Festat, bilanci i Policisë: Një i vdekur, 17 të lënduar

January 1, 2018 16:28

Festat, bilanci i Policisë: Një i vdekur, 17 të lënduar

Festa e nderrimit të viteve i gjeti mijëra punonjës policie, larg familjes, në detyrë në shërbim të qytetarëve.

Pak orë pas ndërrimit të viteve, policia ka bërë bilancin ku perfshihen vdekja e një 16vjeçari në Kurbin, K.Gj, dhe lëndimi i 17 personave nga fishekzjarret. Mbeten të paqarta rrethanat e vdekjes së të riut në Laç i cili kishte dalë të hedhë fishekzjarret, por u gjet i pajetë më pas nga familjarët.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara në rrugë, janë pezulluar 32 leje drejtimi automjetesh, ndërsa një drejtues automjeti është arrestuar pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit, në kuadër të garantimit të rendit e sigurisë publike, parandalimit të ngjarjeve kriminale apo ato rrugore, mori një sërë masash shtesë me rastin e festës së ndërrimit të viteve. Njësia Antieksploziv e RENEA-s, duke përdorur qentë antieksploziv, gjatë orëve të mbasdites së datës 31 Dhjetor 2017 kanë kontrolluar parkingun e nëndheshëm në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati festime.

Ky shesh më pas është marrë nën kontroll nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe ne bashkëpunim me Policinë private, kanë kontrolluar automjetet që u parkuan deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2018. Kontrolle të imtësishme nga agjentë të antiterrorit janë kryer në të gjitha sheshet kryesore ku do kryheshin festime me rastin e ndërrimit të viteve.

Gjatë ndërrimit të viteve si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve, në të gjithë vendin janë lënduar lehtë 17 persona, të cilët kanë marrë mjekim dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërsa 1 shtetas nga Dibra është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar pasi ishte dëmtuar në sy. Është dëmtuar gjithashtu 1 automjet i parkuar, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve.

Në Laç shtetasi K.Gj, 16 vjeç, banues në Sanxhak, është gjetur i vdekur nga familjarët në taracën e banesës së tij me një dëmtim në koke. Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për një ekspertizë mjeko-ligjore më të specializuar për të përcaktuar nga se i është shkaktuar dëmtimi që ka humbur jetën. Nuk ka patur ngjarje kriminale si grabitje me dhunë ose me armë, apo plagosje e vrasje, si dhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekjen apo me plagosje të rënda.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 aksidente me pasoja të lehta. Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vijuar gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit kontrollin për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e akoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësinë tej normave të lejuara si dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, por edhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti.

Në të gjithë vendin janë pezulluar 32 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, nga to 14 patenta vetem ne Tirane. Nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit është arrestuar 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

January 1, 2018 16:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*