Firmos deri më 2022, Dembele prezantohet te Barcelona

August 28, 2017 20:14

Firmos deri më 2022, Dembele prezantohet te Barcelona

Futbollisti më i shtrenjtë në historinë e Barcelonës është prezantuar sot për të parën herë me fanellën blaugrana përballë publikut katalanas, në fushën e blertë të Camp Nou. Ousmane Dembele është një futbollist i ri i Barças, ndërkohë që ka firmosur deri më 2022 përkrah presidentit Bartomeu, menjëherë më pas pasarela përpara 17 mijë spektatorëve të grumbulluar për t’i uruar mirëseardhjen.

Në arkën e Borussia Dortmund janë depozituar tashmë 105 milionë plus 42 milionë në bonus. Ndërkohë, nga ana tjetër, klubi gjerman ka njoftuar zëvendësuesin e Dembele, futbollistin e blerë nga Dinamo Kiev, Yarmolenko.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, është më në fund një ëndërr e bërë realitet”, deklaron Dembele, i cili nuk fsheh gëzimin e tij për faktin që ka mbërritur në Camp Nou. Pas disa javësh plot mëdyshje dhe tratativa mes tre palëve, mbërriti më në fund akordi pozitiv mes tyre.

Dembele vjen për të zëvendësuar Neymar, të cilit i ka marrë edhe numrin e fanellës, 11. “Ai është njëri prej më të mirëve në botë, është një futbollist i shkëlqyer. Unë jam vetëm në sezonin tim të tretë si profesionist, duhet të rritem. Barcelonën e ndjek nga gjithmonë, dashuroj mënyrën e saj të lojës. Kosto e kartonit tim? Nuk më intereson, mendoj vetëm për të luajtur”, deklaroi Dembele.

Një prezantim i bujshëm dhe i shumëpritur, me gjithçka që po shkonte në mënyrën e duhur, të paktën deri në momentin e kontaktit të Dembele me topin dhe tentativave të tij për të xhongluar sferën. Mallkimi i prezantimeve te Barcelona nuk është ndalur, me Dembele që ka dështuar në mënyrë të shëmtuar në shfaqjen e tij të mbetur në tentativë.

Kështu, sikurse mund të dëshmohet nga pamjet filmike, njëlloj si Paulinho që u prezantua te klubi katalanas vetëm pak ditë më parë, edhe Dembele sot, mbase i bllokuar nga emocionet ka zhgënjyer me xhonglimet e topit, pa mundur dot të realizojë idetë e tij në përdorimin e sferës.

August 28, 2017 20:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*