Fituesit në Universitetin e Mjekësisë/ Tarifat vjetore të shkollimit në “Bachelor” dhe “Master”

September 6, 2017 13:17

Fituesit në Universitetin e Mjekësisë/ Tarifat vjetore të shkollimit në “Bachelor” dhe “Master”

Pranvera Kola – DITA

Krahas kuotave të reja të pranimit, Universiteti i Mjekësisë ka aprovuar tashmë edhe tarifat vjetore të shkollimit për të gjithë kandidatët që do të vijojnë studimet e vitit të parë në programet e ciklit “Bachelor”, programet e integruara të nivelit të parë, si dhe programet e nivelit të dytë, “Master profesional” dhe “Master shkencor” në të tre fakultetet përkatëse. Sipas vendimit të marrë nga Bordi i Administrimit të këtij universiteti, tarifa vjetore për të gjithë fituesit e rinj që pranohen për studimet e ciklit “Bachelor”në degën e mjekësisë, farmacisë dhe stomatologjisë është 45 mijë lekë.

Ndërsa për degët e dy fakulteteve të tjera, kjo tarifë varion nga 35 mijë, në 40 mijë lekë. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe koston e plotë të studimeve për programet e para dhe të dyta të studimeve në nivelin master, duke detajuar edhe koston specifike për çdo kredit të lëndës.

Studenti do i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi, ndërsa studentët e ciklit të parë të konsideruar si “përsëritës” (konsiderohen kandidatët që nuk kanë plotësuar numrin e nevojshëm të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës), do i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të vitit në të cilin do të vijojnë studimet.

Tarifat për transferimet dhe programet e dyta të studimit

Po sipas vendimit të Bordit, kandidatët që do të transferojnë studimet nga një program studimi, apo nga programe të mëparshme, në një program tjetër studimi në Universitetin e Mjekësisë, do i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës në të cilin ata kanë kërkuar që të transferojnë studimet. Individët, që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi të të njëjtit cikël.

Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Janë vetë institucionet e arsimit të lartë ato që përcaktojnë kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi. Për këtë kategori, në vendim saktësohet se tarifa e regjistrimit për të vijuar studimet në një program të dytë në degët e mjekësisë është 2,000 lekë, e cila do të shlyhet para nisjes së aplikimeve për kuotat e miratuara vetëm për këtë cikël pranimesh.

Ndërkohë që në tabelat bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar edhe koston vjetore që do të shlyejnë për ndjekjen e programeve të dyta të studimit të gjithë kandidatët që do të shpallen fitues në këto degë.

Tarifat për studimet “Master profesional” dhe “Master shkencor”  

Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar edhe koston vjetore të studimit për programet e nivelit të dytë master. Vendimi saktëson më tej se: “Për studentët e ciklit të dytë në nivelin profesional dhe atë shkencor, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program studimi gjatë kohëzgjatjes normale të tij, ata konsiderohen si studentë mbetës për lëndët përkatëse.

Tarifa që duhet të shlyejnë për lëndët përsëritëse përcaktohet sipas numrit të krediteve me të cilat vlerësohet kjo lëndë. Çka do të thotë se këta kandidatë për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik vetëm tarifën përkatëse për çdo kredit të kësaj lënde”.

Ndërsa për shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet në Universitetin e Mjekësisë në një program të parë, apo të dytë studimi, do i nënshtrohen të njëjtës tarifë shkollimi si shtetasit shqiptar të pranuar në programet respektikve, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.

Regjistrimi i fituesve të fazës së parë

Aktualisht po vijon procesi i regjistrimit të fituesve të raundit të parë në të gjitha fakultetet e universiteteve publike dhe private të vendit. Përjashtim në këtë rast bën vetëm dega e mjekësisë, për të cilën bëhet me dije se procesi i regjistrimit ka përfunduar para kohës së përcaktuara, si shkak i realizimit të plotë të kuotave të miratuara për këtë degë.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata bën më dije se pranimet sipas kuotave të miratuara për këtë degë tashmë janë plotësuar, ku fituesit e regjistruar kanë mesatare tepër të lartë, përkatësisht 9.9.  E kundërta ka ndodhur me dy degët e tjera të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Teknik laboratori dhe Shëndet publik, ku nuk ka ende fitues të regjistruar.

“Ne nuk kemi pasur asnjë ankesë pas daljes së listës së studentëve për përllogaritjet. Kemi mbyllur plotësisht regjistrimet në degën Mjekësi, pra nuk ka asnjë kuotë të lirë, janë 270 kuota të plotësuara. Janë dy programe Teknik laboratori dhe Shëndeti publik, të cilat nuk kanë regjistrime ende.

Besoj se kjo vjen si pasojë e kërkesës për shumë degë të Universitetit të Mjekësisë, kështu që ata që renditen të parët në të gjithë programet e studimit kanë qenë më të mirët dhe përgjithësisht kanë zgjedhur Mjekësinë dhe kjo bën që një pjesë e këtyre degëve të mbeten ende pa regjistrime gjatë kësaj faze”, bën me dije Rektori Arben Gjata.

Sipas tij këto kuota do të plotësohen në vijim të fazave të tjera të regjistrimit të raundit të parë, si dhe në aplikimet e raundit të dytë, ku do të kenë mundësi të fitojnë këto degë edhe studentët  me mesatare më të ulët se sa nota 9.

Kohëzgjatja e studimeve

“Kohëzgjatja maksimale e studimeve në një program studimi nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i kohëzgjatjes normale të studimeve që parashikon programi, pa marrë në konsideratë periudhën e kohës kur studenti i ka pezulluar studimet.

Studenti, që nuk arrin të përfundojë studimet brenda kohëzgjatjes maksimale të programit, ka të drejtë të aplikojë për të rifilluar studimet, në të njëjtin program studimi ose në një program tjetër. Ai u nënshtrohet kritereve dhe procedurave të shpallura për regjistrimin në programin e studimit të institucionit pritës.

Kreditet e grumbulluara nga studenti gjatë periudhës së mëparshme të studimeve mund të transferohen, me vendim të njësisë bazë të institucionit që pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren e saj”, përcaktohet në ligjin e arsimit të lartë.

Transferimet, njohja dhe njësimi i periudhave të studimit

  • Universitetet publike ofrojnë mundësi për njohjen e krediteve dhe transferimin e studimeve, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë.
  • Periudhat e studimit dhe detyrimet e programeve të studimit, të shlyera në institucione të tjera të vendit ose të huaja, njihen dhe njësohen, nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm.
  • Njohja kryhet nga institucioni i arsimit të lartë, pranë të cilit është paraqitur kërkesa për vazhdimin e studimeve. Transferimet lejohen brenda të njëjtit cikël studimi e në fusha studimi të njëjta ose të përafërta dhe vetëm në fillim të vitit akademik.
  • Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të fituara nga një student që transferohet, më qëllim vazhdimin e studimeve në institucionin pritës të arsimit të lartë, i takon komisionit përkatës, të ngritur nga njësia bazë e institucionit të arsimit të lartë.

 

September 6, 2017 13:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim