Festat e fundvitit dhe me kë ngjan Babadimri juaj?!

December 30, 2017 10:08

Festat e fundvitit dhe me kë ngjan Babadimri juaj?!

Viti i ri po afron dhe ne jemi gati për të shijuar maratonën e gjatë festive ashtu siç është traditë pranë gjirit të ngrohtë familjar ose mes miqsh. Në fakt të gjithë e dimë se ky është imazhi tipik i festave të fundvitit, por në pjesën tjetër të botës, festimet ndryshojnë nga ato europiane.

E keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndodh këto ditë në anën tjetër të globit? Krishtlindjet dhe Viti i Ri festohen në të gjithë globin, por zakonet dhe mënyra e të festuarit ndryshojnë nga një kontinent në tjetrin. Për europianët asgjë nuk duhet kursyer për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Për ta festimet janë pjesë e jetës dhe si pasojë duhet të jenë shumë shik.

Sigurisht që u pëlqen të zbrazin xhepat nëpër dyqane me blerje që e tejkalojnë normalen. Dy javët e fundit të dhjetorit, të gjitha supermarketet e butikët u ngjajnë koshereve të bletëve, vetëm se në dallim nga kombet e tjera, europianët janë nazelinj dhe i sheh shpesh të ngrenë vetullat përpara mallrave, apo çmimeve që nuk u pëlqejnë.

Madje, kur mendojnë se kanë të drejtë nuk ia përtojnë që të ngrenë zërin, duke e lënë mënjanë klasin. Në shumë vende dhe shtete të botës, tanimë është formuar tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive. Në fakt, Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e tij, edhe pse me shekuj kanë pësuar ndryshime, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat esenciale.

Viti i Ri është festë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella. Nuk janë të pakta qytetet e metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot-moteve dalin masivisht në qendër të qytetit. Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri tanimë është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Europës dhe botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, Nju Jorku, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio.

Shqiptar Oseku

Babadimri im…

Por çfarë ka ndodhur me vendin tonë. Si janë është Festuar Krishtlindja dhe Viti i Ri?

Në këtë drejtim ndahemi në kohë, në  para dhe pas viteve ’90.

Shqiptar Oseku, është një personazh të cilin e lexojmë shpesh në rrjetet sociale. Ai nuk nguron të reagoj për aktualitetin në Kosovë e Shqipëri. Oseku ka lindur në Gjakovë dhe prej 25 vitesh jeton në Suedi. Ka studiuar punën sociale në universitetin e Stokholmit, sot punon në profesionin e tij dhe përkthen letërsi. Askush më mirë se ai nuk e ka ndjerë ndryshimin e festimeve për festën e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri.

Sot në “Dita” kemi marr dëshminë e Shqiptarit për mënyrën se si janë festuar festat dikur dhe si festohen sot…

“Kur isha unë fëmijë Krishtlindja ishte pak a shumë tabu në publik, ashtu si ishin dhe tjera festa fetare. Në Jugosllavinë e dikurshme feja nuk ish ndaluar me ligj si në Shqipëri, por shteti nuk shihte me sy të mirë ata që ndiqnin festa e rituale fetare. Rrugët e karrierës mbylleshin, partia të kritikonte, mundet edhe që thirreshe në bisedë te sekretari i organizatës bazë të partisë. Por nuk kish pasoja për mbledhi, ta zëmë, në gjirin e familjes dhe njerëzit fetarë – më shumë pleq se të rinj – nuk i ngjante kush pse shkonin në kishë për meshë të Krishtlindjes.

Në familjen time, që ish disidente por jo fetare, kish një skepsë ndaj kishës. xhamisë, e teqesë, pra daj institucioneve të fesë së organizuar, pse ishin të infiltruara e të kontrolluara nga shteti dhe shiheshin si paradhoma të sigurimit.

Por mbaj mend që brenda familjes kishim një klimë të shëndetshme të tolerancës, si i vogël mbaj mend që me shokët e shoqet e klasës të proviniencës katolike urimet për Krishtlindje e vezët për Pashkë ishin të rëndomta. Kryefjala e festave ishte Viti i Ri, si në shumë anë tjera të Europës Lindore. Aty transferohej dhe ikonografia festive e Krishtlindjes, bredhi, stolitë, dhuratat. Shenjtori i festës ishte Babadimri, një detitet bashkëkohor ky që më pëlqente më shumë se ata të feve pse nuk punonte me kërcënime, kërcëllitje dhëmbësh, e ndëshkime skëterrash të përflakura.

Thjesht ish një plak i lezetshëm e mirëbesues, që shpesh u ngjante komshive a familjarëve nga zëri, e që u ndante dhurata fëmijëve për të cilët i thuhej se kishin qenë të sjellshëm e të urtë. Kish vite që Babadimri nuk vinte, rëndom kur babai ishte në sy të shtetit e flakej nga punë, dhe atë vit dhuratat mungonin.

Ishte lehtë ta urreje Babadimrin ato vite, të mendoje se edhe ai ishte hipokrit si tjerë të rritur, a frikacak, biles edhe spiun i pushtetit. Por vitin tjetër, kur im atë kish gjetur punë diku përsëri, e kur Babadimri vinte përsëri me një zë të njohur e me një dhuratë, tradhtia e tij kapërcehej disi. Babadimri im ngjante në të rriturit e tjerë, të cilët nganjëherë zhdukeshin e nuk na përshëndesnin në rrugë, por që herëve tjera vinin prapë, e silleshin sikur s’kish ndodhur gjë. Si fëmijë në diktaturë mësohesh me qyqarinë dhe tradhtitë e të rriturve, e Babadimri aty nuk bën përjashtim.

Sot kremta bëhet ndryshe, unë kam tre fëmijë të lindur në Suedi që presin dhuratat sipas zakonit suedez, natën e Krishtlindjes. E ëma i merr ditën e Krishtlindjes dhe me të festojnë atë ditë me tjera dhurata, një favor ky i rrallë i fëmijëve me prindër të divorcuar. Meqë unë nuk besoj në rrena, as të bardha as të zeza, ato e dinë se nuk ka qenie të mbinatyrshme, e se dhuratat janë nga familjarë. Por rituali si i tillë përsëritet për çdo vit pavarësisht nga gjithçka. Një nga ambiciet e mia si prind ka qenë që fëmijët e mi, pavarësisht konstelacioneve familjare, të mos ndihen kurrë të harruar as të tradhtuar, por gjithmonë në plan të parë.

Mund të kem ndonjë kritikë dhe unë, për komercializim festash ta zëmë. Por hej tregtarët këtë kanë bërë me çdo festë, që nga ditëlindja e hyut Hor në Egjiptin e lashtë, i cili, meqë ra fjala, thuhej se lindi po ashtu nga një virgjëreshë më 25 dhjetor. Ka lista të gjata porosish të mallrave nga tuxharët e Egjiptit që dëshmojnë se kjo fesë mund të quhet, me terminologji të sotme, e komercializuar.

Por ishte detyra e prindërve të Egjiptit t’i mbajnë larg rrengjet e tyre, e të edukojnë fëmijët e vet me dashuri e jo me një kallamsheqer të ri sa për të paqtuar ndjenjën e fajit. Them se punët e tregtarëve kanë mbetur njësoj që në atë kohë, ashtu sikur edhe detyra jonë si prindër”.

Gjeli i detit

Është e vështirë të gjesh një ushqim tjetër me imazh kaq festiv sa ai. Miliona njerëz në të gjithë botën e festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. I gatuar në forma nga më të ndryshmet ai i jep më shumë shije orës së ndërrimit të viteve, në prani të miqve dhe të afërmve për t’i uruar ardhjen e një viti plot mbarësi, shëndet dhe lumturi. Edhe amerikanët e kanë këtë shpend simbol në Ditën e tyre të Falënderimeve.

Më shumë se 45 milionë gjela deti serviren gjatë kësaj dite feste në SHBA. Por përveçse simbol i festës së Vitit të Ri, gjeli i detit është shumë i këshillueshëm edhe për vlerat ushqimore. Mjekët këshillojnë se nuk duhet të presim vetëm ditën e fundit të vitit për ta pasur në tavolinë. Ai duhet të jetë gjithnjë i pranishëm në menynë tonë ushqimore.

Është vërtet e vështirë të gjesh një lloj mishi që përshkruhet kaq shumë në recetat mjekësore, falë treshes magjike të përbërë nga proteinat, yndyrat dhe kaloritë e pakta. Një pjesë e mirë e meritës i takon mishit të bardhë i pasur me fibra, ngjyra e të cilit i detyrohet përqendrimit të paktë të mioglobinës, pigmenti që bashkë me oksigjenin është përcaktues i ngjyrës.

Por më shumë se mishi i pulës dhe i lepurit, mishi i gjelit të detit ia kalon atij të viçit për sa i përket përmbajtjes së proteinave dhe sasisë së hekurit. Një studim i fundit i bërë në Nju Jork, ka treguar se mishi i gjelit të detit, simboli i tavolinës së festave të fundvitit, përveçse i shijshëm është edhe shumë i shëndetshëm.

Për më tepër vetitë e tij e bëjnë një ushqim perfekt edhe për regjimin ushqimor të fëmijëve: është lehtësisht i tretshëm dhe me shumë veti ushqyese. Mishi i gjelit të detit përmban edhe selenium që parandalon zhvillimin e kancerit, përmirëson sistemin imunitar dhe ndihmon metabolizmin e hormonit tonë të tiroides.

I vlerësuar dhe i propozuar nga dietologjia moderne, sot shefat më të mëdhenj të kuzhinës përdorin variante nga më të ndryshmet për servirjen e tij.

Më i miri është versioni tradicional i pjekur në furrë me pak yndyrë dhe erëza apo i mbushur me gështenja të ziera, bukë të thekur e fruta të thata.

Por versionet e shefave modernë të kuzhinës thonë se rozmarina nuk duhet të mungojë gjatë pjekjes së tij dhe se mbushja mund të bëhet shumë mirë edhe me salsiçe, midhje apo kërpudha dhe tartuf.

Bredhi dhe dhuratat

Që në ditët e para të dhjetorit, në shumë shtëpi nisin shenjat e para të festave që afrojnë më pas me zbukurimin e bredhave, si dhe zbukurohet me gjithçka tjetër që të kujton këtë atmosferë të gëzueshme. E kuqja, njëlloj si ngjyra e gjakut të Krishtit, është ajo që dominon.

Simbolika e dekorimit të bredhit derivon nga përdorimi grek dhe latin në fillim, e më vonë kelt, për të varur dhurata në degët e pemëve gjithmonë të gjelbra. Kjo ka si simbolikë vazhdimësinë e jetës që i reziston ndryshimit të viteve dhe ditëve të kalendarit.

Duke qenë se ajo pemë ishte e gjelbër edhe në stinën e dimrit, besohej se kishte fuqi të veçanta mbrojtëse përballë fatkeqësive natyrore dhe shpirtrave të këqij. Ajo stolisej në veçanti në fund të dhjetorit, pasi në këtë kohë vihej re zgjatja e orëve të ditës dhe kjo shënonte, në besimin e popujve në fjalë, mposhtjen e forcave negative të errësirës e të ftohtit dhe triumfin e dritës. Krishterimi e bëri të tijën edhe këtë traditë të hershme, por tashmë me një simbolikë të re.

Pema e Krishtlindjes do të simbolizonte gjelbërimin e Parajsës apo Kopshtit të Edenit. Përdorimi i pemës së Krishtlindjes nga të krishterët ka nisur në fillimin e shekullit të 17 në Strasburg, në Francë, për t’u përhapur në Gjermani, në Europën Veriore e Britaninë e Madhe dhe më pas në Amerikë. Sot shumë prej këtyre pemëve të Krishtlindjeve meritojnë të hyjnë edhe në Guinness.

Në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull në hollin e një hoteli u zbukurua pema më e shtrenjtë në botë. Në zbukurimet e saj përfshiheshin gurë të çmuar: nga smeraldet te diamantet, safirët dhe perlat, për një total prej 181 gurësh të çmuar me një vlerë prej 11 milionë dollarësh.

E dyta në klasifikimin e tyre qëndron bredhi i “Rockefeller Center” në Nju Jork, e zbukuruar me 12 mijë drita me një konsum të barabartë 1297 kw/h në ditë.

Entela Resuli -DITA

 

December 30, 2017 10:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*