të jashtme pengimit të objektivave të politikës së jashtme amerikane (Nicolas Sarkozy mund të thuhet se ka qenë i vetmi përjashtim). Jacques Chirac, madje, në mënyrë cinike e ka pohuar këtë realitet duke u shprehur: “Përsa i përket politikës së jashtme unë kam një parim. Unë shoh se ç’bëjnë amerikanët dhe bëj të kundërtën”.

Krisafi: Në mbështetje të argumentit tuaj, të cilin unë e gjej me vend, do të shtoja se, për këtë brez liderësh amerikanë dhe europianë të pas Luftës së Dytë Botërore, aleanca transatlantike dhe uniteti europian shiheshin si dy anë të së njëjtës medalje. Në vitin 1957, pak kohë përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës—me të cilin zë fill historia e Bashkimit Europian—presidenti amerikan Dwight Eisenhower ka deklaruar hapur se “Ne i mirëpresim përpjekjet e miqve tanë europianë për të krijuar një komunitet të integruar për zhvillimin e një tregu të përbashkët”.

Tarifa: Kjo deklaratë e Presidentit Eisenhower, e artikuluar në një dokument shumë të rëndësishëm, siç ishte Fjala e tij përpara Kongresit Amerikan (State of the Union Address), në janar të atij viti (1957), është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Pesë vite më vonë, Presidenti John F. Kennedy do t’i përforconte fjalët e paraardhësit të tij duke theksuar se: “Shtetet e Bashkuara e shohin këtë ndërmarrje të re të madhe me shpresë dhe admirim. Një Europë të fortë dhe të bashkuar ne e shohim jo si një rival, por si një partner”.

Krisafi: Deklaratat e presidentëve Eisenhower dhe Kennedy janë, siç thoni ju, të një rëndësie historike të jashtëzakonshme, edhe pse, në ato kohë—dhe për afro gjysmë shekulli—Europa Perëndimore u zhvillua e mbrojtur nën ombrellën amerikane, duke përfituar çdo të mirë që i siguronte përfshirja në aleancën transatlantike dhe, përgjithësisht, pa bërë vetë sakrificat e domosdoshme për ruajtjen e sigurisë së saj.

Tarifa: Në fakt, çdo hap drejt integrimit ekonomik dhe politik të Europës—duke filluar me Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1957—u hodh nën hijen dhe nën mbrojtjen e fuqisë amerikane dhe të NATO-s. Siç ka vënë në dukje Robert Kagan, pa fuqinë mbrojtëse të Amerikës, kombet europianë, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do të ishin ndjerë kurrë aq të sigurt sa ta riintegronin Gjermaninë në komunitetin e tyre. Prania ushtarake amerikane dhe përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe ndaj mbrojtjes së Europës krijuan në këtë mënyrë kushtet dhe mjedisin e nevojshëm për rindërtimin e saj pas luftës, si dhe për integrimin e saj ekonomik dhe politik. Një “Europë e fortë dhe e bashkuar”, theksonte John F. Kennedy, ka qenë “objektivi kryesor” i politikës së jashtme amerikane qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Kennedy fliste për një “partneritet translatlantik midis të barabartësh”, midis “Botës së Re” dhe “Europës së Re”.

Krisafi: Dhe, në fakt, qysh nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur vazhdimisht pothuajse çdo iniciativë për thellimin dhe zgjerimin e Europës së bashkuar. Këtë vazhdojnë ta bëjnë edhe sot, (pavarësisht qëndrimeve shumë herë kundërthënëse të Presidentit Trump), duke u shprehur hapur dhe duke dhënë çdo mbështjetje morale e politike për integrimin në Bashkimin Europian të vendeve të Europës Qendrore e Lindore (dje) dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor (sot).

Tarifa: Mbështetjen de facto amerikane për një “Europë të fortë” e konfirmoi, në shkurt të vitit 2005, kur unë shërbeja si ambasador në Uashington-hiqe se e ke thene ne nje nga shkrimet e meparshme, edhe presidenti George W. Bush, gjatë vizitës së tij në Komisionin Europian, e cila ishte e para vizitë e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në organin më të lartë ekzekutiv të Bashkimit Europian. Gjatë asaj vizite, Presidenti Bush deklaroi se “Amerika mbështet një Europë të fortë”, sepse ajo “ka nevojë për një partner të fortë në përpjekjen e vështirë për të përhapur lirinë në botë”.

Krisafi: Në fakt, marrëdhëniet e ngushta që zhvilluan mes tyre Amerika dhe Europa Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë të dobishme për suksesin e të dyja palëve. Një teoricien i njohur amerikan i politikës europiane, David Calleo, ka vënë në dukje se “eksperimenti i madh i Europës me shërimin e plagëve të saj, zor se do të kishte pasur sukses pa praninë mbrojtëse të Amerikës, e cila u dha shteteve të plagosura europiane sigurinë për të bashkëpunuar”. Po ky autor, argumenton se paqja e brendshme dhe prosperiteti i Europës e bënë të mundur një ekonomi globale relativisht të hapur, ndërsa Aleanca Atlantike e përforcoi dhe e legjitimoi lidershipin global të Amerikës. Sipas tij, NATO ofroi një strukturë multilaterale, e cila e ndihmoi Amerikën për të përdorur siç duhet fuqinë e saj. Për më tepër, thotë ai, përmes bashkëpunimit me Europën—dhe me ndihmën e saj—Amerika ia doli që të përmbushte ëndrrën e saj willsoniane për të udhëhequr botën, duke e ftuar atë t’i bashkohej misionit të vet.

Tarifa: Ky më duket një arsyetim interesant. Unë do të shtoja se, duke folur për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Europës, Zbigniew Brzezinski ka argumentuar se, nga këndvështrimi i interesave amerikane, ka qenë dhe është në dobi të Amerikës që Europa (1) të jetë e zgjeruar; (2) që ajo të jetë politikisht më e përcaktuar; (3) që ajo të ketë kapacitete më të mëdha ushtarake të vetat; dhe (4) që ajo të jetë e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara.

Krsiafi: Do të ishte me interes, në këtë pikë që të diskutonim mbi rivalitetin mes Uashingtonit dhe Moskës gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe triumfin e Perëndimit në atë luftë. Konfrontimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, ose mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes komuniste, të cilit ne i referohemi si “Lufta e Ftohtë”, mund të thuhet se nisi me krijimin e NATO-s (1949) dhe të Traktatit të Varshavës (1955). Lufta e Ftohtë ishte kryesisht një garë për të ardhmen e Europës, në mënyrë të veçantë për të ardhmen e Gjermanisë.

Tarifa: Sigurisht, por unë do të shtoja diçka tjetër shumë të rëndësishme, që ne pothuajse e harrojmë, ose e neglizhojmë. Edhe pse Gjermania përbënte frontin qendror të saj, Lufta e Ftohtë ishte, gjithashtu, një garë për Azinë Lindore dhe për rajonin e Paqësorit dhe, më vonë, edhe një garë për Lindjen e Mesme. Në fakt, betejat më të përgjakshme të Luftës së Ftohtë, siç ka vënë në dukje Immanuel Wallerstein, një prej sociologëve amerikanë më të shquar, i cili u nda nga jeta një vit më parë, u zhvilluan në gadishullin korean dhe në atë të Indokinës, pra shumë larg “perdes së hekurt” që e mbajti të ndarë Gjermaninë dhe krejt Europën për afro gjysmë shekulli. Në këtë kuptim, ndërsa për Europën Perëndimore Lufta e Ftohtë ishte një luftë kontinentale, që kishte të bënte me mbrojtjen e gjysmës perëndimore të kontinentit nga rreziku sovjetik, nga këndvështrimi i interesave amerikane ajo ishte një luftë e vërtetë globale, një front i së cilës ishte në Europë.

Krisafi: Ky, gjithashtu, është  një arsyetim interesant. Lufta e Ftohtë ishte një luftë mes dy blloqesh të mëdha ushtarake që, përveçse u angazhuan në një garë të jashtëzakonshme armatimesh, nuk u ndeshën mes tyre asnjëherë. Ajo ishte, sidoqoftë, një luftë në shkallë globale, një “luftë e ftohtë”, por që, siç thatë ju, u zhvillua shumë “e nxehtë” në Kore dhe në Vietnam.

Tarifa: Lufta e Ftohtë ishte edhe një garë për supremaci ekonomike, jo thjesht mes dy superfuqive të kohës, por edhe mes dy sistemeve ekonomiko-shoqëror të kundërt, mes sistemit kapitalist të tregut të lirë, të mbështetur në pronën private dhe në iniciativën e lirë të sipërmarrjes, dhe sistemit socialist shtetror, të mbështetur në pronën shtetërore dhe atë kolektive, dhe në një treg të centralizuar e të komanduar.

Krisafi: Unë do të shtoja se Lufta e Ftohtë ishte, gjithashtu, një luftë politike mes dy sistemeve të kundërt qeverisës, sistemit demokratik liberal, të mbështetur në lirinë e individit për t’u shprehur, për t’u organizuar dhe për t’u përfaqësuar politikisht, dhe sistemit të diktaturës së proletariatit, të bazuar në privimin e individit nga e drejta për të shprehur lirisht pikëpamjet e tij dhe për t’u asociuar e organizuar në grupe interesi, si dhe në mungesën e konkurrencës mes ideve dhe partive politike. Si e tillë, ajo kishte dhe ruajti deri në fund një element të theksuar ideologjik.

Tarifa: Protagonistët kryesorë të Luftës së Ftohtë ishin dy superfuqitë që dolën triumfuese nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, por ajo luftë mobilizoi dhe angazhoi, në të gjitha format e saj—ushtarake, ekonomike, politike dhe ideologjike—shumë vende të tjerë, në Europë dhe jashtë saj, të cilët u renditën përkrah njërës ose tjetrës superfuqi. Duhet thënë, gjithashtu, se pavarësisht ekuilibrit që mundi të ruhej midis dy blloqeve politiko-ushtarakë (dhe dy fuqive më të mëdha që i përfaqësonin ato), Lufta e Ftohtë ishte qysh nga fillimi—dhe mbeti deri në fund të saj—një luftë mes palësh të pabarabarta. Amerika ishte dhe mbeti në atë luftë superfuqia kryesore. Ajo ishte bërë me kohë, të paktën qysh nga fillimi i shekullit 20-të, fuqia ekonomike dhe ushtarake dominuese e globit. Superioriteti ekonomik dhe ushtarak i Amerikës u evidentua qartë sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur prodhimi industrial ushtarak i saj e kaloi atë të të gjithë vendeve të tjerë pjesëmarrës në atë luftë, të marrë së bashku. Edhe gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, fuqia ekonomike dhe ushtarake amerikane ishte shumë më e madhe sesa ajo e Bashkimit Sovjetik. Fuqia ekonomike e këtij të fundit (e shprehur në GDP), mundi vetëm për një kohë të shkurtër ta tejkalonte gjysmën e GDP-së së Shteteve të Bashkuara. Bashkimi Sovjetik thjesht investoi një përqindje më të madhe të GDP-së së vet në fushën ushtarake, çka, në fund të fundit, bëri që ekonomia sovjetike me kohë të merrte të tatëpjetën.

Krisafi: Natyrisht ky s’mund të ishte veçse një rezultat logjik i një gare të pabarabartë, të cilën Bashkimi Sovjetik nuk mund ta përballonte dot. Amerika, nga ana e saj, arriti një zhvillim të paparë. Gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, ajo shpenzoi për mbrojtjen mesatarisht (për tërë atë periudhë), 5.3 për qind të buxhetit të saj, ndërsa në fillim të viteve 1960, në periudhën e marrëdhënieve më të tensionuara mes Uashingtonit dhe Moskës, shpenzimet e ushtarake amerikane u rritën në 9 për qind të buxhetit të saj. Gjatë Luftës së Ftohtë, kapacitetet ushtarake të Bashkimit Sovjetik, në total, mund të thuhet se ishin të barabarta vetëm me forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të dislokuara në Europë, ndërsa aftësia e Moskës për të projektuar fuqinë e vet në shkallë globale ka qenë gjithnjë shumë më e kufizuar në krahasim me kapacitetet e flotës detare, të flotës ajrore dhe të mjeteve transportuese ushtarake amfibe të Shteteve të Bashkuara, për të projektuar fuqinë e vet anë e mbanë globit.

Tarifa: Bashkimi Sovjetik dhe shtetet socialistë të varuar politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht prej tij, i kishin mbështetur pretendimet e tyre për autoritet legjitim në aftësinë që gjoja ata kishin për të arritur një zhvillim ekonomik më të shpejtë sesa Amerika dhe vendet kapitaliste të Europës Perëndimore, për të garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe në rritje me mallra e shërbime, madje duke u premtuar qytetarëve të tyre se do të arrinin dhe do të tejkalonin standardet e jetesës në shoqëritë e zhvilluara kapitaliste. Në fakt, qysh në vitet 1970, Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjerë socialistë kishin mbërritur në një pikë krize përsa u përket kushteve të tyre të përgjithshme ekonomike. Dështimet e përsëritura për të përmbushur shpresat në rritje të popullsisë dhe, sidomos, kërkesat e tyre ekonomike bazë, filluan me kohë ta dobësonin besimin e qytetarëve në epërsinë e rendit socialist dhe çfarëdo mbështetje që ata mund t’u kishin dhënë deri atëherë qeverive të tyre. Një ekonomist dhe diplomat i njohur rus, Stanislaw Menshikov, e ka përkufizuar mjaft mirë sistemin socialist shtetror si një sistem, i cili ka prirjen të “rikrijojë ose të riprodhojë gjendje deficiti”. Duke eliminuar stimujt materialë, socializmi shtetëror vazhdimisht riprodhonte dhe riafirmonte “gjendjen e ofertës së pamjaftueshme dhe të kërkesave në rritje”. Këtë subjekt e kam trajtuar gjerësisht në studimin tim Kërkimi i Legjitimitetit dhe venitja e utopisë dhe nuk dëshiroj të zgjatem më tej. Por dua të sjell në vëmendjen tuaj argumentin e njërit prej miqve të mi sociologë në Shtetet e Bashkuara, Daniel Chirot, i cili e trajton dështimin ekonomik të socializmit shtetror për të arritur epokën e pestë industriale, që po niste në Europën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara dhe në Azinë Lindore, si një problem që, në fakt, nuk ishte i vetmi, por që i shtohej erozionit të legjitimitetit të rendit socialist, i cili, veç shkakut ekonomik, kishte edhe shkaqe politike dhe morale. Ju kërkoj ndjesë që u zgjata në këtë pikë, por është një subjekt, të cilin e kam studiuar për shumë vite me radhë.

Krisafi: Ju lutem. Ky subjekt vazhdon të mbetet interesant edhe sot, pas 30 vitesh nga shembja e sistemit të socializmit shtetëror dhe askush më mirë se ju nuk e ka studiuar atë. Unë do të shtoja se, përveç dështimit të tij si një sistem ekonomik, socializmi shtetëror u provua se ishte krejt i paaftë për t’u zhvilluar politikisht si një sistem demokratik. Dy sociologë të njohur hungarezë, Iván dhe Balazs Szelényi, që ju, nuk kam asnjë dyshim i njihni mirë, argumentojnë se dobësia kryesore e projektit socialist nuk ishte aspak ekonomike, ajo ishte politike; me fjalë të tjera, problemi kryesor i socializmit nuk ishte se ai nuk funksionoi si një sistem ekonomik, por se ai ishte i paaftë për t’u zhvilluar e konsoliduar veten si një sistem demokratik.

Tarifa: Argumenti i tyre është shumë i dobishëm dhe në rezonancë me trajtimin që unë i kam bërë çështjes së legjitimitetit të sistemit të socializmit shtetëror. Në të gjithë vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, qytetarët, pavarësisht shtypjes policore dhe censurës që ushtrohej nga qeveritë e tyre, filluan me kohë që ta krahasonin realitetin e vendeve të tyre me atë të Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjerë të zhvilluar kapitalistë. Kuptohet se për shumicën e tyre, Perëndimi dhe, para së gjithash, Amerika, ishin jo vetëm një botë më e mirë, por edhe një frymëzim, një shpresë, një aspiratë dhe një ëndërr. Për shumë prej tyre, Amerika ishte mishërimi i së mirës dhe i drejtësisë, simboli i pasurisë dhe vendi i mundësive ekonomike të panumurta.

Krisafi: Një studiues kroat që kam lexuar kohët e fundit, Tomislav Sunis, argumenton se, në një farë mase, qëndrimi i europianëve lindorë ndaj Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë dhe pas saj i ngjate qëndrimit të europianëve perëndimorë ndaj Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore. Në sytë e tyre, Amerika ishte një mit që e tejkalonte madje edhe vet realitetin shpeshherë të zymtë të atij vendi. Ky autor thotë se gjatë periudhës së komunizmit, shumica e europianëve lindorë, privatisht ushqenin ndjenja të forta antikomuniste dhe pro-amerikane. Sipas tij, ish-presidentët Richard Nixon dhe Ronald Reagan kishin shumë simpatizantë të vërtetë, edhe pse të padeklaruar, në Poloni, në Hungari dhe në Shqipërinë komuniste, dhe se shumica e njerëzve në Europën Lindore, fshehurazi, e duartrokisnin retorikën e ashpër antikomuniste të Presidentëve Nixon dhe Regani. Madje, shumë prej tyre shpresonin se, herët ose vonë, trupat amerikane do të zbarkonin për t’i çliruar ata nga murtaja e kuqe. Sot, sipas këtij autori, popujt e Europës Lindore kanë filluar ta kuptojnë se Amerika ka pasur në atë kohe plane të tjera, më të rëndësishme, sesa çlirimi i Hungarisë në vitin 1956 apo i Polonisë më 1980.

Tarifa: “Ëndrra amerikane” ishte—dhe vazhdon të mbetet edhe sot—për popujt e këtyre vendeve dhe për shumë popuj të tjerë, kudo në botë, një ëndërr për një jetë më të mirë, për mundësi më të mëdha dhe për më shumë dinjitet njerëzor. Nga perspektiva e sotme, mund të jetë e vështirë të kuptohet se pse Shtetet e Bashkuara nuk bënë më shumë, ose nuk ndërhynë ushtarakisht për t’u ardhur në ndihmë popullit hungarez, kur ai u rebelua kundër pushtimit rus në vitin 1956; çekëve dhe sllovakëve, kur këta u shtypën nga tanket ruse në vitin 1968, dhe polakëve në vitin 1980. Por, nëse mbajmë parasysh rrethanat në të cilat u zhvillua Lufta e Ftohtë dhe rrezikun që paraqiste në atë periudhë për paqen dhe sigurinë në Europë dhe në shkallë globale një konfrontim i hapur ushtarak mes të dy superfuqive dhe blloqeve të tyre, kuptohet se ndërhyrja ushtarake amerikane në vendet “rebele” të Europës Qendrore e Lindore, që ishin jo vetëm të pushtuar nga divizionet e Ushtrisë së Kuqe, por edhe të rëndësishëm për interesat e Bashkimit Sovjetik, nuk do të kishte qënë një politikë e zgjuar.

Krisafi: Noshta duhet vënë në dukje edhe fakti që, në momente të caktuar, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kanë qenë jo të paktë rastet kur konfrontimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik arriti një shkallë të lartë rrezikshmërie, siç ndodhi, fjala vjen, gjatë bllokadës së plotë të Berlinit (1948), në Luftën e Koresë (1950-1953), në Luftën e Vietnamit (1954-1975), në kohën e Revolucionit Hungarez (1956), gjatë ndërtimit të Murit të Berlinit (1961), në përpjekjen (e ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara) për të rrëzuar Fidel Kastron në Kubë (1961), gjatë krizës së raketave në Kubë (1962), në kohën e pushtimit të Çekosllovakisë nga ushtria sovjetike dhe forcat e Traktatit të Varshavës (1968), me pushtimin sovjetik të Afganistanit (1979) etj.

Tarifa: Keni plotësisht të drejtë. Një shkallë e tillë rrezikshmërie dhe domosdoshmëria për të ulur tensionet mes dy superfuqive dhe dy blloqeve ushtarakë që drejtoheshin prej trye kushtëzuan që, në mjaft raste, të dyja superfuqitë të uleshin për bisedime dhe të arrinin marrëveshje mes tyre, siç kanë qenë bisedimet në Camp David, në vitin 1959, vendosja e një linje telefonike të drejtpërdrejtë (hot line) mes Uashingtonit dhe Moskës (1963), nënshkrimi i Traktatit të Parë Dypalësh (1964), fillimi i fluturimeve të drejtpërdrejta mes Moskës dhe Nju Jorkut (1967), marrëveshja për të diskutuar përdorimin e hapësirës për qëllime paqësore (1968), fillimi i Bisedimeve për Kufizimin e Armëve Strategjike (Strategic Arms Limitation Talks—SALT), më 1969, ratifikimi i Traktatit për Çarmatimin (1970), si edhe nënshkrimi i marrëveshjeve “SALT I” (1972) dhe “SALT II” (1979).

