Fillim shkurti 1979, si u shpartallua Brigada e Parë dhe si humbën jetën 4 veta gjatë marshimit

Kujtim Boriçi February 23, 2013 13:46

Fillim shkurti 1979, si u shpartallua Brigada e Parë dhe si humbën jetën 4 veta gjatë marshimit

Ditari i Skifter Këlliçit, pjesëmarrës në marshimin vdekjeprurës

 

Këlliçi: ’Dhjetëra të tjerë u plagosën. Mehmet Shehu, pas rikthimit në repart, kërkon dënime me burg e ndëshkime të tjera për shkaktarët!’

 

Skifter Këlliçi

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Urdhri se dhe një natë tjetër do të qëndronim në Fushë-Studën të Dibrës, mes dëborës që shkonte gati dy metra në dimrin e ashpër, na mpiu të gjithëve… Tashmë, askush nuk mund të bënte apelin e mbi 1500 rezervistëve të Brigadës së Parë, pasi repartet e nënrepartet, pothuaj ishin shkatërruar krejtësisht… Askush nuk mendonte se do të kishte viktima… Ndërkohë, kthimi i të nesërmes drejt Tiranës, ishte kaos i vërtetë, ndërsa të papriturat me dënime e ndëshkime, do të na i rezervonte takimi me Mehmet Shehun në fillim shkurtin e vitit 1979…

NË FUSHË STUDËN

Aty nga ora 14:00 e mesditës u mblodhëm në një shesh të gjerë. Kjo ishte e famshmja Fushë Studën. Po të kaloje më tutje, ndodheshe në kufi me Dibrën e Madhe, brenda Jugosllavisë. Fusha ishte mbuluar me një shtresë dëbore që duke u shkelur nga ne, u bë jo më si fushë patinazhi, siç ishte shndërruar rruga përgjatë së cilës po udhëtonin dy net më parë për në Bizë, por fushë si ato të fushave të hokeit, që kishim parë në kinema a TV. Ishim të sfilitur saqë ligjëratën e komandantit nuk e dëgjoi askush. Tashmë dielli ishte mbuluar nga re të xhindosura qe shtilleshin egërsisht nëpër qiell. Ne prisnim të vinte komandanti i këtij marshimi, që e kishim parë të na parakalonte me makinë e të dilte prej saj sa për të na dhënë një përshëndetje të mekur, e të futej sërishmi në makinë. Zuri të frynte një erë me fishkëllima duke ngritur shtjella dëbore që e bënin të mjegullt pamjen përreth.

Më së fundi komandanti B.I., u duk në shesh. Pasi zbriti, zuri të kuturiste se detyrat që na i ishin ngarkuar nga komanda, ne i paskëshim kryer, me ndonjë të metë të vogël, me sukses duke u nderuar kështu tradita e Brigadës së Parë Sulmuese, të udhëhequr nga komandanti legjendar, shoku Mehmet Shehu… Hajde qyfyre, hajde!

Nuk foli më gjatë shoku komandant… Gjëmimet e shkrepëtimave, ulërimave ndjellakeqe të erës, tërë ajo shtjellë që rrinte mbi ne, nuk linin të dëgjohej asnjë fjalë… Një gjë morëm vesh, se meqë po binte mbrëmja, do të qëndronim edhe një natë në Fushë Studën dhe kthimi do të bëhej të nesërmen.

