Fjalimi i rrallë i Pjetër Arbnorit, kur Tirana nisi të mbillej me kioska

July 22, 2018 11:08

Fjalimi i rrallë i Pjetër Arbnorit, kur Tirana nisi të mbillej me kioska

Pjetër Arbnori nuk jeton prej korrikut të vitit 2006. Ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 1992 deri në vitin 2005.

U zgjodh kryetar i Kuvendit pas zgjedhjeve të vitit 1992 si dhe pas atyre të majit të vitit 1996.

Është cilësuar si “Mandela i Ballkanit”, pasi kaloi 28 vite të jetës së tij në burgjet komuniste.

Arbnori u zgjodh të drejtonte seancën e partë të kuvendit më 4 prill të vitit 1992. I mbushur me shpresë për një rrugë të re që kishte hyrë Shqipëria, Arbnori flet me besim për një të ardhme drejt demokracisë duke e vlerësuar si mjaft të rëndësishëm momentin e parë të ndërrimit të sistemit pa gjakderdhje.

“Parlamenti ynë duhet të ecë me traditën demokratike të periudhës së 1920-1924, në vazhdën e demokratëve të mëdhenj Noli, Gurakuqi e Prishtina, të ecë në traditën e demokracive të mëdha perëndimore, që kanë provuar se liria dhe përparimi janë një binom i pandarë” – thoshte Arbnori në ’92.

Por 4 vite më vonë, në seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve problematike të 26 majit 1996, Arbnori (i rizgjedhur kryetar i Kuvendit) zbulon se nuk kishte fuqi as të ndalte rrënimin urbanistik të vendit, gjë tjetër, jo e jo.

Ja pjesë nga fjalimi i tij, risjellë nga arkiva:

Të nderuar deputete dhe deputetë!

Nuk duhen nënvleftësuar kurrë mbi 300, 000 zgjedhës që votuan kundër alternativës sonë; veç kësaj, po përsëris, që Qeveria do të ketë kundër saj një parti edhe më të madhe se opozita dhe kjo do të jetë partia e atyre që nënvleftësojnë ligjet, e atyre që i anashkalojnë ligjet dhe atyre që thyejnë ligjet. Këta janë shumë më tepër se 300, 000 veta dhe që janë si në partinë e opozitës, ashtu edhe në partinë tonë.

Mos të shkojmë më larg. Qindra deputetë kalonin çdo ditë, gjatë pesë vjetëve të kaluara, dhe e mbajnë mend lulishten e bukur që gjendej rrotull saj gjithë pemë dhe lule. Kishte vetëm një të keqe, ushtarë të armatosur me automatikë që rrethonin Parlamentin në çdo hap, duke ndaluar kalimtarët që të shijojnë gjelbërimin dhe hijet e bukura. Vetëm një kioskë ku u shiteshin hamburger deputetëve gjendej në këtë rrethim. U rrëzua diktatura, u vendos demokracia, përse duheshin gjithë këta kallashnikovë që të na ruanin? Deputeti nuk ka arsye se përse të ruhet. Nuk ka më anëtarë byroje dhe sekretarë të Komitetit Qendror.

Ndër urdhrat e parë që dhashë kur u bëra Kryetar i Kuvendit Popullor ishte lirimi i lulishtes për të shëtitur pa pengesë qytetarët. Një rrethim tepër i ngushtë mbeti vetëm natën për ndërtesat. Befas u ngrit një kioskë. “Përse? – pyeta. Po që deputetët të hanë ndonjë ëmbëlsirë. E po, mirë, – u përgjigja. Me gjithë ato fjalë të hidhura që shkëmbehen në seanca, le të ëmbëlsohen pak”. U ngrit edhe një kioskë tjetër. “Përse? – pyeta. E, po, për akullore e pije. E, po, mirë. Meqë nxehen në seanca, le të freskohen pak”.

Bëri pushimet Parlamenti dhe kur u kthyem, gjetëm të ngritura 4-5 kioska. Protestova. I kemi me leje na thanë, nga Bashkia, nga KRRT-ja, nga KKP-ja, e nga ku e di unë. I dërgova protestë zyrtare Bashkisë, KRRT-së dhe në vend të përgjigjes u gdhi e rrethuar 1/3 e lulishtes së Parlamentit, sepse do të ngrihej një xhami. U bë mbledhja e të gjithë kryetarëve të komisioneve dhe e kundërshtuam prerë.

Kemi respekt për besimet, i përkrahim, por ne jemi shtet laik dhe nuk është logjike që te dera e Parlamentit të këndojë prifti apo hoxha. Kërcënova se do të vendos përsëri roja dhe ndërtuesit e hoqën rrethimin e llamarinave, po ndërkaq kioskistët vazhduan sulmet e natës duke rrethuar lulishten dhe Parlamentin me një mur të padepërtueshëm.

Nuk mjaftoi kjo dhe firma gabi mu anash rrugës andej nga futen delegacionet e huaja në Parlament nderi, me mijëra rrecka të të gjitha markave dhe ngjyrave dhe hapi më të madhin treg arixhinjsh në Tiranë.

Mora shembull lulishten e Parlamentit, por e gjithë Shqipëria është shndërruar në një kantier ku ndërtohet me leje dhe pa leje, me pronë dhe pa pronë, me bekim apo me heshtje autoritetesh. Ligjet e mira nuk na vlejnë, po qe se komisionet përkatëse nuk marrin në dorë kontrollin e zbatimit të tyre…”

k.a. / dita

July 22, 2018 11:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*