Fjalët “me ndjeshmëri” të kryebashkiakut, që i mori era

Pranvera Kola May 2, 2013 09:11

Fjalët “me ndjeshmëri” të kryebashkiakut, që i mori era

Dita e gjashtë e grevës së urisë ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen shëndetësore të banorëve që rreth një javë më parë u përzunë me forcë prej përmbarimit nga ambientet në të cilat kanë jetuar për vite me radhë. Të mbetur në mes të katër rrugëve, ata kërkuan ndihmën e institucioneve, të cilat në sy të opinionit u rreshtuan përkrah tyre.

Por, siç është bërë traditë, gjithçka mbetet në një deklaratë pasi në të vërtetë asgjë nuk është bërë. I tillë është edhe premtimi i radhës që kryebashkiaku Lulëzim Basha u bëri këtyre banorëve, beteja e të cilëve po merr përmasa shqetësuese si rrjedhojë e dëmtimeve serioze të shfaqura në shëndetin e tyre.

Përballë pretendimit të ngritur nga banorët për abuzime në vendimin e nxjerrë nga përmbarimi, në një vizitë të zhvilluar pranë tyre kryebashkiaku Basha si shumë herë të tjera mori përsipër rolin e misionarit të mirë, duke premtuar se do të verifikonte situatën brenda 24 orëve. E nëse kërkesa e banorëve do të ishte e drejtë, do t’i rikthente ata në ambientet ku kishin jetuar për vite me radhë.

Tashmë kanë kaluar 6 ditë nga premtimi i bërë dhe kryebashkiaku Lulzim Basha nuk kanë dhënë asnjë prononcim në lidhje me faktin nëse banorët kishin ose jo të drejtë. Ky realitet edhe një herë tjetër tregon se këta banorë duhet të vënë në rrezik jetën e tyre si mundësia e vetme për të kërkuar vëmendjen ndaj të drejtave të tyre.

Por mesa duket as kjo nuk po funksionon, pasi institucionet pavarësisht përgjegjësive që kanë nuk gjejnë dot kohë që të merren me problemet e qytetarëve.

Përballë kësaj indiference të treguar nga ky dikaster, banorët kanë refuzuar edhe propozimin tjetër të bërë nga kryebashkiaku Lulzim Basha për mundësimin e sistemimit të menjëhershëm në banesa me qira tranzitore, derisa të ketë mundësi t’i sistemojë me 3 programet për strehim: “Banesat sociale, kreditë e buta ose bonusi i qerasë që ofron Bashkia e Tiranës”.

Tre prej dhjetë banorëve të përfshirë në këtë grevë urie, në rrugën “Margarita Tutulani”, të cilët u nxorën nga godina me një vendim të Përmbarimit, kanë manifestuar probleme të rënda shëndetësore gjatë ditës së djeshme. Pranë ambienteve të grevës është stacionuar tashmë edhe makina e ambulancës për çdo urgjencë të mundshme shëndetësore. Mjeku që ka ndjekur nga afër ecurinë shëndetësore të grevistëve deklaroi dje se shëndeti i grevistëve po rëndohet edhe më shumë.

Banorët e ngujuar kanë manifestuar luhatje të tensionit dhe aritmi, ndërsa refuzojnë braktisjen e grevës, përmes së cilës synojnë kthimin në banesat e tyre. Por edhe ky fakt duket i pamjaftueshëm për të nxitur reagimin e Bashkisë së Tiranës, po edhe institucioneve të tjera përgjegjëse. Ndërkohë që janë me qindra familjet të cilat janë vënë përballë tensioneve të shumta psikologjike, si dhe dhunës së ushtruar nga përmbarimi si rrjedhojë e zbatimit të aktit normativ të qeverisë për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Akt i cili lë në mes të katër rrugëve qindra familje të cilat për kushtet ekonomike në të cilat ndodhen, nuk mund të përfitojnë asnjë lloj ndihme nga programet shtetërore të strehimit social.

 

Premtimi i Lulzim Bashës më 26 prill 2013

“Ne do të mundësojmë një periudhë tranzicioni në banesa me qira, të marra përsipër nga Bashkia e Tiranës me ndihmë donatorësh, sepse vetë nuk kemi mundësi ligjore të drejtpërdrejta. Do ta përdorim këtë periudhë tranzitore 3-4 mujore, për të parë cili nga tre programet qe ne ligjërisht disponojmë dhe që të mundësojë nje zgjidhje edhe afatgjatë, qoftë banesa sociale, qoftë kredi kur mund ta përballojë apo bonus qiraje, në rast se dy të parat nuk mund të funksionojnë.

Nëse vendimi i Përmbarimit nuk përmbush kushtet ligjore, çka u pretendua nga banorët, por që unë nuk kam mundësi ta them tani, do ta verifikoj 24 orët e ardhshme, atëherë nuk ngelet gjë tjetër, veçse të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Në të kundërt, shpresoj dhe besoj se oferta ime si qytetar me ndjeshmëri po dhe si kryetar i Bashkisë, me një mundësi për të ndihmuar qoftë edhe jo brenda tagrit ligjor, të pranohet”.

 

 

Enti Kombëtar i Banesave abuzon me ligjin

Duke marrë shkas nga ngjarje konkrete të cilat janë në proces trajtimi, disa ditë më parë (përkatësisht më datën 25 prill), Avokati i Popullit hodhi dyshime të forta në lidhje me abuzimet që Enti Kombëtar i Banesave po ndjek me zbatimin e ligjit. Si rrjedhojë për këtë situatë i është kërkuar organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura për të gjitha rastet e dyshuara.

“Avokati i Popullit po e ndjek nga afër dhe me shumë vëmendje këtë proces duke trajtuar në tërësi problemin, por edhe raste individuale që lidhen me këtë problematikë, në të cilat ka vërejtur se veç çështjeve madhore të lartpërmendura, ka edhe raste ku ekziston dyshimi i bazuar se nga ana e Entit Kombëtar të Banesave si institucion zbatues i  aktit normative mund të jetë abuzuar me ligjin, sikurse është një rast në trajtim e sipër nga ana jonë lidhur me ish- çerdhen numër 36, në zonën e Fushës së Zezë, Tiranë. Për këtë qëllim i bëjmë thirrje organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura rast pas rasti”, ka deklaruar Avokati i Popullit Igli Totozani.

Pranvera Kola May 2, 2013 09:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim