FLAMURI DETAR I SHQIPËRISË

Prof. XHEVAT LLOSHI April 3, 2016 14:30 Updated

FLAMURI DETAR I SHQIPËRISË

Sipas një ligji ndërkombëtar, sovraniteti i një shteti shtrihet edhe mbi pjesët e tij të shkëputura qoftë edhe përkohësisht. Është fjala për mjetet lundruese. Një anije është … “tokë” e shtetit, flamurin e të cilit mban. Kjo i mbron anijet me ekuipazhin e tyre kudo qofshin nëpër portet, detet dhe oqeanet e rruzullit. Është e vërtetë që edhe në këtë rast vepron fjala “Sapo bëhet ligji, i gjendet marifeti”. Domethënë, një kompani lundrimi vë flamurin e një shteti të huaj, jo të atij të cilit i përket, për të mashtruar, që të mos paguajë taksa ose për ndonjë përfitim tjetër. Megjithatë, pavarësisht nga ky shpërdorim, flamuri mbi një anije simbolizon një shtet real të botës. Anasjelltas, kjo do të thotë që një shtet e ka të domosdoshëm të ketë edhe flamurin e vet detar, që t’u japë mbështetje dhe dinjitet detarëve të vet.

Historia e flamurit kombëtar të Shqipërisë ka një të kaluar të gjatë, madje është flamuri që ka frymëzuar edhe himnin kombëtar shqiptar. Nga shpjegimi i mësipërm për flamurin detar vetvetiu lind pyetja: Po historia e flamurit detar të Shqipërisë si është? Nuk e di se çfarë ka bërë Skënderbeu, kur hapi një port detar për nevojat e veta ekonomike dhe ushtarake në Kepin e Rodonit, prandaj do të vijmë më afër: Çfarë u bë kur Ismail Qemali ngriti flamurin e Pavarësisë më 1912 në Vlorë? E kemi një përgjigje të dokumentuar nga punimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër për çështjen e shtetit shqiptar, që u mbajt më 1912-1913. Nuk do të zgjatem për këtë Konferencë, sepse për të është shkruar gjerësisht si miratimi ndërkombëtar për kufijtë e Shqipërisë (pavarësisht se të cunguar padrejtësisht), ndërkaq më 2012 është botuar një vëllim prej 673 faqesh nga historiani M. Shatri, si përmbledhje Dokumente britanike për çështjen shqiptare, të cilat i kam përkthyer shqip unë.

Në mbledhjen e datës 8 gusht 1913 u diskutua çështja e Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë. Përfaqësuesi austro-hungarez, Konti Albert Mensdorff (1861-1945), i cili ka qenë ambasador i Austro-Hungarisë në Londër më 1904-1914, paraqiti kushtet e perandorisë së vet, nga të cilat e vlen të riprodhohen dy kërkesat konkrete për kufijtë e Shqipërisë:

1). Territoret mbi të cilat do të shtrihen punimet e Komisionit nuk mund të mbeten të papërcaktuara. Kufijtë e tyre do të jenë në perëndim të maleve që ndajnë rajonin bregdetar, duke i dhënë Shqipërisë deri në Ftelia luginën e Gjirokastrës. Në veri-lindje vija e vjetër e kufirit të Kazasë osmane të Korçës. Ndërmjet këtyre dy rajoneve vija e treguar në memorandumin e paraqitur nga z. Venizelos në mbledhje do të përbëjë kufirin verior të punimeve të komisionit, ndërsa në jug dhe në jug-lindje punimet do të shtrihen deri në vijën e propozuar nga Austro-Hungaria.

(2). Që tashti është e vendosur që rajoni bregdetar deri në Ftelie, duke përfshirë edhe ishullin e Sazanit, rajoni që gjendet në veri të vijës greke, si edhe Kazaja e vjetër osmane e Korçës, bashkë me bregun perëndimor dhe jugor të liqenit të Ohrit, duke u shtrirë nga fshati Lin deri te manastiri i Shën Naumit do të jenë pjesë e pandarë e Shqipërisë.