NATË PA MBARIM

Vendimi për të qëndruar edhe një natë në Fushë Studën midis qiellit dhe tokës, ose duke u strehuar me mjete rrethanore, na dëshpëroi. Por nga një anë, pavarësisht nga gabimet trashanike, për të cilat do të flas më poshtë, ky vendim ishte i arsyeshëm, po të marrim parasysh se të udhëtoje nëpër terr, në kushte të ashpërsimit të motit që na u bë armik, ishte shumë e vështirë. Kësisoj, me të mbaruar e ashtuquajtura ligjëratë e komandantit B.I., ne na u dha për herë të parë gjatë atyre pesë ditëve ushqim i ngrohtë, ose më mirë supë me oriz, që në kushte shtëpie do ta kishim flakur. Por aty, midis suferinës, ajo, sado e nxehtë, me t’u derdhur nëpër gaveta, zinte ftohej sikur të ishte futur në frigorifer, prapë se prapë, na u duk tepër e shijshme, sa që kërkuam që gavetat të na i mbushnin edhe një herë. Ndërkohë, po binte mbrëmja dhe shqetësimi i të tërëve ishte se ku do të futnin kokën. Me vëllanë gjithnjë të sëmurë, u enda edhe unë të gjeja ndonjë strofull. Shtëpia bujare alpine ishte një ëndërr. Ndodheshim aq larg, sa që nëpër muzg e kisha të pamundur ta gjeja. Por, megjithatë, pikasa një çadër të madhe. Nuk di nëse rezervistë të cilit batalion a kompani të tjera e kishin ngritur, por u futa aty me gjithë tim vëlla të sëmurë nga stomaku. Për fatin tonë të mirë, asnjë nuk na dëboi, ndonëse asnjë nuk na doli i njohur. Ashtu si tek shtëpia alpine, edhe aty ishte ndezur një zjarr, por i varfër, ngaqë drutë siç dukej ishin të lagura. Flakët e këtij zjarri mjeran, ishin i vetmi ndriçim në atë natë që ende nuk kishte filluar, ndriçim që bëhej i mjegulluar nga tymi i dendur që mezi gjente shteg të degdisej nga ajo çadër.

Nuk mjaftoi kjo, por këmbët tona zunë të notonin nëpër llucë. Nuk merrja vesh se nga mbinte kjo llucë që ngjitej si zamkë nëpër këpucët tona. Më pas kuptova se çadra ishte ngritur në mëngjes në tokë të ngrirë dhe tani që ishte ndezur zjarri, për shkak të nxehtësisë në atë mjedis të mbyllur, toka shkrinte e duke u shkelur nga këmbët tona, shndërrohej në baltovinë. Por kjo nuk na prishte shumë punë, sido që, duke u shtrirë si të mundnim nëpër qoshet e çadrës, kindat e kapotave bëheshin këllirë. Por as për këtë nuk e vrisnim mendjen. Ashtu të mbështetur pranë njëri-tjetrit, kaluam orë e orë të tëra hera-herës duke dremitur, derisa sa më së fundi agoi një ditë e ere, dita e fundit e këtij marshimi të tmerrshëm që do të kthehej në kob.

E SHTUNË, 3 SHKURT 1979

Nëse gjatë marshimit tonë nga Reparti 1105 Tiranë –Bizë-Fushë Studën, kishte pasur ç’rregullsi për shkak të vetë rezervistëve, për të cilat kam shkruar më sipër,(Batalioni i Tretë, ku bëja pjesë edhe unë, ishte quajtur nga komanda “Batalioni i Zi”), por edhe për shkak të vetë indiferentizmit të oficerëve të repartit që na shoqëronin të cilët kishin përvojë, tani eprorët tanë kishin menduar që kthimi të bëhej me disiplinë. Të gjithë pjesëmarrësit duhej të respektonin batalionet, kompanitë, togat, skuadrat pararendëse… Ideja ishte e mirë dhe kështu duhej të ndodhte. Ndërkohë, duke parë se shumë rezervistë në gjendje shëndetësore të keqe para fillimit të marshimit, të cilët, po të ishin vizituar më parë, do të përjashtoheshin nga kjo sipërmarrje e përgatitur keq e mos më keq, u vendos që një pjesë e atyre që ishin krejt të pamundur, të transportoheshin në repartin 1105 me një kamion ushtarak. Menjëherë me vëllanë renda te ky kamion që ishte diku në cep të Fushë Studnës. Ndërkohë, edhe komandanti ynë rezervist, Mekur Alimerko, rekomandoi që në numrin e të sëmurëve të ishte dhe vëllai im, i cili gjatë marshimit, ishte katandisur shumë keq nga gjendja shëndetësore. Dhe vëllai e pati këtë fat. Në kohën që u ndodh në majë të karrocerisë së kamionit, tentova dhe unë të ngjitesha atje, ndonëse, të them të drejtën, nuk isha i sëmurë. Me demek për “të qenë pranë vëllait të pamundur”. Mirëpo se nga mbiu aty pari shefi i shtabit të Repartit 1105 dhe dha urdhër të prerë që në kamion të mbeteshin vetëm të sëmurët. Madje mua, ndonëse iu luta, jo vetëm nuk ma vari, por urdhëroi të kthehesha e të bashkohesha me shokët,që ndërkohë po bëheshin gati të merrnin rrugën e kthimit.

NJË E PAPRITUR

Me pushkë në krah, ndërsa këmbët më fundoseshin në dëborë e baltë të ngjeshur nga rrotat e makinave e këmbët tona, mora mbrapsht që të bashkohesha me shokët e kompanisë sime. Por në Fushë Studën nuk kishte këmbë njeriu. Pritej vetëm kthimi i një reparti zbuluesish që ishte zhvendosur tutje Fusha Studnës. Diku ishin tërë anëtarët e shtabit. Përballë, unë që rrija para tyre si gjynahqar. Ndërkohë, drejt meje u dha një oficer madhor. Por, çuditërisht, me pamje mikluese e sy kërkues.

-Mos je ti Skifteri? -më pyeti.

Pohova me kokë i habitur se si mund të më njihte mua që kisha 10 ditë i parruar, i veshur me kapotë të bërë kallkan e në kokë një kokore të madhe kineze.

-Ti që ke shkruar romanin “Atentat në Paris”? -vazhdoi ai.

Përsëri pohova me kokë. U çel në fytyrë.

-Unë jam komisari i Repartit 1105, -vazhdoi më me përzemërsi dhe më njohu më oficerët e tjerë të shtabit, midis të cilëve edhe me shefin, që gjysmë orë më parë më kishte mbytur me të shara. Ç’është e vërteta, me të drejtë, meqë unë kisha dashur të përzihesha me të sëmurët në makinë. Ndërkohë, ia behën rezervistët e pararojës së zbulimit, të cilët kishin privilegjin të udhëtonin me makinë. Midis tyre edhe unë, me urdhër të komisarit të Repartit 1105. Kisha qenë me fat se, siç do ta përshkruaj  më poshtë, kthimi i rezervistëve, do të kishte pasoja tragjike…

E DIELË, 4 SHKURT 1079

Më së fundi…  kthimi dhe humbja e pushkës. Udhëtova, pra, me makinë e pastaj edhe me “Diagaç”, një tip tanku. Arsyeja ishte se diku gjatë rrugës Fushë Studën-Bizë, kamioni u ndal e rezervistët u detyruan të zbrisnin për të shtyrë një top që kishte mbetur në dëborë, të cilin duhej ta transportonte tashmë kamioni ku udhëtoja edhe unë. Por nëpër errësirë, kur shokët u ngjitën sërish në kamion, as vetë nuk e di se përse mbeta poshtë në rrugë. Mbase pandeha se ai nuk ishte kamioni ku kisha udhëtuar. Komisari i Repartit, qeshi me naivitetin tim dhe sapo pikasi një “Diagaç”, i bëri shenjë të ndalej dhe më tha të futesha në karrocerinë e tij. Dritë, ngrohtësi dhe shaka me tre ushtarë shkodranë. Ja si po e kaloja atë rrugë të gjatë. Ushtarët kishin qenë roje në një stallë verore e duke ndezur zjarr ngaqë mërdhinin, stalla kishte marrë zjarr e ishte bërë shkrumb, duke përcëlluar edhe nja tri dele. Kështu që ushtarët do të procedoheshin për “mungesë vigjilence”. Ata e kishin marrë këtë punë më shaka, se stalla nuk kishte qenë gjë tjetër veçse një karakatinë e mbuluar me shkarpa e nën dëborë… Sa për delet, ushtarët më shpjegonin se, vërtet ishin djegur e pjekur, por, në  fund të fundit, mishi u kishte shijuar shumë ca oficerëve që, pasi ishin dendur paq edhe duke rrokullisur ca kupa rakie, tani i akuzonin ushtarët për dëmtim të pasurisë së repartit.(Më vonë mësova se komanda ishte mjaftuar me një vërejtje dhe ishin falur)… Aty nga mëngjesi “Diagaçi” me të cilin gjatë udhëtimit kisha krijuar ndjesinë që  udhëtoja në një barkë që nanuriset midis valëve dhe ku  kisha bërë një sy gjumë, u ndal para dyerve të hekurta të Repartit të Tankeve. Zbrita, i falënderova ushtarët dhe mora nga stacioni i autobusëve të Kinostudios. Pas një ore isha në shtëpi. Pas dy orësh ia behu edhe vëllai, i bërë kallkan majë kamionit nga era dhe shiu që i kishte shoqëruar nga Fushë Studna, Librazhd, Elbasan, Tiranë, në repart, ku kishte dorëzuar pushkën… Nëna dhe gratë na përqafuan që e kishim përfunduar këtë marshim aq të trazuar. E kur ne u rrëfenim peripecitë, ato zinin kokën më duar e psherëtinin. Por as ne as ato, nuk dinin se ç’aventura tragjike po kalonin ndërkohë shokët tanë gjatë kthimit… Do të kalonin pak orë, e do të mësonim se të paktën 4 vetë kishin vdekur, e dhjetëra të tjerë ishin plagosur gjatë marshimit…

E HËNË, 5 SHKURT 1979

Mëngjesi i së nesërmes qe plot diell. Pas një nate tashmë të qetë me gjumë e pa andralla, unë  mora vrapin drejt repartit. Sipas rregullit rrobat ushtarake duhej t’i dorëzonim të lara më pas, ndaj shkuam atje me rrobat tona. Unë, si gjithnjë pa pushkën, të harruar në kamion një natë më parë. Pasi zbritëm në stacionin e fundit të Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, me një frymë u dhamë në pikën e hapjes në Vaqar. Atje  mbetëm të habitur kur morëm vesh se pjesëmarrësit në marshim ende nuk kishin arritur. Ç’është e vërteta, ishte  mesditë. Ende nuk kishin kaluar 24 orë nga çasti kur shokët tanë, nën komandën e oficerëve të repartit 1105 kishin marrë rrugën e kthimit. Të sfilitur gjatë atyre ditëve të mundimshme, ndonëse me dëshirën që të ndodheshin sa më parë nëpër shtëpitë të tyre, ashtu si unë dhe im vëlla, ata natyrisht kishin marshuar më ngadalë. Mbase edhe kishin pushuar gjatë, mbase edhe kishin qenë miq në shtëpitë e fshatarëve… Ndaj edhe do të vononin…

PUSHKA E HUMBUR

Nuk pata kohë të mendoja më gjatë. Kisha hallin e pushkës. Magazinieri më tha se askush nuk e kishte dorëzuar atë në magazinë. Por më qetësoi se ajo duhej të ishte dorëzuar në depot e pikës së hapjes që ndodhej pranë Minierës së Mëzezit.

-Nxito që ta gjesh, -më këshilloi magazinieri, -se, ndryshe jo vetëm do të paguash 2700 lekë,(kuptohet të reja), por rrezikon edhe të dënohesh nga gjyqi ushtarak. E dija këtë. Çdo akuzë mund të më bëhej në këtë rast. Pushka mund të kishte përfunduar në duart e armiqve, të cilët mund ta përdornin për qëllime sabotuese ndaj pushtetit popullor… Për fat të mirë pushkën e zbuluesit, të arritur me makinë që të dielën në drekë, e kishin dorëzuar pikërisht në depon e njësisë ushtarake të Mëzezit. Oficeri, me të cilin u takova atje, me shaka, duke nënkuptuar romanin “Atentat në Paris’ më tha: ”Po si do ta vriste Avni Rustemi, Esat Pashën, po të mos kishte armë?”

Atëherë, duke e falënderuar, mora pushkën, u ktheva përsëri në Vaqar, e dorëzova në depo dhe tashmë i qetë mora rrugën për t’u kthyer me autobus në shtëpi. Pa bërë shumë hapa, më ndali një djalë rreth të tridhjetave. Dukej shumë i shqetësuar. Më pyeti se kur ktheheshin rezervistët, ku bënte pjesë edhe një vëlla i tij. Iu përgjigja se nuk dija gjë.

-Thonë se ka pasur ç’rregullime gjatë kthimit. Madje edhe të zhdukur, -më tha me zë të dridhur. -Kam frikë se mos i ka ndodhur gjë tim vëllai… -shtoi më pas. Qesha me të madhe dhe u përpoqa ta lehtësoja… Nuk besoja kurrë se mund të kishte ndodhur ndonjë gjë e rëndë… Megjithatë, si u ndava prej tij edhe mua nisi të më lindte një farë shqetësimi…(Vijon nesër)

 

Marshimi i Brigadës së Parë në shkurt 1979, kaos dhe viktima

Pas më shumë se një jave sfilitje, mbi 1500 rezervistët e Brigadës së Parë, pasi kanë kaluar dhe natën e dytë në Fushë-Studën të Librazhdit, mes dëborës mbi 2 metra e dimrit të ashpër, marrin urdhër për të marshuar drejt Tiranës. Por, tashmë, repartet ishin pothuaj krejtësisht të çorganizuar. Përballë kësaj situate, askush nuk mund të merrte masa më për të evituar ngjarjet e rënda. E kjo do të ndodhte. Por do të saktësohej ditë më vonë, kur rezervistët të vinin në kryeqytet. Evidentohen katër viktima e dhjetëra të plagosur. Mehmet Shehu urdhëron rimbledhjen e rezervistëve në repart për t’i ndëshkuar ‘shkaktarët që turpëruan emrin e Brigadës së Parë, Heroinë e Popullit’… Shënohet një nga ngjarjet e rënda të dekadave të pas luftës për ushtrinë shqiptare. Është njoftuar Enver Hoxha, ndërsa vetë Mehmet Shehu, ka marr situatën në dorë dhe urdhëron ndëshkimet e shkaktarëve.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Ditari i Skifter Këlliçit për “Marshimin e zi” të Brigadës së Parë Sulmuese. Shpartallimi i repartit dhe tragjeditë në kthim.

-Urdhri i Mehmet Shehut më 9 shkurt 1979 rimbledh 1500 rezervistët e Brigadës së Parë për ndëshkime

-Kërcënimet e Mehmet Shehut dhe fyerjet ndaj rezervistëve: Jeni bythë pambuk. Turpëruat emrin e Brigadës heroinë. Turp të keni! Shkaktarët do shkojnë në burg! Marshimi do ripërsëritet.

Kujtim Boriçi February 23, 2013 13:46
Komento

2 Komente

  1. Aqifi February 23, 21:30

    Duke lexuar kete mendoj se do ishte me mire qe zoti Kellici te shkruante per sportin per te cilin ka punuar tere jeten.
    Duke qene nje nga bashkevuajtesit ne kasollen e rojes se pyllit me ka mbetur ne kujtese momenti kur na kerkuan te dilnim jashte, zoti Kellici se bashke me te vellane Luanin ju drejtua oficerit si vijon: “… aman shoku oficer te hengsha m***n mos na nxirr jashte”.
    Njeriu lutet per nje gje apo nje tjeter por kurre s’duhet te humbase dinjitetin!

    Reply to this comment
    • Qifja February 24, 20:43

      O Qife,
      E verteta eshte sic shkruan i nderuari Skifter Kellici.Dhe e verteta tjeter eshte se oficeret sodomos te ashtuquajturit “madhore” nuk kane qene gje tjeter vecse servile dhe frikacake te shkalles se fundit,qe nuk ishin ne gjendje te argumentonin moskryerjen e nje marshimi te tille pa asnje mase paraprake,pa nje pregatitje te efektivit nga ana psikollogjike dhe pa nje mbeshtetje te forte logjistike.Zoti Kellici i pershkruam me shume realizem dhe emocion ngjarjen ashtu sic dhe e ka jetuar.Po ti o Qife derziu do kesh qene nga ata qe i mbaje legenin komisarit.
      Shendet o Qife.
      Faleminderit Z Kellici dhe te uroj gjithe te mirat.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*