Figura të kulturës së Diasporës shqiptare: Ese për poetin arbëresh Jul Varibobë

June 17, 2018 12:46

Figura të kulturës së Diasporës shqiptare: Ese për poetin arbëresh Jul Varibobë

 

Prof. Nasho Jorgaqi

Ishte një rastësi e bukur, që në prag të 200-vjetorit të vdekjes së poetit arbëresh Jul Variboba u gjendëm në Mbusat, në vendlindjen e tij. Mbusati krenohet se i dha letërsisë arbëreshe të parin poet me frymëzim artistik, pararendësin dhe paralajmëruesin e poezisë së madhe të Rilindjes. Me veprën “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, ai krijoi një traditë të mirëfilltë artistike, që i hapi udhën lirës së De Radës e të Serembes.

Prandaj, kur vjen në Mbusat, nuk mund të mos i sjellësh nëpër mend këto e të mos emocionohesh kur ndjen se ke ardhur te burimet e hershme të poezisë arbëreshe.

Mbusati lartësohet mbi një kodrinë të bukur, që vështron nga deti Jon dhe fusha e Sibarit. Ka pak a shumë po atë pozicion që kanë Maqi i De Radës dhe Strigari i Serembes, nëpër të cilët do të kalosh para se të vish këtu. Gjithë këto anë janë treva të poezisë arbërore.

Vendlindja e Varibobës në vështrim të parë ngjan si gjithë katundet arbëreshe të Kalabrisë. I përmbledhur, me shtëpi të gurta, i përshkruar nga rrugica të kalldrëmta, me mure të moçme, me vreshta e ullishta të varura anash. Mbusati qëndron aty si ngulim arbëresh prej më se pesë shekujsh. Ruan gjuhën e zakonet, traditat, i mbetet besnik rrënjëve të veta në ditët e sotme. Në takimet me mbusatiotët, biseda e parë domosdo do të bëhet për Varibobën. Ata e dinë se për katundin e tyre askush s’është më i njohur në botën arbëreshe e përtej sa poeti. Mbusati dhe Variboba të kujtojnë kurdoherë njëri-tjetrin.

Në Mbusat, Variboba, megjithëse kanë kaluar 200 vjet nga koha që ka vdekur, vijon të mbetet i gjallë. Këtu i ka trojet e veta, ka farefisin, këtu ai jetoi dhe punoi për vite të tëra, këtu iu ndezën këngët që e bënë poet. Bashkëfshatarëve u vjen mirë të tregojnë shtëpinë ku lindi, kishën ku shërbeu, vendin dhe udhët aq të dashura…Kujtimi i poetit vazhdon t’u flasë brezave të rinj dhe kjo e rison traditën poetike të katundit.

Shtëpia afro treqind vjeçare ku lindi Variboba është ende në këmbë. Ajo i ngjan një kështjelle të vogël, nga e cila kanë mbetur muret anësore, ca mure të trashë qiklopikë, pjesërisht të rrënuara. Pjesa tjetër që i ka qëndruar kohës është një tunel, me harqe guri nëpër të cilin kalohet para se të ngjitësh shkallët e shtëpisë. Në gjysmëerrësirë,diku, varur në mur qëndron portreti i poetit, ku mbusatiotët i mbajnë vazhdimisht një dritë të ndezur. Nën këtë dritëz duket qartë fytyra e tij e gjerë, balli i madh, sytë e përvojtur, me një vështrim të përdëllyer, flokët e gjata. Para këtij portreti kanë kaluar sa e sa breza të Musatit. Ende kjo një shenjë nderimi që i kalon kufijtë fetarë.

Për të nderuar kujtimin e poetit kemi ardhur dhe ne këtu nga larg. Mbusatiotët e dinë këtë dhe i bëhet qejfi. Dëshira e tyre është të flasin e të tregojnë për bashkëfshatarin e vet të shquar. Para disa vjetëve, më 1984, ata kontribuan që të botohet e tërë vepra e poetit, të dalë në dritë gjithë bukuria e origjinaliteti i saj. Këtë detyrë e kreu më së miri studiuesi arbëresh, prof. Italo.K.Fortino, me një botim serioz, ku përveç transkriptimit dhe përkthimit italisht, e pajisi librin me të dhëna të pasura shkencore dhe me një studim të gjerë e plot vlera. Ky botim e paraqet tani denjësisht poetin. Por megjithatë, jo gjithçka lidhet që lidhet me Varibobën mund të përfshihet në faqet e një libri. Libri më i plotë e më i gjerë i tij është në një farë mënyre vetë vendlindja, tradita që ruhet atje, kujtesa e pamort e popullit.

Dhe këtë e ndjen sapo nis të kuvendosh me mbusatiotët, sidomos me pleqtë. Koha e gjatë, ka hedhur mjegull në jetën e poetit dhe vet figura e tij është kthyer disi në legjendë. Jeta që ai kaloi këtu s’ka qenë e rrafshtë dhe e qetë, po plot peripecira, me ngjarje dhe konflikte jo të zakonta, sepse e pazakontë ka qenë dhe natyra e tij. Tepër i ndjeshëm dhe nganjëherë me fantazi të çartur, ai padashur, krijonte situate nga më të çuditshmet që mbahen mend dhe sot në katund. Pleqtë na rrëfyen se Juli kishte qenë djali i vetëm i një familjeje të thjeshtë dhe gjithë dëshira e prindërve paskish qenë ta martonin të birin sa më parë, në mënyrë që ta bënin prift. Priftëria ishte një pozitë e nderuar dhe e privilegjuar për kohën. Dhe Juli ndoqi për këtë kolegjin e njohur arbëresh të Shën-Benediktit, ku në një nga dokumentet e tij cilësohet si nxënës “me kujtesë të jashtëzakonshme, talent të shkallës së lartë dhe dlirësi të madhe shpirtërore.” Pasi mbaroi kolegjin prindërit, sipas gojëdhënës, e çuan të birin në Napoli për të gjetur nuse dhe ai shkoi e u kthye prej andej i gëzuar, sepse kish gjetur një nuse të bukur! Ditën që ishte caktuar dasma, djali u vesh dhëndër dhe tok me dasmorët doli të priste nusen. Por për habinë e të gjithëve, në karrocën që erdhi nga Napoli, në vend të nuses qëndronte një shtatore e Shën-Marisë. Juli vështronte i gëzuar dhe, sikur të mos mjaftonte kjo që kishte bërë, i afrohet shtatores dhe i vë në gisht unazën e martesës. Ishte kjo një fandaksje e Julit të ri që s’kish ndodhur e s’do të ndodhte kurrë në katund dhe që do të mbahej mend përgjithnjë. Kleri sigurisht do të nxirrte përfundime nga kjo ngjarje, por prindërit nga kjo ditë e humbën të birin. Djali iu kushtua i tëri rrugës së priftërisë dhe disa vjet shërbeu në kishën e Mbusatit. Në këto vite jeta e poetit ngatërrohet prapë, thonë sikur ai i qenkësh shmangur asketizmit të parë dhe këtë e përflet një gojëdhënë tjetër. Sipas tij, Juli paskësh krijuar në katund një shoqëri vajzash me emrin e zonjës së shenjtë që merrej me edukimin e tyre fetar.

Mirëpo s’kaloi shumë kohë dhe gjuhët e këqija përhapën fjalë se prifti paskësh fjetur me një nga vajzat. Fjalët e hapura u kthyen në skandal dhe nga kjo ngjarje, tok me konfliktin serioz që ai pati me bashkëfshatarët, të cilët donte t’i kthente nga riti ortodoks në atë katolik, e detyruan priftin ta braktisë njëherë e përgjithmonë Mbusatin. Ai shkoi në Romë dhe tërë jetën e kaloi në kuvendin e një urdhëri fetar. Në vetminë e kuvendit e të një jete të plotë askete. Dhe jo vetëm nuk do të harronte se ishte arbëresh por dhe do të shkruante në këtë gjuhë. Ishte koha kur letërsia arbëreshe s’e kishte treguar akoma veten e saj. Disa përpjekje që bëheshin nëpër ngulimet e Kalabrisë e të Siçilisë qenë të rralla e të pandiera. Nuk dihet se sa i njihte Juli këto. Po fakti është se ai nis e këndon arbërisht, shkruan këngë të ndryshme fetare në traditën e këngëve të vendlindjes.

Kështu lindën një varg vjershash, të gjata e të shkurtëra, me një lidhje të përbashkët tematike. Poeti-prift i shekullit të 18-të i kishte të përcaktuara kufijtë e frymëzimit dhe të këngës së tij. Ai do t’u këndonte kryesisht figurave tradicionale të letërsisë fetare, Shën Marisë dhe Krishtit, po dhe shenjtorëve të tjerë, të cilët përbënin e përmbushnin jetën e tij shpirtërore e intelektuale. Në këto kushte u krijua vepra poetike “Gjellët e Shën Marisë së Virgjër” botuar në vitin 1762, e cila hynte në historinë e letërsisë sonë si një ogur i mirë, sepse i hapte udhën fjalës artistike e shqipe. Dhe kjo kish rëndësi të madhe, pasi gati gjithë prodhimi letrar shqiptar i botuar deri në atë kohë kishte karakter fetar e didaskalik. Vështirë se mund të gjeje në to cilësi artistike dhe vlera estetike. Argumenti thjesht fetar e didaskalik, paraqitja e thatë e lëndës, anemia dhe format e ngushta të shprehjes, i bënte ato të mos kishin asgjë të përbashkët me artin e vërtetë të fjalës. Variboba do të ishte i pari që do të botonte një vepër të plotë letrare, e cila ndonëse kishte lëndë dhe frymë thellësisht fetare, prapëseprapë do të manifestonte tipare artistike. Kjo veçanti do ta dallonte në rrjedhat e letërsisë tonë. Në Mbusat kemi ardhur me poetin arbëresh Viçenso Belmonte. Ai e njeh mirë letërsinë, e njeh mirë dhe poezinë e Varibobës.

“-Këtë poezi mund ta kuptosh më mirë se kudo këtu, -thotë ai si i menduar.-Ajo vërtet ndjek një traditë të krijuar nga letërsia fetare e kohës, por, në një pikëpamje, deri diku, është edhe një shmangie prej saj. Dhe kjo lidhet me origjinën arbëreshe të autorit, me traditën e poezisë popullore që e ushqen atë nga vegjëlia, me mbresat dhe kujtimet e paharruara të Mbusatit.”

Nga bisedat me vendasit marrim vesh se Mbusati ishte i njohur në këto anë për folklorin e pasur që ruhet dhe në ditët tona. Kur lexon veprat e Varibobës ndien se autori ndjek një brazdë të lëvruar nga poezia popullore e fshatit. Edhe pse është ushqyer e formuar në shkolla dhe mjedise të huaja, edhe pse tek ai zotërojnë idetë fetare, edhe pse frymëzimi në pjesën më të madhe diktohet nga këto bindje, ai ka përçuar dhe përfshirë në vepër botën fshatare arbëreshe. Prandaj, poezia tingëllon jo vetëm e gjallë e jetësore, por dhe origjinale, me një vokacion krejt të vetin. Ndjeshmëria e lartë dhe natyra e çiltër, ndjenja e jetës kanë bërë të mos i përmbahet gjithnjë shtampës tradicionale dhe të nxjerrë në dritë një krijim të freskët e të këndshëm, që të josh e të imponohet. Dhe kjo i jep meritën Varibobës, si autor i të parës vepër të plotë poetike që i shtroi rrugën artit shqiptar të fjalës.

Tema dhe motivet që Variboba trajton te “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër” nuk janë të reja, përkundrazi janë aq të rrahur, sa nuk i sjellin ndonjë vlerë të veçantë veprës. Para tij, letërsia fetare kishte krijuar një mal me libra të tillë. Kënga e poetit tonë në pjesët më të mira paraqitet disi e ndryshme. Vërtet u këndon sinqerisht figurave fetare, ritregon episode të njohura, shpreh bindjet dhe ndjenjat e veta kristiane, por në botën poetike të krijuar prej tij, ndihet njeriu i kësaj toke, janë gazet e dertet e nënës dhe të njerëzve të zakonshëm që s’kanë asgjë qiellore. Poeti dashur padashur i ka humanizuar këta, sa në disa raste harron që po lexon një vepër me subjekt fetar. Vendin e frymës mistike, e ka zënë fryma realiste, një realizëm fshatarak që buron nga jeta e përditshme.

Bisedojmë për këtë me Vincensin. Ai dhe vetë është poet dhe i kupton mirë problemet e proçesit e të psikologjisë së krijimit.

-Është e vërtetë,-thotë Vincensi,-kjo që thonë studiuesit e Varibobës. Te “Gjella…” nuk gjejmë botën biblike, por botën fshatare, katundin arbëresh. Shën Maria e tij s’është mëmë e shenjtë, po një grua e rëndomtë arbëreshe. Krishti është fëmija e katundeve tona. Po kështu dhe barinjtë e Betlemit janë barinjtë tanë. Poeti ka future dhe jetën zakonore arbëreshe, psikologjinë dhe atmosferën plot kolorit të këtyre anëve, deri dhe ndonjë toponim Mbusati ka gjetur vend në vargjet e tij.

“Dikush nga mbusatiotët që na shoqëronin tek shëtisim nëpër katund dhe merr në pjesë në bisedë, shton:

-Ninullat dhe vajet e Julit janë paraç (njësoj) me atë të folklorit të katundit tonë. Kështu këndojnë dhe vajtojnë nënat tona dhe sot: “Oj, biri im oj, malli im, oj jeta ime…Oj parajsë, oj drita ime” ose kur dhembja është e madhe thuhet “Atëherë qajti sa gurët ndajti…” Zonjës Mari i këndon siç i këndon arbëreshi vashës “Më e bukura kopile që nguqën (skuqesh) si trëndafile”. Dhe pjesë të “Gjellës…” janë bërë aq popullore, sa jo të gjithë e dinë se ato janë të Julit. Në të kremtet e katundit do të dëgjosh e si këndojnë “Kalimerën e Pashkëve” e “Kënga e Shëngjergjit” apo në raste të tjera dhe “Vajtimin e Shën-Marisë”. Ka që mbajnë mend përmendësh pjesën që fillon me fjalët “Ban ca kuç, ban nino”.

Fjala vjen pastaj për humorin e Varibobës, për situatat e këndshme dhe naive që ai krijon, për atë thjeshtësi e çiltërsi krejt të vetvetishmeqë rrezatojnë vargjet e tij.

Nuk mund të mos të shkojë mendja në këtë rast dhe të thuash disa gjykime të goditura të shijuesit të hollë të letërsisë sonë, gjuhëtarit Kostaq Cipo, i cili diku ka shkruar se “Kurorat e bukura me të cilat Variboba thurr këngën e shiqitizës janë asosh që nuk do të fishken kurrë, nderojnë dhe zbukurojnë edhe një literaturë më të pasur. Në këtë poemë Variboba është regjur me të vërtetë artist. Që të na mbushet mendja për sa themi, mjafton të këndojmë atë copë të poemës që ka në krye titullin “Ban kuçe, ban nino…” Vargu është i ëmbël, i butë, topolak, ulet e ngrihet bashkë me zërin e Shën Mërisë, kolovitet ëmbël në djepin e foshnjes.”

Adhuruesit e poetit i dinë përmendësh rradhët e dy kushtesave me të cilat hapet libri. Të kthyera në gjuhën letrare ato dhe në ditët tona tingëllojnë të bukura:

“Mos fillo tani, -i drejtohet lexuesit autori,-të qeshësh duke thënë se edhe gjuhës arbëreshit do të hyjë në qiell e do të nisë dhe ajo këngën e saj. Besomë! Nuk është as kryelartësi, as mburrje ose trill…E dëgjove tani si është puna? Ti lexoje: je besimtar dhe të pëlqen rima, mësoje përmendësh dhe lutju Shën Mërisë dhe për mua. Në se nuk të pëlqen bëj një flakë të bukur dhe digje se ashtu ti të paktën ngroh duart. Të falem.”

Letërsia arbëreshe deri atëherë nuk kishte folur me këtë gjuhë. Gjuha e saj kishte qenë gjuha kanonike e letërsisë kishtare. Jul Variboba po fillonte të fliste e të këndonte pak ndryshe. Kjo ishte një shenjë që në trupin e letërsisë sonë po lidhej një ind i ri, indi i artit të mirëfilltë të fjalës. Fjala po niste të çlirohej nga didaktizmi dhe misticizmi fetar.

Në Mbusat ne kishim ardhur një ditë vjeshte në prag të 200-vjetorit të vdekjes së Varibobës. Në kohën ku po ndaheshim, se si na u kujtua që nga rrugët e Tiranës mban prej shumë vitesh emrin e poetit. Ua themi mbusatiotëve këtë dhe këto fjalë padashur marrin një tingëllim të veçantë nderimi. Atëherë një nga vendasit i prekur hidhet e thotë:

-Pse nuk thoni atëherë se Juli ynë qenka gjallë dhe pas 200-vjetësh. Përderisa një rrugë në zemrën e Shqipërisë thirret me emrin e tij. Kjo do të thotë se ai nuk ka vdekur!

 

 

June 17, 2018 12:46
Komento

2 Komente

  1. Respekt si gjithmon i Madhi i nderuari Profesor /Shkrimtare /Dijetari z.Nasho Jorgaqi June 17, 13:17

    Na gezon ky fakte ,
    qe Shqiperia ka akoma njerez te shquar e patriote ,
    qe perkedhelin me shpirtin e tyre gjakun e te pareve
    duke i ndezur pishtaret e ndricimit ,mbajtur gjalle zjarrin
    e tradites ,kultures se Letersise Kombit tone .

    Flm.Patriote i vertete …

    Reply to this comment
  2. herilg June 18, 09:45

    Zoti Nasho,

    Po ju shkruaj keto rreshta me shpresen se do ti lexoni ju dhe lexues te tjere.

    Nuk dua te ve aspak ne dyshim formimin tuaj te shkelqyer dhe penen tuaj te arte. Ju lexoj me endje dhe kam shume respekt per ju.

    Por nuk dua te anashkaloj faktin qe edhe ju si shumica e gazetareve dhe njerezeve te kulturuar ne Shqiperi beni gabime gramatikore ne dukje te vogla(ndofta edhe lapsuse) por qe kur keto gabime perseriten rendomte ne shumicen e shkrimeve nga gazetaret tane, atehere keto nuk konsiderohen me lapsuse.

    Konkretisht:
    “Mbusatiotët e dinë këtë dhe i bëhet qejfi.” Ne gjuhen shqipe duhet thene: – Mbusatiotet e dine kete dhe u behet qejfi.

    Faleminderit per mirekuptimin

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*