Përmasa e fitores dhe projekti i PS-së

June 29, 2017 10:35

Përmasa e fitores dhe projekti i PS-së

 

Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Një analizë e plotë e faktorëve që shpjegojnë përmasat e fitores se PS-së dhe humbjen e thellë të PD-së. (Pa)mundësia e një qeverisjeje me bazë të gjerë. Projekti i Partisë Socialiste dhe rreziku i një “despotizmi të zgjedhur”. Legjitimiteti i zgjedhjeve dhe i qeverisjes socialiste. Alternativat qeverisëse të Edi Ramës: një lidership autoritarist, laissez faire apo demokratik? Profilet dhe fatet politike të Ramës, Bashës, Vasilit, Blushit dhe i partive që ata drejtojnë. Të gjitha këto, në optikën e sociologut të njohur Fatos Tarifa, të cilin nuk e kemi parë e dëgjuar të shprehet në asnjë prej programeve televizive në prag dhe gjatë zgjedhjeve. Gazeta DITA boton sot një intervistë ekskluzive me të.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Profesor Tarifa, në 1 qershor, në një intervistë, që Dita e botoi nën titullin “‘Faktori Veliaj’ në zgjedhjet e 25 qershorit”, ju, ndryshe nga shumë të tjerë, parashikuat fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit. Mbi ç’bazë mbështetej parashikimi juaj?

Është e vërtetë se, në atë intervistë, pyetjes suaj “And, the winner is…?”, iu përgjigja “Partia Socialiste”. Edhe atëherë më kërkuat ta argumentoj gjykimin tim dhe unë veçova për ju këto argumente: (1) ndarjen e re administrative dhe, ipso facto, hartën e re elektorale të vendit; (2) efektin përgjithësisht negativ të politikës destruktive dhe të “taktikës së çadrës” në psikologjinë e shqiptarëve dhe në sjelljen e tyre në këto zgjedhje; (3) bilancin përgjithësisht pozitiv të qeverisjes në këto katër vitet e fundit, veçanërisht përsa i përket nisjes së disa reformave të rëndësishme; (4) të panjohurat që sillnin në këto zgjedhje ndryshimet demografike; (5) ndikimin e faktorit ndërkombëtar (përgjithësisht në favor të qëndrimeve të PS-së) në mentalitetin dhe në psikologjinë e elektoratit; dhe (6) sidomos, “faktorin Veliaj”, kryetarin socialist të Bashkisë së kryeqytetit, puna dhe arritjet e dukshme e të pamohueshme të të cilit mendoja se këtë vit do t’i jepnin Partisë Socialiste dy mandate më shumë në qarkun e Tiranës (siç edhe ndodhi vërtet).

Nëse do më kërkonit sot, tri ditë pas zgjedhjeve, të shpjegoja “hamendjen” time të saktë të disa javëve më parë, do ju përmendja po këta faktorë kryesorë, duke shtuar edhe (7) fushatën intensive e motivuese të PS-së në terren përkundrejt një fushate përgjithësisht të demoralizuar, anemike dhe apatike të kandidatëve të dobët e pa eksperiencë të PD-së dhe (8) karizmën e zotit Rama dhe talentin i tij të pamohueshëm në marrëdhëniet me publikun në bazë. Duhet të them, sidoqoftë, se fitoren e PS-në këto zgjedhje e kishin parashikuar edhe shumë të tjerë; surpriza ishte përmasa e fitores.

Është e vërtetë, edhe pse shumica e analistëve politikë dështuan në parashikimet e tyre. Pse ndodhi kjo?

Fatos Tarifa

Ajo që më ka bërë përshtypje thuajse në të gjitha emisionet televizive dhe në editorialët e shumë prej gazetave kryesore në prag të zgjedhjeve ka qenë cektësia e analizave dhe dritëshkurtësia e një pjese të madhe të analistëve të llojit që unë që i quaj “brahmanë metafizikë të mediave” tona dhe për të cilët, kohët e fundit, është krijuar neologjizmi “gjithologë”. Nuk është nevoja të përmend emra. Ju dhe publiku i gjerë i njihni se cilët janë. Shumë prej tyre i shohim çdo mbrëmje të krekosen në poltronët e studiove televizive, duke bërë të gjithëditurin, analistin që ka dijeni absolutisht të sigurta për çdo gjë që thotë, edhe pse disa prej tyre mund të mos kenë as formimin e duhur arsimor, as të dhënat empirike të nevojshme për të bërë analiza të informuara dhe as synimin për të qenë objektiv në gjykimet e tyre.

Masa e gjerë e popullsisë, që përbën elektoratin shqiptar, ka një tjetër logjikë dhe të tjera sensitivitete nga analistët që flisnin dhe flasin në këto studio. Thjesht pyesni se nga ç’burime ushqehen me informacion këta analistë dhe ç’logjikë u jep përmbajtje analizave të tyre? Nëse informacioni që ata kanë krijohet e qarkullon mes një rrethi të ngushtë njerëzish të ngjashëm me ata, ai i ngjan rrjetës së merimangës që krijohet nga vetë kjo e fundit. Shumë nga këta analistë janë “out of touch” me njeriun e thjeshtë të këtij vendi, me shqetësimet dhe sentimentet e tij, siç duket se janë edhe të verbër përballë arritjeve më të rëndësishme të këtyre katër viteve të fundit. Ata sikur vijnë nga një ishull i largët, për të mos thënë nga një botë tjetër. Mes tyre ka edhe të tillë që, simpatitë apo antipatitë e tyre politike dhe sentimentet e tyre personale i paraqesin si “fakte objektive”. Nëse njerëzve të tillë, që z. Rama i ironizon si “katund mediatik”, nuk iu pëlqen lideri socialist, Partia e tij do të humbasë; nëse u pëlqen Blushi, shoku i tyre gazetar, ai do të marrë patjetër vende në parlament. Për çfarëdolloj arsyesh që ata mund të sajojnë, mjaft që ta dëshirojnë këtë. Faktet kokëforta të realitetit të përditshëm humbasin për këtë lloj analistësh vlerën e tyre. E vërteta për ta është në kokat e tyre, jo në jetën reale. Ka edhe “analistë” që habiten se si njerëz të varfër e të papunë votojnë (siç edhe votuan sërish këtë herë një pjesë e madhe e tyre) për Partinë Socialiste. Dhe unë pyes: Pse duhet, njerëz të tillë, të varfër e të papunë, të votojnë për Partinë Demokratike? Mos vallë ata nuk ishin të varfër e të papunë edhe më parë, por u bënë të tillë gjatë katër viteve të fundit të qeverisjes socialiste? Dhe çfarë u ofrojnë më shumë një parti e djathtë, ose parti të tjera njerëzve të tillë për përmirësimin e gjendjes së tyre?

Partia Socialiste do të ketë në parlamentin e ardhshëm 74 deputetë. A do të qeverisë ajo e vetme këtë herë, apo mendoni se z. Rama do të preferojë një qeverisje me bazë të gjerë?

Me 74 vende në parlament, që nuk është çudi edhe të shtohen, Partia Socialiste mund të krijojë e vetme qeverinë e ardhshme. Unë mendoj se PS ka vetëm dy zgjedhje të mundshme: ose të qeverisë e vetme, pa hyrë në koalicion me asnjë parti tjetër (kjo do të ndodhë), ose të krijojë një koalicion të gjerë me Partinë Demokratike (e vështirë të ndodhë, sidomos pa Bashën në krye të PD-së, me të cilin u arrit marrëveshja parazgjedhore e 18 majit). Bashkëqeverisja me LSI-në nuk është më një opsion. Edhe sikur rezultati i këtyre zgjedhjeve të mos kishte qenë ky që doli, asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk do të donin që të bashkëqeverisnin me LSI-në. Por, edhe nëse ndodh që, pas kësaj fitoreje plebishitare, PS të zgjidhte të krijonte një qeveri me bazë të gjerë, duke ftuar në koalicion PD-në, kjo mund të kishte një rezultat politik afatshkurtër dhe aftamesëm pozitiv për vendin dhe për të dyja këto parti, nëse ato bien dakord dhe sinqerisht dëshirojnë që bashkërisht t’i shtyjnë përpara reformat e mëdha dhe procesin e integrimit të vendit në BE.

Siç thoni ju, kjo e fundit ka pak gjasa të ndodhë, në mos është krejt e pamundur. Por, a mendoni se fitorja e thellë në këto zgjedhje i ka dhënë PS-së legjitimitet të plotë të qeverisë vendin? Këtë pyetje jua a bëj pasi, siç kam vënë re, legjitimiteti është një subjekt i preferuar në studimet dhe analizat tuaja sociologjike e politike. Ç’përgjigje keni për këtë pyetje?

Pa dyshim që fitorja në këto zgjedhje i ka dhënë Partisë Socialiste legjitimitetin e domosdoshëm, por jo të mjaftueshëm, për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme. Duke filluar nga gjysma e dytë e viteve 1980, pra pas “valës së tretë” të tranzicioneve demokratike, nëse i përmbahem konceptit të Huntington-it, komuniteti ndërkombëtar ka arritur në një konsensus thuajse të përgjithshëm se vetëm regjimet demokratike janë legjitime. Ky parim është formuluar në mënyrë eksplicite në Kartën e Kopenhagenit, të vitit 1990, që përcakton se “vullneti i popullit, i shprehur lirisht dhe drejtësisht përmes zgjedhjeve periodike e të drejta, është baza e autoritetit dhe e legjitimitetit të çdo qeverie”.

Sidoqoftë, edhe pse një sistem demokratik, ose një qeveri demokratike nuk mund të kuptohen e të ekzistojnë pa zgjedhje të lira, duhet thënë se, edhe kur arrihet demokratikisht, përmes zgjedhjeve të lira, legjitimiteti i një qeverie nuk mund të konsiderohet diçka inherente dhe, aq më pak, diçka e arrirë vetvetiu, tërësisht dhe përfundimisht, vetëm nga rezultati i zgjedhjeve. Zgjedhjet janë kushti i parë i demokracisë, por jo i vetmi. Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisjeje që buron nga zgjedhjet e lira është një përkufizim minimalist dhe/ose procesualist i saj. Sado demokratike dhe të lira që të jenë zgjedhjet, ato nuk “prodhojnë” imediatisht dhe domosdoshmërisht legjitimitet për elitat e reja politike në asnjë vend. Zgjedhjet e lira mundet vetëm të shërbejnë si një parakusht për një legjitimitet të përkohshëm, të cilin mund ta quajmë protolegjitimitet, ose thjesht legjitimitet elektoral.

Edhe pse një legjitimitet i tillë, i përkohshëm, rezulton nga një marrëveshje kushtetuese, ai ka nevojë të provohet në procesin e qeverisjes për një kohë relativisht të gjatë, që të mund të konsiderohet si legjitimitet i vërtetë, i bazuar në konsensusin e qytetarëve. Duke qenë një parakusht i domosdoshëm për çdo formë demokratike qeverisjeje, zgjedhjet e lira krijojnë vetëm premisat për legjitimimin e një qeverie, por nuk garantojnë funksionimin demokratik të saj, apo legjitimitetin e saj. Demokracia dhe legjitimiteti i një qeverie nuk janë thjesht, ose vetëm zgjedhje, pasi ato nuk burojnë nga një ngjarje e një dite të vetme.

Fitorja në zgjedhje të lira, pra, shënon vetëm fillimin e një procesi qeverisës legjitim. Legjitimiteti i një qeverie kërkon domosdo më shumë se zgjedhje të lira. Siç vinte në dukje sociologu i shquar amerikan, Seymour Martin Lipset, legjitimiteti nënkupton aftësinë e një sistemi, ose të një qeverie për të krijuar dhe ruajtur besimin e qytetarëve se institucionet politike dhe mënyra e qeverisjes janë më të përshtatshmet për shoqërinë. Një qeveri, edhe kur ajo ka dalë nga zgjedhje demokratike, mund ta humbasë legjitimitetin e vet nëse nuk është në gjendje të qeverisë efektivisht, sidomos kur në politikën e saj të brendshme (ose të jashtme) vepron në kundërshtim me programin elektoral, që i mundësoi asaj drejtimin e punëve të shtetit, ose kur politikat e saj humbasin mbështetjen popullore. Me fjalë të tjera, legjitimiteti i një qeverie buron nga praktika aktuale e qeverisjes së saj. Juan Linz dhe Alfred Stepan, dy ndër ekspertët më të njohur të teorisë demokratike, shprehen se asnjë qeveri nuk mund të quhet demokratike, ose legjitime “nëse drejtuesit e saj nuk qeverisin demokratikisht”. Sipas tyre, “nëqoftëse një qeveri, e zgjedhur lirisht, shkel kushtetutën, dhunon të drejtat e individëve e të minoriteteve, merr nëpër këmbë funksionet legjitime të legjislaturës dhe, në këtë mënyrë, nuk drejton brenda kuadrit të shtetit ligjor, ajo nuk është një qeveri demokratike dhe legjitime”.

Ju falënderoj për shtjellimin qartësisht të kësaj çështjeje. Sidoqoftë, ka analistë që mendojnë se, me fitoren e tij të thellë në këto zgjedhje, Edi Rama mund të shndërrohet në një diktator. A mendoni se një rrezik i tillë është real?

Në vijim të asaj çka thashë më sipër, më lejoni të shtoj se, zgjedhjet e lira per se dhe prania e një sistemi parlamentar nuk përbëjnë garanci se një shoqëri e dhënë do të zhvillohet domosdo në mënyrë demokratike. James Madison, presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara, shprehte vazhdimisht shqetësim për rrezikun që sjell “tirania e mazhorancës” (tyranny of majority), ndërsa Thomas Jefferson fliste shpesh për rreziqet e “despotizmit të zgjedhur” (elective despotism), duke theksuar se “njëqind e shtatëdhjetë e tre despotë mund të jenë, pa dyshim, po aq shtypës sa edhe një i vetëm”. Unë kam dëgjuar tërë këto ditë disa nga “filozofët” dhe analistët tanë që flasin për rrezikun e një “dikature të shumicës” pas fitores së PS-së! Se ku e shohin ata rrezikun e një “diktature” të tillë këtë nuk e thonë. Një gjykim i tillë më duket një abuzim me të vërtetat historike dhe një shpërdorim i kritikës racionale. Unë mendoj se, në stadin e zhvillimit politik, ekonomik e shoqëror në të cilën ndodhet vendi ynë, fitorja në këto përmasa e Partisë Socialiste është një gjë e mirë. E vetme, PS do të ketë mundësi të vijojë reformat e mëdha e të vështira që nisi në mandatin e parë të qeverisjes së saj, e patrazuar në këtë mision nga një parti e vogël, “e domosdoshme” për qeverisjen.

Mundet edhe të ndodhë vërtet siç parashikoni ju por, deri më sot, Partisë Socialiste i janë bërë kritika të shumta se, në këto zgjedhje, ajo nuk kishte një program elektoral të qartë, pra një ofertë të re politike dhe ekonomike për qytetarët shqiptarë.

Unë, ndryshe nga shumica e kritizerëve të saj, mendoj se PS kishte dhe ka një program të qartë, që është vazhdimësia e reformave të nisura. A mund të ketë projekt dhe program më të madh politik se ai i “të bërit shtet”? Unë besoj se Partia Socialiste ka dhënë prova dhe ofron garanci se mund ta realizojë këtë projekt. Çështja është se, si çdo projekt i madh, konsolidimi i një shteti demokratik kërkon pjesëmarrjen në projekt, si forcë ndërtuese, të të gjitha partive politike, edhe të atyre që janë në opozitë. Sepse shteti demokratik është i tillë, pra demokratik, për të gjithë. Unë nuk mendoj se Edi Rama fitoi në këto zgjedhje për shkak të tutave që vishte, ose për shkak të metaforave të tilla si “tepsia” dhe “timoni”, edhe pse këto, ashtu si shprehja e tij e njohur “rrumpallë” për zotin Berisha, shumë vite më parë, mund të kenë luajtur rolin e tyre në suksesin e tij elektoral. Ajo që, në këto zgjedhje, i dha fitoren PS-së, së kryesuar nga z. Rama, është besimi i pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë se kjo parti, përmes qeverisjes së saj, mund t’i shërbejë përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve, përmirësimit të cilësisë së shoqërisë shqiptare dhe përmirësimit të cilësisë së shtetit në Shqipëri.

Fitorja e Partisë Socialiste në këto zgjedhje ka arsye të shumta dhe nuk është vendi t’i analizojmë këtu, por ç’mund të thoni për rolin e zotit Rama në fitoren e saj?

Fitorja e PS-së ishte, në një masë të madhe, një fitore e merituar e zotit Rama, për të cilën ai punoi gjatë katër viteve të vështira të qeverisjes së tij, si dhe gjatë një fushate zgjedhore atipike për shqiptarët por, ndoshta, të pëlqyer e të mirëpritur për ta. Kjo nuk ishte aspak një fitore surprizë, siç dëgjojmë shpesh të thuhet nga disa analistë; ajo mund të parashikohej dhe, në fakt, pritej. Fitorja e thellë në këto zgjedhje i jep zotit Rama shansin për të qenë një kryeministër efektiv dhe i suksesshëm në realizimin e reformave të nisura, ose të premtuara, por edhe e ngarkon atë me një përgjegjësi të madhe përballë elektoratit të Partisë Socialiste dhe tërë popullit shqiptar. Nëse PS do vendosë të qeverisë e vetme gjatë katër viteve të ardhshme, siç unë besoj se do të ndodhë, kryeministrit Rama do i duhet të përballet me një opozitë të fortë dhe, ipso facto, të përshtasë një stil pune dhe një metodë qeverisjeje që nuk janë as autoritariste, as laissez faire, por demokratike.

Lulzim Basha. Ç’ndodhi me të?

Lulzim Basha pësoi një humbje që, gjithashtu, ishte e pritshme dhe mund të parashikohej. Partia Demokratike nuk kishte asnjë shans që të fitonte në këto zgjedhje. Shkaku i humbjes së PD-së, sidoqoftë, nuk ishte vetëm zoti Basha. PD-ja do t’i kishte humbur këto zgjedhje edhe nëse në krye të saj do të kish qenë një person tjetër, fjala vjen zonja Topalli. Gabimet e zotit Basha në krye të PD-së ishin dy: së pari, dalja nga Parlamenti dhe ngujimi në “çadrën e bulevardit” në muajin shkurt, çka realisht i hoqi atij kohën e nevojshme dhe mundësinë për të organizuar dhe drejtuar një fushatë zgjedhore efektive në mbarë vendin; së dyti, hartimi i një liste me kandidatë, pjesa dërrmuese e të cilëve njerëz anonimë, pa eksperiencë dhe, kryesorja, pa merita në Partinë Demokratike, të cilët nuk mund të bënin – dhe nuk dinin të bënin – një fushatë më të mirë. Duke lënë jashtë listës së PD-së disa prej eksponentëve më të shquar të kësaj partie, që me siguri do i kishin dhënë asaj 3 deri 5 mandate më shumë, zoti Basha, pavarësisht deklaratave të tij, i pakësoi shanset për një humbje më “dinjitoze” në këto zgjedhje. Pjesërisht faktori i parë dhe tërësisht i dyti janë arsyet e kryqëzatës së egër në radhët e PD-së për largimin e tij nga posti i kryetarit të saj.

Duhet thënë, gjithashtu, se zoti Basha kishte një avantazh të madh, që ishte, gjithashtu, edhe disavantazhi i tij më i madh – Sali Berishën. Berisha i la atij udhëheqjen e një partie të madhe pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2013, por duke qenë Berisha ai që njohim, nuk e la për asnjë çast Bashën që ta drejtonte atë parti. Kjo do të ndodhte me çdo kryetar partie që e trashëgon atë nga themeluesi karizmatik i saj. Nga ana tjetër, duke parë rolin e zotit Berisha në këtë fushatë, kam përshtypjen se ai jo vetëm që e priste humbjen e PD-së, por edhe kërkonte, për arsye për të cilat unë vetëm mund të spekuloj, një alibi për t’ia marrë sërish Bashës drejtimin e kësaj partie, si për të provuar se ai – dhe askush tjetër – është jo vetëm lideri historik i PD-së, por edhe kreu i pazëvendësueshëm i saj, ose ai që mund të nominojë kryetarin e ardhshëm të saj.

Basha e mori vetë përgjegjësinë e humbjes në këto zgjedhje, ndërsa e la të hapur mundësinë për të rikandiduar për kryetar të PD-së. Mendoni vërtet se ai është i bindur në alternativën e tij humbëse, të cilën shqiptarët nuk arritën ta kuptojnë?

Këtë nuk mund ta di. Sa për mundësinë e rizgjedhjes së tij si kryetar i PD-së, kjo mbetet të shihet, por kryengritja në Pallatin e Demokratëve e bën këtë një detyrë tashmë shumë të vështirë, në mos të pamundur.

Po për kryetarin e ri të LSI-së, zotin Vasili, ç’mund të thoni?

Njëlloj si Basha, Petrit Vasili nuk është dhe nuk do të mund të bëhet dot lideri i vërtetë i LSI-së, edhe pse zoti Meta, i zgjedhur në postin e kryetarit të shtetit, nuk është më anëtar i kësaj partie. Zotit Vasili i mungojnë kualitetet intelektuale, imagjinata politike dhe karizma e nevojshme për të motivuar dhe bindur ndjekësit e partisë që atij i është dhënë përkohësisht në administrim. Fakti që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mundi të dilte – dhe s’kishte as një shans që të dilte – “forcë e parë” nga këto zgjedhje, çka u bë lajtmotivi i saj gjatë tërë fushatës zgjedhore, madje as forcë e dytë, e vë në vështirësi këtë parti dhe drejtuesit e saj në marrëdhëniet me elektoratin e vet. LSI vërtet është rritur në numër, madje në mënyrë të konsiderueshme gjatë tetë dhe katër viteve të fundit, kur ajo ka qenë pjesë e dy koalicioneve qeverisës, por ajo është “e dënuar” që këtë herë të mbetet një parti në opozitë. Të njëjtat arsye që, deri më sot, kanë ndikuar në rritjen e saj, ka të ngjarë të veprojnë në kah të kundërt këtej e tutje, kur LSI nuk do të jetë më pjesë e administratës qendrore dhe kur themeluesi dhe lideri karizmatik i saj nuk do të jetë më, të paktën de jure, kryetar i saj.

Dhe Ben Blushi?

Zoti Blushi nuk më ka bindur ndonjëherë. Mjafton të dëgjosh se me sa “dhemshuri” flet ai për të varfërit dhe të papunët e këtij vendi, ndërkohë që vetë jeton kaq larg varfërisë, si dhe premtimet që i bën kësaj kategorie njerëzish të vobektë për t’i nxjerrë nga varfëria, që të kuptosh pse “filozofia” dhe demagogjia e tij nuk ngjisin në elektoratin shqiptar. Dëgjova parmbrëmë zonjën Mimoza Hafizi tek justifikonte zeron e partisë së saj dhe të Blushit me akuzën e vjedhjes së votave të kësaj partie. Argument që tingëllon shumë cheap. LIBRA u krijua në një kohë dhe në një shoqëri, ku çdo parti e re do e kishte të vështirë, në mos të pamundur, të konkurrojë me partitë kryesore. Ajo nuk është e vetmja parti që ka dhe do të ketë këtë fat.

Një pyetje e fundit: Çfarë risish mendoni se solli kjo fushatë në jetën politike të vendit?

Disa të tilla, por njëra, ndoshta, i përmbledh të tëra: “demilitarizimi” i politikës dhe shndërrimi i procesit elektoral në një rregull të jetës demokratike, të pranuar nga të gjitha palët, i cili shpresoj këtej e tutje të shndërrohet në rutinë. Rutinizimi i procesit, siç vinte në dukje Max Weber, e legjitimon një sistem.

June 29, 2017 10:35
Komento

10 Komente

  1. Trollna June 29, 13:27

    Perse gazeta DITA u tremb,e nuk jep komentet? U shitet,apo jeni kercenuar? Kujtuat se diktatura eshte trembur? Format e reja te diktatures,te parat ç’faqen ne mediat,e kur media hesht,atehere eshte reale sistemi nje partiak dhe diktatura.

    Reply to this comment
    • Beni July 1, 22:45

      123 prova 123 prova. Te shohim sa e pablere eshte gazeta dita nga lali eri. Pse se jepni lajmin qe protestes qytetare te parku??? Per te njejtat arsye pse gjithe mediat i sherbenin edit vetem, dhe kir dilte ndonje kunder si degjohej zeri. Kjo eshte politika e rilindasve. Saliu me lulin te vrasin, iliri te vjedh, ndersa edi me lali erin te blejne per pak lek dhe tallin trapin me ty.

      Reply to this comment
  2. Alfred June 29, 14:28

    Analize brilante

    Reply to this comment
    • Drejtesia do te behet doni apo nuke doni ju,o mije kenetash dhe mostrash qe ju bejne avokatine June 29, 21:46

      O Alfred ku e ka brilantin kjo analize tek canga qe i bie per nje kualicon PS-PD,qe do te thote nje mut mbi te.Me nje kualicion te tille,Reforma ne Drejtesi do te behej vetem per popullin se per gjykates,prokurore,avoketer apo notre e politikane te binjakezuar me boten e krim-korrupsionit-mafjozo-imoralo-politk as te mos te mendohet me,(gje qe USA e BE-ja nuke do ta tolerojne me),dhe kjo nese nuke ka mend Rama,por merr ment e Tarifes,dje Tarifes sot,kesaje mize kali qe nuke ju nda demagogjse komuniste-nazifashiste-terrorriste si,sherbe,perca e sundo dhe mashtro,mashtro se dicka do te fitosh”.Rama nese merr met e tafrifoicit jo shume larg do ti bashkohet gjyaketesve,prokureve,avoketerve,notereve e peshkaqenerve te poltikes se Tiranes zyrtare ne bangene drejtesise.Besoni,Rama nuke eshte aqe idjot sa te marre ment e nanovicit,tarifovicit,apo aqe me keq te berishovicit e bashovicit ketyre vraseve gjaftohte e tradhetareve te kombit.100 ditet e para nuke jane pak qe Rama te zgjedhe mes poltronit te kryeministrit,dhe bangen se akuzes.Sovrani ne shumice e tha fjalen e tije,kush ka veshe ta degjoje,kush ka sy ta besoje se vullkani popullore po vlon,ai nuke fal me, tashme Rama ka shumicen.Jane mijra nena dhe gra te veshura me te zeza dhe mijra femije jetim si dhe nje pasuri e grabitur dhe e tjetersuar nga fuqia e botes se krim-korrupsionit-mafjozo-imoralo-politik ne te tre pushtete qe kerkon drejtesi dhe jo binjakezim me djallin.Tarifovici nese ka porosi nga turort e tije le te bashkejetoje me berishovicin e bashovicin me metovicin me shoke e shoqe,kjo eshte zgjedhja e tije,por te pakten per morral te mos na e servire me sapunin per djath.Mjaf me.

      Reply to this comment
      • Grigor July 1, 19:22

        Eej, mos e merr me kaq vrull se si komentuesi me lart vetem dy llafe tha i shkreti. Po ti, pa pune je o burre i dheut qe shkruan kaq shume?
        Ore, shkruaj sa te duash, por vetem dy gjera:
        – Nuk thuhet kualicion por koalicion
        – Lëri dhe te tjeret te shkruajne or burre i dheut.

        Reply to this comment
      • Demi July 2, 09:49

        O Drejtesia do te behet…Sa emer te gjate ke gjetur, dhe tregues i cektesise dhe naivitetit te gjykimit.
        Vertet ke shprese se do te zgjidhe ndonje gje Rama me strecet e tij??
        Po Rama eshte pjese e udheheqjes politike te vendit si nje nga drejtuesit me te larte dhe me te korruptuar te tij qe nga viti 1998.
        Eshte shkaterruesi me i madh i Tiranes dhe hapsirave ne mes te rrugeve, pallateve, shtepive per shkak te lejeve korruptive, vjedhjes se tenderave, me Blendi Gonxhet, Artan Lamet, Mimi Kodhelerat etj. I harrove??
        Rama ishte Ministeri kultures dhe aplikoi projektin famekeq Kthim ne Identitet dhe Esmeralda Uruci e dergoi ne prokurori sepse vjedhja e projektit ishte skandaloze…E harrove
        Rama u lidh me Fatos Nanon, pastaj me Ilir Meten, pastaj Fatos Nanon, me pas ne 2007 prape me Ilir Meten,
        Beri marreveshje me Berishen per ndryshimin e kushtetutes, dhe ja futi Metes.
        Humbi zgjedhjet e 2009 sepse ja futi Metes dhe Meta ne hakmarrje shkoi tek Berisha.
        Beri marreveshje me Meten ne 1 Prill 2013, dhe ndane postet ai Kryeminister e Meta, Kryetar Kuvendi. I gjithe populli i majte ishte kundra kesaj marreveshje.
        U be Kryeminister ne 2013 dhe emroi ministra te gjithe korrupsionistet me te neveritshem qe i solli me vete ne PS dhe nuk emeroi ministera asnje nga baza e vertete socialiste.
        Gjithe pushteti i kaloi bundrave te Bashkise qe i mori me vete ne qeveri si dhe Mjafti dhe u bene PS-ja e re e u quajten Rilindja. Baza e PS dhe profesionistet e saj u lane rrugeve.
        Harroi dhe nuk e rihapi hetimin per Gerdecin dhe 21 Janarin megjithese Ministrite e Mbrojtjes dhe te Rendit i kishte po vete dhe njerezit pjesmarres dhe deshmitaret okulare ishin ne keto ministri.
        Amnistoi te gjitha krimet e Berishes dhe vjedhjet epike te ministrave te tij.
        Qeveria e re me ne krye Ramen eshte qeveria me e korruptuar ne vlere specifike dhe levrim fondesh si kater vjecar ne historine e Shqiperise postkomuniste. Vampiret e korrupsionit Damian Gjiknuri, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Elisa Spiropali, Brisida…leshi..etj me miratimin e Rames vodhen, shiten e blene ne kurriz te ketij populli te varfer.
        Nuk u ul njehere ne zyre kater vjet, dhe te shikonte se cfare hallesh ka ky popull e kjo Shqiperi qe po zbrazet dita dites.
        Premtoi rendin dhe kriminaliteti e droga u rrit, premtoi vende pune dhe shqiptaret ikin, premtoi e premtoi, vetem u soll verdalle si Ram Camcakizi..
        Shqipetaret po ikin se nuk kane asnje shprese dhe Rama ne keto kater vite nuk jua ktheu dot shpresen.
        Marreveshja Rama-Meta per te ndare postet e Kryeministrit dhe Presidentit. Voton Rama dhe PS dhe bejne Meten President. Me votat e Rames Ilir Meta do te jete presidenti i shqipetareve.
        Vuri ne listen e deputeteve per keto zgjedhje emra nga me te cuditshmit kliente, dallavere, gra me burra ne burg per vjedhje, burra me gra mike dhe dashnore te Rames, nje aliazh preferencash te Edit-Lindes-Gramit-Saimes etj.
        Populli mendoi se votoi te keqen me te vogel. U mundua te largonte nga skena Berishen dhe Meten. Por ne keto zgjedhje Meta u rrit dhe LSI kaloi ne opozite.
        Por vete Meta u fuqizua aq shume si President i vendit sa askujt nuk ja ka marre mendja deri tani, dhe kjo fale Rames qe jo vetem e lejoi por i dha edhe voten, vetem e vetem qe ai te ishte Kryeminister.
        Sic e shikon ne te gjithe keto hapa, Rama i ka sherbyer vetem vetes se vet, pushtetit te tij personal, korrupsionit te tij dhe te klienteve te tij.
        Ti thua se do te beje drejtesi dhe shtet. Kete nuk e beri ne kater vjet por le te mendojme se do te beje drejtesi duke rregulluar sistemin e drejtesise, gje qe duket qe ne hapat be pare qe po perdoret politikisht. Po vete Ramen dhe ministrat e tij te korruptuar kush do ti gjykoje???
        Duhet te jesh jo vetem naiv por edhe koqe kandari qe te presesh nga korrupsionisti, vendosjen e rregullit, mireqenies e drejtesise….
        Bleji Rames nga parate e taksave, nje pale strece te tjera ti kete per keto kater vite, se ato te bardhat qe i shkonin shume, ju shkepen ne fushate…

        Reply to this comment
  3. Lili June 29, 16:17

    Bon,edhe ky po na tregon gjithe dijenine e tij akademike…po harron nje gje te thjesht qe eshte alpha e omega e analizes: sa vota fitoj vertet ma shume ps ,sa deputet do kishte fituar sikur nuk do kishte ndodh ndryshimi elektoral.pra na mungon nje tabele me dy variantat qe te vlen dicka analiza variant me harten elektorale e vjeter edhe variant me harten e re-Apo shkurt e shqip a eshte kjo nje fitore fale nje trukim elektoral nga ligji apo vertet nje fitore me vulnet popullor.Une kur shoh abstenim 56 per quind edhe vota te pavlevshme sa te duash e analizoj si fitore shume relative,ne kufi te ilegjimitetit popullor,po legjitim me skemen elektoral.
    Po mbasi ne shqiperi faktet nuk publikohen po vetem llafologjia, analiza nuk do kemi..

    Reply to this comment
    • Bekimi June 29, 21:37

      Nuk ka patur abstenim 56% por kanë qenë nja 200.000 vota që e ndien humbjen e PD-së, dhe nuk deshën t’ia jepnin fituersit të qartë-PS-së.
      Në fakt, edhe vetë PS-ja ka marrë mbi 40000 vota më tepër se herën e 2013-ës.
      Që PD-ja nuk duhej, ashtu si nuk mundi,të fitonte, ka ndodhur.
      Ka fituar forca politike me besueshmëri më të madhe për votuesin.
      Kjo është mëse e mjaftueshme. Të tjerat janë pallavra, furçe e tj.
      Edhe po të fitonte PD-ja do kishte të njëjtën retorikë meritokracie.
      Si e shoh unë, janë shumë njerëz që kanë votuar PD-në. dhe ky është ogur i zi.
      SHoqëria jonë ka ende punë për t’u gdhgendur, se e keqja më e madhe PD-ja, nuk ka ngordhur ende.
      E dobishme për shoqërinë shqiptare është që ligësia të eleminohet në nivel rrënjësor, radikalisht. E liga e ka emrin Sali Berisha.
      Me Edi Ramën në krye të punëve, ide të tiat, mandatin e tretë, do ta ketë edhe më të lehtë, dhe fitoprja do të jetë edhe më e thellë.
      Dhe do të ndodhë.

      Reply to this comment
  4. Lili June 30, 16:07

    bekim,
    Nuk ka patur abstenim 56%? ka patur edhe mire..
    Kjo rrit shansat e partise se pare per me marr ma shume vota, cka ndodhi edhe sigurisht se eshte merite e Edi Rames qe mblodhi gjithe PSne ,duke i shtuar vetem pak ma shume (ne nivel kombtar 40000 vota ma shume eshte ma pak se 1% te elektoratit. LSI eshte rritur me vota, edhe pse jo me deputete
    Sigurisht qe keto zgedhje ishin pike se pari nje disfate fenomenale te PDse qe humbi aq shume votuese. Pse e kysh kam nje ide, po nuk eshte interesante.
    Ligji elektoral mundeson keso deformime, ,edhe kete here mos votimi per PDne apo votimi siç u reklamuar nga disa kunder PDse ne cdo vend ku ka mundesi me fituar per nje grusht vota si ndeshkim per pabesin e Bashes me aleatet, bejne gati shumicen e keto diferenca qe keni verejte. Jo shtimi real i votueseve: besoj se nuk besoni qe kukesi u ba socialist! Po kuksianet qe jane e djthta e vertete i dhane nje lexion demokracie Bashes:edhe ne dime me ndryshuar aleancat e marreveshjet edhe po te tregojme ne Kukes si mundemi me ba a me z’ban nje deputet…

    Reply to this comment
  5. Crusader June 30, 16:33

    Si mund te quhet fitore dhe qeveri legjitime, kur ne votime moren pjese vetem 30% (40% i deklaruar eshte fryre qellimisht) dhe nga keto 15% votuan kete psikopat. Shqiperia do qeveriset nga vullneti i 15% te popullsise. Bravo kesaj i thone maxhorance.

    Kjo eshte demokracia qe po shesin keta. Shkoni ore mbushuni ju dhe sistemi maskarade qe tallet me inteligjencen e njerezve.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*