Markezi Guglielmo Imperiali (1871-1942), ambasador i Italisë në Londër më 1910-1921, dhe princi Lihnovski e mbështetën këtë komunikim. Ambasadori i Francës dhe ambasadori i Rusisë rezervuan të drejtën për t’u këshilluar me qeveritë e tyre. Sir Edward Grey (1862-1933) ishte ministër i jashtëm i Britanisë (1905-1916) dhe ai i kryesoi punimet e Konferencës. Në përfundim të Konferencës ai deklaroi në Dhomën e Komuneve, se cungimi i Shqipërisë ishte një “kurban” i domosdoshëm në “altarin e paqes europiane”. Kjo deklaratë ka domethënie të shumëfishtë, por fare shkurt mund të thuhet, se ajo e pranon hapur që Shqipëria u gjymtua dhe në këtë mënyrë mbeti një barrë faji edhe mbi kurrizin e Britanisë së Madhe. Po të lexohen me vëmendje fjalët e Toni Blerit lidhur me luftën në Kosovë deri në çlirimin e saj, ndihet qartë, se ai e kishte në vetëdije nevojën e shlyerjes së kësaj padrejtësie. Nga ana tjetër, ky flijim ishte fatalisht një manovër ndërkombëtare e çastit, sepse vetëm një vit më pas shpërtheu Lufta e Parë Botërore, domethënë u flak në erë mëtimi se flijimi i Shqipërisë do të ruante paqen ndërmjet Fuqive të Mëdha. Me një paralelizëm mjaft bindës, po kjo gjë ndodhi me sakrifikimin e Sudeteve të Çekosllovakisë më 1938 për oreksin e nazistëve të Hitlerit, kur përfaqësuesi anglez i atëhershëm deklaroi, se në këtë mënyrë kishin siguruar gjysmë shekulli paqeje për Europën. Përpikërisht po njësoj pas një vitit shpërtheu Lufta e Dytë Botërore.

Eduard Greji njoftonte rregullisht mbretin dhe qeverinë britanike për ecurinë e punimeve. Më 8 gusht ai i ka përcjellë edhe Sir F. Cartwright-it informacionin e rregullt për mbledhjen e asaj dite. Ky Fejrfaks Kartrajti (1857-1928) ishte diplomat i karrierës dhe më 1908-1913 ishte ambasador në Vjenë, prandaj kishte ardhur në Vjenë dhe E. Greji këshillohej vazhdimisht me të. Në fund të këtij njoftimi E. Greji ka shtuar:

“Në fund unë komunikova telegramin e mëposhtëm nga admirali Burney në Shkodër për Admiraliatin me datën 4 të këtij: –

“Tashti nuk ka asnjë flamur për anijet shqiptare në det. Për këtë arsye unë do të sugjeroja, që është e nevojshme të njihet një flamur për Shqipërinë sapo të rregullohet kjo punë.

      Pas këshillimit me anëtarët e tjerë të Komisionit, të cilët janë duke u bërë telegrame qeverive të tyre për të njëjtën gjë, unë do të rekomandoja që të njihej përgjithësisht zyrtarisht flamuri që tashti është i njohur nga popullsia si flamuri shqiptar, domethënë një fushë e kuqe me shqiponjë të zezë.”

Admirali që përmendet këtu ishte Sir Cecil Burney (1852-1929), i cili do të caktohej komandant i Flotës Ndërkombëtare, që do të zbatonte bllokadën e bregdetit të Shqipërisë dhe të Malit të Zi më 1913-1914. Ky është një dokumentim, se flamuri detar i Shqipërisë do të pranohej ndërkombëtarisht më 1913. Po është sidomos interesante që, ndonëse Konferenca e Londrës zyrtarisht nuk e njohu shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe nuk ftoi ndonjë përfaqësues shqiptar, tërthorazi e ka pranuar atë, sepse shprehja “është i njohur nga popullsia e Shqipërisë” në të vërtetë është një eufemizëm diplomatik. Nga e dinte E. Greji se ky flamur njihej nga popullsia, mos kishte bërë ndonjë sondazh nëpërmjet gazetave apo OJQ-ve angleze? Sepse nëpërmjet rrjeteve sociale nuk mund ta bënte, meqë atëhere ende nuk ishin shpikur interneti dhe telefonat celularë. Flamurin me shqiponjën e zezë në fushën e kuqe e kishte ngritur Ismail Qemali dhe kështu ai ishte bërë i njohur nga gjithë popullsia e Shqipërisë, edhe nga ata që ia kishin treguar këtë E. Grejit.

Sidoqoftë, kështu kemi një datë të përpiktë për lindjen e flamurit tonë detar. Mbetet detyrë e historianëve ta çojnë më tej fatin e këtij flamuri deri në ditët tona.

Prof. XHEVAT LLOSHI April 3, 2016 14:30 Updated
Komento

1 Koment

  1. demo April 4, 17:02

    Shume interesante!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim