Kujtesa jonë figurative

June 30, 2018 10:43

Kujtesa jonë figurative

Moikom Zeqo

Shkenca albanologjike ka substancë linguistike, antropologjike dhe historike.

Por shkenca albanologjike thith në substancën e saj edhe informacione të tjera të rrafsheve të ndryshme të dijes dhe të instrumenteve mendore.

Është tepër interesante të rikrijosh gati një pikë zero një dimension artistik, ku përtej trillit krijues të zbulohet struktura e dokumentit.

Kjo gjë është pafundësisht e vështirë dhe kërkon një pasion të madh.

Askush nuk ka dyshim se albanologjia rizbulon historinë e kombit dhe konstrukton identitetin e tij.

Kështu kapërcehet kufiri i kuriozitetit, ekzotika grish nocionet e qarta të së vërtetës.

Shkenca ka burime substanciale, monumentet arkeologjikë, dëshmitë shkrimore, krijimtarinë shpirtërore folklorike, por në mënyrë të patjetërsueshme edhe dëshmitë piktorike.

Kjo është një e vërtetë e palëkundshme.

Pikturat prehistorike në shkëmb dhe në shpella janë dokumentet e para të njerëzimit.

Moikom Zeqo

Kështu, piktura prehistorike e Lepenicës afër Vlorës është në gjenezën e popullit tonë në etapën e skajshme më të largët, shumë më përpara monumenteve mbivarrorë të mrekullueshëm, siç janë tumat ilire.

Figurat piktorike çojnë në piktografi.

Çdo simbol piktografik çon në simbolet e ideogramave.

Këto të fundit çuan në shkrimin e abstraguar dhe konvencional.

Është shkrimi që skalit përfundimisht historinë në faqet e librave.

Por triumfi madhështor i shkrimit asnjëherë nuk e zbehu rëndësinë e amshuar të arteve piktorike.

Me zbulimin e fotografisë, shkencës historike iu ofrua një shërbim i ri i dokumentar, që është një rol i dytë, është një plotësim akoma më i saktë i dëshmive piktorike.

Këtej rrjedh rëndësia kolosale e imazheve piktorike të fiksuara në shekuj për historinë e çdo kombi, pra dhe të kombit shqiptar.

Ato që thashë më sipër nuk janë thjesht një meditim. Përkundrazi.

Në boshësinë e frikshme të botimeve të rëndësishme për kulturën shqiptare që ekziston sot, duhet përshëndetur si një ogur botimi me karakter enciklopedik „SHQIPËRIA PËRMES ARTIT“,  e autorit vullnetmadh, serioz dhe rezultativ, dijetarit te njohur  shqiptar, Ferid Hudhri, që paraqitet me dinjitet të madh dhe të veçantë me informacionin kulturorologjik shqiptar dhe atë global.

***

Ferid Hudhri

Në pjesën e parë jepet një vështrim i shkurtër i historisë së artit shqiptar, nga gjurmët më të hershme deri te krijimtaria e ditëve tona; e ndarë në kapituj të veçantë si Arti Ilir, Periudha Greko-Romake, Diaspora e hershme, Arti Pasbizantin, Arkitektura, Arti Katolik, Arti Islam, Arti Popullor, Artistët e Huaj, Arti i Rilindjes dhe Pavarësisë, Arti i Realizmit Socialist, Artistët e Diasporës, arti në Kosovë dhe treva të tjera shqiptare, Drejtimet e reja bashkëkohore.

Pjesa e dytë titullohet Shqipëria nëpërmjet artistëve të huaj.

Këtu janë përmbledhur mbi 100 piktura me temë shqiptare të autorëve të huaj. Shumë nga ato tablo botohen për herë të parë dhe janë rezultat i kërkimeve shumëvjeçare të autorit në galeri, muze, arkiva dhe koleksione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në pjesën e tretë, që titullohet Shqipëria nëpërmjet artistëve shqiptarë, janë zgjedhur mbi 100 tablo nga autorët e parë të Rilindjes dhe të Pavarësisë si Idromeno, Mio, Kolombi etj., piktorët më të shquar të periudhës së realizmit socialist dhe përfundon me disa nga autorët më të njohur të ditëve tona.

Libri është botuar në gjuhën angleze, për ta bërë më të njohur kulturën shqiptare nëpër botë.

Pas botimeve të pakta të këtij lloji për disa periudha të veçanta, është hera e parë që në një botim të vetëm pasqyrohen të gjitha periudhat e artit kombëtar, botohen mbi 300 imazhe të jetës shqiptare të realizuara nga autorët e huaj, si dhe nga artistët më të njohur shqiptarë.

Së shpejti libri do të botohet edhe në gjuhën shqipe.

***

Ferid Hudhri është miku im i kahershëm.

Njihemi prej vitesh me të dhe kemi bashkëpunuar në një mirëkuptim të plotë.

Ai i ka kushtuar jetën historisë së artit dhe është historiani më i njohur shqiptar në këtë rrafsh.

Për publikun e gjerë dhe pak të informuar, dëshiroj të paraqes Curruculum Vitae të Ferid Hudhrit.

Prof. dr. Ferid Hudhri lindi në vitin 1949. Ka mbaruar Akademinë e Arteve (Tiranë, 1974), kursin pasuniversitar për Histori dhe Kritikë Arti (Tiranë, 1986), specializim për Histori Arti në Muzeun e Luvrit (Paris, 1990).

Gjatë viteve 1974-1985 ka punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si redaktor për artet figurative.

Në vitet 1992-1997 ka qenë drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve të Akademisë së Shkencave, 1997-2007 n/drejtor dhe shef i sektorit të arteve figurative.

Tani punon në Qendrën e Studimeve Albanologjike.

Ka bërë disa udhëtime studimi: Francë 1990, 1994; Angli 1994, 1999, 2006; Australi 1987, 1989; Itali 1994; Greqi 1990, 19995; Egjipt 1999. Është autor i disa artikujve, studimeve, kumtesave dhe konferencave për Historinë e Artit Shqiptar.

Librat e tij më të njohur janë: “Murat Toptani, artist i Rilindjes”, Tiranë 1987; “Mësimi i Vizatimit” (bashkautor), Tiranë 1987; “Shqipëria në veprat e piktorëve të huaj”, Tiranë 1989; “Albania in the World Art”, Athens 1990; “Arti i Rilindjes Shqiptare”, Tiranë 2002. (Vlerësuar me çmimin Penda e Argjendtë). “Shqipëria nëpërmjet artistëve”, Tiranë 2004. “Albania Through Art”, Tiranë 2008.

Ka në proces botimin enciklopedik “Rizbulimi i Shqipërisë nëpërmjet artistëve të huaj”.

***

Ky libër album ka dy subjekte, ose më mirë të themi një matricë të dyzuar: së pari, imazhet e dëshmuara në truallin shqiptar gjatë shekujve dhe së dyti: imazhet e artistëve të huaj për shqiptarët.

Pra, kemi dy botë të ngjizura në një të vetme.

Kemi dy përvoja: përvojën kombëtare të artit dhe përvojën ndërkombëtare të artit, që ndërlidhin me një objekt të vetëm: historinë e kombit shqiptar.

Megjithatë, kjo paradigmë kuptimore është gjithashtu e dyfishtë.

Arti shqiptar në shekuj gjithashtu ndërkombëtarizon shqiptarët në botë.

Arti ndërkombëtar çuditërisht kombëtarizon shqiptarët brenda tyre. Janë dy optika herë-herë të pavarura, që kanë një vartësi të mrekullueshme.

Komunikimi artistik është që në hershmëri global. Koha e sotme vetëm e ka rizbuluar këtë dukuri.

Në të vërtetë ne na mungon një histori e shkruar e artit shqiptar që nga zanafilla.

Studiuesit mungojnë, ose janë të mangët në profesionalizëm.

Ky boshllëk është i pajustifikueshëm.

Botimet janë të pakta në raport me popujt e tjerë që kanë bërë të kundërtën.

Studimet e artit shqiptar vetëm sa e kanë cekur pak historinë e ikonografisë shqiptare apo thonë diçka për artin e kohërave moderne, që nis me rilindjen kombëtare të Shqipërisë.

Arti i shekullit të 20-të është deri diku i njohur, por ende i studiuar përciptazi.

Po kështu mund të thuhet edhe për etapën post-totalitare mbas vitit 1991 deri në ditët e sotme.

Kështu, për një njeri profan historia e artit shqiptar duket e mangët, por injoranca nuk është argument.

Duhet të shtoj se historia e artit në të vërtetë nis me objektet arkeologjike.

Dhe këtu informacioni është i përciptë.

Një univers pikturik dhe simbologjik lidhet me kostumologjinë dhe etnografinë shqiptare, me zejet artistike të metaleve të çmuara, të drurit e të gurit, të tekstileve etj.

Kjo shumësi e rrafsheve është shpresa jonë dhe potenciali për të kuptuar thesarin e mrekullueshëm kombëtar të shqiptarëve.

Këto arsyetime përcaktojnë rrugët.

Kjo vetëdije na fuqizon dhe na e bën më të mprehtë mendjen për studime të nivelit të lartë shkencor për të modeluar historinë e artit të kombit shqiptar me dinjitet dhe madje me krenari.

Ferid Hudhri me të drejtë e nis studimin e tij me dëshmitë e lashtësisë, që nga prehistoria me objektet tipologjike të artit ilir, por dhe të simbiozës universale me artin grek dhe romak, që ka shkëlqyer në trevat e Shqipërisë.

Edhe këtu spikat dimensioni universal, komunikimi i qytetërimeve shpjegon dhe historinë politike të kombit tonë.

Vetvetiu mund të themi se historia e skulpturave të Apolonisë, Butrintit dhe të Durrësit parakupton një akulturim konceptesh artistike të avancuara të rrafshit ndërkombëtar.

Këtu nuk duhet harruar edhe historia e arkitekturës antike, tempujt, modulet arkitektonikë, teatrot, stadiumet etj.

Etapa e antikitetit të vonë, shekulli i 6-të pas Krishtit, përbën një rilindje madhështore të artit në një proces të shndërrimit të ilirëve të vjetër tek arbrit e hershëm. Kultura e hershme arbërore nuk mund të kuptohet pa nocionet e reja artistike të krishterimit bizantin dhe atij perëndimor.

Kështu, mozaikët e antikitetit të vonë në Butrint, në Bylis, në Lin, në Durrës janë të nivelit evropian, kompozimet e tyre simbolike kanë një sintaksë të saktë të artit universal.

Mbas kësaj etape vetëkuptohet që epoka e ikonografisë shqiptare është tejet e rëndësishme dhe e mrekullueshme.

Në shekullin e 14-të në Shqipëri dokumentohet stili bizantin paleolog.

Në shekullin e 16-të Onufri bëhet piktori gjenial i stilit metabizantin shqiptar.

Në shekullin e 18-të shfaqen si gjeni të ikonografisë dy artistë të kalibrit botëror: Kostandin Shpataraku dhe David Selenica nga Vlora.

I përmenda këto fakte për të kuptuar jo varfërinë, por pasurinë e artit tonë.

Natyrisht, që në historinë e artit shqiptar kemi një mungesë të rëndësishme dhe të pakapërcyeshme të artit humanistik të rilindjes evropiane, për shkak të pushtimit osman të Shqipërisë mbas shekullit të 15-të të Skënderbeiadës heroike.

Vijnë kohë të errëta dhe me mjegull për historinë e artit në Shqipëri.

Mendimi i Leon Rejit se, përveç ikonografisë metabizantine duhet vlerësuar edhe arti islamik në monumentet e Shqipërisë është i drejtë në kuptimin enciklopedik dhe historik.

Edhe arti pikturik autentik shqiptar ringjallet në Rilindjen Kombëtare Shqiptare në epokën e romantizmit, si dhe të ideve të reja lançuese evropiane të Revolucionit Francez.

Ky konstrukt historik shpjegon shkëlqyeshëm pikërisht interesimin e pazakontë të piktorëve të huaj të mëdhenj të botës për shqiptarët.

Kjo shpjegon nismën madhështore të Bajronit, që i vlerëson shqiptarët si askush në poezi, duke i ndërkombëtarizuar ata.

Kjo shpjegon pse piktorë të tillë si: Delakrua, Zherom, Eduard Lir, Tomas Filips, Dupre, Kamil Koro etj., bënë tablo të mrekullueshme dhe me art të madh për shqiptarët.

Kjo është epika e vërtetë e zbulimit të kombit shqiptar nëpërmjet artit pikturik në botë.

Pikturat e mjeshtërve evropianë i njohën shqiptarët me kostumet e tyre i një populli jashtëzakonshëm, me një antropologji fisnike, me armë dhe kostume princërore.

Jo më kot Bajroni i madh u pikturuar nga Tomas Filips me një kostum shqiptar.

Kjo përbën një metaforë të jashtëzakonshme.

Kjo metaforë vizuale ndërkombëtarizon njeriun shqiptar me kostumin e tij, jo rastësisht me fytyrën dhe trupin e Bajronit.

Në këtë kuptim të dytë dhe të fshehtë mund të themi se Prometeu i romantizmit evropian, Bajroni, e dëshiroi vetë këtë paraqitje të tij shqiptare në ballon e madhe evropiane të kulturës.

Asnjëherë më përpara në të gjithë historinë e gjatë të kombit shqiptar nuk ka pasur një interes kaq të madh për subjektet burrërore të bukurisë enigmatike të shqiptarëve sesa në epokën e romantizmit evropian.

Sepse këtu vetë qëndron dhe një nga sekretet më të mëdha dhe inkandeshente të vetë romantizmit evropian.

I mahnitshëm është cikli i pikturave të piktorit Leon Zherom.

Të gjitha këto piktura të shkëlqyera përbëjnë gati një ikonografi të re, por tashmë laike për shqiptarët. Evropa hapi portën e saj të madhe për kombin tonë.

Dhe të mos harrojmë që shqiptarët ishin ende të pushtuar. Evropa i pranoi shqiptarët të lirë shumë më përpara sesa Shqiptaria të shpallej e pavarur më 1912-ën.

***

Ferid Hudhri ka meritën e tij më të madhe si historian, pikërisht në zbulimin e tërë enciklopedisë pikturike të mjeshtërve të mëdhenj të romantizmit evropian. Informacioni i tij i kujdesshëm dhe korrekt e bën atë një studiues, gati të vetëm në Shqipëri për këtë epokë.

Këtu spikat më shumë profesionalizmi dhe akribia e Feridit.

Këtu është merita e tij e jetës.

***

Ky libër-album u rikthehet përsëri piktorëve shqiptarë. Ky alternim është i domosdoshëm dhe i dobishëm. Arti laik shqiptar me Kolë Idromenon, Ndoc Martinin, Vangjush Mion, Zef Kolombin etj., institucionalizohet, bëhet një institucion i mëvehtshëm dhe i rëndësishëm kombëtar.

Nis kështu një tjetër epokë e madhe e artit, e artistëve shqiptarë për Shqipërinë.

Dhe kjo fushë ka qenë një specialitet tjetër i Feridit. Informacioni i paraqitur me krijimet më përfaqësuese është gjithashtu tipologjik.

Arti i Pavarësisë pasohet nga arti i quajtur i realizmit socialist, ku padyshim dogma e imponuar komuniste synoi të krijonte një ikonografi, që disa studiues e kanë quajtur ikonografia bizantino-komuniste, pra një art i programuar. Por, megjithatë, fusha e artit është autonome shumë më tepër nga ç’mendohet në raport me sistemet politike. Emrat e mëdhenj të artistëve të tillë të nivelit evropian, si Odise Paskali dhe Abdurahim Buza nuk mund të harrohen. Artistë të tjerë të shquar si Sali Shijaku, Skënder Kamberi, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi etj., krijuan një traditë dhe dinjitet në krijimet e tyre më të mira.

Përtej politizimit të dëmshëm, artistët shqiptarë, megjithatë, krijuan art.

Historiani i artit nuk niset për të studiuar nga pikëpamja politike.

Kronologjia nuk studiohet në vetvete.

Por estetika e dokumentuar merr karakter historik.

Kështu, duke hedhur tej komplekset, studiuesi rizbulon, madje dhe rikoncepton historinë reale të vendit të tij.

Drejtimet e reja të artit pikturik pas përmbysjes së sistemit totalitar dhe dogmës së realizmit socialist kanë krijuar vlera të reja, rinovuese.

Edhe ky aspekt i këtij libri-album ka rëndësinë e vet.

***

Zonja Donika Bardha, kjo shqiptaro-amerikane e paepur, ka themeluar „Albania Art Foundation“.

Ky është një akt për t’u lavdëruar.

Ajo ka projektuar botimin e disa librave-album të ngjashëm, duke e bërë të njohur Shqipërinë nëpërmjet artit pikturik në Amerikë dhe në botë.

Kështu afirmohet imazhi i kombit shqiptar në një pikëpamje eterne.

Kështu imazhi i kombit shqiptar përfaqësohet në epokën e globalizmit.

Kështu imazhi i kombit shqiptar nuk tjetërsohet dhe nuk mohohet dot.

Pavarësia e Kosovës, një mrekulli që ndodh një herë në 2000 vjet, përfaqëson gjithashtu një rilindje të re të të gjithë kombit shqiptar.

Aktori shqiptar, në kuptimin pozitiv, është i rëndësishëm.

Sidomos kur afirmohet nëpërmjet artit.

***

Dua të ngre një çështje të mprehtë dhe jetike: qarkullimin e vlerave artistike dhe shpirtërore të shqiptarëve sot në botën globale.

Mos të harrojmë se është bota e madhe dhe e pafund e internetit, bota perandorake e imazhit dixhital.

Këto mundësi të mëdha hapin para nesh horizonte dhe hapësira të mëdha.

Në përgjithësi, Shqipëria artistike dhe kulturore është përcjellë pak ose shumë pak në internet.

Këtu jemi të mangët.

Por pikërisht këtu mund të bëhet pafundësisht më shumë.

Rasti i „Mezuraj Museum“, që ka ndërtuar tërësisht në internet sozien e vet, d.m.th., që imazhet fotografike të objekteve dhe të vlerave piktorike që disponon, shoqëruar me pasaportat shkencore në shqip dhe në anglisht, pra gati tërë strukturën muzeore e ka hedhur në internet, duhet ndjekur dhe nga institucionet e tjera në Shqipëri.

Pse nuk bëhet një gjë e tillë është e pakuptueshme për mua. Por të paktën shpresoj që të bëhet.

Kurse, çështja e botimeve të librave-album si ky për të cilin po flasim, është diçka më e vështirë në pikëpamje të burimeve financiare, të stimulimit studimor, të përzgjedhjes, të qarkullimit në gjuhën ndërkombëtare të anglishtes në të gjithë botën. Institucionet muzeore shtetërore në Shqipëri, për shkak të fondeve financiare të pakta, janë më të shtangura dhe të rrudhura. Institucionet private të licensuara, si dhe fondacionet e rëndësishme private, për arsye të vetëkuptueshme financiare mund të kenë dhe kanë një lëvizshmëri më të madhe.

Nismat e tyre private për këto botime e kapërcejnë shkëlqyeshëm karakterin e tyre privat.

Kështu, fondacioni i znj. Donika Bardha ka bërë diçka me rëndësi kombëtare, duke ndërkombëtarizuar vlerat kombëtare të Shqipërisë.

Për shumë studiues të huaj dhe historianë arti në botë këto botime, ku studimi i thugët shkencor përcjell katalogimin me cilësi të lartë të imazheve, janë befasira të mëdha dhe një tërheqje e vëmendjes për t’u bërë partnerë në studimin shkencor të vlerave kombëtare të Shqipërisë. Këtu, pa mohuar edhe rëndësinë e rinjohjes së vlerave të grupuara të piktorëve dhe artistëve të huaj për Shqipërinë, që për arsye të ndryshme herë-herë kanë qenë të harruara dhe të pavëna në reliev.

Botimi i librit-album „Albania Through Art“ kanë karakter unik në botimet tona, është tejet i dobishëm, por edhe tejet estetik.

Estetika e shpalosur e fuqizon historinë, e interpreton, por çuditërisht edhe e dokumenton.

Për Donika Bardhën dhe Ferid Hudhrin ky nuk është bashkëpunimi i parë.

Besoj se nuk do të jetë edhe i fundit. Kështu, dy vetë kur e kanë të qartë domethënien mund të bëjnë punën e një ose të disa institucioneve.

Kjo ide nuk është e tepruar, përderisa është bërë praktike në realitet.

 

June 30, 2018 10:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*