Fillon rikualifikimi urban i banesave në ish-fushën e Aviacionit

July 16, 2016 11:34

Fillon rikualifikimi urban i banesave në ish-fushën e Aviacionit

Pesë mijë banorë që jetojnë në pjesën fundore të ish- Fushës së Aviacionit do të kenë shumë shpejt në dispozicion infrastrukturë moderne.

Bashkia e Tiranës po përfundon zbatimin e projektit të rikualifikimit urban të bllokut të banesave që kufizohet me Rr. Dritan Hoxha, Rr. Teodor Keko, Rr. Anesti Lubonja dhe Parkun tek Ish- Pista e Aviacionit.

Punimet për rikualifikimin e infrastrukturës në këtë bllok u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Vasilika Hysi.

“Janë 18 rrugë, të cilat do ta ndryshojnë ndjeshëm nivelin dhe cilësinë e jetës urbane në njësinë 7. Ishte e paimagjinueshme që e gjithë kjo zonë në afërsi të doganës, pra hyrja në kryeqytetin e shqiptarëve, i ngjante në fakt një zone totalisht primitive dhe të degraduar nga ana e urbanistikës. Kemi qenë këtu edhe gjatë fushatës, ndaj na jep kënaqësi që 2 javë para se të mbushet viti nga marrja e detyrës, kemi zhbllokuar një projekt që zvarritej pafundësisht. Sot jemi në një fazë ku, një pjesë e madhe e punimeve kanë mbaruar. Besoj se para afatit 10-mujor të punimeve, pra në krye të 5 muajve, do të kemi mbaruar urbanizimin e zonës”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se pas urbanizimit, në këtë zonë do të vendoset edhe linja e re e autobusëve për stacionet e të cilëve është i mirëpritur edhe kontributi i qytetarëve.

Ndërsa deputetja e PS, Vasilika Hysi, solli në vëmendje rëndësinë e ndërhyrjes së bashkisë për të siguruar rrugë me standarde.

Ky bllok banimi përfshin banesa kryesisht informale dhe shtrihet midis rrugës së Durrësit, Unazës së Madhe të Tiranës, Lumit të Lanës dhe parkut tek ish- Fusha e Aviacionit. Ky bllok ka një sipërfaqe rreth 14.7 ha dhe ndërtimet e kësaj zone janë 1-3 kate të ndërtuara pas vitit 1990. Ndërhyrjet po realizohen në 18 akse rrugore, ndërsa për zgjerimin e rrugëve në bashkëpunim me banorët janë prishur rreth 85% e mureve.

July 16, 2016 11:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*