Femra fatale, historia e spiunes holandeze

October 15, 2017 14:34

Femra fatale, historia e spiunes holandeze

 

Nga Nina Siegal

Në dhjetor të vitit 1915 Margaretha Zelle gruaja e njohur në të gjithë botën si kërcimtarja erotike Mata Hari, po udhëtonte me anije duke lënë të dashurin e saj në Paris tek një tjetër që e priste në Hagë.

Simboli ndërkombëtar i seksit ishte e famshme për provokimet e zakonshme, duke vallëzuar shpesh e nudo, me një kapele të artë në flokë.

Shpesh ajo u thoshte burrave se ishte një princeshë japoneze apo vajza e një kërcimtari të njohur indian, dhe shumë pak e zbulonin se ajo ishte thjesht një kërcimtare holandeze. Ishte mesi i Luftës së Parë Botërore dhe rruga shpesh e tërthorte mes detit do ta çonte drejt ujërave britanike. Autoritetet britanike do të ndalonin anijen ku ajo udhëtonte duke marrë në pyetje ata që ishin në bord.

Pasi panë letrat e Zelle-s, ata do të bënin një shënim: Nuk kishte asnjë dëshmi apo të dhënë, por dukej një grua e guximshme. Në një kohë lufte kjo ishte e mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e saj, megjithatë Margaretha u përpoq sërish të hynte në Mbretërinë e Bashkuar. Një kopje e raportit të tyre iu dërgua shërbimit sekret francez, dhe u la në tryezën e shefit të inteligjencës George Ladoux. Ai u bind se Zelle ishte një spiune, dhe vendosi ta ndiqte për ta kapur në një akt spiunazhi.

Ai e rekrutoi të punonte për shërbimin inteligjent francez, por ajo ishte një agjente e dyfishtë dhe për gjermanët.

Margaretha Zelle kur u arrestua në vitin 1917

Në fillim të vitit 1917 Ladoux e arrestoi duke e marrë në pyetje Zellen. Ajo pranoi që merrte para nga gjermanët, por nuk pranoi që kishte marrë para prej tyre dhe që kishte qenë e dobishme në ndonjë operacion.

Më 14 tetor Mata Hari u ekzekutua nga skuadra e zjarrit. Gazetat e pasqyruan vdekjen e saj si një refuzim për ti dhënë një puthje ushtarëve që ngritën pushkët kundër saj.

Tashmë 100 vjet nga ekzekutimi i saj, arkivat e marrjes në pyetje apo gjyqi i saj janë hapur për publikun, dhe jeta e saj e komplikuar dhe e jashtëzakonshme në të njëjtën kohë, është rivlerësuar në vendin e saj Hollandë, nga ku iku që në moshën 19 vjeçare. Muzeu i Holandës Friesland është duke realizuar një ekspozitë biografike kushtuar jetës së saj.

Teatri i Operës së Amsterdamit është duke përgatitur një balet bashkëkohor me titullin “Mata Hari”. Një pjesë teatrale do ti kushtohet figurës së vajzës rebele.

Balerina Young Gyu Choi, lart, dhe Anna Tsygankova gjatë baletit bashkëkohor me titullin “Mata Hari” në Baletin Kombëtar të Holandës, “Mata Hari”, 2016.

“Historia e saj është e rëndësishme. Një grua që nuk kërkonte të zbatonte normat e shoqërisë duke bërë një jetë ndryshe”, shprehet menaxheri i operës Ted Brandsen. Përkujtimet për nder të saj në Holandë e përshkruajnë atë si një Mata Hari. Por jeta e saj e vërtetë ka aq shumë mistere brenda.

“Pothuajse të gjithë e dinë që ajo u bë e famshme përmes vallëzimeve gati-gati erotike, dhe njerëzit në Holandë nuk mund ta pëlqenin këtë formë interpretimi”, u shpreh Klaas Zandberg, koordinator i Qendrës Historike Leeuwarden. Ai tha se në qytetin ku ajo lindi shumë njerëz mendojnë se ajo është një lavire e s’duhet të marrë këtë vëmendje.

Por kureshtja e njerëzve të tjerë ndaj saj është e madhe.

Biletat për në teatër apo opera vazhdojnë të shiten shumë shpejt, po kështu vëmendja e medias për të rindërtuar jetën e vajzës hollandeze që trazoi spiunazhin gjatë luftës së parë botërore.

E lindur në një familje tregtare, shumë shpejt babai i saj do të përballej me falimentimin e biznesit kur ajo ishte vetëm 14 vjeç. Më pas prindërit e saj do të divorcoheshin, ndërsa nëna vdiq.

Babai do ta linte atë me të afërmit, me të cilët ajo nuk shkonte mirë. Në moshën 18 vjeç ajo iu përgjigj një njoftimi në gazetë ku një kapiten 39 vjeçar në ushtrinë holandeze kërkonte dikë për tu martuar. Pesë muaj më vonë ata u martuan. Bashkëshorti Rudolph MacLeod, e mori me vete në Indonezinë e sotme, ku mësoi disa valle të vjetra dhe do të linte dy fëmijë. Djali i vdiq papritur në moshën 3 vjeçare. Çifti u divorcua pak vite më vonë.

Margaretha Zelle me veshjen e saj si Mata Hari

Kur bashkëshorti i saj refuzoi të paguante ushqimin ajo la vajzën me të dhe gjeti mënyra për të mbështetur veten. Në vitin 1903, ajo u zhvendos në Paris.

Më vonë, kur u pyet përse zgjodhi Parisin ajo tregon se në atë kohë mendonte se të gjitha gratë që linin burrat në atë kohë shkonin atje.

Jeta e saj do të ishte e jashtëzakonshme, dhe shumë shpejt ajo do të shndërrohej në një Mata Hari.

Holandezët janë duke kërkuar arkivat gjermane dhe franceze për të bërë të plotë biografinë e Margaretha Zelle, gruas që e shajnë dhe e duan njëkohësisht.

Marrë me shkurtime nga New York Times

October 15, 2017 14:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*