Financat zbardhin shkurtimin e buxhetit; preken shpenzimet jo deficiti

August 6, 2015 17:20

Financat zbardhin shkurtimin e buxhetit; preken shpenzimet jo deficiti

Një ditë pasi u publikua në fletoren zyrtare Akti Normativ për shkurtimin e buxhetit të vitit 2015, Ministria e Financave ka detajuar zërat që preken nga ulja e fondeve tej parashikimit fillestar, duke argumentuar se nuk preket buxheti real.  “Objektivi kryesor i Aktit Normativ është akomodimi i diferencës së parashikuar në të ardhurat e buxhetit të shtetit, me kosto minimale në buxhetin e institucioneve buxhetore.

Gjithashtu edhe akomodimi i ndryshimeve në buxhetin vendor, si rezultat i fillimit të efekteve të reformës së re administrativo-teritoriale”, ka sqaruar Ministria e Financave. Të ardhurat e buxhetit të shtetit janë vlerësuar të jenë rreth 16.3 miliardë lekë më pak se parashikimi i fillimit të vitit. Por financat në deklarimin e tyre të djeshëm shprehen se “ndryshimi i Aktit Normativ nuk ka ndryshuar totalin e deficitit të vitit 2015, duke ruajtur të njëjtin nivel të miratuar në fillim të vitit, në marrëveshje edhe me FMN-në”.

Shpenzimet e përgjithshme buxhetore, deri në fund të vitit 2015, parashikohet të jenë 456.4 miliardë lekë, pra 3.92 % më pak se plani fillestar i parashikuar në ligjin e 2015. “Edhe pse shpenzimet buxhetore propozohen me ulje, ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me faktin se buxheti real i institucioneve nuk preket, por ndërhyrja është bërë në ato zëra, ku janë evidentuar kursime, ose ku shpenzimet, ashtu siç janë parashikuar, do të rezultonin me mosrealizime në fund të vitit”, sqarojnë financat.

Shkurtimi i shpenzimeve sipas zërave kryesorë

Shpenzimet operative dhe mirëmbajtje propozohet të rialokohen brenda grupeve ose midis grupeve të ndryshme nga një artikull në një tjetër, gjithnjë brenda limiteve. Nëpërmjet këtyre rialokimeve, janë bërë rregullime të ndryshme, të cilat lehtësojnë funksionimin dhe arritjen e objektivave të caktuara të ministrive dhe institucioneve të ndryshme buxhetore. Njëkohësisht, specifikisht për këtë vit është akomoduar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, programi “Zhvillimi i Sportit”, fondi prej 1.5 miliardë lekë në zërin “Transfertë për federatat”, i cili do të shërbejë për financimin e stadiumit të ri “Loro Boriçi” në Shkodër.  Shpenzimet për pagesën e interesave të borxhit publik (të brendshëm dhe të huaj) propozohet të ulen me rreth 8.3 miliardë lekë. Kjo, kryesisht, si rrjedhojë e ecurisë së favorshme gjatë periudhës janar-qershor 2015 të ankandeve të letrave me vlerë të qeverisë, si edhe si rrjedhojë e stabilitetit të kursit të këmbimit për të njëjtën periudhë. Shpenzimet për fondet speciale ulen me 400 milionë lekë, nga të cilat 800 milionë lekë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe 200 milionë lekë në skemën e sigurimeve shëndetësore, kryesisht nga kursimet që rezultojnë në këto zëra për periudhën 6-mujore. Brenda këtij zëri shtohen 600 milionë lekë në skemën e kompensimit të ish-pronarëve, rezultat kjo i rritjes së të ardhurave nga procesi i legalizimit, për të njëjtën shumë.

Zërat që shkurtohen

Zëri “shpenzime personeli” (fondi i veçantë i pagave) ulet me 960 milionë lekë.

Si pasojë e parashikimit të mosrealizimit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore për 1 miliardë lekë, po me këtë shumë ulen edhe shpenzimet e pushtetit vendor.

Në zërin “shpenzime të tjera” ulen 200 milionë lekë nga pagesa e papunësisë dhe i shtohen 200 milionë lekë ndihmës ekonomike dhe paaftësisë.

Huadhënia për energjinë reduktohet me 2 miliardë lekë, si rezultat i disbursimit me të ngadaltë se parashikimi i kredisë për këtë sektor.

Fondet rezerve/të kontigjencës ulen me rreth 548 milionë lekë.

 

 

August 6, 2015 17:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*