Fjalim mortor, me rastin e vdekjes tragjike të “simotrave sindikata”

August 12, 2019 14:06

Fjalim mortor, me rastin e vdekjes tragjike të “simotrave sindikata”

Nga Ylli Meçe

Të nderuar miq e shokë, të nderuar zonja e zotërinj, të nderuar prindër Socialist dhe Demokrate !
Fati i keq në këtë ditë të plotë diell, na mblodhi padrejtësisht për të përcjellë në banesën e fundit dy nga bijat tuaja por dhe tonat më të mira, simotrat sindikata apo “Sindi” sikurse u fliste shkurt i gjithë populli ynë, por që emrat e vërtetë i kishin ajo më e madhja “Konfederata” dhe më e vogla rebele e “Pavarura”!

Ato ikën atëherë kur ne nuk e prisnim, duke lenë në pikëllim të madh mamanë demokrate dhe babain socialist, si dhe të gjithë dashamirësit tyre, duke na befasuar tronditur, bile dhe na kanë goditur aq rëndë në shpirt, sa që do na duhen dekada vitesh ta marrim veten. E dimë fort mirë, se vdekja është një proces natyral dhe shpesh godet edhe kur nuk e pret, godet atëherë, kur mund të ndodhesh jo vetëm në kulmin e rinisë tënde të virgjër e të pa fajshme, por edhe në vlagën e punës dhe të arritjeve të tyre të pandalshme e në rritje të vazhdueshme.

Të tilla i kishim këto bija kaq të mira punëtore, të cilat të edukuara me ndjenjën e dashurisë për punëtorinë dhe mbrojtjes së interesave të tyre, arritën deri në sakrificën më sublime, atë të dhënies së jetës në krye të detyrës. Ku nuk i pamë ne ato! Të gjithë jemi dëshmitarë okularë, se ato nuk lanë vend pa shkelur, prej Kepit të Stillos e deri në Vermosh, duke u përballur me kurajë e dhëmbë për dhëmbë me ingranazhet e ndryshkura të të gjitha llojeve të pushteteve, pa marrë parasysh faktin se hierarkia e egër administrative edhe mund të hakmerrej ndaj tyre. Kjo ikje kaq e pa pritur, ka tronditur thellë jo vetëm opinionin mbarë kombëtar, por bile dhe atë ndërkombëtar. Ikën vërtetë në mënyrën më dinjitoze, por kjo fatëkeqësi ka shtruar edhe disa dilema të mëdha…mos vallë ato u vranë aksidentalisht, u vetëvranë si japonezët që bëjnë “harikirin”, apo të ishte një vrasje e mirë organizuar nga pushteti ?!

Gjithsesi, në çfarëdo rrethane të ketë ndodhur kjo gjëmë e madhe, ato tashmë nuk jetojnë dhe nuk do t’i kemi më pranë nesh. Punëtori i naftës, ata të fasoneve, shëndetësia, arsimi, minierat, sektori i bujqësisë dhe të gjitha kategoritë e specialiteteve të punonjësve, të renditur sipas ndarjes shoqërore të punës, nga sot e tutje, nuk do ta ndiejnë më mbi kokë dorën e ngrohtë të motrave të tyre, të cilat, falë përpjekjeve titanike, realizuan objektiva shumë të mëdha, duke dhënë ndihmesën e tyre në begatinë, mirëqenien dhe lumturinë e popullit shqiptar të shumë vuajtur..
Çfarë nuk bënë ato fustangrisura ! Organizuan greva e demonstrata të fuqishme, për hapjen e fronteve të reja të punës, duke luftuar bile dhe kuruar plotësisht plagën e rëndë të papunësisë.

Ato me ndjenjën e sakrificës dhe pa ju trembur aspak syri e tronditën tërësisht rendin shoqëror dhe sistemin aktual, për rritjen e pagave të punëtorëve e si dhe të pensionistëve. Ato nuk pranuan gjysmagjelin e vitit të ri, si lëmosha e jetimores nga filmi “Lulëkuqet mbi mure”, por kërkuan pagë të trembëdhjetë si në të gjitha vendet e Evropës dhe rajonit. Në kushtet kur ato ishin të ndërgjegjshme, se kapitalizmi është i egër dhe i pa shpirt … dhanë në kulmin e përpjekjeve dhe arritjeve, shpirtin e tyre brilant e të pa njollosur ! Të gjithë ne, jemi dëshmitarë të asaj dite, kur Qeveria rriti me treqind lekë pagat e pensionistëve dhe mbi 10 mijë lekë të qeveritarëve. Ato të dyja njëkohësisht u hodhën në flakë, se ishin motra jo vetëm me një shpirt por dhe të një ideali.

Të dyja së bashku, në krye të demonstratave të punëtorisë shqiptare “ Duam punë dhe jo fjalë” u hodhën në veprimtari konkrete. Vepruan kështu, sepse në fund të fundit punëtori e vëllai socialist, nga ai demokrat, në thelb nuk kanë asnjë ndryshim cilësor nga njeri tjetri dhe kjo ka domethënien e vet, për faktin, sepse në fund të fundit me atë masë që shtypet njëri, po me atë masë shfrytëzohet dhe tjetri. Ja pra, pikërisht për këtë ideale, e të tjera si këto, motrat “Sindi” vërtetë po ikin në botën e amshume, por ma na bënë të ndërgjegjshëm për misionin tonë, se duhet të jemi ne, ata të cilëve, na takon të marrim në duar fatet tona dhe jo partitë politike, sikurse kanë bërë dikur e një kohë. Por jo ! Ato tashmë i takojnë të shkuarës së largët. Falë këmbënguljes “Konfederatës së urtë e të mirë” dhe “Të pavarurës”, sot të gjitha partitë politike e sidomos ato të mëdha, nuk e kanë më atë mundësi që t’i manipulojnë dhe t’i organizojnë në veprimet e tyre partiake, mbi kurrizin klasën punëtore. Ajo kohë ka perënduar një herë e mirë, bile pikërisht aty fillon dhe ndryshimi i madh me karakter historik i dy motrave “Sindi”, sepse asnjëra nuk i pranon më Partitë politike, të ndërhyjnë në punët e tyre të brendshme.

Ato ruajtën pavarësinë dhe integritetin e tyre, ndaj dhe ishin ballëlartë e faqebardha.
Nismat e të ndjerave Sindikata “Luftë korrupsionit” “ Stop kanabisit made in Albania” “Jo kimizim hormonial të bujqësisë” “Stop prodhimeve të huaja kur kemi tonat” etj ,etj, u bënë shembull i luftës dhe përpjekjeve, për të ndaluar invazionin e huaj dhe importin e mallrave, e pikërisht të atyre mallrave të cilat nuk janë të domosdoshme, por që kompanitë e mëdha nuk duan t’ja dinë shumë. Ato duke rendur mbas përllogaritjeve fitimprurëse të tyre, pa folur këtu dhe ortakllëkun që kanë, e që disa prej fitimeve të tyre i ndajnë me struktura të veçanta të shtetit, krijuan dhe falimentimin e prodhimeve tona. Do të duhej pikërisht ndërhyrja e tyre, që ky fenomen gangrenë e shoqërisë të merrte fund një herë e përgjithmonë. Pastërtia e shpirtit të tyre dhe virtytet qe i karakterizonin motrat “Sindi” ngelen për ne dhe brezat që do të vijnë më mbas shembull frymëzimi për të sotmen dhe për të ardhmen.

Qofshi të pa harruara motrat tona të cilat u hodhën në barrikadat e luftës klasore për shoqërinë shqiptare!
Lamtumirë të dashurat Sindi- kaka ( me falni sindikata )!

Ju ftojmë të nderur pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore që në nder të veprimtarisë së tyre të mbajmë 1 minutë heshtje !

Për të shtatat e tyre e në kujtim të të ndjerave, të dielën e ardhshme ju ftojmë të gjithëve në hotel restorant “Kalaja”.
– Ore i kujt është ky hotel restorant apo ç’dreqin është dhe pse Kalaja?!….

August 12, 2019 14:06
Komento

1 Koment

  1. 100% rilindjot... August 12, 20:42

    Pri dal t’partise se rilindjoterve, aty ky sot gjendet restorant kalaja dikur ka qene nevojtore publike. Nuk ke ku gjen vend tjeter me te pershtateshem per sindikakakat. Harakiri ne hale ka tentuar te bente dhe intelekthaleja, dhe jo me Sindi tarallakja

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin