Festë, ulet me 2 lek nafta, lulëzon ekonomia

May 16, 2016 19:03

Festë, ulet me 2 lek nafta, lulëzon ekonomia

Rënia e çmimit të karburantit me 2 lekë më poshtë nga sa ishte një muaj më parë, hapi një epokë të re besimi dhe shpresë anembanë Shqipërisë. Ndërkohë që rritja e moshës së pensionit, shtimi i deficitit buxhetor, ulja e eksporteve dhe një seri mosrealizimesh qeveritare patën krijuar përshtypjen se gjërat po shkojnë keq e më keq, ulja e çmimit të naftës dhe benzinës e vulosi një herë e mirë se shqetësimet dhe të këqijat i kemi hedhur përfundimisht pas krahëve dhe se Shqipëria qëndron krenare si superfuqi energjetike, kimike, industriale, turistike e bujqësore në Europë.

“Më në fund, kemi një provë të qartë se Shqipëria është rikthyer fuqishëm dhe më e fortë se kurrë”, tha modestisht ministri i Financave, “kjo ulje e karburanteve me plot 2 lekë litri, shënon kthimin triumfues jo vetëm të ekonomisë së shëndoshë dhe sistemit financiar të pathyeshëm, por edhe të supremacisë shqiptare në çdo drejtim. Kaluam ca kohë të vështira, por mënyra shqiptare e jetesës në fund mbizotëroi”.

Ndërsa lajmi mbi uljen e çmimit të karburanteve përfshiu rajonin, shqiptarët kudo shprehën çlirimin e madh që hallet e këtyre viteve u kapërcyen falë faktit që kushdo zotërues makine tani mund ta mbushë serbatorin plot me karburant. Nga ana tjetër, miliona njerëz konfirmuan se humori i tyre ndryshoi radikalisht, dhe vetë ajri u mbush me frymën e optimizmit të pamposhtur shqiptar.

“Na marrçin pleshtat; Shqipëria nuk mposhtet”, tha i papuni durrsak Kandil Vaji, 38 vjeç duke i hedhur një pagure 1.5 litërshe karburant papaqit të tij, ‘kisha një frikë se ekonomia do të mbetej në stanjacion dhe raporti mes borxhit publik dhe GDP-së do përkeqësohej. Por jo, Shqipëria marshon përpara dhe ky bidon është prova më e fortë”.

Ngjarja në fjalë nxiti parada dhe manifestime spontane në Tiranë dhe në rrethe, ku të pranishmit tundnin flamurin kombëtar të mallëngjyer e të përlotur. Sipas sondazheve, shqiptarët që më parë kishin shprehur shqetësim për të ardhmen, pushuan menjëherë së kursyeri para për një ditë të zezë, duke pohuar një besim 100% tek ekonomia pas uljes sezonale të çmimit të karburantit.

“Më bahet shumë qejfi”, tha 30 vjeçari i ngujuar nga Shkodra, Kreshnik Martini, “jam i bindun që po të kisha munsi me dal nga shpia, kisha me e ble edhe un naftën e lirë për me punu tokën, ba me pasë traktor. Lum si na!”

May 16, 2016 19:03
Komento

2 Komente

  1. Taku January 15, 20:48

    Shkamb buze Adriatikut jena, tash qe ra nafta me 2 lek. Sikur me ra dhe gjys leku buka, do mposhtim ameriken

    Reply to this comment
  2. Arben January 19, 11:07

    ME DUKET SE KENI GABUAR RUBRIKE, KY ARTIKULL ESHTE PER TEK HUMORI.

    HHAHAHHAHAHAHHAHAH

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*