Fitorja e vazhdimësisë

Bledar Prifti November 8, 2012 15:28

Fitorja e vazhdimësisë

Z.Prifti, fitorja e Obamës, është zgjedhja e duhur për botën?

Unë besojë se populli Amerikan votoi dhe zgjodhi në postin e presidentit personin që ai mendon se do i shërbejë më mirë interesave të gjithë Amerikanëve kudo që ndodhen. Nëse kjo zgjedhje është zgjedhja e duhur apo jo  për botën, ajo është diçka më shumë pak rëndësi pasi, fatkeqësisht, Shtetet e Bashkuara behën objekt sulmesh si kur angazhohen ashtu edhe kur nuk angazhohen për të ndihmuar popujt e tjerë. Ashtu siç e kanë deklaruar edhe vetë diplomatët Amerikanë, politika Amerikane nuk ndryshon thelbin e saj sa herë që kemi ndryshime në leadership-i. Ajo është një politik në mbështetje të demokracisë anembanë globit, por në fund të fundit, u takon vet popujve të vendosin se si duan dhe nga kush duan të qeverisen.

 

Një gjë është e sigurt, duke qenë se ky është mandati i fundit për Presidentin Obama, ai do të jetë më i lirë të implementojë strategji që lidhen direkt me mënyrën se si ai dhe ndihmësit e tij e shikojnë botën. Shumë besojnë se ai është liberal në besim dhe ndjek një politik të dyerve dhe mendjeve të hapura me vendet e tjera. Se cili do të jetë impakti real, këtë do e tregoj vetëm koha. Personalisht, parashikoj një mandat tejet të vështirë në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare pasi Presidentit të sapo rizgjedhur do i duhet të ballafaqohet me shumë zhvillime të mbrapshta dhe të papritura. Irani po i afrohet me shpejtësi mundësive reale për të ndërtuar armën bërthamore, Izraeli është shumë i gatshëm të ndërmarrë sulme ushtarake kundër Iranit, Rusia me shumë gjasa do të filloj të aktivizojë rolin e saj si superfuqi në Europën Lindore dhe më gjerë, Kina do të përpiqet të ushtrojë trysni shumë më të fortë mbi institucionet ekonomike dhe politike ndërkombëtare, Europa nuk do të dijë ku të shkojë, dhe bashkë me të edhe Turqia, dhe në fund shumë zona me rëndësi strategjike si Lindja e Mesme mund të përfshihen nga valë të reja por më të ashpra konfliktesh.

 

Po për Shqipërinë?

Për Shqipërinë, unë besoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të politikave të jashtme Amerikane. Mbajtja e marrëdhënieve bilaterale të shkëlqyera është synimi dhe detyrimi i politikës së jashtme Amerikane. Kurse mënyra se si dhe nga kush qeverisen shqiptarët është përgjegjësi dhe detyrim parësorë i këtyre të fundit. Besoj se Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk duan të diktojnë se si dhe nga kush duhet të qeverisen shqiptarët. Duke mos ndërhyrë në këtë çështje, Shtetet e Bashkuara tregojnë edhe respektin përkundrejt shqiptarëve dhe lidershipit që ata zgjedhin ose lejojnë në qëndrojë në drejtimin e qeverisjes.

Bledar Prifti November 8, 2012 15:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*