Flamurtari e nis keq, Superkupa e Shqipërisë është e Skënderbeut

August 18, 2014 09:12

Flamurtari e nis keq, Superkupa e Shqipërisë është e Skënderbeut

Skënderbeu fitoi sërish Superkupën e Shqipërisë. Ashtu siç kishte bërë dhe një vit më parë skuadra korçare arriti të fitojë, këtë herë ndaj Flamurtarit duke zgjidhur gjithçka me një gol të Nimagës, pas një ndeshje që dhe pse nuk ishte spektakolare gjithsesi tregoi rivalitet mes dy kundërshtarëve. Përvoja e korçarëve dhe këmbëngulja e tyre më e madhe deri në momentin e gjetjes së golit bëri diferencën, në një 90 minutësh që solli gjithashtu dhe një tjetër risi në futbollin shqiptar, praninë e 6 gjyqtarëve në fushë.

Si Flamurtari ashtu dhe Skënderbeu kishin bërë lëvizje të rëndësishme në merkaton e verës duke qenë dhe dy prej pretendenteve në garën për titull, që këtë vit pritet të mos shoh protagonistë vetëm korçarët. Gjithsesi tribunat e “Qemal Stafës” nuk patën peshën e duhur të tifozëve dhe për shkak të sezonit veror, që është në pikun e tij në këtë periudhë.

Dy skuadrat luanin për herë të parë me njëra-tjetrën për këtë trofe dhe dëshira për ta fituar atë i bëri të jenë tejet të kujdesshme sidomos Flamurtari, që u përpoq të shfrytëzonte kundërsulmin duke i lënë qarkullimin e topit Skënderbeut. 45 minutat e para ishin tejet të ashpra, me ndërhyrje të shpeshta nga ana e të dyja skuadrave dhe rastet munguan. Gjithcka ndryshoi në pjesën e dytë kur Berisha menjëherë dha sinjalin me një goditje nga jashtë zone. Ndeshja u zhbllokua më në fund në minutën e 52-të, kur pas një këmbëngulje të gjatë në zonë, malezi Nimaga goditi saktë brenda në zonë duke mposhtur Likën.

Ernest Gjoka që kishte hedhur në fushë në fillimin e pjesës së dytë Gilberton i bëri shenjë skuadrës të shihte më shumë drejt sulmit dhe në minutën e 61-të, Douglas Mendes pati shansin e artë, por nga dy hapa nuk e dërgoi topin në rrjetë. Pak sekonda më pas provoi dhe Gilberto por jo saktë. Ashtu sic nuk u tregua i saktë dhe Progni nga jashtë zone në të 63-tën. Ndeshja ishte më e hapur dhe në të 72-ën, Vucaj harkoi drejt zonës një top të lartë që u devijua në goditje këndi nga mbrojtësit e Skënderbeut. Ndërkohë që në tribuna tifozët i prishën bukurinë takimit me veprimet e tyre në tribuna duke harruar se gjendeshin aty për të mbështetur skuadrat e tyre. Sa i përket lojës së fushës, rastin e fundit për të çuar takimin drejt shtesës e pati Vucaj që goditi drejt kuadratit por gjeti gati Shehin. U mbyll 1-0 për korçarët e me kapitenin Blendi Shkëmbi që ngriti lart një tjetër trofe për Skënderbeun e tij.

August 18, 2014 09:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*