Fjalor i paradokseve

May 24, 2018 10:08

Fjalor i paradokseve

 

Nga Fatos Tarifa

 

Duke marrë si shembull Fjalorin e ideve të pranuara (Dictionnaire des Idées Reçues), të shkrimtarit të shquar francez Gustave Flaubert, redaksia e gezetës Dita i kërkoi sociologut të njohur Fatos Tarifa të hartojë për lexuesit e kësaj gazete një fjalor të ngjashëm, të cilin nisim ta botojmë sot, nën titullin “Fjalori i Paradokseve”. Një pjesë e termave janë sugjeruar nga Redaksia, pjesa tjetër janë zgjedhje të vetë autorit. Renditja e tyre, si në çdo fjalor, është alfabetike.

 

A

 

AFERË

Asnjë martesë nuk është e imunizuar ndaj aferave jashtëmartesore.

 

Aftësi

Asnjëherë nuk mund ta dimë se ç’jemi të aftë të bëjmë, nëse nuk përpiqemi e nuk provojmë të bëjmë diçka.

 

Aktor

Shumica janë po aq të mërzitshëm e jo kreativë në jetë, sa edhe në skenë.

 

ALTRUIZËM

Altruizmi është një pjesë e gjendjes humane, ashtu si dhe e kundërta e tij, egoizmi. Empatia është një kusht i domosdoshëm, edhe pse jo i mjaftueshëm, për veprime altruiste.

 

E ardhmja

Vjen ditë pas dite, çdo ditë nga pak.

 

ART

Një formë terapie.

 

ARROGANCË

Tipar dallues i çdo pushteti.

 

Ateist

Dikush që beson në diçka më të madhe e më të përjetshme se Zoti.

 

Atdhe

Vendi për të cilin rreh zemra.

 

AUTOBIOGRAFI

Një rrëfim që s’është kurrë tërësisht i vërtetë, pasi e vërteta nuk është kurrë e përshtatshme për t’u bërë publikisht e njohur.

 

Autoritet

Pushtet i legjitimuar.

 

 

B

 

Barok

Një ndër dy llojet e seksit. Seksi klasik është romantik, refleksiv, serioz, emocional, moral, misterioz, spontan, i fokusuar në një person të veçantë dhe konvencionalisht feminin. Seksi barok është pop, i gjallë, eksperimentues, i ndërgjegjshëm, amoral, anonim, i qëllimshëm, i fokusuar në ndiesinë për hir të ndjesisë dhe konvencionalisht maskulin.

 

Bashkëbisedim

E gjejmë në tre lloje: si dialog (kur dy njerëz që bashkëbisedojnë shkëmbejnë mendime), si dualog (kur dy njerëz flasin me njëri-tjetrin por nuk komunikojnë) dhe si monolog (kur gjithnjë flet i njëjti njeri, ndërsa tjetri vetëm dëgjon, ose bën sikur dëgjon).

 

Beqar

Dikush që ende s’ka vendosur të martohet. Benedict: “Kur thoja se do të vdisja beqar, nuk mendoja se do të rroja deri sa të martohesha”, (Shakespeare, Shumë zhurmë për asgjë).

 

Besë

Premtim për të cilin flasin më shumë ata që nuk e mbajnë.

 

Besim

Arma më e fortë për të arritur atë që duam.

 

BIOLOGJI

Biologjia e seksit te meshkujt dhe te femrat është shumë më e ngjashme nga sa është menduar deri vonë, kur mashkulli besohej se është biologjikisht poligam, ndërsa femra biologjikisht monogame.

 

Brando (Marlon)

Pothuajse gjithçka që ai bëri ishte revolucionare. Asnjë aktor tjetër nuk ka qenë origjinal si ai.

 

BURG

Vendi më i natyrshëm për kriminelët dhe politikanët.

 

 

D

 

Dashuri

Diçka të cilën e japim jo për të marrë, por për të dhënë. Në dashuri, ashtu si dhe në politikë, fjalët dhe veprat, në më të shumtën e rasteve, nuk janë e njëjta gjë. Ajo çfarë themi për dashurinë, ose në emër të saj, nuk është gjithnjë e njëjtë me atë që bëjmë për të, ose në emër të saj.

 

Demokraci

Një sistem politik, i cili nuk i mundëson askujt të bëhet më i fuqishëm se populli.

 

Det

Një botë e lirë, pa kufij, si çdo të dëshiroja të ishte bota në të cilën jetojmë. Njeriu-peshk i Anaksimandrit.

 

Dëshmitar

Një rol që s’është për t’u dëshiruar dhe ndonjëherë i rrezikshëm, pasi askush s’mund ta dijë se ç’pasoja mund të ketë dëshmia e tij.

 

TË DREJTA NJERËZORE

Njerëzit kanë identitete unike, që krijohen biologjikisht, shoqërisht e kulturalisht. Të drejtat e njeriut burojnë pikërisht nga kjo premisë, që njerëzit, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë të përbashkët një gjë esenciale—humanitetin—të qenët qenie njerëzore dhe të pasurit e aspiratave njerëzore. Këto të drejta janë “humane”, sepse të gjitha qeniet njerëzore i kanë ato—njëlloj dhe në të njëjtën masë—për shkak të humanitetit të tyre, pavarësisht seksit, racës, moshës, pozitës shoqërore, klasës së cilës i përkasin, origjinës ose përkatësisë etnike, pavarësisht nëse janë të varfër ose të pasur, pavarësisht profesionit, talentit, meritave, fesë, ideologjisë ose përkatësive të tjera. Për shkak se kanë të bëjnë me humanitetin e çdo individi, të drejtat e njeriut janë universale; ato janë të patjetërsueshme dhe të padhunueshme. Këto të drejta nuk mund të transferohen, të mos i njihen, t’i mohohen, t’i hiqen ose t’i rrëmbehen askujt, as kur njerëzit nuk arrijnë dot që t’i ushtrojnë realisht ato.

 

Drejtësi

Drejtësia është e mira supreme; padrejtësia, e keqja më e madhe. Por drejtësia nuk është sinonim e ligjit. Gjykatat vendosin në përputhje me ligjin; ato nuk vendosin drejtësinë. Një shtet ligjor duhet të jetë edhe një shtet i së drejtës. Pas çdo ligji duhet të ketë drejtësi. Drejtësia duhet të jetë synimi më i lartë i ligjit. Rrjedhimisht, natyra dhe suksesi i çdo sistemi ligjor vlerësohen e maten me shkallën e besnikërisë së tij ndaj idealit universal të drejtësisë.

 

Dyshim

Gjithnjë më i mirë sesa besimi i verbër.

 

 

DH

 

Dhunë

Pavarësisht llojit të saj, dhuna kthehet gjithnjë mbi atë që e nis dhe e ushtron.

 

Dhuratë

Nuk është çmimi që e përcakton vlerën e saj, por mendimi që e shoqëron atë dhe njeriu që e jep. Një dhuratë, sado e shtrenjtë, nuk ka vlerë nëse ajo nuk përmban një mendim të bukur.

 

 

Ë

 

ËNGJëLL

Të gjithë fëmijët lindin engjëj. Përse atëherë në popullsinë e rritur ka kaq shumë djaj?

 

 

F

 

FAT

Marksi thoshte se “rrethanat i bëjnë njerëzit po aq sa njerëzit vetë krijojnë rrethanat e tyre”. Edhe pse askush nga ne nuk është në gjendje që t’i zgjedhë rrethanat e jetës së vet, çdonjëri prej nesh e ka vetë në dorë formimin e karakterit të tij. Janë aftësitë tona relative dhe dobësitë tona relative ato që na mundësojnë të parashikojmë fatin tonë. E ardhmja e secilit prej nesh nuk është domosdoshmërisht diçka që përcaktohet nga jashtë nesh, ajo është në dorën tonë. Siç thoshte Shekspiri, fati ynë përcaktohet “jo nga yjet, por nga vetë ne”.

 

Fëmijë

Gra e burra që nuk piqen me moshë.

 

FILOZOF

Filozofi dallon nga politikani sepse i pari shtron pyetje, ndërsa i dyti pretendon se ka përgjigje për çdo gjë.

 

FilozofiA

Nis si habi, mbaron si spekulim.

 

Fjala

Pasqyrë e shpirtit dhe terapi. Prej saj mund të njohim njeriun që flet. Një fjalë e ëmbël mund të kurojë dhe të shurdhin.

 

FrikA

Një krijesë e mendjes sonë; ajo nuk ekziston realisht jashtë mendjes. Pra është në mendjen tonë ku frikën edhe mund ta vrasim.

 

 

G

 

GëNJESHTËR

Të gënjesh është njerëzore (To lie is human). Të gjitha qëniet njerëzore gënjejnë. Diogjeni, filozofi i lashtë grek, edhe pse tërë jetën e kaloi duke kërkuar një njeri të ndershëm, i cili të mos gënjente, vdiq pa gjetur një të tillë.

 

Greqisht

Çdo gjë që unë s’e kuptoj (It’s Greek to me).

 

Guxim

Baza mbi të cilën mbështeten të gjitha virtytet e tjera të njeriut.

 

 

H

 

HABITUS

Habitusi ynë ka të bëjë me kulturën dhe vetë kultura, siç thoshte John Stuart Mill, ka të bëjë me jetën e ndjenjave (life of feelings), me eksperiencat e brendshme dhe me perceptimet subjektive, të cilat nuk kanë vend në botën utilitare të marrëdhënieve ekonomike. Të gjitha këto, në kushtet e modernitetit, ndryshojnë, duke krijuar, nëse përdorim një shprehje të Giddens-it, një “luftë civile” mes kulturës dhe shoqërisë. Edhe pse moderniteti duhet kuptuar në një nivel institucional, transformimet që mundësojnë dhe realizojnë institucionet moderne të shoqërisë kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e individit, për shkak të fragmentarizimit të paevitueshëm të eksperiencave jetësore individuale. Për të parën herë me modernitetin krijohet, ose del qartazi në pah problemi i identitetit personal të individit.

 

HapËsirË

Gjithnjë e mjaftueshme nëse dimë ta shfrytëzojmë, edhe pse shumica e njerëzve ankohenpër mungesën e saj.

 

Higjenë

Qytetërim.

 

HIPERKULTURË

Një kulturë që lëviz shumë shpejt për të qenë humanisht e dobishme. Në jetët tona sundohemi nga pushteti i së tashmes, nga pushteti i një së tashmeje insistuese që s’njeh asnjë dimension tjetër kohor. Në një shoqëri të tillë, pak gjëra zgjasin, ose mendohet se duhej të kishin jetëgjatësi. Në të kundërt, ne rrethohemi nga një fluks i pandërprerë dhe, për rrjedhojë, duket se nuk ka vend për një përkushtim pasionant, përsa kohë që nuk ka asgjë të përhershme së cilës t’i përkushtohemi.

 

HIPOKRIT

Sa herë që një shkrimtar lavdëron veprën e një shkrimtari tjetër, ai tregohet hipokrit.

 

Homoseksualitet

Një prej variacioneve normale të mundshme të orientimit seksual.

 

HUMANITETE

Humanitetet janë ruajtësit e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Përmes tyre ne njohim, çmojmë dhe shijojmë thesaret e paçmuara që përmbajnë artet, letërsia, historia, filozofia.

 

Humanizëm

Humanizmi afirmon aftësitë dhe përgjegjësitë tona si individë në raport me veten dhe me shoqërinë, duke informuar e frymëzuar te çdo njëri nga ne parimet e një jete etike të shëndetshme, të jetuar mirë, të lumtur e të dobishme.

May 24, 2018 10:08
Komento

3 Komente

  1. Hammerhaituri May 26, 10:20

    BALLKANI PERENDIMOR
    Mund ta quajm ndryshe SHQIPERIA e gjymtuar

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim