Fiks Fare: Për 500 mijë lekë prokurori nuk heton grabitjen 100 milionë

October 24, 2018 09:31

Fiks Fare: Për 500 mijë lekë prokurori nuk heton grabitjen 100 milionë

 

Fiks fare denoncoi veprimet e një prokurori, i cili është përmendur nga një përgjim për një ryshfet prej 500 mijë lekësh, që të mos hetonte organizatoren e një grabitje. Dhe, pas muajsh të tërë hetimesh, organizatorja nuk është hetuar nga prokuroria, por vetëm nga oficeri i policisë gjyqësore. Ky i fundit, në biseda me qytetaren, por edhe me shkresa, i kërkon herë pas here prokurorit që ta marrë të pandehur, por kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh nga prokurori.

Në Fiks fare u ankua zonja Floresha Kalemaj nga Fieri, e cila tha se në vitin 2017 i kanë grabitur biznesin e saj, një farmaci bujqësore në Levan. I kanë marrë 100 milionë, 10 mijë euro dhe një automjet tip Benz Mercedez.

Hetimet janë ndjekur nga prokurori Dorian Tafili. Pas disa muaj hetimesh u arrestuan dy persona Roland Latifi dhe Xhuliano Muça, në baze dhe të përgjimeve. Ata janë në burg dhe nga ai moment, prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim në dosje, me pretendimin se duhet të vijnë përgjigjet nga SHBA, pas një letër porosie të dërguar për komunikimet në rrjetet sociale. Ankuesja ka marrë dosjen e plotë nga gjykata, ku rezulton se dy të arrestuarit bisedojnë shpeshherë me motrën e njërit prej tyre. Në përgjime është marrë edhe kjo shtetase, e cila rezulton se ka shumë biseda, ku në një prej tyre flet se do paguante 500 mijë lekë te prokurori. Madje, kjo shtetase flet edhe me të atin, se ku do i çonin lekët.

Ndërkohë, Floresha Kalemaj tha se, duke iu referuar përgjimeve që ka bërë policia për grabitjen, e motra e të arrestuarit flet në telefon edhe me punonjës policie, madje janë takuar. Sipas saj, Pëllumb Davidhi, i cili ka hetuar grabitjen, i ka dërguar një relacion prokurorit Dorian Tafili, se kjo shtetase, krahas bashkëpunimit në vjedhje, ushtron dhe prostitucion. Megjithëse shkresa ka shkuar disa muaj më parë në prokurori, prokurori nuk ka bërë asnjë veprim. Qytetarja thotë se ka komunikuar me mesazhe me prokurorin që në muajin prill 2018, i cili i ka thënë se çështja është gati dhe se organizatorja ushtron edhe prostitucion.

“Nga përgjimet del ajo B. që ushtron prostitucion. Na duhet dhe 2 javë kohë ta kopsitim” i shkruan prokurori qytetares. Por, deri me sot nuk është bërë asnjë veprim, pasi sipas ankueses, prokurori është paguar. Ndërkohë, në një bisedë, oficeri i policisë i thotë qytetares se për të, që ndoqi nga fillimi çështjen, qytetarja është bashkëpunëtore.

Në dosjen hetimore të grabitjes në Fier, janë dhjetëra fashikuj me përgjime. Janë transkriptuar biseda mes autorëve si dhe biseda mes motrës së njërit prej të arrestuarve me punonjës të ndryshëm të Policisë së Fierit. Në këto biseda, ajo u ofron këtyre punonjësve shërbime seksuale. Fiks Fare pyeti në Drejtorinë e Policisë së Fierit për këto përgjime, ku mësoi se disa punonjës policie janë transferuar me detyra të tjera.

b.m. / dita

October 24, 2018 09:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*