Vritet një nga të dyshuarit për masakrën e Bostonit

April 19, 2013 09:20

Vritet një nga të dyshuarit për masakrën e Bostonit

Një nga të dyshuarit për masakrën e Bostonit është vrarë dhe tjetri është në arrati, pas një shkëmbimi zjarri me forcat e rendit në periferi të qytetit.

Terroristi, i etiketuar si i dyshuari 1, vdiq në spital, ndërkohë që një polic mbeti i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit në kampusin e të famshmit universitet MIT.

Ndërkohë policia ka paralajmëruar se i dyshuari i dytë është i armatosur dhe i rrezikshëm.

 

FBI ka publikuar foto dhe video të dy të dyshuarve në lidhje me shpërthimet në Boston nga të cilat gjetën vdekjen tre vetë dhe u plagosën më shumë se 170 të tjerë. FBI-ja ka kërkuar ndihmën e publikut për të identifikuar dy persona që kërkohen në lidhje me shpërthimet e Bostonit.

Richard DesLauriers, agjenti Special i FBI-së që kryeson zyrën e Byrosë Federale në Boston tha per mediat: “Pas një analize shumë të hollësishme të fotove, videove dhe dëshmive të tjera, po publikojmë fotot e dy personave të dyshuar. Ata identifikohen si I Dyshuari 1 dhe I Dyshuari 2. Duket se ata e njohin njeri-tjetrin. I Dyshuari 1 mban një kapele në ngjyrë të errët. I Dyshuari 2 mban një kapele ngjyrë të çelët. I Dyshuari 2 la një çantë shpine në vendin e shpërthimit, para restorantit Forum”.

Agjenti DesLaureiers i bëri thirrje publikut të kontaktojnë autoritetet e rendit dhe të mos përpiqen t’i kapin vetë të dyshuarit. “Ne i konsiderojmë si persona të armatosur dhe tepër të rrezikshëm. Askush nuk duhet t’u afrohet. Askush nuk duhet të përpiqet t’i kapë përveç autoriteteve të rendit. Po e theksoj: mos ndërmerrni veprime vetë. Nëse i shikoni, kontaktoni autoritetet”.

Në pamje shihen dy të rinj me xhaketa dhe çanta shpine pranë rrugës ku po zhvillohej gara. Agjenti DesLauriers tha se fotot janë nxjerrë nga xhirimet e kamerave të sigurisë pranë vendit të incidentit: “Është me rëndësi të theksojmë se pamjet e së hënës janë të pashlyeshme dhe tmerri i asaj dite do të qëndrojë me ne përgjithmonë. Ky fakt i jep rëndësi të veçantë detyrës sonë për të hetuar krimin me kujdes në mënyrë që të sjellim personat përgjegjës para drejtësisë”.

Dy shpërthimet ndodhën disa sekonda pas njëri-tjetrit pranë vijës së finishit të Maratonës së Bostonit, duke vrarë një djalë tetë vjeç, menaxheren e një restoranti dhe një studente pasuniversitare nga Kina që studionte në Universitetin e Bostonit. Fotot dhe videot mund të shihen në faqen e Byrosë Federale të Hetimeve me adresën FBI.gov ose në faqen e Zërit të Amerikës në anglisht me adresën VOAnews.com.

April 19, 2013 09:20
Komento

1 Koment

  1. mirel drejtesia April 19, 12:43

    me siguri do kapet dhe ai krimineli tjeter !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*