Fituesit e rinj në UT, miratohen 6017 kuota për 2019-n, ndarja sipas degëve

May 15, 2019 14:33

Fituesit e rinj në UT, miratohen 6017 kuota për 2019-n, ndarja sipas degëve

Pas konfirmimit të kritereve, Universiteti i Tiranës ka miratuar edhe kuotat e mundshme të pranimit për të gjithë kandidatët që do të plotësojnë kushtet për të vijuar studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik 2019-2020 në degët e gjashtë fakulteteve që janë pjesë e këtij universiteti. Senati Akademik i UT ka miratuar në total si kuota pranimi në programet e studimeve të ciklit të parë “Bachelor” dhe në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë në fushën e drejtësisë me kohë të plotë, 6017 kuota pranimi, të cilat ndahen në: 5435 kuota për kandidatët brenda vendit që do të përzgjidhen nga maturantët dhe kandidatët e tjerë që do të garojnë gjatë këtij viti për studime të larta, ndarjen e të cilave e gjeni të detajuar në tabelën në vijim të shkrimit, 172 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, 42 kuota për kandidatët shtetas të huaj, 121 kuota janë miratuar për studentët e kategorive të veçanta ku përfshihen personat me aftësi të kufizuara, ata me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe Ballkan-egjiptianë, 137 kuota do jenë në dispozicion të kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në vite të ndërmjetme, si dhe 111 kuota të aprovuara për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet në një degë të dytë.

Mesatarja që duhet për konkurrim

Pak ditë më parë qeveria ka përcaktuar edhe mesataren që maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara duhet të kenë për të hyrë në garë për studimet e larta në një nga universitetet publike dhe private të vendit për vitin e ri akademik. Sipas vendimit të qeverisë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2019-2020 do jetë nota 6.5, për degët e mësuesisë nota 7.5, ndërsa për degët e mjekësisë mesatarja mbi notën 8, e cila ndryshon sipas programit në të cilin do të aplikohet. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Janë vetë universitetet ato që përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Kriteret e pranimit sipas fakulteteve

Disa prej fakulteteve të këtij universiteti kanë rishikuar kriteret e pranimit për 2019, duke rikthyer testimet, si dhe vlerësimin e shkollave të mesme me koeficientet përkatës. Konkretisht, krahas rezultateve të provimeve të maturës, apo mesatares së shkollës së mesme, maturantët që duan të vijojnë studimet në degën e gjuhës angleze do t’i nënshtrohen edhe testimit mbi nivelin e njohjes së gjuhës. Sipas manualit informues të zbardhur nga Universiteti i Tiranës, për programin e gjuhës angleze bëhet e ditur se: “Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës së mesme, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore për qind vlerësohen me 60 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj që do pranohen në Bachelor”. Ndërsa konkursi i pranimit për testimin e njohurive gjuhësore zë 40 për qind. Për degët e tjera të Fakultetit të Gjuhëve të huaja përzgjedhja bazohet tek mesatarja e shkollës së mesme. Sa i takon pranimeve të reja në Fakultetin e Drejtësisë është vendosur që përzgjedhja të bazohet në tre kritere, që janë nota mesatare e përgjithshme e të gjithë viteve të shkollës së mesme, e cila vlerësohet me 40 për qind të ndikimit, nota mesatare të gjithë provimeve të maturës shtetërore me 20 për qind të ndikimit, si dhe mesatarja e lëndëve formuese me 40 për qind të ndikimit. Në fakultetin e Ekonomisë  përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga:Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore (mesatare e thjeshtë) që përbën 50 për qind të vlerësimi, ndërsa nota mesatare e gruplëndëve matematikë, ekonomi, fizikë, si dhe gjuhë e huaj  (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) përbën 50 për qind të vlerësimit. Në fakultetin Histori-Filologji fituesit do të përzgjidhen nga: Nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e tre viteve të shkollës mesme që vlerësohet me 80 për qind të ndikimit, si dhe nota mesatare aritmetike (e thjeshtë) e provimeve të Maturës Shtetërore që vlerësohet 20 për qind. Në Ndryshimet prekin edhe programet e studimit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Shkencave Sociale, etj. Në Fakultetin e Shkencave Sociale nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme vlerësohet me 40 për qind, nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës vlerësohet me 30 për qind, ndërsa nota mesatare  aritmetike  e gruplëndëve  formuese në shkencat sociale përbën 30 për qind të vlerësimit. Po ashtu edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, përzgjedhja do të bazohet nga mesatarja e shkollë së mesme, si dhe ajo e lëndëve prioritet të përcaktuara sipas programeve.

Ndarja e kuotave për 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës

Në total për ciklin e parë “Bachelor”, janë miratuar 6017 kuota pranimi të cilat ndahen në: 

  • 5435 kuota të miratuara për maturantët dhe kandidatët e tjerë brenda territorit të vendit.
  • 137 kuota që janë të destinuara për kandidatët që do të transferojnë studimet e ciklit të parë nga universitetet e tjera publike, apo private drejt Universitetit të Tiranës.
  • 111 kuota që do të jenë në dispozicion të kandidatëve që duan të vijojnë studimet në një program të dytë.
  • 42 kuotave të miratuara për shtetasit e huaj që do vijnë të studiojnë në vendin tonë.
  • 172 kuota të miratuara për kandidatët e trojeve, gara për të cilët do të jetë më vete.
  • 121 kuota për kategoritë e veçanta, si personat me aftësi të kufizuara, jetimët, romët, fëmijët e ish policive të rënë në detyrë, si dhe ish të përndjekurve.
May 15, 2019 14:33
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*