Fisnikëria e lotëve

May 13, 2018 10:49

Fisnikëria e lotëve

 

Një shfaqje e suksesshme e dramës “Hënat e fundme”, me aktorët Bajram Dosti, Mariana Kondi dhe Klajdi Zeqaj

Nga Veledin Durmishi

Ditë më parë, fare pa bujë, një minitrupë teatrore, solli një shfaqje në një nga sallat e Akademisë së Arteve. Gjithsej tre aktorë kishte shfaqja që për dëshirën  e tyre e të miqve të vet,  kishin kohë që po punonin për të vënë në skenë dramën  “Hënat e fundme”. Ishin Bajram Dosti, Mariana Kondi, aktorë me përvojë në skenën e aktrimit si dhe  Klajdi Zeqaj.

Një skena e thjeshtë pa bujën e butaforisë, pati forcë që të mbajë gjithë të pranishmit për 80 minuta nën peshën e një emocioni të veçantë. Një burrë, një ish-mësues i letërsisë, tani 80 vjeç,  jeton i vetëm pas largimit nga jeta e gruas së tij. Pranë ka një kaposh plaçka të cilat do t’i marrë me vete në shtëpinë e re atje në një azil pleqsh.

Ndërsa djali i tij pritet të vijë nga çasti në çast të marrë babanë.

Babai që nuk ngopet dot me frymë në çastet e fundit të qëndrimit të tij në shtëpi, humbet në  mjegullën e kujtimeve. Se kujtimet janë thelbi i së shkuarës. Humbet dhe nga ajo përhumbje i vjen e shoqja, ashtu e bukur, e veshur me një tis mjegulle si e dalë nga legjendat.

Dhe dialogu fillon. Një dramë njerëzore e ndërtuar me dialog të bukur. Tani burrë e grua, ai nën peshën e një malli dhe dhimbjeje e ajo e mbuluar me një keqardhje për vitet e të shoqit pas ikjes së saj, sollën qetësi në atë sallë.

Aktori kryesor, Bajram Dosti,  me një zë të dridhshëm si fijet e shpirtit të tij gati në këputje e ajo,  Mariana Kondi. me një zë më të vendosur,  edhe pse i njohin mirë sytë e njëri-tjetrit, i fshehin  ato sikur kërkojnë t’i fshehin tjetrit edhe dhimbjen që koha u kishte blatuar.

Detajet sjellin njera- tjetrën ashtu thjeshtë e pa zhurmë si vijnë kujtimet e që autori i dramës i sjell nga imazhi i ish-gruas së tij e cila ka vite që është larguar për në botën tjetër. Dhe kujtimet e burrit të saj, tani 80 vjeçar,  e sjellin në skenë  duke e ndërtuar skenën me një dialog të bukur, të rrjedhshëm e të sinqertë.

Një  dhembje fisnike!  Një keqardhje e dëlirë! Një  bujarie shpirtërore deri në  amëshim

Një dramë plot me detaje të cilat i zbulon aktori gjatë një vetërrëfimi.

Të ngacmojnë dialogë të tillë. Zëri i dridhshëm i aktorit të trondit deri në dhembje, kur, nëse ke pak kohë e të dalësh në jetët tona e të perceptosh qasjen  e brezit të ri ndaj prindërve e gjyshëreve. Se aty je në teatrin e dramës, por teatri i jetës të jep të tjera shfaqje që sjellin drama të mëdha që të trazojnë keqas, të prishin qetësinë duke kërkuar të shpëtosh shpirtin. E shpëtimi i shpirtit nuk është vdekja!

Të paktën këtë  mesazh përçoi aktori sidomos në pjesën e dytë e cila ishte vetëm një monolog. Një monolog azilanti atje në një azil pleqsh. Një e keqe morboze sikur po depërton në të gjitha shqisat e njeriut në këto kohë së sodomizuar.

Akuza është e qartë edhe pse aktori nuk ngriti gishtin ndaj askujt. Është një mikrob psikologjik i cili ka hequr pjesë nga shpirti njerëzor, nga vatra  e hirit të ngrohtë prindëror, një mikrob që sofistikohet gjithnjë duke u fshehur nën  petk  moderniteti, lirie, jetë personale, koncepte këto që na kanë lodhur dhe na kanë çmobilizuar. Janë koncepte të kësaj kohe të klonuar. Një shoqëri si një ballo me maska, një brez që kujdeset aq shumë për makiazhin e aspak për shpirtin, ku humaniteti, ajo ndjenjë e epërme,  po kthehet në një shpirt apokaliptik. Gjithë shoqëria është në krizë e cila zbret edhe në familje.

Kodet që përçojnë ndjenjat njerëzore sikur janë zvenitur; njeriu është bërë individualist, egoist, narcist,  i dashuruar çmendurisht me veten.  Kjo e ka topitur shoqërinë Një brez që  mburret me maskën e vet të pudrosur e me  paruket e hipokrizisë, ndërkohë që duhet të mbushin hojet e shpirtit me dashurinë njerëzore. Shumë substancë ka shfaqja.

Gruaja ikën e aty  vjen  djali,  ndërsa plaku 80 vjeçar, veç kujtimeve, ka ruajtur edhe fustanin e nusërisë, një fustan të bardhë nusërie duke u përhumbur në të tjera kujtime të ëmbla nga jeta e tij bashkëshortore. Arkeologji e kujtesës njerëzore e cila mban shpirtin të karikuar me mall. Dhembje të cilat janë edhe substanca e kujtimeve. I kapshëm e jetësor është dialogu që ngërthejnë kujtimet të cilat tendosin edhe kohën e që kjo kohë herë-herë fikej në hiç. Dialogu ka diagramën e vet të cilën spektatori e ndjen dhe bëhej pjesë e saj.

Vetmia e ka lodhur personazhin deri në tmerr edhe pse këtë tmerr ai mundohet mjeshtërisht ta fshehë, duke  sjellë herë- herë edhe skena që kanë pak jetë; ja si një tufë lulesh që ai e mban pranë vetes në azil. Djali hyn e del duke u marrë me përgatitjet e plaçkave që do t’i duhen babait në azil gjithë përkujdesje e respekt, gjithë gatishmëri shërbimi e babai shumë shpejt ndërron pamje. Pak më parë me kujtimin e ish-gruas është aq i butë, befas hyn djali dhe tani babai ka tjetër qasje. Bëhet më i ashpër. Por vetëm për pak çaste se në fijet e shpirti derdhet ai lëngu i jetës dhe sytë i shkëlqejnë. Jo nga dritësia, as  nga ndonjë ndjenjë tjetër, por ndonjë pikë loti i ka rrëshqitur artistit duke i lbyrur vështrimin të cilin ai e çlodh duke parë nga salla,  ku janë edhe dy spektatorë të vegjël, të cilët  shikojnë plot ankth gjyshin e vet dhe një zot e di se a e dinin ata se gjyshi po bën teatër!

Por befas ai kërkon të ndryshojë pamje; ndoshta harron rolin një çast. Ndoshta për hatër të dy vogëlushëve  befas mbushet me jetë. E sotmja në skenë i duket si e vdekur,  por ai që prek një vazo lulesh trumbeton thekshëm për jetën.  Ai mburret me të djeshmen e cila i jep një energji e që ai mundohet ta thithë me të gjitha  mundësitë e veta e që kërkon të mbush ditët e netët në atë azil pleqsh. Ai kërkon të sjellë në skenë një shpirt të ri e që kërkon ta mbajë mbi një trup të vjetër. E sotmja dhe e djeshmja ikin e vijnë duke i dhënë e marrë njera-tjetrës.

E ky është ai paradoksi i pakuptimshëm brenda qerthullit të të cilit ne biem shpesh. Ai gjen ringjalljen e shpirtit të vet, pjesës më të lehtë të jetës, sepse jetën ai nuk mund ta rindërtojë dot.

E brenda guackës së kohës skenike  ai sjell çaste të bukura të jetës të cilat, si një mishërim i kohës i sjell dhembja e një kohe që ka perënduar.

Spektatori tulatet. Shqisat e tij punojnë në shkallë të lartë, ai e përdor të kaluarën e vet sikur ajo të jetë ende e gjallë, por që e ardhmja e ka topitur. Ai s’ka asnjë lidhje me vdekjen. Nuk e njeh atë. Ai do jetën e aty në azil pleqsh ai kërkon më të mirën nga ajo, duke i marrë asaj gjithçka që i duhet shpirtit të tij të lodhur nga  shtigjet e jetës.

May 13, 2018 10:49
Komento

1 Koment

  1. Hasan May 13, 12:54

    Aman more po ato artistet e famshem qe kerkojne qe teatri te mos prishet ku jane, po bejne roje ne ndertesen e teatrit apo jane pushum se jane lodhur shume cdo te hene duke protestuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*