Figura e këngëtarit Gaqo Çako

August 7, 2018 10:21

Figura e këngëtarit Gaqo Çako

Bardhyl Ermini

Iku prej nesh një këngëtar i madh por edhe një burrë po kaq i madh.

Shpesh më bën përshtypje kur nëpër intervista të ndryshme deri edhe personalitete të kulturës, artit, sportit, shkencës, deri edhe diplomacisë, kur ju duhet të bëjnë ndonjë lloj interpretimi të jetës apo psikologjisë që kanë përjetuar gjatë periudhës para viteve ‘90-të, në ato raste kur kanë qenë me shërbime shtetërore jashtë Shqipërisë, përdorin një lloj klisheja aspak dinjitoze.

Pyetje: Duke qenë jashtë shtetit, ju ka vajtur ndonjëherë në mendje zoti X për të mos u kthyer më në Shqipëri?

Përgjigje: Po! Por gjithmonë kam menduar se nëse nuk kthehem do të marr në qafë familjen, sepse kështu ajo do të vuante gjithë jetën.

Dakort! Ky është realiteti, këto intervista i kemi dëgjuar në ekranet televizive më të mëdhatë tonat. Ajo ishte një luftë e pështirë klasash që bëhej  artificialisht, thjeshtë për të mbajtur pushtetin pleqtë e curufjapsur e injorantë të asaj kohe, me të cilët Enveri kishte lidhur “kërthizë”: largimi i tyre ishte largimi i sigurt i tij.

Por që këta “pleq të curufjapsur” të të dërgonin jashtë shtetit, në atë kohë nuk ishte e thjeshtë. Pasi  paraprakisht kishe dhënë garanci të plotë, së pari politike, së dyti familjare, së treti personale e së fundi profesionale. Ishte pothuajse e sigurtë që nuk do të “arratiseshe”, siç quhej në atë kohë largimi i fshehtë e me dhunë nga vendi. Nëse ndodhte kjo pas asaj “site” ku kaloje, ishte çmenduri, e paimagjinueshme. E në fakt unë nuk kam dëgjuar raste të tilla.

Qysh nga viti 1972 e më mbrapa, sa unë, shokët apo brezi im i rinisë të viteve ‘70-të filluam të kuptojmë situata të tilla, nuk kam dëgjuar qoftë edhe një, një të vetëm, që të mund të kem nënkuptuar drejtpërsëdrejti ndonjë lloj rezerve apo ndonjë lloj “tronditje” nga ajo ç’ka personi që kishte dilte jashtë mund të mbante përbrenda. Karagjozllëqe, nga ato që flisnin për jetën e vështirë atje, për policinë, për grevat etj po! Biles nga një “i madh” që mbeti jashtë, kam qenë vetë prezent kur tallej me organizimin e jetës jashtë shtetit, sipas të cilit “me 200 (në mos gaboj këtë numër na prezantonte) firma personash mund te formoje një parti, të cilën mund ta quaje partia e lugës apo e fasuleve”, e përballë këtij “fakti qesharak e poshtërues për një popull” ne, i gjithë auditori shkuleshim gazit nga këto “idiotësi” që bënte shteti kapitalist për “ta përçarë e për ta pasur sa më të lehtë shfrytëzimin e proletariatit”. Por, edhe këtyre nuk ju a varnin shumë, përveçse propagandistëve të “rendit më të përparuar”, pasi njerëzit e zakonshëm as mund ta imagjinonin se mund të jetohej ndryshe nga se jetohej në atë kohë. Nga ta kuptonin apo ta shihnin, apo ta dëgjonin, kush ju a shpjegonte e rrëfente? E kjo ishte në masë, masë që përbënte 99.9 për qind të popullsisë (aq sa dilnin votimet).

Të kuptohemi, nuk po flas për përjashtime, apo për ata që ishin të dënuar me “heqje të lirisë”. Sidoqoftë përgjigja e pyetjes si më sipër, për një pjesë mbetet po ajo qe vendosa poshtë saj, “kisha frikë për familjen”. A mund të isha edhe unë “bashkëpronar” në këtë përgjigje? Ndofta, por më tepër nuk e di, pasi nuk kam qenë ndonjëherë jashtë e nuk mund të jap përgjigje për një pyetje të panjohur. Pa dyshim që shumica, këtë përgjigje e japin me naivitet e pa e menduar shumë dhe jo se kërkojnë të fshehin ndonjë gjë. Por një pjesë  këtë përgjigje e japin duke treguar me këtë rast një mungesë të theksuar karakteri, një “trimëri pas beteje”, një gjoja disidencë të fshehur ndaj regjimit, në fund të fundit një përpjekje reale për të maskuar servilizmin e atëhershëm ndaj regjimit dhe zbutjen e nofkës të qenësishme si “i privilegjuar”.

Ku dua te dal? Dy vite më parë gazetari e shkrimtari i talentuar zoti Albert Zholi, ka bërë një intervistë me të madhin këngëtar lirik jo vetëm shqiptar, të paharruarin Gaqo Çako, i cili dy ditë më parë nisi rrugën e tij për atje ku i takon, në qiell. Jam gjendur krejt i befasuar nga përgjigjja e pyetjes të më sipërme. Po e jap siç ajo është shkruar.

Pyetje: Kur shkoje jashtë shtetit dhe shikoje supermarkete të mbushura, makina luksoze dhe tregun tonë bosh çfarë mendoje?

Përgjigje: Nuk i kushtoja shumë vëmendje. Isha i dashuruar me atdheun tim, me vendin tim, me skenën e Tiranës. Sa shkoja dëshiroja të kthehesha në Tiranë, pasi këtu kam familjen, njerëzit, të afërmit, shokët, miqtë, ata që më njohin. Mua, kur largohem, më mungon Tirana njerëzit që më përshëndesin në rrugë, ata që takoj në çdo hap.

Çfarë përgjigje e mrekullueshme, çfarë dinjitet i jashtëzakonshëm, çfarë force shpirtërore dhe çfarë ndërgjegje e përgjegjësie e lartë para atdheut, familjes, shokëve e krejt qytetarëve! Sa lart e ka ngritur veten qytetari Gaqo Çako, i futur nën “kostumin” e këngëtarit me famë Gaqo Çako, duke i bashkuar të dy ata në një trup, në trupin e në shpirtin e një patrioti, atdheu i të cilit qëndron mbi çdo gjë e mbi cilindo. E jo vetëm kur ai, atdheu është i dashur për të gjithë e qiellin e vet e mbulon qetësia e bollëku, por edhe atëherë kur ai është i egër e i pa gdhendur, i zhveshur e i pangrënë. Nuk e besoj se mund të gjendet përgjigje më elokuente se kjo përgjigje e madhe e një burri të madh e të magjishëm si artist, që arrin e sfidon një pyetje tepër të mundimshme për ata që e kuptojnë se për çfarë pyeten dhe “shumë e pritshme” për disa matrapazë, në shkëmbim të një “disidence” të dhier (falje), që bashkë me veten shesin kaq lirë një jetë të tërë të kaluar si të gjithë, në të keq e në të mirë, me lodhje e me mundim.

Gjithçka ka sfiduar këngëtari i madh. Me pak fjalë, i ka bërë një gjyq të ta pamëshirshëm sistemit që kaloi: sistem që merrte lirinë e njerëzve por nuk ju a cenonte aspak atdheun brenda tyre, regjim që peshonte si plumb mbi psikologjinë e sidomos artistëve, por nuk filtronte dot mbi shpirtin e tyre të pastër, shtet që kërkonte të impononte edhe në botën e arsyes por që nuk diktonte dot mbi intelektin e atyre që e shihnin qartë të ardhmen.  Fjalët e këtij artisti, që sa herë ja dëgjon zërin aq herë të bën edhe më të mirë edhe më shqiptar, nuk mund të jenë tjetër përveçse fjalë të një njeriu që bëri një jetë të denjë dhe që e mbylli atë ashtu në fluturim drejt altarit të njerëzve që e mbajtën atdheun mbi shpatullat e tyre, duke i kënduar atij, ja ashtu qetë e me një “gjethe dafine” në buzë.

 

August 7, 2018 10:21
Komento

1 Koment

  1. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) August 9, 04:15

    Shpirt BRILANTI atdhetar- Gaqo CAKO-
    na le AMANET-Atdheun!
    Faleminderi i nderuari Bardhyl Emini,sa te lumte ajo mendie komanduar ate PENE te ARTE,qendisur me fjale Zemre ATDHETARE,Ate atdhetari te mirefillte, sic ishte Atristi-ARTISTEVE-Gaqo Cako i pavdekshem, Ai SHPIRTI me ndrerime,ne jete te jeteve..
    Te lumte per ciltersine dhe dinitetin e shprehieve te mendimit tend, per persona me karakter te Tille qe bejne te krenar.
    Eshte nje kronollogji e sakte e atij karakteri.
    Rofshin dhe e kujtofshin pasardhesit dhe dashamiresit e Ti.te kudo ndodhur-Atdheu mbi te GJITA-Gaqo CAKO!

    Toronto 08-08-2018 Pasuesi veteran bashkemoshatari
    Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D)
    Toronto08-08-2018 Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D.)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim