Financat nxjerrin në shitje asetet e tre firmave piramidale

December 13, 2017 10:00

Financat nxjerrin në shitje asetet e tre firmave piramidale

Më 24 nëntor është zhvilluar në Gjykatën e Tiranës procesi i radhës në kuadër të fazës së dytë të gjykimit të falimentimit të firmës famëkeqe piramidale Sude.

Kjo tregon se ende nuk janë shuar shpresat për kreditorët e kësaj piramide që të marrin edhe një pjesë tjetër të parave që lanë, më se 20 vjet më parë, në këtë subjekt huamarrës.

Procesi ka arritur aktualisht në fazën e shqyrtimit të kërkesës, së paraqitur në Gjykatë nga administratorja e vendosur nga shtetit Mimoza Çibuku, për “dhënien e miratimit për depozitimin në një bankë të nivelit të dytë të shumave ende të patërhequra nga kreditorët, në bazë të Nenit 161 të Ligjit ‘Për falimentimin”.

Veç këtyre, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nxjerrë në shitje edhe disa asete të tri kompanive rentiere.

Piramidat
Skemat piramidale të njohura edhe si Firmat rentiere filluan aktivitetin e tyre në vitin 1991.

Aktiviteti i tyre bazohej mbi marrjen e një sasie parash dhe kthimin e një sasie më të madhe në bazë të një përqindjeje.

Ndonëse në dukje funksiononin si banka, Piramidat nuk kishin asnjë investim konkret nga ku mund t’i nxirrnin paratë.

E para piramidë ishte ajo e Hajdin Sejdisë e vitit 1991, i cili u largua në Zvicër me disa miliona dollarë të biznesmenëve shqiptarë. U ndoq nga Sudja, e hapur nga Maksude Kadëna në vitin 1993, e cila kishte punuar më parë si punonjëse në një fabrikë këpucësh.

Suden e ndoqën rreth 24 firma të tjera, ku më të fuqishmet ishin VEFA, Gjallica, Demokracia Popullore- Xhaferri, Populli, Cenaj, Silva, Kamberi dhe M. Leka.

Aty nga fundi i vitit 1996, firmat piramidale arritën kulmin e tyre. Interesat që ato ofronin ishin tepër joshëse, ku Sudja arriti të ofronte 100%, gjë që paralajmëronte falimentimin e shpejtë.

Pavarësisht këshillave të FMN për t’i mbyllur këto skema, qeveria shqiptare vazhdoi të lejonte dhe garantonte aktivitetin e tyre, shpeshherë me implikimin direkt të politikanëve në to.

Në periudhën midis 8-16 janarit 1997, shumica dërrmuese e piramidave falimentoi duke marrë me vete edhe kursimet e shqiptarëve. Kriza që falimentimi i piramidave do të sillte, do të ishte më e rënda në historinë e Shqipërisë demokratike.

Asetet
Në shitje qeveria ka nxjerrë aktualisht nëntë ish-prona të sekuestruara nga Vefa, katër nga Kamberi dhe një nga Beno.

Prona me vlerë më të madhe fillestare ankandi është trualli, mbi të cilin ishte ndërtuar fabrika e salcës në Vlorë, me mbi 84 milionë lekë dhe sipërfaqe më shumë se 1.4 hektarë.

Më tej vijon një stacion pompimi dhe depo uji në Paskuqan me 11 milionë lekë të reja dhe me të njejtëm vlerë edhe ish-pularia e Patosit, ish-pulari në Lushnje me objekt 400 metra katror sipërfaqe, etj.

Këto janë vlera fillestare, me të cilat asetet dalin në ankande. Pjesëmarrësit në to mund të japin vlera të ndryshme, ku do të fitojë më e larta.

Sudja
Procesi ka arritur aktualisht në fazën e shqyrtimit të kërkesës, së paraqitur në Gjykatë nga administratorja e vendosur nga shtetit Mimoza Çibuku, për depozitimin në bankë të shumave ende të patërhequra nga kreditorët. / Marre me shkurtime nga Shqiptarja.com

December 13, 2017 10:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*