Figura madhore e Mitrush Kutelit

December 1, 2019 13:18

Figura madhore e Mitrush Kutelit

Prof. Nasho Jorgaqi

 

Hyrje në monografi

Në jetën e çdo letërsie, midis punëtorëve të fjalës dallohen mjeshtrit e fjalës. Mitrush Kuteli, mund të themi pa mëdyshje, u takon mjeshtrave të fjalës shqipe. Me forcën dhe bukurinë e kësaj fjale, ai ngriti tërë veprën tij artistike, duke u bërë një nga individualitetet më të shquara të letërsisë shqiptare. Një personalitet, ku qëndrojnë së bashku prozatori me poetin, përkthyesi me kritikun letrar, përralltari me folkloristin, publicisti me studiuesin e shkencave ekonomike e mbi të gjithë mjeshtri i tregimit.

Trashëgimia letrar e e Kutelit paraqitet e gjerë dhe e pasur, origjinale dhe përherë e freskët. Ajo është e gatuar me historinë dhe jetën e gjallë të popullit, sidomos me dertet e gazet e fshatarësisë, me frymën e një psikologjie e mendësie thjesht shqiptare, me indin dhe nervin e fjalës autentike shqiptare. Veçanërisht, proza i ngjan një rrëfimi të përmallshëm për vendlindjen dhe njerëzit e saj, për karakterin dhe virtytet e bashkatdhetarëve, për visaret e kombit.

Një brendi e këtillë i ka dhënë veprës së Kutelit fizionomi të theksuar kombëtare dhe frymëmarrje të gjerë popullore. Prej këndej janë përftuar dhe konceptet e tij letrare, që flasin për një ideal estetik të përparuar. Kemi një përputhje të harmonishme të lëndës së pasur jetësore, me qëndrimin ideoemocional të autorit dhe trajtën individuale të shprehjes artistike. Kjo e fundit, duke qenë se ka të bëjë me poetikën e krijimtarisë së tij, si një poetikë me rrënjë në letërsinë popullore, shënon padyshim një shkallë të re në progresin estetik të prozës sonë të traditës. Te ky moment, që lidhet me hopin artistik që bën prozajonë në vitet 30, duhet kërkuar merita dhe vendi që zë Kuteli në historinë e letërsisë shqiptare.

E vështruar në tërësinë e saj, trashëgimia letrare e M. Kutelit paraqitet, nga njëra anë, përsa i takon llojshmërisë, në disa dimensione, kurse, nga ana tjetër, në pikëpamje të brendisë, ajo është njëdimensionale, pasi, në pjesën më të madhe, rrok hapësira të së kaluarës. Natyrisht në vizionin e së kaluarës shkrimtari ynë, siç do la shohim, do të niset nga koha e vet e do t’u bëjë jehonë shqetësimeve dhe problemeve të saj. Kështu, Kuteli përfaqëson jo vetëm një këndvështrim dhe vokacion të ri, po dhe një dukuri ideoartistike që ka shpjegimet e saj. Studimet letrare, për ta gjitha këto ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre të plotë e të gjithëmbarshme. Ky autor, megjithë vlerat e spikatura, ka mbetur në periferi të njohjes dhe studimit shkencor. Një rrethanë e këtillë, natyrisht, e vështirëson dhe detyrën tonë për të paraqitur, analizuar dhe interpretuar jetën dhe individualitetin krijues të Mitrush Kutelit.

Jeta e Mitrush Kutelit, në pamjen e saj të jashtme, duket sikur ndoqi një rrugë të veçantë dhe u zhvillua disi mënjanë rrjedhave kryesore të historisë e të jetës bashkëkohore shqiptare. Nga kjo anë dallon nga jeta e shkrimtarëve të brezit të tij. Për afro çerek shekulli, Kuteli studioi dhe punoi larg atdheut, u aktivizua në shtypin antizogist të mërgimit, krijoi vepra letrare në frymën patriotike të Rilindjes, u bëri jehonë ideve demokratike të kohës, mbrojti dhe lartësoi kulturën dhe traditat shqiptare, mbështeti dhe

inkurajoi vlerat e shëndosha artistike bashkëkohore. Ai do të mbetej në pozitat e një shkrimtari atdhetar, demokrat e të një intelektuali iluminist. Një ecuri e tillë, natyrisht, do të reflektohej dhe në krijimtarinë e tij, do t’i jepte asaj një diagramë të valëzuar, por gjithsesi, ajo do të ruante tiparet e saj e do ta paraqiste Kutelin si një shkrimtar me individualitet të fortë artistik. Falë këtij individualiteti, ai dhe vepra sollën kontribute të rëndësishme në letërsinë tonë të traditës dhe objektivisht i shërbyen mbarëvajtjes dhe begatimit të artit dhe kulturës moderne shqiptare.

Mitrush Kuteli, që është pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos (të cilin ai e krijoi nga trajta e shkurtuar e emrit dhe mbiemrit të vjetër të familjes) u lind më 13 shtator 1907 në Pogradec. Në këtë qytet të vogël piktoresk, në mes pyjeve të gështenjave dhe ujërave të liqenit, ai do të kalonte fëmijërinë. Vendlindja i derdhi në shpirt që për së vogëli bukurinë e natyrës së saj të mrekullueshme, i foli në gjuhën e butë të trevës së vet, e mëkoi me këngë e zakone shqiptare, i rrëfeu histori të moçme. Pleqtë dhe plakat e mëhallës, gjyshja dhe nëna e mbi të gjitha, i ati, Pandi Pasko Kuteli, u bënë mësuesit e parë të shkrimtarit të ardhshëm. Babai, rrobaqepës shajaku e murator, bojaxhi e zograf, që jeta e detyroi të mërgonte sa e sa vjet në Rumani, mbeti për Mitrushin shëmbëlltyra e njeriut të ndershëm të punës dhe e shqiptarit atdhetar. Prej tij mësoi së pari të lexonte e të shkruante shqip, dëgjoi të flitej për lëvizjen patriotike e për N. Naçon. Në dyqanin e vogël, që i ati e hapi sapo u kthye në atdhe, duke u bërë ndërlidhës i patriotëve dhe përhapës i librave e gazetave shqip, djali i vogël i Kutelëve përjetoi atmosferën e lëvizjes kombëtare. Në këtë kohë do të shikonte të bastisej dyqani e të burgosej i ati nga pushtuesit. Në shtëpinë e Pandi Shqiptarit, si njihej ai në Pogradec, do të hynin e dilnin luftëtarë me zë, Dervish Hima e Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e Abdyl Ypi. Prej tyre do të dëgjonte, mes të tjerave, rrëfimet tronditëse për Gjokë Shqiptarin, këtë korrier trim të rilindasve, që vente e vinte nga Sofja e Bukureshti gjersa e vranë në pabesi agallarët e Trebinjës. Tërë vitet e fëmijërisë i kaluan nëpër Pogradecin dhe Mokrën e ndezur nga lufta për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut.

Më 1913 Mitrushi nisi mësimet në shkollën fillore të vendlindjes, një nga të parat shkolla shqipe. Të kësaj kohe janë Iibrat e parë në gjuhën amtare që i jep në dorë i ati, vepra të K. Kristoforidhi e S. Dinos, të Naimit e të Çajupit.

Ndërkaq në Pogradec në këto vite, 1913-191, me gjithë rrethanat e ndërlikuara politike dhe vështirësitë e prapambetjes, zhvillohej një jetë e gjallë shoqërore patriotike. Vepronin shoqata kulturore-sportive, jepeshin shfaqje teatrore, organizoheshin karnavale, nisi të botohej kalendari “Pogradeci”. Te ky i fundit, në kalendarin e vitit 1919, nxënësi i shkollës flllore Dhimitraq N. Pasko botoi dy vjershat e tij të para.

Në vjeshtën e trazuar të vitit 1919, Mitrushi kreu shkollën fillore. I ati, arsimdashës i flakët, desh që i biri i vetëm të ndiqte më tej mësimet, por mundësitë ekonomike nuk i kish. Prandaj, djali u detyrua të priste dy vjet derisa siguroi një bursë për në shkollën tregtare rumune të Selanikut. Në këtë qytet të njohur të Ballkanit, Mitrushi mësoi disa vjet, dhe ndonëse kish prirje të tjera dhe ndoqi një degë që s’e kish për zemër, u dallua si nxënës inteligjent, serioz e plot interesa. Përveç mësimeve ai u dha pas Ieximeve, u thellua më tej në gjuhët dhe përvetësoi rumanishten dhe greqishten. Ndërkohë merrej dhe me veprimtari të gjallë shoqërore patriotike, bëhet një nga themeluesit e drejtuesit e shoqërisë kulturore “Kostandin Kristoforidhi”, të krijuar nga nxënësit shqiptarë që mësonin në shkollat e Selanikut, Pikërisht, nga kjo kohë, fillon interesimi dhe shqetësimi i sinqertë i këtij të riu për ngjarjet politike që ndodhin në Shqipëri gjatë viteve 20. Kështu, ai do t’i përjetonte si fitoren ashtu dhe disfatën e Revolucionit Demokratike Qershorit, e pastaj do të ndiqte me ankth dramën e lojën tragjike që luhej në kurriz të popullit nga bejlerët me Zogun në krye. I prekur dhe i nxitur nga këto ngjarje tronditëse, Mitrushi i ri nisi të shkruajë vjersha e artikuj, të cilat i botoi në gazetën antizogiste “Shqipëria e re që dilte në Konstancë të Rumanisë. Ai merr pjesë drejtpërdrejt në fushatën e protestave që organizon shtypi jashtë Shqipërisë kundër pazarllëqeve të Zogut me Pashiqin për tokat shqiptare, dënon terrorin dhe diskriminimin që i bëhet popullit kosovar, koncensionet proitaliane të Zogut, dhunën e bejlerëve dhe veprimet arbitrare të njerëzve të regjimit.

Më 1928, pasi mbaron me lavdërime maturën e shkollës tregtare rumune të Selanikut, shkon në Bukuresht, ku hyn në Akademinë e Shkencave Ekonomike. Në Rumani djaloshi pogradecar nuk do të ndjehej dhe aq i huaj, jo vetëm se u gjend në një vend mikpritës e me zakone e psikologji të përafërt, por u gjend dhe në një nga kolonitë më të mëdha të mërgimit shqiptar, vatër e njohur për traditat patriot ike, trevë e rrahur dhe nga kurbetllinjtë e Pogradecit e të Korçës. Shqiptarët këtu nxirrnin gazeta e revista shqipe, botonin libra, kishin hapur shkolla dhe kurse në gjuhën amtare. Prej këndej kishin nisur rrugën e tyre një plejadë letrarësh me emër si M. Grameno, M. S. Gurra, I. M. Qafezezi etj. Në Bukuresht djaloshi do të njihej me poetin e shquar Asdrenin e do të takohej rishtaz me Lasgushin. Ai do të ndjehej krenar që disa nga personalitete të kulturës rumune si E. Gjika e V. Eftimiu, artistë e shkrimtarë të njohur, ishin me origjinë shqiptare. Rumania për vite me radhë, do të bëhej kështu për Mitrushin atdheu i tij i dytë.

Por prapë ai ishte i huaj në dhë të huaj. Studimet universitare i ndoqi në kushte të vështira ekonomike, duke bërë, siç thotë vetë, “jetë mansarde” e duke punuar ndërkohë edhe si llogaritar. Megjithatë, këto rrethana nuk e penguan këtë të ri të zellshëm e të etur për dije, të arrinte rezultate shumë të mira në studime dhe te aktivizohej në radhët e studentëve shqiptarë të Rumanisë. Për disa vjet, ai do të ishte sekretar dhe pastaj kryetar i shoqërisë së tyre. Ndërkaq, letërsia do të mbetej pasioni i tij kryesor, jo vetëm se do të vijonte të shkruante e të bashkëpunonte me shtypin shqiptar, po dhe do të studionte për t’u formuar e për të marrë kulturë letrare. Ai tani lexonte në disa gjuhë.

Studimet e larta ekonomike, të cilat i kryen më 1931, Mitrushi i vazhdon më tej dhe më 1934 merr titullin “Doktor i shkencave ekonomike” në fushën e çështjeve bankare-monetare. Tema që mbrojti i kushtohej sistemeve bankare të vendeve të Ballkanit.

Ç’do të bënte tani ky intelektual 24 vjeçar që kishte fituar një shkallë të lartë kualifikimi dhe e kish nisur mbarë rrugën e studimeve të mirëfillta ekonomike? Ai kish botuar katër studime të tilla, të cilat ishin mirëpritur dhe çmuar nga opinioni shkencor.

Kthimi në Shqipëri nuk ishte dhe aq i lehtë; nga një anë se s’kishte punë të siguruar dhe fushë veprimi të specialitetit të vet shkencor, dhe nga ana tjetër, ai ishte armiqësuar me qeveritarët e Tiranës. Shkrimet e tij letrare e publicistike kishin rënë në sy për fryrnën antizogiste e antifeudale, kurse studimet ekonomike dalloheshin për qëndrime të hapura kundër ndërhyrjeve të kapitaleve të huaja e sidomos atij itaftan. Këto zor se mund t’ia falte kush. Duke pasur parasysh diktatin fashist ndaj vendit të tij në këtë kohë, që po e kthente Shqipërinë në një koloni të vetën, Mitrushi në një letër dërguar Lasgush Poradecit, pohon me keqardhje të thellë se “Shqipëria… nuk është më jona “…

Në këto rrethana, doktori i ri i shkencave ekonomike vendosi të qëndrojë në Rumani. Këtu kish më shumë mundësi për t’iu kushtuar studimeve të veta. Nisi të punojë në një nga bankat e shumta të Bukureshtit. Më vonë, nevojat e jetës e detyruan ta linte kryeqytetin dhe të shërbente si nëpunës i kreditit nëpër minierat e Bukovinës, Çemovicës e gjetkë. Ishte ky një rast për të njohur nga afer realitetin e rëndë të kohës. Shfryëzimi i egër që u bëhej minatorëve, kushtet tepër të vështira të punës, mëria e tyre kundër shtypjes e padrejtësive të pronarëve kapitalistë e tronditën Mitrushin. Këtë realitet ai e përjetone dyfish, si shkrimtar e si ekonomist, prekej zemra e ndjeshme e artistit, revoltohej ndërgjegjja e qytetarit që nuk pajtohej me padrejtësinë dhe dallaveret e administratës. Atë e bënte të mendohej seriozisht fakti se si vepronte në jetën e këtij vendi, ashtu si në gjithë vendet e varfera të Ballkanit, kapitali i huaj dhe ç’rol robërues kishin bankat në këtë mes.

Një realitet i këtillë do ta shqetësonte dhe do ta shtynte të studionte me sy kritik gjendjen dhe problemet që dilnin prej saj. Ishin shqetësime këto të një studiuesi me koncepte demokratike, të cilat nuk do të mungojnë t’i shprehë në një varg veprash ekonomike. Vetëm brenda katër vjetëve, ai botoi katër libra me këto probleme, që tërhoqën vëmendjen e opinionit shoqëror, politik e shkencor.

Puna e ekonomistit, si specialist krediti dhe autor veprash të kësaj fushe ishin njëra anë e veprimtarisë së gjerë e të frytshme të Mitrushit në vitet ’30. Ana tjetër ishte letërsia. Në qoftë se me të parën përballonte jetën, me të dytën u përgjigjej prirjeve të brendshme shpirtërore dhe përpiqej të kontribuonte në mbarëvajtjen e letërsisë kombëtare. Do të vijonte të shkruante me përkushtim vepra të reja, rrëfime dhe vjersha, artikuj letrarë e kulturorë, studime. Proza do të bëhej fusha kryesore ku do të shfaqej në mënyrë të plotë individualiteti dhe origjinaliteti i’tij krijues. Më 1938 botoi në Kostancë përmbledhjen e parë me rrëfime “Netë shqiptare”. Në këtë kohë, ai tregohet një nga intelektualët e letrarët më aktivë të kolonisë shqiptare në Rumani. Nxjerr dhe drejton revista letrare, organizon fushatën dhe boton veprat poetike të L. Poradecit, bëhet frymëzues e drejtues i shoqatave të intelektualëve shqiptarë dhe i aksioneve kulturore, bashkëpunëtor i rregullt i shtypit etj. Veç kësaj Kuteli nuk qëndron mënjanë mjedisit vendës, rretheve shkencore, kulturore e letrare, përkundrazi punon e sjell kontribute konkrete që e bëjnë atë nga ndërlidhësit e parë të kulturës shqiptare me atë rumune. Krahas botimit të veprave ekonomike, e njeh opinionin vendas me proverba shqiptare (boton librin “Proverbi albanese”, 1933), mbledh folklorin rumun në Moldavi, boton artikuj për letërsinë shqipe, polemizon nga pozita shkencore në të mirë të kulturës sonë kombëtare (boton librin “Disa vërejtje kritike rreth libirit “Albanica”të zotit AntonBalota(1937) etj. Në këto punë ai tregon para opinionit të huaj njohje e përgatitje të gjithanshme, seriozitet e kompetencë.

Në kapërcyell të viteve 30-40, Kuteli, si shumë intelektualë të kohës, përjetoi ngjarjet dramatike që ndodhën në jetën e popujve të Ballkanit, pasojat e rënda të agresionit fashist. Flakët e luftës që përfshinë gjithë Europën e bënë Shqipërinë një nga viktimat e para, ndërsa Rumania monarkiste u gjend në koalicionin fashist. Kjo situatë ndërlikoi pozitën e Kutelit në vend të huaj, ku vepronin ligjet dhe detyrimet e vendosura nga diktatura fashiste e Antoneskut. Shkrimtari u detyrua të kalonte nëpër peripecitë e luftës e të rreziqeve, t’i vuante thellë këto e ta pësonte prej tyre derisa kthehet në fillim të vjeshtës së vitit 1942 në Shqipëri.

“Si u ktheva në atdhe, – shkruan Kuteli, – ku atë që e pata Nënë e gjeta varr fillova të shoh “lumturitë” që i kish sjellë këtij vendi zhurmë madhja perandori’. njerëz të varur në tregje, burgje, brenda dhe jashtë Shqipërisë me njerëzit tanë fusha përqendrimi dhe vdekjeje…” . Pas afro një çerek shekulli mërgimi, ai qëndron përfundimisht në atdhe. S’kishte pse të merrte më rrugët e botës. Populli vuante si kurrë ndonjëherë nën çizmen e pushtuesve të huaj, por dhe qëndresa antifashiste sa vinte e ngrihej. Kuteli i sapokthyer nga ndarja e gjatë, nuk e ka të lehtë të orientohet me situatën e krijuar në Shqipëri. Jo vetëm se i ka këputur prej vitesh në një masë të madhe lidhjet me jetën dhe problemet e shoqërisë shqiptare, por, duke qenë i lodhur nga reagimet e gjata, i goditur nga fatkeqësitë familjare, ai tërhiqet pas interesave dhe preokupacioneve intelektuale e letrare. Qëndron në vendlindje, çmallet me njerëzit dhe viset e fëmijërisë. Dëgjon me etje të pashuar, mban shënime e regjistron gjithë ç’i thonë e i rrëfejnë bashkëvendasit e tij, sidomos pleqtë. Me këto që dëgjon, nis shkruan rrëfime të reja përmbledhjen folklorike “Këngë britma nga qyteti i djegur” .

Pas disa muajsh, Kuteli fillon nga puna si ekonomist në shoqërinë private “SASTEB”, duke iu shmangur çdo detyre shtetërore, me mendimin se do të merrej lirisht me veprimtari letrare. Ishte kjo, ndoshta një mënyrë reagimi e mospajtimi me realitetin e rëndë bashkëkohor. Tërhiqet nga e kaluara plot ngjyra të forta, kridhet në botën e rrëfimeve. Një valë e fuqishme atdhedashurie e adhurimi për popullin e përfshin gjatë një udhëtimi që bën në Kosovë, prej të cilit lindi “Poemi kosovar”. Ndjen dhe njëherë forcën e qëndresës shqiptare ballë për ballë me rrebeshet e historisë, por prapë është disi larg realiteti, në një kohë kur qendra e gravitetit është gjetkë.

Një ngjarje e rëndë e tronditi jetën e shkrimtarit në shtator të vitit 1943: fashistët i vranë të atin dhe i dogjën shtëpinë në Pogradec. Me flakët e zjarrit u zhdukën mjaft dorëshkrime dhe biblioteka. Dhimbjen e thellë dhe urrjejten kundrejt perandorisë fashiste, këtij “Xhehnemi tëzi… “që i ndezi kjo gjëmë familjare, ai do t’i derdhte ato ditë në vargjet e “Poemit të Shëndaumit”.

Me kapitullimin e Italisë fashiste dhe me pushtimin e ri gjerman të vendit gjendja u rëndua dhe u ndërlikua. Por hovi i Luftës Nacionalçlirimtare u ngrit më lart. Rradhët e frontit antifashit u shtuan e u forcuan. Mitrush Kuteli, ndonëse objektivisht kish shumë arsye të lidhej me të, do të qëndronte jashtë tij, larg forcës së madhe politike të kohës, që i kish dalë për zot interesave të larta kombëtare. lluzionet e “neutralitetit” do ta bëjnë këtë intelektual të ruajë pozitën legale e të punojë me mjete legale. Punon si konsulent teknik pranë Bankës Kombëtare, pranë këtij institucioni, të cilin ai e kish urryer e goditur për vite me rradhë. Duke qëndruar benda kufijve tradicionale të jetës politike të kohës, brenda rrethit të interesave krijuese, Kuteli përcakton pozitën e vetë duke iu përkushtuar kryesisht punës letrare-kulturore.

Nga këto pozita Kuteli do të punojë nga vjeshta e vitit 1943 deri në tetor 1944, duke zhvilluar një veprimtari të gjerë letrare, edituese e studimore. Boton disa vëllime me rrëfime, me vjersha, me pamflete, me studime letrare, me folklor, bën përkthime dhe drejton “Revistën letrare “etj.

Jeta në kushtet e rënda të pushtimit nazist, do ta vënë shpejt dhe Kutelin para provash e situatash të vështira, që do t’ia hedhin poshtë iluzionet e “neutralitetit duke punuar në Bankën Kombëtare, ai do të shihte se gjermanët e grabitën gjithë arin e saj dhe, tok me shuma të mëdha kartëmonedhash, i dërguan në Gjermani. Ky ishte vetëm fillimi i një dëmi tjetër të pandreqshëm që po i bëhej popullit shqiptar. Autoritetet e pushtimit, ashtu siç kishin vepruar dhe në vendet e tjera të Ballkanit, përgatiteshin të nxirmin një monedhë të re. Për Kutelin ishte e qartë se në këtë mes zhvillohej një lojë djallëzore, ku mplekseshin dhe interesat e nëpunësve të lartë të bankave italiane, të mbetura në Shqipëri e që shpresonin në një zbarkim të forcave të huaja. Në këto rrethana shtrohej çështja e sabotimit të monedhës së re. Ky ishte një rast që Kuteli mund të tregonte edhe një herë atdhedashurinë e tij përmes një angazhimi e veprimi konkret, larg çdo qëndrimi soditës. Dhe vërtet, ai merr pjesë në aksionin që zhvillohet në labirinthet e Bankës, për sabotimin e nxjerrjes së emisionit të monedhës së re dhe e bën të pamundur shtypjen e saj. Pas këtij veprimi konsulenti teknik shqiptar u diktua dhe urdhërohet të arrestohet, po tamam në këtë kohë, duke qenë i lidhur me forcat e Frontin Nacionalçlirimtar, ai hidhet menjëherë në zonën e lirë partizane.

Ishte tetori i vitit 1944, kulmi i luftës, kur ushtria Nacionalçlirimtare i qe afruar kryeqytetit dhe kish nisur sulmin vendimtar për çlirimin e atdheut. Në këtë kohë, kishin dalë nga Tirana dhe qenë bashkuar me luftëtarët e lirisë dhe shkrimtarë e artistë të tjerë patriotë. M. Kuteli do të shkojë në mes partizanëve të Brigadës së Parë e të batalionit “Dajti”, në Surel e në Shkallën e Priskës. Këtu ai do të takohet dhe me shkrimtaërt S. Spase e N. Bulka, me artistët T. Tashko e K. Koço etj. Duke kujtuar më vonë këto ngjarje jo të zakonshme të jetës së tij, M. Kuteli do të shkruajë sinqerisht se e “kuptova gabimin tim më të madh: pse nuk isha hedhur me kohë në luftën partizane. Mua nuk më ndante asgjë nga kjo lëvizje. Kisha qenë gjithnjë njeri që rron me punën e tij. Veç kësaj, italianët më kishin vrarë babanë” . Por më mirë vonë se kurrë. Vonesa e stepja e tij e kishin burimin te drama e artistit të shkëputur nga ato ngjarje të mëdha e procese të reja që po ndodhnin në jetën e kombit. Tani shkrimtari demokrat ishte i vetëdijshëm se kish bërë zgjedhjen më të drejtë. Ishte në nderin e tij e të letërsisë sonë që ai po radhitej me forcat e Shqipërisë së lirë që po lindte.

Ditët që u formua Qeveria Demokratike në Berat, M. Kuteli u gjend atje. Ai ishte caktuar një nga tre nëpunësit e parë të Ministrisë së Financave, këshilltar për çështjet monetare.

Koha që kaloi në Beratin e çliruar do t’i linte mbresa të thella dhe këto shihen qartë nga shënimet lakonike te ditarit të tij. Ngjarjet historike do ta përtërijnë shpirtërisht shkrimtarin dhe ekonomistin demokrat. Koha që erdhi realizoi një nga ëndërrat e tij, për të cilën aq shumë ishte përpjekur: shtetëzoi Bankën Kombëtare dhe e ktheu atë në një institucion të vërtetë kombëtar. Ai do të bëhej një nga drejtuesit e saj dhe do të jepte ndihmën e vet prej specialist me përvojë për përgatitjen e ligjeve të para financiare që do të nxirrte pushteti i ri, si ato të tatimeve të lufitës, të vulosjes së monedhës së vjetër, apo do të mbante qëndrim të vendosur kundër parifikimit të monedhës sonë me monedhën jugosllave etj.

Por me gjithë punën e madhe e me përgjegjësi që përballonte si ekonomist, ai nuk do të linte pas dore punën fisnike të shkrimtarit. Jo vetëm vijon të krijojë vepra të reja, po merr pjesë gjallërisht në jetën letrare të vendit. Është ndër të parët që përshëndet dhe nënshkruan thirrjen për themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, zgjidhet në këshillin e saj dhe në redaksinë e revistës “Bota e re’\ bashkëpunon me shtypin (“Bashkimi”, “Jehona e Tiranës “, “Hosteni” etj).

Nga fundi i viteve 40, Mitrush Kuteli, pas një veprimtarie intensive në Bankën Kombëtare, ku i kundërvihet ekspansionit jugosllav, burgoset padrejtësisht dhe përjeton dramën më të rëndë të jetës së tij, me pasoja të hidhura veçanërisht në krijimtarinë letrare. Kur lirohet kalon si përkthyes, në fillim pranë gazetës “Zëri i Popullit”, e pastaj përfundimisht në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Për afro 15 vjet ai do t’i përkushtojë përkthimeve tërë aftësitë dhe energjitë e tij, përvojën krijuese dhe kulturën e pasur letrare e gjuhësore.

I dhënë në rradhë të parë pas përkthimeve, Kuteli gjatë këtyre viteve, sidomos dhjetë vjetët e fundit, do të vazhdojë të merret dhe me krijimtari letrare. Do të merret me rrëfimet, duke i përpunuar e pasuruar, po më shumë do të jepet pas prozës së gjatë, dhe fryt i kësaj është botimi i disa kapitujve të romanit, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme”, i pjesës së parë të një romani tjetër “Mërgim e kthim”. Në të njëjtën kohë, duke i qëndruar besnik prirjeve të brendshme, po dhe njohjes së gjithanshme të folkorit, ai i vihet punës për t’i ritreguar brezit të ri legjendat e baladat e popullit duke botuar vëllimet “Tregime të moçme shqiptare” dhe “Xinxifilloja”. Me këtë frymë autori shkruan dhe novelën përrallë “Netë me përralla në Fshatin e Qepëve”. Ndjeshmërinë poetike dhe përtëritjen e përhershme të artistit, Kuteli do ta tregojë dhe në vjershat e ndryshme që do të botojë kohë pas kohe e sidomos me poemën “Pylli i gështenjave”.

Me vepra gj ithnjë nëpër duar, me plane të aferta e të largëta, me një angazhim të vazhdueshëm krijues do t’i kalojnë shkrimtarit vitet. Por koha dhe puna sfilitëse e mjeshtrit të hollë të Qalës nuk mbetën pa pasoja për shëndetin e tij. Megjithë lodhjen dhe sëmundjet e herëpashershme, Kuteli nuk dinte të pushonte, Përkundrazi, mendonte që pasi të kryente romanin ilir, të shkruante trilogjinë “Njerëz nëpër jetë”, me temë nga vendlindja dhe të hartonte një histori të Bankës Kombëtare Shqiptare, si kështjellë e kapitalit italian, etj. Mirëpo puna kolosale që kish dashur të përballonte, mundimi fisnik i fjalës, betejat shumëvjeçare në tavolinë e kishin lodhur e rraskapitur. Duke gdhirë 4 maj i vitit 1967, disa maj para se të mbushte të 60-tat, zemra e shkrimtarit pushoi përgjithnjë.

Në njoftimin e kursyer që jepte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me këtë rast, thuhej, në mes të tjerash, se ai “me talentin dhe aftësitë e tij si shkrimtar e përkthyes, kontribuoi në prozën shqipe dhe në përkthimin e disa veprave të rëndësishme botërore të realizmit socialist. Shumë shkrime të Paraçlirmit dhe ato që krijoi pas Çlirimit përshkohen nga jryma popullore, nga dashuria për fjalën shqipe dhe per vendin. Me përkthime, ai ndihmoi për lëvrimin e gjuhës letrare dhe në pasurimin e kulturës sonë ” .

Në studimin e trashëgimisë të Mitrush Kutelit duhet mbajtur parasysh se veprimtaria e tij paraqitet jo vetëm poliedrike dhe me nivel të lartë artistik, por dhe si një fenomen letrar me dimension të dyfishtë historik. Duke pohuar këtë, duam të themi se Kuteli është shkrimtar i dy epokave, një dukuri kjo e njohur në letërsinë shqiptare. Por në qoftë se në letërsinë tonë të traditës shtrirja e krijimtarisë së një autori në epoka të ndryshme nxjerr para studjuesve disa probleme, ndonëse jo thelbësore, në letërsinë e re ky kalim, nga një epokë në tjetrën, përbën një proçes të ndërlikuar e të vështirë, që lidhet me botëkuptimin dhe metodën krijuese të shkimtarit. Është Çala për pasqyrimin dhe interpretimin e një realiteti të ri, për përvetësimin artistik dhe zbatimin krijues të parimeve të reja ideoartistike. Kuptohet se edhe procesi i integrimit të këtyre autorëve që vijnë në letërsinë e një kohe të re nga letërsia e traditës, nuk është i lehtë dhe i njëjtë për të gjithë. Një gjë e tillë varet e përcaktohet nga origjina e përkatësia klasore, nga formimi botëkuptimor, nga faktorë të ndryshëm jetësorë etj. Në rast se një shkrimtar i brezit të vjetër si H. Stërmilli, që mori pjesë aktive në Luftën Nacional-çlirimtare e shkroi një nga ditarët më autentikë të saj dhe bëri përpjekje të devotshme për t’u integruar në letërsinë re, por nuk arriti të përvetësojë metodën e kësaj letërsie, të tjerë si S. Spase arritën në përvetësimin artistik të reaiitetit nga pozita e ideologjisësëredhe krijuan veprate veta, kjo gjë nukndodhi me Mitrush Kutelin. Më gjithë pohimin e idealeve të reja dhe entuziazmin e sinqertë që i ngjalli përmbysja e bejlerëve, megjithë disa ndryshime ideore që pësoi botëkuptimi i tij, pa lënë anash ndonjë përpjekje për të hyrë në rrjedhat e letërsisë së re, procesi i integrimit ideo-artistik të Kutelit nuk u realizua. Thellë në shpirt, ai nuk u pajtua me realitetin politik të kohës. Gjithë sa krijoi e ripunoi në këto vite flasin për një zgjerim të diapazonit botëkuptimor, për një konceptim materialist të jetës e të historisë, për cilësi të reja artistike dhe emocionale. Por megjithatë, Kuteli mbeti një shkrimtar demokrat, një artist realist, një krijues i lidhur gjithnjë me gurrat shpirtërore të popullit. Vështruar kështu, trashëgimia e tij kryesore i takon letërsisë sonë të traditës, ndërsa pjesa tjetër, padyshim, bart kontribute të çmueshme që e pasurojnë dhe e rrisin figurën e Kutelit si shkrimtar.

Harku i veprimtarisë letraro-kulturore të Mitrush Kutelit ngrihet përmbi dyzet vjet të jetës dhe historisë shqiptare. E ndarë në dy etapa, ajo është pothuajse e barabartë nga pikëpamja kohore, po të kemi parasysh se etapa e parë nis nga mesi i viteve 20 dhe mbyllet në vitin 1944, ndërsa etapa e dytë fillon nga kjo kohë dhe përfundon në gjysmën e dytë të viteve 60. Por pavarësisht nga kjo ndarje, veprimtaria e tij duhet parë e analizuar në tërësinë e vet, si shprehje e pjellë e një personaliteti të fuqishëm artistik, si individualitet krijues i disa profileve. S’ka dyshim që Kuteli është, në radhë të parë, një tregimtar i shquar, me merita të veçanta në letërsinë tonë, por kjo nuk e ka penguar shkrimtarin që gjatë një etape në tjetrën të manifestojë dhe aftësi të tjeradhe të na zbulojë vlera të ndryshme. Kështu, në etapën e parë ai do të njihet më shumë si tregimtar e poet, kritik letrar e publicist, folkorist dhe editor, (pa harruar faktin se u njoh dhe si një ekonomist me emër), në etapën e dytë paraqitet si autor i prozës së gjatë, që synon drejt romanit, krijues i novelës, përrallës, ritreguesi dhe përpunuesi i legjendave e baladave popullore, përkthyes artist i dorës së parë.

Fillimet letrare të Mitrush Kutelit na çojnë në vitet e fëmijërisë e djalërisë së parë. Që atëherë do të shfaqet tek ai shpirti i ndjeshëm, natyra kureshtare, lidhja me mjedisin e bukur të vendlindjes, interesi për krijimtarinë popullore e, mbi të gjithajoshja pas fjalës shqipe. Ai do të mëkohet dhe rritet në këta vite me frymën e Rilindjes dhe me letërsinë e saj, me aspiratat dhe shqetësimet e popullit të thjeshtë.

“Bazën e vërtetë letrare, – kujton ai, – ma dhanë përrallat e nënës dhe të fqinjëve, folklori ynë i pasur që nisa të njoh në vogëli, librat e librarisë së vogël të babait: “Valët e detit” të Spiro Dines, librat e Naimit, “Baba Tomorri” i Çajupit, “Hi dhe shpuzë. Hriostomatia e Qiriazit etj. etj. Ipari Naimi më foli për dashurinë e gjuhës, të tokës, të malit shqiptar, mallëngjimi për Abaz Alinë. Ifalem Naimit”.

Kuteli nisi të shkruajë që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Vjershat e para, jo rastësisht, tërhoqën vëmendjen e mësuesve dhe dy prej tyre u botuan në kalendarin “Pogradeci” të vitit 1919. Këto ishin vjershat me frymë patriotike “Mëmës Shqipëri” dhe “‘Skëndërbeu”, të cilat redaksia e kalendarit i shoqëroi me një shënim ku, ndërmjet të tjerash thuhej: “Mirë thonë se molla nën mollë bie. Ati i këtij djaloshi-vjershëtor, që ka një moshë trembëdhjetë vjeç, është një nga të parët atdhetarë të qytetit. Ja, dhe i biri po qan me ngashërm fatn’e lig qëpati gjer më dje Shqipëria. ”

Ishte ky një fillimi mbarë që do t’i jepte zemër autorit tepër të ri dhe do ta lidhte përgj ithnjë me letërsinë. Në këta hapa të parë atë do ta ndihmonte dhe një rrethanë fatlume, njohja me poetin Lasgush Poradeci. Ai do të shoqërohej me të dhe do të mësonte prej tij. Për ditë me radhë, siç pohon Lasgushi, do t’i jepte “mësime vjershërie”, “si bëhen vjershat dhe strofat, si duhen zgjedhur jjalët hollësisht, për Viu afruar sa më tepër qëllimit të madh të artit të rëndë, objektitfinal të Poezisë”)

Lidhjet e djaloshit me letërsinë do të vijnë duke e forcuar, siç do të zgjerohen dhe interesat e tij për jetën e popullit. Kalimi nga Pogradeci në Selanik, studimet dhe mjedisi i mërgimtarëve, aktivizimi në rrethin e të rinjve shqiptarë në dhë të huaj, kontaktet që mban me njerëzit që vinin nga Shqipëria do të ndikojnë në formimin e mëtejshëm të Mitrushit. Ai do të jepet jo vetëm pas leximeve dhe do të zgjerojë pareshtur kulturën, por do të futet dhe në atmosferën e luftës politike që zhvillohej në atdhe. Politika u bë sfera më e ndjeshme e interesave të tij, sepse ajo kish të bënte me fatin e Shqipërisë, me idealet e shenjta të Rilindjes, me jetën e popullit. Për të gjitha këto në vendin e tij ishte ndezur një luftë e ashpër në mes patriotëve dhe bejlerëve. Populli kish filluar të zgjohej. Djaloshi i ndiqte ngjarjet me ankth dhe sa u gëzua kur fltoi Revoluçioni i Qershorit, aq u hidhërua e u zhgënjye, kur ai dështoi disa muaj më vonë. Këto mendime i shprehu në kryeartikullin “Shqipëria ideale”, që botoi në gazetën “Shqipëria e re”, më 27 dhjetor 1925. Është ky artikulli i parë politik, plot kritika e pakënaqësi, për detyrat e paplotësuara të Revolucionit, që u pasua nga artikuj të tjerë, të cilët denoiiconin rreptë Zogun dhe bejlerët si skllavërues të popullit dhe tregtarë të tokave shqiptare. Zëri i këtij të riu ngrihet me guxim në mbrojtje të interesave kombëtare, kundër pazarllëqevë dhe konçensioneve që u bëhen Serbisë dhe Italisë. Atij i qan zemra dhe revoltohet për vrasjen mizore të B. Currit e L. Gurakuqit.

Mitrushi i ri bëhet një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të guximshëm të gazetës “Shqipëria e re’\ duke shkruar në këto kohë të vështira, artikuj me tema të mprehta politike dhe ekonomike, plot patos luftarak, nga pozita antifeudale e antizogiste. Është ky patos që do të ushqejë dhe krijimet e tij letrare të mërgimit. Motivin patriotik të vjershave të para e zë tani tema politiko- shoqërore. Po në gazetën “Shqipëria e re”boton, gjatë vitit 1925, skica dhe vjersha si “Ujku mjergull pret”, “Pranë Shëndaumit” etj., të cilat i nënshkruanme emrin Dh. P. Pasko ose Mitrush Kuteli, ndryshe nga artikujt politikë që mbajnë zakonisht pseudonimin Ja¬nus. Në këtë tribunë të shtypit antizogist të mërgimit të viteve 20, poeti i ri do të botojë vjershën “Këngë” (28 nëntor 1926), një satirë therëse, e shkruar në stilin e poezisë popullore, me të cilën tallej e goditej pa mëshirë Republika e Ahmet Zogollit.

S’qenka kral, qenka çiflik

E të thenkan Rrjepublikë,

Tirana kryeqyteti President Sulltan Ahmeti Thonë se e zgjodhi mileti.

Një etapë e re nis në krijimtarinë e Kutelit, kur ai vendoset në Rumani. Vazhdon të bashkëpunojë me “Shqipërinë e re”, po dhe me organe të tjera të mërgimit. Tani ai ishte tërhequr veçanërisht pas prozës. Nga fundi i viteve 20, përveç ndonjë vjershe, shkruan kryesisht tregime, të cilat i quan rrëfime e rrëfenja. Të tilla janë “Më kot”, “Përtej valëve të kohës”, “Në vjeshtën e jetës”, “Belu” “Një natë kollozhegu” etj. Kritika letrare në shtypin kohës do t’i cilësojë këto krijime “të mjaftueshme për të shënuar lindjen e një tregimtari të vërtetë” , Lasgushi, aq i ndjeshëm ndaj fjalës shqipe, do ta çmojë lart stilin e prozatorit të ri, kur në një letër që i shkruan autorit vë re “tonin e përgjithshëm… rrjedhën ritmike të ndjenjave, nuancimin me shije të perjodave të ndryshme. ” Proza e Kutelit do të dallonte nga proza e rëndomtë, jo vetëm për temat e mprehta shoqërore e frymën e theksuar popullore, për notat e fuqishme antifeudale dhe pasqyrimin me dashuri e dhembje të jetës së fshatarësisë, por dhe për nivelin e lartë artistik, për gjuhën e pasur e sensin e hollë, për veçoritë origjinale që sillte në poetikën e prozës shqiptare. Edhe pse në shumicën e rrëfimeve evokoheshin kohë të kaluara, ndihen shqetësimet dhe probleme të aktualitetit bashëkohor, reflekse të ideve demokratike dhe të gjendjes shpirtërore të popullit e në radhë të parë të fshatarësisë. Jo rastësisht, një nga këto tregime, “Një natë kollozhegu”, u përkthye e u botua në revistën revolucionare bullgare “Kambana”të vitit 1929.

Një profil tjetër shfaqet në veprimtarinë e Kutelit në fund të viteve 20, ai i kritikut letrar. Duke filluar nga viti 1929, ai mban në gazetën “Shqipëria e re” rubrikën “Shënime letrare”, ku boton një varg artikujsh, reçensionesh, shënimesh dhe etydesh për autorë e vepra të letërisë shqiptare, për probleme të ndryshme letrare, për folklorin etj. Ato ishin një ndihmë për lexuesin e kohës, po dhe një kontribut në hapat e parë të kritikës sonë letrare. Ndërkaq, mbledh materiale dhe përgatitet të shkruajë një monografi të plotë për shkrimtarin rilindas Papa Kristo Negovani. Veç bashkëpunimit me shtypin shqiptar të Rumanisë (Gazetat “Kosova”, “Shkëndia” etj) ai nxjerr dhe drejton revistën “Ushtima”, organ i shoqërisë së studentëve shqiptarë. Kuteli bëhet inisiator i fushatës së ndihmës për botimin e vjershave të L. Poradecit. Me cilësitë e mbledhësit, studiuesit dhe editorit, ai boton dy përmbledhjet poetike M Vallja e yjeve “(1933) dhe ” Ylli i zemrës “(1937).

Në vitet 30, megjithëse u mor me veprimtari letrare, kohën më të mirë, siç pohon dhe vetë, ua kushton studimeve ekonomike. Për afro dhjetë vjet, ai slikroi dhe botoi, një varg librash e broshurash mbi probleme të rëndësishme bankare, monetare, agrare etj. dhe artikuj të kësaj natyre në revistat shkencore rumune “Analete economica si statistive “, “Tribuna financiare ” etj. Këto studime, ndonëse nuk kanë të bëjnë me letërsinë, janë jo vetëm pjesë e veprimtarisë dhe interesave intelektualfc të autorit, po dhe e kulturës dhe e meditimit ekonomik shqiptar aq të varler në atë periudhë historike. Ai është i pari studiues shqiptar që trajton probleme të fushës ekonomike, nga pozita e një studiuesi të vërtetë, duke qëndruar brenda kufij ve dhe nivelit shkencor të kohës. Që në krye, autori hyn me sukses në këtë fushë të vështirë: boton librin “Mendime mbi krizën bujqësore në Rumani” dhe fiton çmimin kombëtar të revistës “Curentul”. Pastaj boton në gjuhën shqipe “Tri probleme mbi Bankën Kombëtare të Shqipërisë” (1932), në të cilën zbulohen dhe goditen spekullimet bankare të kapitalit të huaj në vendin tonë. Libri u konfiskua në Shqipëri, po jehona në shtypin e jashtëm shqiptar, sidomos te “Liria kombëtare”, qe pozitive.

Kuteli angazhohet totalisht në studimin e problemeve ekonomike bankare: ndjek e vjel sistematikisht shtypin dhe librat e kësaj fushe, heton ngjarjet dhe përpiqet të hyjë në labirintet e botës së parasë, merr pjesë në polemikën që zhvillohet në mendimin ekonomik ballkanik dhe evropian. Fryt i këtyre hulumtimeve e studimeve janë librat gjatë gjithë viteve 30-të; “Huarat me forcë mbiqarkullimin e monedhës”{1933) “Bankat bujqësore të vendeve të Ballkanit” (1934), “Sistemet e bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit” (1935), “Kapitalet e huaja në bankat e vendeve të Ballkanit'(1936), “Krediti bujqësor në Rumani “(193 7), “Dhjetë leksione mbi monedhën” (1938), “Kriza e kontrollit në shoqëritë parashtetërore ” (193 8) etj.

Vështruar në vijat kryesore, pikëpamjet e autorit në këto vlera janë ato të një ekonomisti demokrat që mbron interesat kombëtare me prirje antiimperialiste, kundër ndërhyrjeve të kapitalit të huaj në Shqipëri e Ballkan, Në radhë të parë, ai i kundërvihet kapitalit italian dhe goditjen kryesore ua drejton bankave kombëtare, të vëna në shërbim të itneresave të huaja.. Veçanërisht autori merret me Bankën Kombëtare të Shqipërisë, të cilën, duke e cilësuar “kështjellë të kapitalit italian” , i drejton gjithë kritikat dhe argumentet e veta. Sipas tij, koncensionet e bëra ishin një akt kolonialist dhe Banka Kombëtare e Shqipërisë, në vend që ta zhvillonte ekonominë, e grabiste dhe e mbyste. Nga ana tjetër, disa nga këto vepra të Kutelit janë “punime qëpërmbajnë një ton kritik për politikën ekonomike e financiare të regjimit zogist.”

Sigurisht, trajtimi dhe zgjidhja e shumë problemeve të mprehta që shtronte Kuteli në studimet e veta, bëheshin në kuadrin e ekonomisë dhe shoqërisë së kohës, pa pretenduar për përmbysje e ndryshimeve të thella sociale. Ishte fjala për mbrojtjen e interesave të borgjezisë kombëtare vendase ndaj asaj të huaj. Për më tepër, veprimtaria e këtij ekonomisti demokrat qe e shkëputur nga lufta politike e kohës dhe studimet e tij, sado shërbime që sillnin në planin e kësaj lufte, qenë përpjekjet e një romantiku, siç pranon dhe vetë.

Megjithatë, librat e Kutelitbënëjehonë pozitive në shtypin e specializuar dhe në rrethet shkencore përparimtare të vendeve të Ballkanit (Rumani, Greqi, Kroaci etj). Autorin do ta çmonin për përgatitje serioze dhe argumentin shkencor, kulturën ekonomike, materialin e pasur dhe guximin qytetar. Por ato do të priteshin dhe me kritika të ashpra nga revistat ekonomike fashiste të Italisë si “Raseggna monetaria “, “Revista Bancaria ” etj.

Pothuajse gjatë viteve 30, Kuteli iu përkushtua studimeve bankare-fmanciare dhe megjithëse bashkëpunon me shtypin e mërgimit, si kritik letrar, ai nuk shihet të jetë më aktiv në veprimtarinë krijuese si më parë. Vetëm nga fundi i këtyre viteve, ai i kthehet seriozisht letërsisë, po kësaj here në disa rrethana dramatike, siç dëshmon vetë.

Shkrimtari i kish paguar haraç studiuesit, gjuhës dhe kulturës së huaj, jetës në mërgim. Erdhi një ditë që Kuteli ndjeu se po ndodhte e pamundura: “Po harroja shqipen!” – kujton ai më vonë. – Dendur e më dendur kuvendi dhe penda e shqipes po rëndohej fort e më fort…A ka dhimbje më të madhepër një njeri dhe vegan për një shkrimtar sesa ajo kur nuk mund të shprehë qartë në gjuhën e vetë ndjenjat e tij… Vdekja e një shkrimtari si shkrimtarfillon atëhere kurpushon të flasë me vetveten në gjuhën etij.J’

Këtë dramë të heshtur shkrimtari do ta përjetonte në dimrin e vitit 1937 në një qytet të huaj. lu ndez aq shumë malli për gjuhën e inëmës dhe për dheun shqiptar, sa u mbyll brenda në shtëpi për pesë jave më radhë. Hodhi tej librat në gjuhë të huaj dhe zuri të lexonte “vetëm libra shqipe, vetëm këngë shqipe e të flas vetëm shqip me vetveten. Atëhere Fjalori i Kristoforidhit, Bleta e Mitkos, Valët e Dines kanë mbetur ditë e netë të hapura në tryezë e në shtrat dhe të lëçitura e të rilëçitura ças për ças… iufala me mish e me shpirt mallit e fjalës shqipe” .

Në këto ditë ringjalljeje shpirtëriore e çmallitjeje me gjuhën, në këtë zgjim të fuqishëm të qenies së tij, do të buisin e shpërthenin kujtimet e vendlindjes e do të rridhnin vetiu rrëfimet, të cilat Kuteli do të vihej tfi shkruante. Kështu, rrëfimeve të para të botuara në shtyp, do t’u shtoheshin rrëfime të reja, duke përmbushur me këtë “njëpjesë të një dëshire djaloshare, kur ëndërroja, punoja e luftoja për vendin rim” . Ishte kjo përmbledhja e parë me rrëfime që autori e quajti “Netë shqiptare” dhe ia kushtoi “Nënës, për mallet dhe brengat e mërgimif dhe, megjithë pengesat që dolën, u përhap shpejt në kolonitë e shqiptarëve të Rumanisë dhe në Shqipëri. Në letërsinë shqiptare të kohës kjo vepër shënonte një ngjarje, jo vetëm se pasuronte prozën tonë, po i hapte rrugën njërit prej shkrimtarëve tanë të shquar. Edhe pse në rrëfimet e tij zotëronte evokimi i kohëve të kaluara, thelbi i tyre ishte një kundërvënie ideomocionale ndaj realitetit bashkëkohor shqiptar, “me nota kritike kundër shtypjes feudale”

Duke u kthyer në Shqipëri, në fillim të viteve 40, Mitrush Kuteli, sido që në rrethana të ndërlikuara politike e historike, jepet i tëri pas punës letrare. Ai, si dhe disa shkrimtarë të tjerë, fatin e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare, e shikonin të kërcënuar nga rreziqet e pushtimit dhe përjetonin pasojat dëmprurëse. Veçanërisht këtë e ndiente Kuteli i sapokthyer nga mërgimi i gjatë. Një situatë të tillë të vështirë e kontradiktore, ai do ta kalonte duke iu përkushtuar një pune të gjithanshme krijuese. Dhe, në fakt, brenda 2-3 vjetëve, ai do të shkruajë e botojë veprat e tij kryesore që i dhanë peshën dhe vlerat e një shkrimtari të shquar.

Krijimtaria e M. Kutelit në vitet 1943-1944 përfshin vepra pothuaj nga të gjitha fushat e letërsisë, tregime e skica, poema e poezi, pamflete e studime letare, folklor e përkthime. Ai boton radhazi librat “Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943), “Kapllan Aga i Shaban Shpatës. Rrëfime-rrëfenja” (1944) “Dashuria e barbarit Artan”, riboton MNetë shqiptare”(l 944), vëllimin me poema e vjersha “Sulm e lotë” (1944), librin “Shënime letrare” (1944), vëllimthi me pamflete “Havadan më havadan” (1944), përmbledhjen folklorike “Këngë e britma nga qyteti i djegur” (1944), vjershat e Nolit “Mail e brengë” (1944), tregime të përkthyera “Kapedan Gardani me shokë ” etj. etj.

Tërë veprimtaria letrare e Kutelit e kësaj kohe paraqet një pamje me kundërthënie. Shkruan një poemë kundër pushtuesve italianë (‘Toema e Shëndaumit”) kur vendin e tyre e kanë zënë pushtuesit gjermanë. Evokon nëpër rrëfime një të shkuar heroike, kur koha që ai jeton është plot heroizma të përditshme. Ngre lart poezinë liridashëse të Nolit dhe e njeh lexuesin shqiptar me këngëtarë të lirisë si Shevçenkojae Eminesku, ndërsangazëllehet dhe i këndon Kosovës si tokë e pamposhtur shqiptare, kur ajo është nën çizmen e huaj. Mbledh folklor në Pogradecin e djegur prej fashistëve, ndërsa jep gjykime në shtypin e kohës, sadoqë me qëndrim të rreptë kritik, për autorët që ndihmuan në pushtimin fashist të vendit, si Koliqi me shokë. Krijon letërsi nga pozita e një shkrimtari “neu¬tral” dhe, nga ana tjetër, pohon se letërsinë e vërtetë shqiptare do ta bëjnë “pushkët e djemve të malit” .

Një talent i fuqishëm me aftësi të shquara artistike dhe potencial jo të zakontë intelektual, një zë rebel, me kontraste e valëvitje mendimesh e iluzionesh; artisti që përjeton dramën e individit të vetmuar e nuk është i ndërgjegjshëm sa duhet për thelbin e kohës që jeton, ky është Kuteli i këtyre viteve, që punon e krijon dhe që në përpjekjet e tij ndihet dhe atdh-dashuria e sinqertë, dhe shqetësimi për vlerat e kombit, dhe afersia shpirtërore me popullin, dhe besimi i vagëlluar për të ardhmen e atdheut, dhe bindja se “ata që vijnëpas nesh…se vijnë shumë e të fortë, do ta çojnë letërsinë më përpara.

Pragu i çlirimit të atdheut u bë dhe pragu i kalimit të Kutelit nga pozitat e një ëndërruesi, në pozitat e popullit të kthyer në zot të fateve të veta. Pikërisht, në mes luftëtarëve të lirisë, në zonën e lirë partizane, ai do të frymëzohet e do të shkruajë poemën “Letra e fundit e një djaloshi partizan”. Ky do të ishte epilogu i krijimtarisë së tij në etapën e dytë. Fill pas Çlirimit, veç vjershave të tjera, do të shkruajë dhe romanin “Njerëz dhe ujq”, kushtuar vuajtjeve dhe qëndresës antifashiste të të internuarve në kampin e Prishtinës, si dhe dramën “Ura”me subjekt nga rindërtimi i vendit, vepra të cilat fatkeqësisht, humbën në kohën e burgimit.

Proçesi i krijimtarisë së Kutelit në vitet e mëvonshme të pas çlirimit do të zhvillohet në përshtatje me traditën letrare, me prirjet dhe formimin e tij artistik. Puna për një kohë të gjatë në fushën e përkthimeve do t’ia ngushtojë sferën e krijmtarisë origjinale. Vetëm më 1958 ai boton poemën për fëmijë “Pylli i gënjeshtrave”. Në letërsinë e të vegjëlve ai do të japë më pas vepra me vlerë, si librin me përralla të përpunuara “Xinxifilloja” (1961) dhe librin tjetër “Tregime të moçme shqitare”( 1965).

Natyrisht një shkrimtar i sprovuar e me një përvojë të pasur letrare, një mjeshtër i gjuhës si Kuteli, nuk do të kufizohej brenda caqeve të letësisë për femijë. Prandaj, pas shumë vjetëve, u kthehet rrëfimeve më të mira të viteve 1938-1944 dhe i ripunon. Reziqet e mundshme të ripunimit ai i kapëcen me sukses, sepse jo vetëm ruan vlerat e para, por këto i zgjeron e u jep cilësi të reja ideoartistike. Disa prej tyre do të fitojnë frymëmarrje më të gjerë ideore, taban jetësor më të shëndoshë, karakter më të thellë realist, pasurim të më mëtejshëm të mjeteve artistike e të cilësive narrative. Këto rrëfime, si “Vjeshta e Xheladin beut” “Më kot” ”Qetësi përparafërtyme” e të tjera do të botohen në vëllimin “Tregime të zgjedhura”.

Në vitet 60, që ai do ta quajë “periudhë e zjarrtë farkëtimesh”, në punën letrare të shkrimtarit tonë do të ndihet një gjallëri krijuese. Shkuan vjersha e poema, reportazhe, parathënie, artikuj, por pa iu larguar asnjëherë prozës, gjinisë së tij të preferuar. U kthehet rishtaz temave të së kaluarës dhe atyre folklorike nga pozita e një artisti të pjekur e me përvojë. Kalon në prozën e gjatë krijon, novelën-përrallë “Netë me përralla në Fshatin e Qepëve” (1964) dhe pjesën e parë të romanit “Mërgim”( 1965). Këto janë, si të thuash, fillimi i punës së tij në marginat e prozës së gjatë . Themi kështu, sepse pas një përgatitjeje disavjeçare, i hyn punës të shkruajë një roman me temë ilire. Shkruan kapitujt e parë dhe i boton në titullin “Në një cep të Ilirisë së poshtme”. Romani mbeti i pambaruar dhe vepra u botua e postueme në trajtën e dy novelave (1983).

Veprimtarinë më të gjerë, Mitrush Kuteli, në periudhën e Pasçlirimit, ashtu siç ndodhi dhe me Lasgush Poradecin, e zhvilloi në fushën e përkthimeve artistike. Për më se pesëmbëdhjetë vjet, ai ktheu në gjuhën shqipe përmbi gjashtëdhjetë vepra nga letërsia e përbotshme. Në këtë lëmë, ai vinte me përvojën dhe kontributin modest të disa përkthimeve që kish bërë nga letërsia rumune e, me shqipërimin e M. Emineskut (“Vjersha 1939). Puna që kreu më pas me përkthimet e fillimit nuk ka të krahasuar,qoftë nga volumi i jashtëzakonshëm i lëndës dhe nga shtrirja e gjeografisë letrare, qoftë dhe nga detyrat komplekse që iu desh të përballonte me përkthimin e disa kryeveprave botërore.

Në këtë vështrim, të gjithë veprat të përkthyera prej tij ranë në dorën e një mjeshtri. Duke qenë vetë artist shumë i talentuar, njohës i gjithanshëm i laboratorit krijues të shkimtarit dhe i vlerave ideo-emocionale të fjalës, zotërues dhe mjeshtër i gjuhës amtare, poliglot dhe erudit, me ndërgjegje të lartë pune dhe zell të madh,

Kuteli, me përkthimet e veta më të mira. kontibuoi për begatinë e kulturës së re shqiptare dhe kualifikimin e mëtejshëm estetik të gjuhës sonë. Në vargun e veprave që përktheu Kuteli duhet të veçojmë disa autorë klasikë, sidomos rusë e rumunë. Janë këta shkrimtarë, të cilët ai, jo vetëm i njihte mirë, por u përgjigjeshin natyrës, interesave dhe preferencave artisike. Vendin e parë e zunë Gogoli e Turgenievi, që i adhuronte nga vitet e rinisë dhe kishin luajtur rol në formimin e tij. Falë kësaj, shqipëroi “Shpirtrat e vdekur” dhe “Tregimet e Petërsburgut” të N. Gogolit dhe “Tregimet e një gjahtari” Turgenievit. Letërsinë klasike ruse e plotësoi më tej me vepra të M. Salltikov- Shçedrinit Ç’Zotërinjtë Golloviovë”, dhe “Përralla”), të A. Pushkinit (“Vajza e kapitenit”), Krillovit (“Fabula”), për të vijuar me klasikë të rinj si M. Gorki, (”Tregime të zgjedhura”, “Përrallat e Italisë”, “Armiqtë”) N. Ostrovski (“Si u kalit çeliku”), F. Glladkov (“Çimento”\ A. Tolstoi (“Rruga e mundimeve” e “Fëmijnia e Nikitësff), A. Fadajev (“Shpartallimi”) K.Paustovski, N. Virta etj.

Në raport me letërsinë rumune, M. Kuteli i kalon caqet e një përkthyesi, ai është një nga ndërlidhësit e ndërsjelltë në marrëdhëniet letrare në mes dy kulturave. Punën e nisur para lufte, duke dhënë në gjuhën rumune disa nga vlerat e kultures sonë, do ta çojë më tutje me përkthimet në shqip nga gjuha e këtij populli mik. Kështu, do të kemi prej tij shqipërime të reja nga poezia e Emineskut, vepra të M. Sadoveanit (“Mitra Kokor” e “Koria e mrekullive”), romane të Z. Stankut, te T. Popoviçit, të Rebreanit, tregime të Karaxhales etj.

Gjeografia letrare e veprave të huaja që solli në gjuhën shqipe M. Kuteli nuk do të ishte e plotë po të mos përmendim përkthimin e poezisë së P. Nerudës (“Zgjohu, druvar”), të P. Elyarit (” Vjersha të zgjedhura”), prozën e Lu Sinit (“Tregime të zgjedhura”) apo të tregimeve turke, persiane, arabe, mongole, polake etj, si dhe një bibliotekë me përralla të popujve të ndyshëm. Vargun e përkthimeve të veta ai i mbylli me “Reportazhin me litar në grykë” të J. Fuçikut.

Bilanci i pasur i veprave dhe niveli i lartë i shqipërimeve e bëjnë M. Kutelin një nga figurat qëndrore të shkollës shqiptare të përkthimit. Ai dha në këtë punë, sa të mundimshme aq edhe fisnike, gj ithë ç’i duhen një artisti të vërtetë. Në metodën dhe praktikën e përkthimit, shkrimtari-përkthyes u udhëhoq nga parime që i qëndronin besnik veprës, brendisë e frymës së saj, individualitetit të autorit, veçorive sti 1 istiko-gjuhësore. Përkthimet e Kutelit, në këtë kuptim, kanë kaluar nëpër një proçes pune rikrijuese për të përcjellë te lexuesi shqiptar sa më saktë e më bukur thelbin ideoemocional të veprës, thellësinë e mendimit e të ndjenjës, nuancat e ngjyrimet, hijeshinë e origjinalit. Veçanërisht, mjeshtëria e ridhënies me art të Kutelit shkëlqen në lëmin e prozës, ku bagazhi i pasur gjuhësor dhe vlerat e holla estetike të autorëve të huaj gjetën shpesh një ekuivalencë të përsosur në gjuhën shqipe. Kjo i bën dhe shqipërimet e tij pjesë të pandarë të kulturës sonë dhe shkollë për brezat e rinj të përkthyesve.

Duke i hedhur një vështrim përgjithësues rrugës së veprimtarisë letrare e kulturore të M. Kutelit, kuptohet qartë se ai u takon shkrimtarëve të letërsisë sonë që u bënë mjeshtër të fjalës shqipe dhe përmes saj krijuan vepra me frymë patriotike me shpirtin e popullit, me dashurinë për tokën dhe natyrën amtare, me krenarinë për njeriun shqiptar dhe historinë kombëtare.

Diku në shënimet e veta, Kuteli do ta përmbledhë me këto fjalë tërë thelbin e jetës së tij: 11 Unë kam dashuruar shumë, kam punuar shumë por ndërkaq nuk e fsheh se edhe ka gabuar. Dhe kur artisti e pohon këtë me sinqeritet të plotë dhe pas tij qëndron vepra, kjo tregon se këto fjalë s’janë shprehje retorike. Është vepra ajo që mbetet dhe e bën të nderohet emrin e Mitrush Kutelit, si talent të shquar i letrave shqipe dhe mjeshtër i hollë i fjalës.

December 1, 2019 13:18
Komento

1 Koment

  1. demo December 1, 19:21

    Shyqyr qe nuk u reformua,,Shyqyr qe nuk u INTEGRUA.
    Nuk u be synet ne tru.
    Ishte i huaj per Realizmin Socialist,por per ne ISHTE I JONI.
    Proza e Kutelit u be shkolle per rrefimtaret e talentuar Sotir Andoni,Naum Prifti
    Perkthimet e tij te koloseve ruse jane te paperseritshem.
    E duam sikunder qe.Te pareformueshem.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*