Flamurtari, i pari që nxit privatizimin e klubeve

September 12, 2015 11:40 Updated

Flamurtari, i pari që nxit privatizimin e klubeve

Çështja e privatizimit të klubeve po lakohet çdo ditë e më tepër në futbollin shqiptar, kjo si nevojë e kohës dhe si vetmja mënyrë efikase për modernizimin e këtij sporti në vendin tonë.

Ka kohë që flitet për një ligj të tillë në vendin tonë, por duket se tashmë ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ketë klubet e futbollit ashtu si e gjithë bota.

Kalimi nga një dorë në tjetrën, nga një administrator apo sponsor në tjetrin, në bashkëpunim me bashkitë është shoqëruar me debate dhe problematika të shumta, ku shpesh edhe politika ka ndërhyrë për qëllimet e veta.

I pari që duket se ka ndërmarrë një nismë konkrete për privatizimin është klubi i Flamurtarit. Përfundimi në fund të këtij sezoni i kontratës 2-vjeçare për administrimin dhe menaxhimin e Flamurtarit, i ka vënë në lëvizje kompanitë turke “TRK” dhe “Atlas Jet”, që tani kërkojnë ta privatizojnë klubin vlonjat.

Drejtuesit aktualë kuqezinj, me administrator Sinan Idrizin, i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë shqiptare mbi procedurën e privatizimit. Ka qenë ky i fundit, që në një takim që ka pasur me Kryeministrin Edi Rama, i ka kërkuar ndërtimin e të gjithë bazës ligjore së këtij procesi.

Pikërisht baza ligjore e privatizimit të klubeve mungon dhe së shpejti pritet të miratohet me ligj në parlament, ku do të bëhet me ankand nëpërmjet bashkive përkatëse.

Gjithsesi, stadiumet dhe terrenet sportive do të vijojnë edhe për disa kohë të mbeten pronë e bashkive, deri në momentet që vetë presidentët të ndërtojnë ose blejnë edhe stadiumet. Tashmë është bërë publike dëshira e kompanive turke për të ndërtuar një aeroport në Vlorë dhe Kryeministri Rama ka hapur dritën jeshile.

Kjo edhe për faktin se paralel me aeroportin, turqit do të ndërtojnë edhe një stadium model, projekti i të cilit është bërë gati. Pritet që Rama të ndërhyjë sa më shpejt që ligji mbi privatizimin e klubeve të realizohet brenda këtij viti.

September 12, 2015 11:40 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*