Krisafi: Përpjekjet për të ulur tensionet mes dy superfuqive nuk do të thonë se Amerika nuk u përpoq ta ndryshonte këtë realitet në gjysmën lindore të Europës. Siç thotë Samuel Huntingon, në librin e tij të njohur Vala e tretë, gjatë viteve 1970 dhe 1980 Shtetet e Bashkuara ishin një promovues i madh i demokratizimit, jo vetëm në Europën Lindore, por edhe në rajone të tjerë të globit. Ato qëndruan deri në fund, deri në shembjen e komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në mbarë Europën Qendrore e Lindore, në krye të përpjekjeve të Perëndimit për çlirimin e vendeve të këtij rajoni nga dominimi sovjetik dhe për demokratizimin e tyre.

Tarifa: Argumenti juaj qëndron. Shprehja më elokuente e këtij vullneti politik të Shteteve të Bashkuara mund të konsiderohen idetë e artikuluara nga presidenti Ronald Reagan, në dy raste të ndryshëm, në fund të viteve 1980. Së pari, fjalët e tij në Portën e Brandenburgut, pranë Murit të Berlinit, më 12 qershor 1987, drejtuar udhëheqësit sovjetik Mihail Gorbaçev: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçev, nëse kërkon paqe—nëse kërkon prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe për Europën Lindore—nëse kërkon liberalizim: eja këtu, te kjo portë. Z. Gorbaçev, hape këtë portë. Z. Gorbaçev, rrëzoje këtë mur”. Po kështu edhe fraza willsoniane e Presidentit Reagan pas ngjarjeve tragjike në Sheshin Tienanmen, në Pekin: “Ju nuk mund ta masakroni një ide. Ju nuk mund ta shkelni shpresën me tanke”.

Krisafi: Mesazhe politike të jashtëzakonshme nga një burrë shteti i vërtetë. Më 9 nëntor të vitit 1989, Muri i Berlinit u shemb. Shembja e tij ishte jo thjesht heqja e një barriere fizike që ndante Berlinin Lindor nga Berlini Perëndimore dhe qytetarët e  Gjermanisë Lindore nga bashkëkombasit e tyre gjermanë perëndimorë, por edhe shembja e kufirit simbolik midis demokracisë perëndimore dhe komunizmit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Tarifa: Përfundimisht, siç e dimë, më 3 dhjetor 1989, samiti i Maltës formalisht deklaroi fundin e Luftës së Ftohtë. Tri javë më vonë, më 22 dhjetor 1989, u hap Porta e Brandenburgut, çka i hapi rrugë procesit të riunifikimit të Gjermanisë, që u krye në vitin 1990. Më 1 korrik 1991 pushoi së ekzistuari Traktati i Varshavës dhe, më 26 dhjetor 1991, perandoria sovjetike u shpërbë. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e ndryshuan tërësisht strukturën e sistemit global të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe, bashkë me të, edhe pozitën dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një subjekt ky, për të cilin propozoj të diskutojmë një herë tjetër.

 

——

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë 

August 3, 2020 10:59
Komento

3 Komente

  1. Fernando August 3, 11:27

    Po per rrenimin e plote te Shqiperise dhe popullit shqiptar keto 30 vjet kur do flisni ju p[rofesore?
    Apo kjo teme nuk eshte brenda rrethit te interesave e aftesive tuaja teorike,morale dhe patriotike!
    Pse merreni me hallet e botes,kur Shqiperia po rrokulliset ne humnere?
    Kujt po i sherbeni me kete tymnaje qe po leshoni me keto shkrimet tuaja,komplet pa interes per realitetin e sotem shqiptar?
    Pse jeni bere lolo oborri ne sherbim te sundimtareve antishqiptare?

    Reply to this comment
  2. Psikologu August 4, 02:28

    Megjithe erudicionin dhe respektin per du dialoguesit, duket qarte njefare hyjnizimi i Amerikes dhe rolit te saj ne bote. Shprehja me e drejte dhe e gjetur per Ameriken eshte ajo e nje hiatoriani francez i cili ne vitet ’90 tha se ” Ne fillimin e viteve ’90, Amerika kishte cfare t’i ofronte pjeses tjeter te botes thuajse gjithcka nga pikepamja materiale dhe thuajse asgje nga ajo morale “.

    Reply to this comment
  3. Gent August 5, 02:15

    Hiqe se e ke thene dhe njehere tjeter :):)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim