Festivali folklorik “Anadrinia Jehon”

June 12, 2019 14:36

Festivali folklorik “Anadrinia Jehon”

Rahovec – maj 2019

Nga Fitim Çaushi

Festivalet folklorike janë forma të rëndësishme për politikat kulturore të shtetit. Në Kosovë organizohen 20 festivale folklorike në vit, mes të cilëve  edhe Festivali  Folklorik  “Anadrinia Jehon”, organizuar me shumë sukses nga Komuna e Rahovecit. Për 3 net, festivali shpalosi pjesë nga trashëgimia shpirtërore e popullit krijuar në shekuj. Ishte edicioni i 18-të i festivalit “Anadrinia Jehon”, fillimi i të cilit, nisi pas luftës për të nderuar dëshmorët e Atdheut, rënë për çlirimin nga zgjedha e pushtetit serb.

Rahoveci me rrethinat e tij, ka qenë nga zonat më luftarake kundër pushtuesit serb, mjafton të kujtojmë, se masakrat serbe në Krushë, eliminuan rreth 70% të  meshkujve  të fshatit, 106 persona u vranë dhe u masakruan në fshatin Pastasellë, në fshatin Dejnë, aty ku mbahet festivali u plagosën 96 veta dhe u vranë 12 prej tyre, shembull i panjohur në historinë botërore.

Në këngët e trimërisë janë përjetësuar edhe luftëtarët e luftës së fundit të Kosovës, emrat e Mensur Zyberajt, Feim e Bedrysh Gashit, Mizair Ismes, Esherefedin Kastratit, Milaim Krasniqit, Sakip Bellaqes, Arben Bytyci, Milaim Morina, Bekim Bytyci, Ramiz Krasniqi, Xhevdet Krasniq e Qmajl Bytyci, janë si karafilat e veçantë mes një buqete lulesh, me emra luftëtarësh e dëshmorësh të kohërave e krahinave të ndryshme të Kosovës: UÇK-ja u paska hije/ Po shkojm drejt Anadrinie/ E po nalem bash n’Drenoc/ Djemt e shqipes i dolën zot/ Nga kjo anë na vjen o i pari/ Feim Gashi shqipe mali/ Vjen Mensuri dhe Bedrushi/ Që i kanë zemrat porsi prushi/Din Kastrati lshon një za/ Ku të kam Tafil o vëlla/ Çomi t’fala atij Sakipit/ Merr me ne dhe Përparimin / Vjen mas tij dhe Milaimin/ Mizairi nga Rahaveci/ Dritë për jetë ai n’popull mbeti/ Janë dëshmorë të tokës nanë/ Nanë Kosova s’ju harron.

Brenda kësaj epike hisorike qëndron edhe kënga kushtuar Ukshin Hotit: “Per Kosovën trime, Ishe vizionar/ Ku je Ukshin Hoti, Shpresa jonë e gjallë/ Ti ia projektove, Rrugën Pavarsisë / Pena e Ukshin Hotit, Pushka e Baces Isë.”

Pikërisht në kujtim të heroizmit dhe qëndresës së banorëve të këtij komuniteti, qindra artistë dhe artiste popullore, instrumentistë dhe rapsodë, valltarë e këngëtarë, rikujton për çdo vit heroizmin dhe sakrificën e tyre, pavarësisht tensioneve të ndezura politike, që manifestohen në jetën e përditshme. Festivali i Rahovecit ka arritur të dëshmohet si një vlerë e vërtetë e trashëgimisë sonë kombëtare, e cila ka shtrirë dimensionet e tij në të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, nga shqiptarët e Shkupit, Malit të Zi, dhe nga diaspora e largët.

Artistët popullorë, si bartës të kësaj trashëgimie kulturore, përmes interpretimit dhe ekzekutimit të thesareve kulturorë, e kanë ruajtur të pastër dhe të paprekur autenticitetin e saj. si një unitet shpirtëror, kulturor dhe etnik, që ka trashëguar ky popull i lashtë brez pas brezi, edhe në periudhat historike, kur ekzistenca dhe vetëqenia e tij rrezikohej seriozisht.

Festivali filloi me tryezën shkencore, e cila u organizua për herë të parë, duke sjellë vlerësime dhe analiza ideoestetike të vlerave artistike të krijimtarisë shpirtërore të popullit. Në të kumtuan “Mjeshtri i Madh” Ermir Dizdari, nga Tirana, Prof. Dr. Leontina Gega Musai, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. Sami Pirja, inspektor në Ministrinë e Kulturës Kosovë, Dilaver Kryeziu-Etnokoreograf, Mr. Bedri Zyberaj, Prof. Dr. Sabaedin Cena, nga Univesiteti “Ukshin Hoti”, Prizren, i cili në kumtesën e tij “Luftëtarët dhe rapsodët e Rahovecit në udhë përshkrimet e Matia Murkos, hodhi poshtë me argumente, pretendimet e studiuesve serbë për  përvetësimin e kësaj  pasurie shpirtërore të popullit shqiptar.

Në festival morën pjesë 18-të ansamble dhe grupe folklorike, të cilët  me këngët dhe vallet, sollën historinë e lashtë të një populli të pamposhtur, tablonë e bukur të shpirtit njerëzor. Ata prezantuan lloje dhe gjini të krijimtarisë shpirtërore, nga ato me karakter pagan të besimeve popullore, e deri te baladat, këngët epike, këngët historike, vallet burimore, lojnat popullore zbavitëse e deri te pasuria materiale etnografike, siç janë veglat e vjetra të punës, instrumentet apo veglat muzikore tradicionale idiofonike, aerofonike, kordofonike dhe membrafonike.

Artistët e mbushën skenën me entuziazëm dhe emocione estetike. Mjedisi ofshëtinte nga meloditë e curleve, dajreve, çiftelive, sharkive, ciganave, bilbilve, fyejve, kavalleve, lahutave, zumareve, veçanërisht daulleve, lodrave dhe tupanave; një kumbim simfonik me elemente magjike.

Në skenë ngjiten Ansamblet folklorike “Dasma e Pozhoranit” nga Pozharani, “Tingujt e Vendlindjes”nga Stagova e Kaçanikut, Ansambli “Skampa”, Elbasan, Ansambli Folklorik i Obiliqit, Ansambli “Kemal Azizi” Viti, Grupi polifonik Kalivaç, Memaliaj, Ansambli Etnologjik “Katarina Josipi” Has, Ansambli “Ilirët” Lozanë, Zvicër, Ansambli “Shqiponja” Saraj Shkup, SHKA “Isa Boletini”, etj. të cilat përmes interpretimeve të arrira artistikisht,  ngjitën në skenë, rapsoditë, ritet e lashta të punës, të dasmës etj. Këto i dhanë festivalit karakterin burimor dhe ndjesinë e hershmërisë.

Artistët popullorë i prezantuan këto kështjella identiteti dhe qëndrese, si vlera shpirtërore që s’dihet nga ç’shekull vijnë. Ato rrëzëllojnë si xhevahiret e ndritshme kundër të cilave forcat antikombëtare u lëshuan me forcë për t’i asgjësuar, por ato u mbrojtën me heroizëm, duke trashëguar brez pas brezi si një blerim i përjetshëm: “Kosovë maj e jataganit/ Shkjaut ia trete rrufetë/ Njëqindvjet brez i gjerdanit/ Fyt më fyt me krajl e mbret/ Moj Kosovë e trimërisë/ Çelur si zambak mbi gurë/ Çʹnur ka ditʹ e Pavarsisë/ E lirʹshqipja mbi flamur.”

Artistët popullorë interpretuan me pasion dhe emocione, duke përcjellë një pjesë të atij solemniteti artistik të kombit shqiptar, të pasurisë së tij kulturore, elita shpirtërore e të cilit, i ka sjellë të bukura dhe origjinale nëpër shekuj, të pa paasgjësueshme para rrebesheve të kohërave. Pasuria e madhe folklorike, etnografike dhe etnologjike e këtij populli, si një unitet shpirtëror, krijuar nga zemrat, prezantuar me mjaft art dhe origjinalitet, edhe në këtë festival, flet qartë për autoktoninë e popullit në trojet e veta historike, për identitetin kulturor kombëtar të tij. Gjeneratat shqiptare  kanë zëvendësuar njëra-tjetrën, por kurrë s’kanë harruar të përcjellin, si një amanet historik, krijimtarinë dhe pasurinë artistike të shekujve.

Këngëtarët dhe valltarët ishin të ndërgjegjshëm për misionin e tyre artistik, sepse përmes artit të stërgjyshërve të tyre, shpalosën historinë e lavdishme dhe shpirtin e gjallë të popullit, transmetuan idealet patriotike dhe virtytet e larta njerëzore, evidentuan traditën e kultivuar historikisht dhe ndjenjat atdhetare dhe estetike. Është e njohur replika e Gjergj Fishtës me pushtetarët serb në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, kur Mllada Gjergjeviçi e Nikolla Pashiçi e mohuan Shqipërinë si komb, sepse “nuk kishte kulturë shpirtërore”. Fishta në atë kohë para shtroi deklaratën e famshme: “Ju garantoj me jetën time, se folklor ma të fortë se populli shqiptar në Europë, nuk ka.

Shoqëria Kulturore “Tingujt e Vendlindjes”, të Kaçanikut, e filloi programin me një hyrje spektakolare: dy zurle dhe dy daulle, krijuan atmosferë kushtrimi si të montonin një betejë të vërtetë. Heroikja në vallet e burrave ishte sunduese, në epiqendër të koncertit epizmi. Pastaj, programi folklorik vazhdon me valle mikse vajza­-djem. Valle e shtruar, plot elegancë, optimizëm, ngjyrime festive. Figurat koreografike plot ekspresivitet elegancë, siguri, mendim, i ndezi prush duartrokitjet e spektatorëve. Gjenerata e re e përcjell përjetësisht artin e popullit në brezat që vijnë.

Ansambli “Kemal Azizi” u prezantua si një ansambël kompakt, me talente artistike që emocionuan, krahas epikës, sikundër ka qenë jeta e popullit, u prezantuan edhe krijimet lirike, një lirizëm i thellë. Çifte valltarësh në kërcim, me figura koreografike elegante, me plastikë dekorative. Përmes valles dhe lëvizjeve një bashkëbisedim lirik, shpirtëror, shoqëruar vetëm me daulle dhe zumare.

Shoqëria Kulturore “Ilirët” e Lozanës në Zvicër, u paraqit në këtë festival me traditën  burimore, me një kompleks instrumental mjeshtëror, në të cilin kishin aktivizuar edhe fëmijë të moshës. Shumë të suksesshme ishin edhe këngëtaret, që me zërin e tyre lirik, elektrizuan spektatorët. Tepër emocionues ishte çifti i valltarëve të rinj, të cilët interpretuan me shumë mjeshtëri vallen lirike. Ishte për t’u admiruar puna e pasionuar dhe e përkushtuar e drejtuesit artistik Arben Bytyçi.

Një program me vlera të spikatura burimore, solli edhe Shoqëria Kulturore Artistike, “Dasma e Pozhoranit”, e cila u paraqit me ritualin e dasmës. Këngët e kangjegjit u pasuan me marrjen e nuses prej krushqve. Brenda këtij ceremoniali u interpretuan disa lojëra të vjetra popullore si “Loja e filxhanave”, “Sitja e miellit” , “Goditja e dhëndrit” etj. Në interval të këtyre lojërave vajzat këndonin: “Kaj moj çikë n’qosh t’avlis/ Ka met marr malli i shpis,/ Kaj moj çikë n’shami t’kuqe / Sot me çika nesër per nuse/ Kaj moj çik, kaj me za/ Se ti çik nuk bahesh ma.”

Interpretimi i bukur i grupit të vajzave, të cilat ishin përzgjedhur me një vokal muzikal të harmonishëm, krijoi emocione estetike, edhe për formën origjinale të sjelljes së këtij riti.

Në festival u paraqit edhe grupi polifonik i Kalivaçit Memaliaj me katër këngë të epikës historike dhe lirike. Meloditë polifonike ishin brenda strukturës popullore, të përzgjedhura për të prezantuar larminë e pasurisë folklorike të Labërisë. Ato sollën jehonën e kohërave, kur janë kënduar nga paraardhësit dhe me harmoninë brenda një isoje të shtruar, u sollën kënaqësi spektatorëve.

Me një pathos epiko-heroik tingëlluan këngët për heronjtë e kombit, nderimi për ta është pjesa më e ndritur e artit popullor shqiptar. Nëpër ato këngë e valle shpalosej jeta e pasur shpirtërore e popullit, formuar nëpër stuhitë e shqotat shekullore. Në festivalin folklorik burimor, “Anadrinia Jehon”, valltarët popullor dukej se ishin më lart artistikisht, ata i qëndronin besnikë shpirtit artistik të popullit. Në festival u përfaqësuan disa nga njësitë e koreografisë popullore shqiptare, të cilat dëshmuan edhe një herë për identitetin tonë kombëtar. Kërcimet si interpretime solistike dhe vallet tradicionale, si komponentë e pandarë e festave të ndryshme familjare e shoqërore për nga gjinia, formacionet, struktura dhe mënyra karakteristike e të interpretuarit, ishin një univers i pafund, plot elegancë, shije, finesë, gjallëri, bukuri dhe art. Ato vërshuan me origjinalitetin e tyre ardhur prej shekujve.

Në këto valle u evidentua artistikisht, ai unitet ideo-emocional që kërkonte krijimi artistik, si një sintezë veçorish e karakteristikash, që përbënin identitetin tonë kombëtar. Ky thesar i madh kulturor e shpirtëror krijoi atmosferë epike dhe një lirizëm flladitës. Valltarët e Prizrenit, Shkupit, Ramajës, Drenasit, Kaçanikut, Obiliqit, Elbasanit, etj. shpërthenin me temperament të zjarrtë, me lëvizje të ngrohta, me gjallërinë e ritmeve dhe dinamikën e përmbajtur, duke shprehur eposin e madh luftarak dhe ndjenjën e krenarisë së shqiptarit.

Ndërthurja e brezave gjatë vallëzimit, përcolli copëza nga ajo etnokulturë, që ka formuar konstitucionin shpirtëror të shqiptarit: si vallja e brezave, vallja e Deli Agushit, vallja epike e Kaçanikut, vallja e burrave të  Karshiakës, valle e nuses e Pozhoranit, vallja e Osman Takës, interpretuar nga artistët e Elbasanit, etj. Interpretime të bukura sollën në këtë festival edhe dyshja e valltarëve të Obiliqit. Kujtim Rama, valltari më i mirë, Reshat Krasnqi instrumentisti më i mirë, Lirika Hazizi – valltarja më e mirë, këngëtari më i mirë, Hysni Gashi, rapsodët më të mirë Salih Krasniqi, Gani Makatiu. Me veshjen më të kompletuar tradicionale erdhi SHKA Ramajë.

Në këtë festival, mosha rinore ishte pjesëmarrëse e gjeneratës së re në artin e stërgjyshërve të tyre. Përvetësimi i elementëve artistikë të kulturës popullore shqiptare nga brezi i ri, dëshmoi për vlerësimin e pasurisë kulturore të kombit, e cila po ruhet dhe përcillet nëpër breza, njëherësh dëshmon për pasionin e madh që kanë të rinjtë për t’u zhytur në vlerat e popullit.

Festivali folklorit “Anadrinia Jehon”  ka meritën jo vetëm se e gjallëron jetën kulturore të komunitetit, por edhe ta përcjellë bukur traditën folklorike shqiptare, me shpresën, se ai art nuk do të shuhet kurrë, sepse edhe të rinjtë ishin po aq të suksesshëm, sa edhe artistët e vjetër.

Një ndihmesë të madhe i dha Festivalit, kryetari i komunës, Smail Lafifi, i cili duke përshëndetur në hapjen e festivalit, theksoi: “E kemi detyrë ta mbrojmë kulturën e popullit.” Ndonëse me shumë vështirësi, për të organizuar festivale të tilla masive, organizatorët e tij, kanë meritën dhe kënaqësinë, sepse siguruan një organizim perfekt, çka jep besim se ky festival, kaq me vlera artistike, por edhe patriotike, do të organizohet me sukses edhe në vitet e ardhshme.

June 12, 2019 14:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*